Dom Fran Sopi: Drama shqiptare e lirisë së besimit në Pashallëkun e Prizrenit

NJË DRAMË SHQIPTARE E LIRISË SË BESIMIT, E NDËRGJEGJES NJERËZORE DHE E QËNDRESËS KISHTARE NË PASHALLËKUN OSMAN TË PRIZRENIT

Libri
“Relacion Sinoptik – Rreth ngjarjeve të ndodhura në Pashallëkun e Prizrenit nga
data 26 gusht 1866 deri më 6 mars 1868”, i hartuar nga Dario Bucciarelli,
Arqipeshkëv i Shkupit me seli në Prizren, dhe i përgatitur për botim nën
kujdesin e studiuesit Mark Palnikaj, është një ndër dëshmitë më të rëndësishme
dokumentare për gjendjen politike, juridike, shoqërore dhe fetare në Kosovën e
gjysmës së dytë të shekullit XIX.
Vepra
në fjalë, e botuar në Tiranë më 2022, nuk përmban vetëm një kronologji
trazirash, grabitjesh dhe konfliktesh, por paraqet edhe dramën e një gruaje
shqiptare, Maria Kaçinarit, e cila u bë simbol i qëndresës së ndërgjegjes dhe i
së drejtës së njeriut për ta zgjedhur e dëshmuar lirisht besimin e vet.
Relacioni është shkruar nga një bari i Kishës, që ndodhej brenda ngjarjeve, dhe
jo nga një historian që i vrojtonte ato nga largësia e kohës.
Bucciarelli
komunikonte drejtpërdrejt me autoritetet osmane, me famullitarët, me konsujt e
huaj, me përfaqësuesit kishtarë në Stamboll dhe me familjet e dëmtuara. Ai vetë
pohon se nuk synonte të krijonte një vepër letrare me stil të përpunuar, por
t’u linte pasardhësve një dëshmi mbi atë që quhej tolerancë, siguri, drejtësi
dhe qeverisje në Pashallëkun e Prizrenit. Për të, rëndësia e relacionit nuk
qëndronte në bukurinë e frazës, por në vërtetësinë e fakteve që kishte parë,
dëgjuar dhe dokumentuar.
Në
qendër të kësaj vepre ndodhet çështja e Maria Kaçinarit, e cila në tekstin e
librit herë paraqitet me emrin Maria dhe në traditën shqiptare mund të jetë
njohur edhe si Mrika. Duhet bërë një sqarim i domosdoshëm lidhur me emrin e
bashkëshortit të saj. Në fillim të relacionit përmendet një Prenk Kaçinari,
katolik me prejardhje nga Mirdita, i vendosur në fshatin Kramovikë, në
distriktin e Prizrenit dhe në juridiksionin e Famullisë së Gjakovës. Prenka
përshkruhet si kolon relativisht i pasur, pronar bagëtish dhe zotërues i një
punishteje bakri dhe armësh. Autori pohon se prej rreth dy vjetësh ai jetonte
në një martesë të rregullt kishtare me një grua të quajtur Maria. Mirëpo, në
shënimin redaktorial të vendosur në të njëjtën pjesë përmendet emri Mark Llesh
Kaçinari si bashkëshorti i Mrikës, ndërsa në shënimin përfundimtar të
relacionit thuhet shprehimisht se Maria u kthye në shtëpinë e saj dhe jetoi në
paqe me burrin e saj, Marka Lleshin.
Kjo
mospërputhje duhet trajtuar me kujdes shkencor. Duke u mbështetur vetëm në
tekstin e botuar, nuk mund të pohohet me siguri absolute nëse Prenk Kaçinari
dhe Mark Llesh Kaçinari janë i njëjti person, i shënuar me emra të ndryshëm, nëse
Prenka ishte kryefamiljari, ndërsa Mark Lleshi bashkëshorti i drejtpërdrejtë i
Marisë, apo nëse kemi një pasaktësi të kopjimit, përkthimit ose redaktimit të
dorëshkrimit. Megjithatë, shënimi përfundimtar është i qartë se burri me të
cilin Maria u ribashkua pas kthimit nga Stambolli quhej Mark Lleshi. Prandaj,
në një trajtim kritik është më e drejtë që ajo të quhet Maria ose Mrika
Kaçinari, bashkëshortja e Mark Llesh Kaçinarit, duke shënuar se në fillim të
rrëfimit familja lidhet edhe me emrin e Prenk Kaçinarit.
