Gjon Marku: Beja dhe betimi në të drejtën dokësore Shqiptare

4h më parë

Beja dhe betimi në të drejtën dokësore Shqiptare

Nga Gjon Marku

Beja dhe betimi përbëjnë një nga institucionet më të veçanta të së drejtës dokësore shqiptare. Pohimi ose mohimi i vërtetësisë së një fakti para një tjetri ose para një bashkësie njerëzish, duke përmendur një qenie, një send apo një vlerë të konsideruar të shenjtë, përbën thelbin e betimit. Në traditën popullore shqiptare janë përdorur gjerësisht formula të ndryshme betimi, të cilat shërbenin për të pohuar ose mohuar një fakt, por edhe për të shfajësuar personin e akuzuar.¹

Në këto formula përmendeshin objekte kulti, vende të shenjta, shenjtorë, forca të natyrës apo sende të dashura për njeriun. Në zanafillën e tij, betimi lidhej me besimin e lashtë në fuqinë magjike të fjalës dhe në forcën e shenjtë të objektit që përmendej gjatë shqiptimit të tij. Për këtë arsye, beja dhe betimi nuk kishin vetëm karakter juridik, por edhe një përmbajtje të theksuar morale dhe fetare.² Ato përbënin njëherazi institucione juridike, morale dhe fetare.

Në traditën juridike shqiptare dallohen dy forma kryesore: beja si provë juridike dhe betimi si formulë pohuese ose mohuese e së vërtetës. Betë kishin funksione të shumta në të drejtën zakonore; ato kishin karakter ceremonial dhe shërbenin si provë. Benë e bënte i akuzuari për të shfajësuar veten; ajo bëhej duke marrë nëpër duar një gur (be e lashtë) ose duke prekur librin e shenjtë, pra Ungjillin.

Sipas rëndësisë së akuzës, beja bëhej vetëm ose me pjesëmarrjen e disa njerëzve të caktuar si betarë: 3, 6, 12 ose 24 burra. Betimet bëheshin në të folur e sipër dhe kishin për qëllim të përforconin saktësinë e fjalës së thënë, t'i jepnin asaj forcë shprehëse dhe ngarkesë ideo-emocionale. Ato janë të lidhura me kultin e besës shqiptare dhe të së vërtetës.

Në të drejtën zakonore shqiptare, beja shërbente si mjet prove. Ajo bëhej nga i akuzuari për të vërtetuar pafajësinë e vet, duke marrë në duar një gur, si një formë e lashtë e betimit, ose duke prekur Ungjillin apo një objekt tjetër të shenjtë. Në varësi të rëndësisë së çështjes, beja mund të bëhej vetëm nga i akuzuari ose në praninë e një numri të caktuar betarësh, zakonisht tre, gjashtë, dymbëdhjetë ose njëzet e katër burra.³

Betimet e përdorura në të folur kishin për qëllim të përforconin besueshmërinë e fjalës së thënë dhe t'i jepnin asaj një ngarkesë të fuqishme emocionale. Ato lidhen ngushtë me kultin e besës shqiptare dhe me nderimin e së vërtetës si vlerë themelore e jetës shoqërore.?

Nëpërmjet formulave të betimit kanë mbërritur deri në ditët tona gjurmë të lashta iliro-arbërore, të cilat dëshmojnë vazhdimësinë e traditave juridike dhe shpirtërore të popullit shqiptar. Beja shoqërohej zakonisht me formula të caktuara, si: «Për atë mal», «Për atë kishë», «Për këtë diell», «Për këtë bukë», «Për këtë zjarr që më djegtë, nëse e kam bërë këtë rrënim», «Për ato vorre».?

Në shoqërinë tradicionale, betimi shërbente edhe si mjet për t'u çliruar nga një akuzë e rëndë ose nga një dyshim që rëndonte mbi individin. Me ndryshimin e marrëdhënieve shoqërore dhe të botëkuptimit, shumica e betimeve të vjetra kanë dalë nga përdorimi. Megjithatë, në gjuhën e përditshme kanë mbijetuar forma të reja betimi, të cilat përdoren kryesisht me funksion shprehës dhe emocional, si vazhdim i një tradite të hershme kulturore dhe juridike.?

Betimet bëheshin për t'u çliruar nga një ligësi e madhe e ndodhur. Në përgjithësi, sot, betimet e vjetra kanë dalë nga përdorimi, si të huaja për botëkuptimin dhe marrëdhëniet e reja shoqërore. Në të folur, si vazhdë e traditës, janë krijuar disa forma të reja betimesh, të cilat përdoren vetëm në kuptimin ideo-emocional.

Në traditën juridike shqiptare dallohen dy forma kryesore: beja si provë juridike dhe betimi si formulë pohuese ose mohuese e së vërtetës.

Instituti i bejes përfaqëson një formë të hershme të procedurës provuese, e cila i paraprin zhvillimit të sistemeve moderne të provës gjyqësore. Beja dhe betimi përbëjnë një nga institucionet më arkaike dhe më përfaqësuese të së drejtës dokësore shqiptare. Ato dëshmojnë ndërthurjen e normës juridike me besimin fetar, moralin dhe traditën, duke ruajtur në vetvete gjurmë të lashta të organizimit shoqëror shqiptar. Edhe pse funksioni i tyre juridik është zhdukur me konsolidimin e shtetit modern, formulat e betimit vazhdojnë të jetojnë në gjuhën dhe kulturën popullore si dëshmi e vazhdimësisë historike të trashëgimisë sonë juridike.

Praktika e betimit si mjet prove ndeshet edhe në të drejtën e popujve të tjerë indoevropianë, në të drejtën gjermanike dhe në të drejtën romake të hershme, çka dëshmon për lashtësinë e këtij institucioni juridik.