Llesh Ndoj: Me punë dhe vizion, gjithçka arrihet
Në vend të një urimi…
ME PUNË DHE VIZION, GJITHÇKA ARRIHET
-
Një portret i pa autorizuar për një mik –

Kur
në moshën 26 vjeçare më caktuan drejtues ekonomie në fshatin Blinisht të
Mirditës, thuajse nuk njihja askënd. Kisha vetëm imazhin e atij fshati pasi
rruga nacionale e makinës kalonte mespërmes tij, dhe pak njohje nga pikpamja
historike, ashtu siç ishte koha, bardh e zi, ndonjëherë shoqëruar edhe me një shprehje
standart, që më vinte si këshillë, a si paralajmërim nga të njohurit: - Kujdes!
Ishte njëri ndër fshatrat ku lufta e klasave kishte damkosur një pjesë të madhe
të familjeve atje, dhe kjo ishte arsyeja pse duhej të kisha kujdes. Im atë më
kishte folur për kullën e Ndue Pjetër Tushës, ku e kishte shtie puna me bujt
një natë, pasi e kishte zënë mbrëmja në radhë tue prit për rracionin e misrit
në Shpal. “Bukën e kisha me vete, - më kishte thënë, - por ata s’më lanë me e
hap trastën...”. Pjetrin, shofer i njohur e ndër më të mirët e kohës, e njihja
thjesht siç njeh njeriu dikë që ka interes për të, pasi të udhëtuarit atëherë
ishte një stërmundim e interes më vehte për gjithkënd. Edhe në kazanin prej
hekuri, edhe mbi ngarkesë, ishte fat të gjeje një mundësi për të mos me e ba
udhën në kembë. Pastaj një material ndërtimi, drutë e zjarrit…, gjithçka vetëm
me kurriz.
Nejse...
Fillova punë, e që në ditët e para u ballafaqova me halle, problem e vështirësi
të kohës, kryesisht të transportit dhe të furnizimit të popullit me bukë, aq sa
ishte ajo, me rracion, e ashtu si ishte e mundur, për nga cilësia. Dola nga
zyra për të gjetur ndonjë mjet dhe pa vonuar mbërriti Pjetri me raboltabrën e
tij të re. Dukej i lodhur e kisha shumë zor me iu drejtue. Sa më pa, ai qeshi e
më tha: - Hë kryetar, a ke ndonjë punë për mue? Pasi i thashë hallin që kasha,
e se po më vinte zor me iu drejtue, duke ia ditur për nder që më lehtësoi meqë
më foli vetë përpara, Pjetri vazhdoi: - Sa herë t’më zësh pa u ul nga sedilja,
ka të duash më çon. Po u ula, nga lodhja, e kam të zorshme me u ngjit ma në
timon.
Një
ditë tjetër na ishte prishur mulliri e populli rrezikonte të mos furnizohej si
duhet me bukë. Një njeri që paguhej për mirëmbajtjen e tij, i ndjeri Ndrec,
ishte me leje. Shkova tek mulliri e pyeta se kush mund t’a bënte punën që
kërkohej. Ishte punë për burra. Pasi nuk u gjet njeri i mundshëm e unë po
mendoja për të tjera alternativa (me bukën s’bëhej shaka, se shkoje edhe në
burg!), mu afrua Pashkja, bashkëshortja e Pjetrit që bluante në mulli prej
vitesh, dhe pa bujë e zhurmë më tha: - E rregulloj vetë veç t’më ndihmoje
dikush për të ngrit gurin… Sa e sa herë kjo situatë do të përsëritej, e ajo si
një burrë në kuptimin e plotë të fjalës, bënte vetë gjithçka: mullisin,
mekanikun, elektricistin…
***
U
ritakuam në Lezhë me Pjetër Tushën e familjen e tij shumë vite më vonë, por
rrallë. Rrallë se ai dhe Pashkja janë kurdoherë të angazhuar me punë. Edhe pse sot Pjetri eshtë 75 vjeç e Pashkja
pak vite më e re, asnjëherë nuk i gjenë të lirë. Me djersën e ballit e duke
punuar personalisht e familjarisht pa u ndal asnjë ditë, kanë ngritur një
biznes turistik në Shëngjin, ku ata nuk sillen kurrë si pronarë, por e
drejtojnë atë duke punuar. Mund të ishin marr edhe me politikë se sistemi i
kaluar i rrjeshtonte ata në kontigjentin kundër, por ata zgjodhën punën e
familjen. Në punë shënuan suksese, hap pas hapi, e në familje rritën fëmijë të
mrekullueshëm, djem e vajza me i pasë lakmi, dhe sot e kanë shtëpinë plot me
nipa e mbesa. Është thënë shpesh, se “kush e ka kishën afër, nuk sheh meshë”.
Ashtu më ndodhi edhe mua. Nga Lezha, Shëngjini më ka dalë “më i largët”, se kur
isha në Mirditë, por kur shkoj, kam shumë kënaqësi t’i takoj këta dy njerëz
punëtorë e të mrekullueshëm.