Para
martesës, Maria kishte kaluar një jetë të vështirë dhe të trazuar. Nga rrëfimi
që ajo vetë i paraqiti Arqipeshkvit, kuptohet se kishte lindur në një familje
myslimane. Sipas deklarimit të saj, nuk ishte përgjegjëse për përkatësinë
fetare të fëmijërisë, sepse atë e kishin përcaktuar prindërit dhe vëllezërit.
Me rritjen e saj, ajo kishte filluar të shprehte dëshirën për t’iu kthyer
besimit të paraardhësve të saj dhe për t’u bërë e krishterë. Ky vendim nuk
ishte rezultat i një presioni të jashtëm, por një bindje që ishte pjekur në
ndërgjegjen e saj.
Familjarët
nuk e pranuan vendimin e saj. Sipas dëshmisë së Marisë, sa herë që ajo shprehte
dëshirën për ta përqafuar besimin e krishterë, përballej me fyerje, trajtim të
ashpër dhe mbikëqyrje të shtuar. Ajo u kishte thënë familjarëve se, sapo t’i
jepej mundësia, do të largohej për t’u pagëzuar dhe për të jetuar si e
krishterë. Më në fund, arriti të ikte, qëndroi për një kohë e fshehur dhe mori
Pagëzimin e shenjtë. Kjo periudhë e jetës së saj nuk paraqitet në relacion me
hollësi të plota kronologjike, por dëshmia e saj është e qartë: kthimi në
krishterim kishte ndodhur përpara martesës dhe ishte zgjedhje e lirë personale.
Pasi u largua nga familja e saj, Maria endej nëpër zona malore, duke kërkuar
një vend ku mund të jetonte e sigurt. Në një shtëpi ku ishte strehuar, u hap
biseda për martesën. Ajo deklaroi se do të pranonte të martohej vetëm me një
burrë që, edhe nëse do të ishte i varfër, do ta kishte frikën e Zotit dhe do të
jetonte me ndershmëri.
Pikërisht
në atë kohë, në të njëjtën shtëpi mbërriti burri që më vonë do të bëhej
bashkëshorti i saj. Sipas rrëfimit, ata nuk njiheshin më parë. As ai nuk e
dinte historinë e saj të plotë, por ndërmjet tyre lindi një vlerësim i
ndërsjellë. Maria pa tek ai një burrë të përvuajtur dhe me frikën e Hyjit,
ndërsa ai pranoi ta merrte me vete në familjen e tij.
Në
shtëpinë e re, ajo u trajtua fillimisht si bijë e familjes. Kur erdhi koha,
martesa u kremtua publikisht, sipas normave të Kishës Katolike. Vetë Maria
dëshmoi se kurora ishte vënë në kishë dhe se në martesë kishin qenë të
pranishëm si katolikë, ashtu edhe myslimanë. Prej asaj kohe, ajo njihej në
fshat me emrin Maria, një emër i dallueshëm i traditës së krishterë, dhe askush
nga fqinjët nuk e kishte kundërshtuar haptazi statusin e saj deri në
shpërthimin e ngjarjeve të gushtit 1866.
Mëngjesin
e 26 gushtit 1866, kur ende po zbardhte dita, shtëpia e familjes Kaçinari në
Kramovikë u rrethua nga disa qindra burra të armatosur. Sipas Bucciarellit, ata
drejtoheshin nga bajraktarë të zonave të Cërmjanit, të Pejës dhe të Polluzhës,
ndërsa në krye ishte Hiqmet Hoxha, i quajtur në dorëshkrim edhe Hakmet Hoggia.
