Hamza Halabaku: Ngjarjet historike nuk durojnë as minimizim, por as hiperbolizim
Reagim me shkas
NGJARJET HISTORIKE NUK
DUROJNË AS MINIMIZIM, POR AS HIPERBOLIZIM
Ndonëse
po i afrohemi 40-vjetorit të ditës së 2 korrikut të vitit 1990, kur u miratua
Deklarata Kushtetuese e Kosovës, ende ka tendenca, që për interesa grupore ose
individuale, diçka të minimizohet ose hiperbolizohet nga ajo ngjarje historike
dhe nga kontributi i pjesëmarrësve të saj. Mirëpo, jam i bindur se delegatët e
asaj legjislature e dinë se nuk ishin vetëm: E kishin prapa Shërbimin
profesional të Kuvendit të Kosovës të asaj kohe, por edhe Qeverinë e Kosovës
dhe vetë Jusuf Zejnullahun që ishte në krye të asaj qeverie

Dita
e ngjarjes historike të 2 korrikut të vitit 1990, kur u miratua Deklarata
Kushtetuese e Kosovës, po i afrohet 40-vjetorit, por ende po ka raste që disa
autorë shkrimesh edhe po i ngatërrojnë datat kur nga deputetët e legjislaturës
së vitit 1990, që në atë kohë quheshin delegatë, u miratua Deklarata
Kushtetuese dhe Kushtetuta e parë e Republikës së Kosovës. Thuaja çdo vit
shënohen përvjetorët e këtyre ngjarjeve historike, qoftë me ndonjë pritje të
delegatëve që ende janë gjallë nga udhëheqës aktual të Kosovës, qoftë me ndonjë
emision radio-televiziv apo tribunë nga ndonjë shoqatë. Reagimi im dhe
zhgënjimi ka të bëjë me faktin se në këto raste flitet për shumë çështje që
kanë ndodhur ditën e 2 korrikut, ose 7 shtatorit të vitit 1990 nga njerëz që
nuk kanë qenë të informuar sa duhet. A janë ata më të merituarit dhe më të
informuarit të flasin për këtë ngjarje lë për të dëshiruar.
Në
takime të tilla rrallë ndonjëherë gjendet edhe ndonjë nga Shërbimi profesional
i Kuvendit të Kosovës, meritat e të cilit shërbim nuk ishin të pakta sidomos
para e pas 2 korrikut. Mua më brengos fakti se thuaja asnjëherë nuk u kujtua
dikush nga udhëheqjet tona aktuale, apo nga mediat, ta ftojnë ish - kryetarin e
Këshillit të atëhershëm Ekzekutiv të Kosovës (Qeverisë), z. Jusuf Zejnullahu, i
cili ka merita të mëdha për atë periudhë që lidhet me 2 korrikun e vitit 1990
dhe me vetë ngjarjen e asaj dite që shënoi një epokë të historisë tonë më të
re. Kur e them këtë kam parasysh faktin se pozita që mbaja asokohe, ndihmës i
sekretarit të Kuvendit të atëhershëm të KSA të Kosovës, ma mundësoi hyrje -
daljen nga ndërtesa e Kuvendit të Kosovës ditën e 2 korrikut 1990 dhe jam njëri
nga dëshmitarët e rrallë që kisha informacione se çka po ndodhte brenda ndërtesës
dhe para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës ku ndodheshin delegatët, të cilëve
nuk po u lejohej hyrja brenda. Për këto gjëra kam shkruar në librin tim “NJË
DITË MIDIS DY EPOKASH” (2 Korriku dhe dokumente të tjera që çuan deri te
pavarësia), Prishtinë, 2012.
Asokohe
isha ndihmës i sekretarit të Kuvendit të atëhershëm të KSA të Kosovës dhe
përgjegjës për Byronë e Sekretarit të Kuvendit, ku kryhej puna finale për
përgatitjen e dekreteve, ligjeve, rezolutave, vendimeve dhe aktvendimeve e
dokumenteve të tjera që i miratonte Kuvendi. Ato duhej të botoheshin në
“Gazetën zyrtare të KSA të Kosovës”, natyrisht me nënshkrimin tim, në shkresën
përcjellëse, me që isha epror i atij shërbimi. Në atë pozitë më kishte emëruar
Kryesia e Kuvendit të KSA të Kosovës, më 2 qershor të vitit 1982, ndërsa deri
atëherë isha me punë në Sekretariatin Krahinor për Arsim, Shkencë e Kulturë.