Kështu
bëra edhe këto ditë. U zgjova herët nga shtëpia ku po pushoj, dhe drejt e tek
struktura akomoduese në pronësi të tyre, që mban emrat e dy djemve të familjes,
“Leodor”. Mendova se do të pija kafe fillimisht, pa u rënë në sy, pastaj t’i
takoja, por Pjetri më doli përpara sapo mora drejtimin për tek lokali i tij,
ndonëse ora 7:00 e mëngjesit ende s’kishte trokitur. M’i prezantoj strukturat
hoteliere e ambientet e tjera me radhë, dhe unë u knaqa me arritjet, por më së
shumti u ndjeva mirë me vizionin e tij. Kishte lënë hapësira të bollshme mes
tri ndërtesave hotel, mbushur me gjelbërim e vendparkime, ku mbizotëronte
qetësia e pastërtia.
-
Ndonëse me sakrifica dhe shumë mundë, - të thotë Pjetri, - asgjë nuk shkon dëm.
Kam klientelë të qëndrueshme edhe më gjatë se sezoni normal. E përgëzova për
mjediset e bukura, pastërtinë e gjelbërimin, dhe për gjithçka ka arritur, duke
qëndruar vetë në krye të punëve. - Paguaj gjithçka, - thotë Pjetri, - edhe pse
konkurenca e pandershme, përmes informalitetit na lodh shumë… por e kompensoj
me punë. Janë hedhur hapa drejt tkurrjes së tij, por njerëz me çelësa në dorë
gjatë gjithë rrugës, “s’të lënë me kalue”… E pyes për fuqi punëtore, e Ai më
flet me radhë, së pari duke më treguar se çfarë mbulon ai me familjarët e tij,
pastaj më thotë se ka rreth 30 - 40 punëtorë e nuk ka kurrë, asnjë problem me
ta. I paguaj e u siguroj kushte qëndrimi dhe ata më vijnë edhe nga larg,
kryesisht nga Mirdita, por edhe nga Kosova. Në krye të çdo sektori gjendet
vetë, Pashkja bashkëshortja e tij, djemtë e nuset e tyre, bile edhe dy mbesat e
rritura që bëjnë recepsionistet.
-Deri
ketu jam i knaqur, - thotë Pjetri, - por koha kërkon vizione të reja… dhe nis e
më tregon me hollësi një plan investimi e transformimi të mjediseve dhe
shërbimit, me një mendësi bashkëkohore e tërësisht të transformuar, drejt një
turizmi elitarë. Vizioni i tij shkonte plotësisht me konceptin tim, se turizmi
me bukë e domate në trastë e ka tejkaluar tashmë veten, e se tash duhet synuar
cilësia, nëse duam t’a shpëtojmë këtë shtyllë që ka vite, që po e merr përdore
ekonominë e Shqipërisë. U gëzova dhe njeherit u çudita nga shpjegimet e këtij
njeriu vizionar. U gëzova se një i njohuri im i kahershëm, ka arritje të
kandshme në një fushë që s’ka qënë kurrë zanati i tij, as i mirditorëve, u
çudita se si ai edhe në moshën 75 vjeçare, ka trup rinorë e mendje të freskët,
me ia pas zili edhe specialistë të fushës, e mosha më të reja se
pesëdhjetëvjeçare.
Nuk
mungon të të tregojë se ka instaluar edhe panelet diellore, e se falë këtij
investimi, paguan fare pak energji e plot gjëra të tjera të një biznesmeni që
punon e drejton, pa u ndal asnjë ditë. U interesova edhe për trendin e
sivjetshëm të frekuentuesve të Shëngjinit, e ai nuk e mohoi se ka njëfarë rënie
krahasuar me një vit më parë, por nuk jemi keq, - më thotë. Evokuam së bashku
faktin se Shëngjini ka evoluar shume sa i takon strukturave akomoduese, por
edhe punëve e kujdesit të bashkisë, sidomos viteve të fundit. Pjetri, si edhe
unë, e duam shtetin edhe kur vjen “me na marrë”, pasi jemi të qartë se ai nuk
ka biznes tjetër, por evidentojmë kënaqësitë që ndjehen kur sheh kudo pastërti,
stabilizim deri diku të çmimeve të shërbimit, parkingje më të formalizuara e me
pagesa të arsyeshme, përshtatur me mundësitë financiare të pushuesëve.
Në
darkë shetitorja ishte plot, muzikë e aktivitete kudo, gjendje që premton një
sezon të suksesshëm. Shembulli i Pjetër e Pashke Tushës, nga Blinishti i
Mirditës, tregon se mundi e djersa nuk shkon kot, dhe se është kurdoherë e
mundur edhe me përparue ekonomikisht, edhe me qenë në rregull me shtetin, edhe
me mbet njeri i vlerave të larta njerëzore për këdo. Mbarësi e suksese!
Shëngjin, më 25 korrik
2026