Sulmuesit hynë me dhunë në shtëpi, kërkuan nëpër të gjitha dhomat dhe vendet e
fshehta, morën armë dhe pasuri, keqtrajtuan familjarët dhe i morën peng burrat,
gratë dhe fëmijët. Pas një pjese të rrugës, shumica e pengjeve u liruan, por
Maria u mbajt. Ajo u pyet vazhdimisht nëse ishte e krishterë apo myslimane.
Maria u përgjigj qartë se ishte e krishterë. Edhe familjarët deklaruan se e
kishin marrë si grua duke e ditur se ishte e krishterë, se kurora ishte lidhur
në kishë dhe se ajo njihej publikisht me emrin Maria. Megjithatë, këto dëshmi
nuk u morën parasysh.
Maria
u dërgua në Cërmjan dhe u mbyll në katin e sipërm të kullës së Hiqmet Hoxhës.
Synimi ishte që, nëpërmjet kërcënimeve, izolimit, lodhjes dhe presionit
psikologjik, ajo të deklaronte se ishte myslimane dhe ta mohonte besimin e
krishterë. Relacioni pohon se mbi të u ushtruan edhe presione të lidhura me
nderin e saj si grua dhe me besnikërinë martesore. Përballë tyre, Maria
përsëriste se ishte dhe do të mbetej e krishterë, edhe sikur ta vrisnin ose ta
mbanin të burgosur gjithë jetën.
Për
një lexues të krishterë, qëndrimi i saj kujton fjalët e Ungjillit: “Kush do të
qëndrojë deri në fund, ai do të shëlbohet”. Maria nuk ishte teologe e shkolluar
dhe nuk kishte autoritet shoqëror. Ajo ishte një grua e thjeshtë, por, në
çastin e provës, dëshmoi një forcë shpirtërore që as burgimi, as kërcënimet dhe
as premtimet nuk mundën ta thyenin. Në të, ndërgjegjja u bë altar i brendshëm,
ku njeriu qëndron vetëm përpara Hyjit dhe ku pushteti tokësor nuk mund të hyjë
pa kryer dhunë mbi dinjitetin njerëzor.
E
mbyllur në një kullë, Maria filloi të mendonte për arratisjen. Dritarja ishte
në lartësi të madhe dhe kërcimi prej saj mund të ishte vdekjeprurës. Dera ruhej
dhe nuk kishte mjet për ta shpërthyer. Në një qoshe të qelisë ajo gjeti një
samar me një litar. Litari ishte vetëm sa gjysma e lartësisë së kullës, por ajo
e lidhi në një dërrasë, u lëshua poshtë dhe, në fund, u detyrua të hidhej.
Gjatë zbritjes, duart iu çanë dhe iu gjakosën nga fërkimi me litarin, ndërsa
nga rënia pësoi lëndime dhe filloi të çalonte. Megjithatë, ajo u ngrit dhe
vazhdoi rrugën, duke u fshehur nëpër gropa, male dhe vende të thepisura.
Më
2 shtator 1866, pas disa ditësh arratisjeje, Maria arriti në Prizren dhe u
paraqit para Dario Bucciarellit, Arqipeshkëvit të Shkupit. Ajo i kërkoi të
ndërhynte pranë qeverisë dhe t’i siguronte mbrojtjen e ligjit. Bucciarelli mbeti
i tronditur kur e pa, sepse e dinte se ajo mbahej e burgosur dhe ruhej me
rreptësi. Ai e interpretoi shpëtimin e saj në dritën e Provanisë Hyjnore, duke
e krahasuar me lirimin e Shën Pjetrit nga burgu i Herodit.
Arqipeshkvi
nuk e fshehu Marinë dhe as nuk e largoi fshehurazi nga territori. Ai e njoftoi
qeverinë, duke besuar se ligjet perandorake të shpallura nga Sulltani
garantonin lirinë e ndërgjegjes. Ky veprim është me rëndësi të madhe për ta
kuptuar figurën e Bucciarellit. Ai nuk veproi si nxitës i rebelimit dhe nuk
kërkoi ta zgjidhte çështjen përmes forcës. Ai hyri në rrugën ligjore dhe e
vendosi qeverinë përballë detyrimit për ta respektuar ligjin e vet.
