Ardian Ndreca: Kur propaganda sfidon logjikën

Aristoteli
asht ai që ka hjedhë bazat e gjykimit logjik e logjika asht shkenca që na mëson
me dallue të rrejshmen prej së vërtetës.
Kur
trajtojmë çfarëdolloj enti vërejmë nji dallim prej substancës dhe gjanave
dytësore (aksidentale) që e karakterizojnë atë. Gjanat dytësore janë ato që
mund të mos ishin siç janë dhe mund të jenë ndryshe ngase janë.
Për
shembull, ngjyra e flokëve asht aksidentale, truni jo, motori i nji makine asht
substancial kurse materiali me të cilin janë ba ndenjëset e saj jo etj.
Kryeministri
shqiptar ka degradue komplet nga ana mendore. Organizon ceremoni dhe poston
foto automjetesh të prodhueme prej disa firmave të famshme si Toyota, Man,
Range Rover, të cilat i kanë lye me bojë që nuk prodhohet në Shqipni, i kanë
përforcue me pllaka metali special që nuk prodhohen tek ne, i kanë pajisë me
aksesor për përdorim ushtarak që nuk prodhohen tek ne dhe na i shet si prodhime
të industrisë ushtarake shqiptare!
Besoj
se ai e din që ne e dijmë se në Shqipni nuk prodhohen as pagure ujit për
ushtrinë, prandaj asht moralisht ma e ulët se zakonisht me u përpjekë me
kontrabandue si të ishin prodhime shqiptare disa automjete që as llamarinat e
targave nuk i kanë të prodhueme në Shqipni.
Tue
u kthye te Aristoteli: nji automjet Toyota nuk asht pjesë këmbimit e huej e
bojës dhe e pllakave metalike që i janë saldue përsipër në Shqipni!
Nji
demagogji e tillë mund të barazohet vetëm me atë të kohës së komunizmit e na
kujton ato sihariqet pompoze të prodhimit të traktorit të parë shqiptar, të
autobuzit të parë e të hibrideve të misrit që na i kishte zili gjithë planeti.
Ah,
ai sihariqi i prodhimit të bukës në vend nuk specifikonte se për fshatarsinë
kooperativiste do të vijonte konsumi i hareshëm i bukës së kollomboqit, pse për
ta nuk kishte bukë grunit!
Me automjetet që prodhon industria ushtarake e Edi Ramës nuk mund të luftohet as kundër elefantave të Hanibalit, por ka thanë nji plak i moçëm dikur: Perendia ma parë të merr mendjen e mandej të dorëzon në SPAK.