Atë
ditë kisha vrapuar, me letrat në dorë, për ta dërguar në “Gazetën Zyrtare të
KSA të Kosovës” që Deklarata kushtetuese të botohej sa më parë dhe të njëjtën e
dërgova, po ashtu me dorën time në Arkivin e Kosovës, që ajo të mikrofilmohet
dhe të ruhet, sepse pushteti i atëhershëm kishte mundësi të na e merrte dhe të
na e griste e pastaj si do tu tregonim pasardhësve tanë që Kuvendi i Kosovës
kishte miratuar një dokument Kushtetues me të cilin Kosova shpallej si njësi e
pavarur dhe e barabartë në kuadër të Federatës (Konfederatës) të Jugosllavisë.
Për
habinë time sot dalin disa njerëz që mund ta kishin ose edhe nuk mund ta kishin
fare në dorë tekstin e Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut që pohojnë se e
kanë dërguar në Arkivin e Kosovës. Ne pjesëtarët e asaj kohe të Shërbimit
profesional të Kuvendit të Kosovës e kishim të qartë se ai tekst i miratuar nga
delegatët bashkë me procesverbalin nga mbledhja duhej të dërgohej edhe në
Arkivin e Kosovës por edhe në “Gazetën zyrtare të KSA të Kosovës”, ku u botua
dhe u zyrtarizua.
Më
kujtohet saktësisht, gjë që e kam shkruar edhe në librin e përmendur, se “në
ditën e 2 korrikut delegatët shqiptarë po tuboheshin para ndërtesës së Kuvendit
të Kosovës, pasi milicia e Serbisë nuk i lejonte të hynin brena. Atë ditë
ndërtesa e Kuvendit të Kosovës po ruhej nga forca të përforcuara të milicisë
serbe. Data për këtë mbledhje ishte caktuar në mbledhjen paraprake të Kuvendit
të Kosovës, por në ndërkohë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Gjorgje Bozhoviq,
përmes “Tanjugut” dhe mjeteve tjera të informimit (edhe me telegrame) u kishte
shkruar të gjithë delegatëve se mbledhja e caktuar për 2 korrik 1990, do të
shtyhej për datën 5 korrik 1990”.
Radiotelevizioni
i Prishtinës, që asokohe luante një rol shumë të rëndësishëm në sensibilizimin
e çështjes kombëtare në Kosovë, kishte njoftuar se mbledhja e caktuar për 2
korrik, pavarësisht se kryetari i Kuvendit Gjorgje Bozhoviq, e kishte shtyrë
(pra e kishte shkelur marrëveshjen nga mbledhja paraprake e Kuvendit), do të
mbahej pikërisht më 2 korrik 1990.
Miratimi
i Deklaratës Kushtetuese për pavarësinë e Kosovës nga delegatët e Kuvendit të
atëhershëm të Kosovës, të cilën më vonë mësova se e kishte hartuar akademiku
Gazmend Zajmi, gjë që e dëshmon me një shkrim autorial edhe delegati i zëshëm i
asaj legjislature, z. Ruzhdi Bakalli. Ai pat deklaruar në foltoren e Kuvendit
të atëhershëm të Kosovës, se “Nëse Kosova me dëshirë iu ka bashkuar Serbisë, në
vitin 1945, tani me dëshirë edhe duam të ndahemi nga Republika e Serbisë”.
Lidhur
me hartimin e Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut, delegati i atëhershëm, z.