Më
4 shtator 1866, me kërkesën e Pashës, Maria u paraqit para Këshillit qeverisës,
të njohur si Megjlisi. Ajo shoqërohej nga një meshtar. Para guvernatorit dhe
anëtarëve të këshillit, Maria deklaroi me zë të qartë se ishte e krishterë, se
këtë besim e kishte zgjedhur lirisht dhe se do të qëndronte e krishterë deri në
vdekje. Këshilltarët përdorën pyetje të përsëritura, formulime të dykuptimta
dhe forma të ndryshme presioni, me qëllim që të nxirrnin prej saj ndonjë
deklaratë që mund të përdorej kundër saj. Megjithatë, ajo nuk e ndryshoi
dëshminë. Pas Megjlisit, Maria u dërgua edhe para organit hetues ose gjyqësor,
të quajtur në tekst Isintak. Edhe aty ajo përsëriti të njëjtën deklaratë.
Kryetari i këtij organi, sipas relacionit, pohoi se nuk e kuptonte përse
çështja ishte dërguar para tij: nëse gruaja donte të ishte e krishterë, duhej
të lihej e tillë, sepse këtë e kërkonte ligji. Kjo deklaratë duhej ta kishte
përfunduar çështjen, por ndërhyrjet politike dhe fetare të autoriteteve vendore
e penguan lirimin e plotë të saj.
Duke
parë se vendimi i qartë i Marisë nuk po respektohej, Arqipeshkvi i shkroi
zyrtarisht Pashës më 16 shtator 1866. Ai ia kujtoi se Maria kishte dëshmuar
para Megjlisit dhe Isintakut se ishte bërë e krishterë me vullnet të lirë, pa u
detyruar nga askush, dhe se ishte martuar me një katolik. Bucciarelli e
konsideronte përpjekjen për ta detyruar të mohonte deklaratën e saj si veprim
të kundërt me ligjin dhe si shkak të mundshëm për trazira të rënda.
Në
takimet e mëtejshme me Nazif Pashën, konflikti ndërmjet pushtetit vendor dhe
Arqipeshkvit u bë gjithnjë më i hapur. Pasha kërkonte që gruaja t’i dorëzohej
qeverisë, ndërsa Bucciarelli kundërshtonte, duke thënë se nuk mund ta braktiste
një të krishterë, faji i vetëm i së cilës ishte dëshira për të qenë e krishterë.
Ai deklaroi se ishte i gatshëm të humbiste shtëpinë dhe madje jetën, por jo ta
dorëzonte vullnetarisht një person të pambrojtur në duart e atyre që mund ta
detyronin të mohonte ndërgjegjen e saj.
Arqipeshkvi
e vendosi çështjen mbi parimin themelor se askush nuk është mbi ligjin. Ai i
tha Pashës se, sikurse një i krishterë kishte të drejtë të bëhej mysliman, po
ashtu edhe një mysliman duhet të kishte të drejtë ta zgjidhte besimin e
krishterë. Ligji nuk mund të vlente vetëm në një drejtim. Nëse lejonte kalimin
në Islam, por ndalonte kalimin në krishterim, atëherë nuk ishte më ligj i
lirisë, por instrument i privilegjit.
Bucciarelli
nuk ia dorëzoi Marinë vullnetarisht. Ai i tha Pashës se qeveria mund ta merrte
vetëm duke përdorur forcën. “Unë dhe Ju jemi nën ligjin e jo mbi ligjin”, ishte
thelbi i qëndrimit të tij. Ai deklaroi se mund t’ia digjnin ose shkatërronin
shtëpinë, por nuk do ta braktiste një grua që i ishte drejtuar Kishës për
mbrojtje.
Çështja
e Marisë u përcoll më pas në Stamboll. Këtu duhet korrigjuar shprehja “gjyqi i
Sulltanit”. Nga dokumenti nuk rezulton se Maria është paraqitur personalisht
para Sulltanit dhe se vetë Sulltani ka kryesuar një gjykim të drejtpërdrejtë.
