Jusuf Buxhovi: Kosova duhet ta ndalojë origjinën klerofashiste serbe në Gazimestan
KOSOVA DUHET TA NDALOJË ORGJINË KLEROFASHISTE SERBE NË GAZIMESTAN
-
Shteti i Kosovës, që ta dëshmojë sovranitetin historik dhe kulturor në hapësirën
e vet të lënduar dukshëm me Pakon e Ahtisarit dhe lëshimet kishës ortodokse
serbe, së pari duhet të ndalojë "haxhillëqet" kishtare serbe në
Kosovë, veçmas këtë që lidhet me shënimin e Vidovdanit, pastaj duhet të
ridefinojë monumentin e ngritur në Gazimestan në përputhje me të vërtetën
historike jashtë ikonografinë hegjemoniste serbe, gjë që nënkupton shpalljen e
një konkursi ndërkombëtar për ngritjen e një memoriali që pasqyron rolin e
faktorit dardan në mesjetë në kuadër të formacioneve feudale ku ata ishin të
barabartë me të ngjashmit në hapësirën e shkapërderdhur të Bizantit si dhe të
faktorëve të tjerë në të në rrethanat e krishtërimit të përbashkët...

Shënimit
të betejës së Kosovës në përputhje me konceptin hegjemonist të Beogradit, që
nuk paraqet tjetër pos një orgji klerofashiste, duhet t’i jepet fund njëherë e
mirë.
Ka
dy arsye të forta për këtë vendim:
E
para, ka të bëjë me mbrojtjen e sovranitetit dhe të integritetit shtetëror të
Kosovës nga një agresion vandal që përsëritet çdo qershor gjatë këtyre njëzet e
sa vjetëve të fundit, kur Kosova është çliruar nga pushtimi serb, gjë që
nënkupton edhe lirimin nga ikonografia e këtij pushtimi, që mbështetet mbi një
mit të falsifikuar siç ishte Beteja e Kosovës, së cilës, kisha ortodokse serbe,
prej vitesh ia jep konotacionet e një liturgjie religjioze mbi konceptet
hegjemoniste serbomëdha.
E
dyta, ka të bëjë, me atë se një ngjarje historike, çfarë ishte Beteja e Kosovës
e qershorit të vitit 1389, ndonëse gjithnjë me deficite të mëdha të
argumentimit shkencor, nuk guxon që të mbetet në pronësi të interpretimit të
historiografisë serbomadhe dhe konceptit të saj antishkencor me ç’rast ajo
paraqitet si “beteje” serbe kundër osmanëve, ku përjashtohen faktorët e saj
kryesor - Arbërit dhe të të tjerët, në një luftë të lidhjes së të krishterëve
të Ilirikut kundër osmanëve,që u zhvillua në Dardani dhe assesi në Serbi, ngaqë
asokohe, nuk ka pasur as Serbi e as shtet mesjetar serb, siç propagandon
Beogradi, duke u mbështetur mbi gënjeshtra dhe fakte të trilluar, gënjeshtër
kjo që për fat të keq pranohet edhe nga një pjesë e mirë e historiografisë
institucionale në Tiranë dhe Prishtinë.
Parakusht
që Kosova, më në fund, të mbrojë sovranitetin e vet shtetëror dhe njëherësh ta
mbrojë të vërtetën historike nga një keqpërdorim flagrant me Luftën e Kosovës,
në mënyrë që Beogradit t’i merren edhe të ashtuquajturat “tapi historike” ndaj
Mesjetës dhe Kosovës me të cilat po demonstron në saje të koncesioneve të Pakos
së Ahtisarit dhe veprimeve të tjera të papërgjegjshme të politikës së Kosovës
gjatë këtyre njëzet e sa vjetëve, është që ta marrë nën mbikëqyrje kompleksin
memorial të Gazimestanit, duke e shpallur atë monument të trashëgimisë
kulturore dhe historike të Kosovës. Kjo nënkupton ridefinimin e memorialit nga
aspekti historik dhe kulturor në përputhje me të vërtetën historike, që si
parakusht duhet të ketë largimin e monumentit të tanishëm të Gazimestanit, të
vendosur dhunshëm në vitet e tridhjeta të shekullit të kaluar nga Beogradi, i
cili simbolizon karakterin hegjemonist serbomadh !