Ruzhdi Bakalli, ka shkruar: „Akademik Profesor Gazmend Zajmi është përpiluesi i
vetëm i Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut. Akademiku bashkë me Fehmi Aganin
dhe Bardhyl Qaushin kanë qenë iniciatorët dhe përkrahësit më të mëdhenj të
miratimit të Deklaratës. Akademik Gazmend Zajmi e ka filluar përpilimin e
Deklaratës Kushtetuese ne shtëpinë e Fehmi Aganit ku prezent ishin edhe Bardhyl
Qaushi dhe delegati Enver Pula, i cili iu është bashkangjitur në të gjitha
takimet në shtëpinë e Fehmi Aganit ku është punuar rreth Deklaratës
Kushtetuese. Akademik Gazmend Zajmi ka qenë përpilues i Deklaratës, por motori
dhe zemra e gjithë procesit rreth Deklaratës Kushtetuese ishte Fehmi Agani. Nuk
duhet të harrohet dhe të minimizohet kontributi shumë i madh i kryeministrit të
atëhershëm të Kosovës, z. Jusuf Zejnullahu, i cili e ka përkrahur dhe i ka dhënë
shtytje miratimit të Deklaratës Kushtetuese. Më 29 qershor pas orës 17:00 një
grup i delegatëve jemi takuar ne zyrën e kryeministrit dhe jemi dakorduar që me
2 korrik ta shpallim Pavarësinë e Kosovës. Nga zyra e tij kemi shkuar në
shtëpinë e Skender Skenderit, ku e kemi definuar se kush do ta lexojë
deklaratën dhe çështje të tjera”, ka rikujtuar delegati Ruzhdi Bakalli.
Pavarësisht
tendencave që për interesa grupore ose individuale diçka të minimizohet ose
hiperbolizohet nga ngjarjet e ditës së 2 korrikut 1990, jam i bindur se
delegatët e asaj legjislature, delegatët e 2 korrikut, si i quaj unë, e dinë se
nuk ishin vetëm. E kishin prapa Shërbimin profesional të Kuvendit të Kosovës të
asaj kohe, por edhe Qeverinë e Kosovës dhe vetë Jusuf Zejnullahun që ishte në
krye të asaj qeverie.
Siç
theksova edhe më lart, pozita që mbaja asokohe, ndihmës i sekretarit të
Kuvendit të atëhershëm të KSA të Kosovës, ma mundësoi hyrje - daljen nga
ndërtesa e Kuvendit të Kosovës ditën e 2 korrikut 1990 dhe jam njëri nga
dëshmitarët e rrallë që kisha informacione se çka po ndodhte brenda ndërtesës
së Kuvendit të Kosovës dhe në oborrin e saj ku ndodheshin delegatët, të cilëve
nuk po u lejohej hyrja brenda. Derisa atë ditë ndodhesha në mesin e delegatëve
para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, njëri nga delegatët - Prof. dr. Skender
Skenderi, mu afrua dhe kërkoi nga unë që po arrita të hyja brenda në ndërtesë,
ta aranzhoj një takim të një grupi prej pesë a gjashtë delegatësh me kryetarin
e Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të Kosovës, zotëri Jusuf Zejnullahu.
Posa
u ktheva brenda në ndërtesë, menjëherë shkova në katin e dytë, ku ishte
kryetari i Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të Kosovës, Jusuf Zejullahu. I
tregova për kërkesën e grupit të delegatëve dhe për gjendjen që mbretëronte
para hyrjes zyrtare të ndërtesës së Kuvendit të Kosovës. Jusuf Zajnullahu
pranoi me kënaqësi takimin me grupin e delegatëve. Menjëherë u ktheva te Prof.
Skënder Skenderi, që ma ngarkoi detyrën dhe i thash se Jusufi, me kënaqësi,
pranon takimin me ta. Pas meje menjëherë u nis grupi i delegatëve për takimin
me kryetarin e Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të Kosovës, Jusuf Zejnullahu. Në
hyrje të ndërtesës kishte numër të shtuar milicësh serbë, të cilët nuk lejonin
që delegatët të hynin brenda, pavarësisht se u shpjegova qëllimin e hyrjes së
tyre. Ky delegacion i delegatëve arriti të futet brenda vetëm pas intervenimit
të vetë kryetarit të Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të Kosovës. Delegacioni i
delegatëve që biseduan ditën e 2 korrikut me z. Jusuf Zejnullahun ishte në këtë
përbërje: Prof. dr. Skender Skenderi, Muharrem Shabani, Bujar Gjurgjealo,
Ramadan Kelmendi dhe Selvije Gjini. Tani pas tridhjetë e gjashtë vjetësh, mund
ta kem harruar edhe ndonjërin nga pjesëtarët e atij grupi për çka kërkoj
ndjesë, por këta që i përmenda më kujtohen saktësisht.