Rrjedha e dokumentuar tregon një proces administrativ dhe juridik të zhvilluar
në emër të pushtetit perandorak, përmes Portës së Lartë, Ministrisë së
Brendshme, të quajtur në tekst Babalia, autoriteteve qeveritare dhe përfaqësive
diplomatike në Stamboll. Prandaj, më saktë duhet të flitet për shqyrtimin e
çështjes nga autoritetet qendrore të Perandorisë Osmane në Stamboll, nën
sovranitetin dhe ligjin e Sulltanit.
Fillimisht,
Nazif Pasha i kishte dërguar Stambollit një raport, të quajtur mosbatë, ku
çështja paraqitej sikur trazirat kishin shpërthyer për shkak të një gruaje
myslimane të bërë e krishterë pas grabitjes. Bucciarelli dyshonte se raporti
shtrembëronte faktet dhe i paraqiste të krishterët si pjesëmarrës në trazira.
Ai druhej se autoritetet qendrore do të merrnin vendim duke u mbështetur mbi
informacione të njëanshme.
Nga
Stambolli erdhi urdhri që Maria t’i dorëzohej qeverisë dhe të dërgohej në
kryeqytet. Bucciarelli kërkoi që urdhri t’i jepej me shkrim. Ai nuk e
kundërshtoi parimin që çështja të shqyrtohej në Stamboll, sepse besonte se atje
mund të dilte e vërteta dhe të respektohej ligji. Kërkoi, megjithatë, që Maria
të shoqërohej nga ai vetë ose nga një person i besueshëm dhe që udhëtimi të
bëhej me siguri.
Në
praninë e Pashës dhe të këshillit, Maria e ndërpreu diskutimin dhe deklaroi se
nuk kishte frikë të dërgohej në Stamboll apo kudo tjetër, sepse do të mbetej
gjithmonë e krishterë, edhe sikur ta bënin copë. Kjo deklaratë përmbledh tërë
dramën e saj: pushteti mund ta zhvendoste trupin e saj nga Prizreni në
Stamboll, por nuk mund ta zhvendoste ndërgjegjen nga besimi që ajo kishte
zgjedhur.
Maria
u mor nga qeveria dhe u nis për në Stamboll. Bucciarelli protestoi se kjo po
bëhej jo sipas forcës së së drejtës, por sipas “së drejtës së forcës”. Ai shkoi
menjëherë në zyrën e telegrafit dhe njoftoi ambasadorët e Austrisë dhe Francës,
përfaqësuesit konsullorë, Imzot Hassunin, primatin armen në Stamboll, dhe
famullitarin latin në Selanik.
Në
telegramet e tij, Arqipeshkvi theksonte se Maria ishte një grua e krishterë dhe
e martuar, se ishte marrë me forcë vetëm për shkak të besimit dhe se fliste
vetëm shqip. Kjo e fundit ishte veçanërisht e rëndësishme, sepse Maria mund të
merrej në pyetje në një gjuhë që nuk e kuptonte dhe dëshmia e saj mund të
përkthehej ose interpretohej gabimisht. Bucciarelli kërkonte që ajo të vihej
nën mbrojtjen e përfaqësuesve kishtarë dhe diplomatikë.
Frika
e Arqipeshkvit nuk ishte e pabazë. Ai kujtonte internimin e të krishterëve të
Karadakut në vitin 1846, gjatë të cilit shumë njerëz kishin vdekur nga
torturat, sëmundjet dhe kushtet e rënda të udhëtimit. Prandaj, druhej se Maria
mund të zhdukej gjatë rrugës, të vritej ose të paraqitej në Stamboll si person
që vullnetarisht kishte hequr dorë nga krishterimi.
Ndërhyrja
diplomatike rezultoi vendimtare. Imzot Hassuni, përfaqësuesit e Ambasadës
Austriake, Paolo Holas, murgeshat e dashurisë dhe persona të tjerë në Stamboll
e morën Marinë nën mbrojtje. Dokumenti nuk jep një procesverbal të plotë të
marrjes së saj në pyetje në kryeqytet dhe as tekstin e një vendimi të posaçëm
të firmosur personalisht nga Sulltani. Megjithatë, rezultati përfundimtar
tregon se përpjekja për ta detyruar të kthehej në Islam dështoi. Maria u njoh
në praktikë si e krishterë dhe iu lejua të kthehej te bashkëshorti dhe familja
e saj.
Shënimi
përfundimtar i relacionit, i vendosur pas përmbylljes së tekstit, e plotëson
historinë e saj. Aty thuhet se, pasi u kapërcyen vështirësitë në Stamboll, në
muajin maj të vitit 1867 u morën masat për kthimin e Marisë. Ajo iu dorëzua
xhaxhait të burrit të saj dhe një personi tjetër që do ta shoqëronte gjatë rrugës.
Deri atëherë kishte qëndruar nën kujdesin e Paolo Holasit dhe të mbrojtësve të
saj në kryeqytetin osman.
Më
22 qershor 1867, Maria dhe dy shoqëruesit e saj u nisën nga Stambolli. Më 27
qershor arritën në Durrës. Atje ajo u sëmur dhe u detyrua të qëndronte disa
ditë. Konsulli i Nderit i Austrisë në Durrës, Vincenzo Ballarini, u kujdes për
shëndetin e saj dhe bëri përpjekje që ajo të merrte ndihmën e nevojshme. Pasi u
shërua, Maria vazhdoi udhëtimin.
Më
4 korrik 1867 arriti në Tivar, ndërsa më 5 korrik mbërriti në Shkodër. Të
nesërmen u vu nën shoqërimin e një roje të Konsullatës Austriake, e cila e
përcolli drejt shtëpisë së saj. Në fund, pas gati një viti ndarjeje, burgimi,
udhëtimi dhe pasigurie, Maria u kthye pranë bashkëshortit. Relacioni pohon se ajo
vazhdoi të jetonte “në paqe e në dashuri” me burrin e saj, Mark Lleshin.
Kështu,
fundi i çështjes së Marisë nuk ishte rikthimi i saj me dhunë në Islam, siç
kishte shpresuar Nazif Pasha, por kthimi si grua e krishterë në familjen dhe
martesën e saj. Në planin juridik, kjo ishte një fitore e ndërgjegjes mbi
arbitraritetin. Në planin kishtar, ishte një fitore e shërbesës baritore që nuk
e braktisi personin e dobët. Në planin diplomatik, ishte dëshmi se dokumentimi,
komunikimi dhe ndërhyrja ndërkombëtare mund ta pengonin një padrejtësi që
autoritetet vendore përpiqeshin ta kryenin ose ta fshihnin.
Në
këtë dramë, edhe bashkëshorti i Marisë duhet parë si figurë e vuajtjes. Teksti
nuk jep një biografi të plotë të tij pas largimit të së shoqes, por fakti se
martesa e tyre ishte lidhur publikisht në Kishë dhe se Maria u kthye për të
jetuar me të, tregon se ai e kishte pranuar atë si të krishterë dhe i kishte
qëndruar besnik lidhjes martesore. Shtëpia e tij u sulmua, prona u grabit,
familja u poshtërua dhe gruaja iu rrëmbye. Për të, çështja nuk ishte vetëm
konflikt fetar, por plagosje e familjes dhe e sakramentit të martesës.
Sipas
frymës së teologjisë katolike, martesa nuk është vetëm marrëveshje shoqërore,
por besëlidhje e shenjtë ndërmjet burrit dhe gruas para Hyjit. Kur autoritetet
përpiqeshin ta ndanin Marinë nga burri dhe ta detyronin të mohonte besimin, ato
cenonin njëkohësisht ndërgjegjen e saj dhe shenjtërinë e martesës. Prandaj,
Bucciarelli nuk e trajtoi rastin si një çështje të vogël private, por si një
provë të së drejtës, të fesë dhe të rendit moral.
Figura
e Arqipeshkvit Dario Bucciarelli del në këtë rrëfim me një madhësi të veçantë.
Ai nuk kishte ushtri dhe as pushtet politik. Fuqia e tij ishte fjala, ligji,
autoriteti moral dhe përgjegjësia baritore. Ai ndërmjetësoi që të krishterët të
mos hakmerreshin, sepse e dinte se hakmarrja do ta përshkallëzonte dhunën dhe
do t’u jepte autoriteteve pretekst për shtypje të re. Në të njëjtën kohë, ai
nuk e ngatërroi paqen me heshtjen. Paqja e krishterë nuk është pajtim me
padrejtësinë, por përpjekje që e keqja të ndalet pa u shtuar një e keqe tjetër.
Bucciarelli
i kujtonte pushtetit se ligji nuk mund të ishte dekor i zyrave perandorake, por
duhej të mishërohej në mbrojtjen konkrete të njeriut. Ai pohonte se çdo qytetar
i mirë kishte detyrën t’i njoftonte autoritetet kur ndodhnin veprime kriminale
dhe se, si i krishterë, ishte i detyruar ta respektonte rrugën ligjore, ta
pengonte të keqen dhe ta nxiste të mirën e popullsive.
Pikërisht
në këtë pikë libri merr rëndësi të veçantë për një meshtar të sotëm të Dioqezës
Prishtinë–Prizren. Historia e Marisë dhe e familjes Kaçinari nuk është vetëm
një kujtim i vuajtjeve të katolikëve në shekullin XIX. Ajo është mësim mbi
detyrën e Kishës për ta mbrojtur personin njerëzor, lirinë e ndërgjegjes,
familjen dhe të drejtën.
Meshtari
i Kishës Katolike nuk është vetëm ai që kremton Meshën dhe administron
sakramentet. Ai, me fjalë të tjera, është edhe bari që duhet ta njohë plagën e
grigjës, të qëndrojë pranë të përndjekurit, t’i drejtohet ligjit, të kërkojë
drejtësi dhe të ndalojë hakmarrjen. Në figurën e Bucciarellit shihet modeli i
një bariu që nuk e lëshon gruan e pambrojtur edhe kur kërcënohet shtëpia dhe
jeta e tij.
Megjithatë,
libri duhet lexuar me përgjegjësi kritike. Gjuha e Bucciarellit është
nganjëherë e fortë dhe polemike. Ai shkruan i zemëruar nga dhuna që kishte parë
dhe përdor disa përgjithësime fetare, që nuk duhet të shkëputen nga konteksti i
shekullit XIX e të përdoren kundër myslimanëve të sotëm. Përgjegjësia për
krimet u takon autorëve konkretë, grupeve të armatosura, zyrtarëve të
korruptuar dhe atyre që shtrembëruan ligjin, jo një bashkësie të tërë fetare.
Edhe
vetë relacioni dëshmon se kishte myslimanë që e njihnin Marinë si të krishterë,
që dëshmuan të vërtetën dhe që, në komisione ose në organe të ndryshme, pranuan
parimin e ligjit. Prandaj, vepra duhet të shërbejë jo për kultivimin e
armiqësisë, por për të kuptuar se çfarë ndodh kur feja përdoret nga pushteti,
kur ligji zbatohet në mënyrë të pabarabartë dhe kur njeriu gjykohet jo për
veprat, por për ndërgjegjen e tij.
Në
të vërtetë, Maria nuk luftoi kundër një populli dhe as kundër një bashkësie
fetare. Ajo luftoi për të drejtën për të qenë vetvetja. Dëshmia e saj nuk ishte
thirrje për konflikt, por pohim i lirisë së brendshme. Ajo nuk kërkoi hakmarrje
ndaj familjes që e kishte kundërshtuar dhe as ndaj njerëzve që e burgosën.
Kërkoi vetëm që të lejohej të jetonte si e krishterë dhe si bashkëshorte në
familjen që kishte zgjedhur.
Në
këtë kuptim, historia e Maria Kaçinarit është një nga dëshmitë më prekëse të
ndërgjegjes femërore shqiptare në shekullin XIX. Ajo qëndron krahas atyre grave
të panjohura që e ruajtën fenë, familjen dhe dinjitetin në kohë përndjekjeje.
Jeta e saj tregon se historia nuk shkruhet vetëm nga pashallarët, konsujt dhe
ipeshkvijtë. Ajo shkruhet edhe nga gratë e thjeshta, të cilat, në çastin
vendimtar, bëhen më të forta se institucionet që kërkojnë t’i nënshtrojnë.
Rrjedha
e çështjes së saj mund të përmblidhet kronologjikisht në këtë mënyrë: Maria
lindi në një familje myslimane; me vetëdije të lirë dëshiroi të përqafonte
krishterimin; u largua nga familja, mori Pagëzimin dhe u martua në Kishën
Katolike; më 26 gusht 1866 u rrëmbye nga shtëpia e familjes Kaçinari; u burgos
në kullën e Hiqmet Hoxhës në Cërmjan; u arratis dhe më 2 shtator mbërriti te
Arqipeshkvi Bucciarelli në Prizren; më 4 shtator u mor në pyetje para Megjlisit
dhe Isintakut; gjatë shtatorit u zhvilluan debatet ndërmjet Arqipeshkvit dhe
Nazif Pashës; më pas u mor me forcë dhe u dërgua në Stamboll; atje u vu nën
mbrojtjen e përfaqësuesve kishtarë dhe diplomatikë; në maj të vitit 1867 u
përgatit kthimi i saj; më 22 qershor u nis nga Stambolli, më 27 qershor arriti
në Durrës, më 4 korrik në Tivar, më 5 korrik në Shkodër dhe më pas u shoqërua
deri në shtëpi, ku u ribashkua me Mark Llesh Kaçinarin.
Fakti
që relacioni e përfundon këtë histori me kthimin e Marisë “në paqe e në
dashuri” me burrin e saj ka një kuptim të thellë biblik. Pas natës së frikës,
kullës, burgut, detit dhe rrugës së gjatë, ajo kthehet në vatër. Shtëpia që
ishte dhunuar bëhet përsëri vend i bashkimit. Martesa që pushteti deshi ta
copëtonte mbijeton. Besimi që kërkuan t’ia merrnin mbetet i paprekur.
Kështu,
libri “Relacioni Sinoptik” nuk është thjeshtë një raport mbi ngjarjet e viteve
1866–1868. Ai është një dokument i ndërgjegjes së plagosur të një kohe. Në të,
Maria Kaçinari përfaqëson personin e pambrojtur që refuzon të tradhtojë
vetveten; Mark Lleshi përfaqëson familjen e dëmtuar, por të ribashkuar; Dario
Bucciarelli përfaqëson Kishën Katolike që nuk e braktis grigjën; ndërsa procesi
i Prizrenit dhe shqyrtimi në Stamboll përfaqësojnë përplasjen e përhershme
ndërmjet ligjit të shkruar dhe vullnetit arbitrar të pushtetarit.
Vlera
më e madhe e veprës qëndron pikërisht këtu: ajo na kujton se liria fetare nuk
është dhuratë e një sunduesi, por e drejtë e lindur e personit njerëzor; se
ligji humbet kuptimin kur nuk mbron të dobëtin; dhe se Kisha e përmbush
misionin e saj vetëm kur, krahas shpalljes së Ungjillit, bëhet strehë për të
përndjekurin, zë për të heshturin dhe mbrojtëse e dinjitetit të çdo njeriu.
Krejt
nê fund nga këndvështrimi im meshtarak e përmbyll me një mesazh duke thënë se
historia e Maria Kaçinarit dhe qëndrimi baritor i Dario Bucciarellit na mësojnë
se besimi i vërtetë nuk imponohet me forcë, por dëshmohet në liri; se
ndërgjegjja e njeriut nuk mund të burgoset, edhe kur trupi i tij mbyllet në
kullë; dhe se Kisha nuk duhet të heshtë kur cenohet dinjiteti i personit.
Kujtimi i kësaj gruaje shqiptare nuk duhet të përdoret për të mbjellë armiqësi
ndërmjet njerëzve e besimeve, por për të mbrojtur të drejtën e secilit që ta
jetojë fenë e vet pa frikë, pa kërcënim dhe pa dhunë. Vetëm aty ku respektohen
ndërgjegjja, familja, feja dhe ligji, mund të ndërtohet një paqe e drejtë, e
qëndrueshme dhe e denjë për njeriun.
Pejë, më 30 korrik 2026


