Frank Shkreli: Prof. Dr. Rexhep Krasniqi – një jetë në shërbim të arsimit, kombit dhe lirisë
PROF. DR. REXHEP KRASNIQI - NJË JETË NË SHËRBIM TË ARSIMIT, KOMBIT DHE LIRISË

Ka
personalitete në historinë shqiptare, veprimtaria e të cilëve nuk mund të matet
vetëm me postet që mbajtën apo me librat që kanë shkruar. Jeta e tyre ishte një
mision. I tillë ishte Dr. Rexhep Krasniqi – historian, pedagog, publicist,
burrë shteti dhe një nga udhëheqësit më të shquar të mërgatës politike
antikomuniste shqiptare në Perëndim gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX. Është vështirë të shkruhet historia e
mërgatës politike shqiptare të pas Luftës së Dytë Botërore pa ndalur te figura
e Dr. Rexhep Krasniqit. Për më shumë se katër dekada ai ishte ndër zërat më të
njohur të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara dhe më gjërë, duke u bërë
kështu një simbol i qëndresës politike, i kulturës qytetare dhe i besimit se
Shqipëria do të çlirohej një ditë nga diktatura komuniste.
Në
përvjetorin e lindjes, kujtimi i Dr. Rexhep Krasniqit nuk është vetëm një
detyrim moral ndaj një patrioti të madh, por edhe një rast për të rivlerësuar
kontributin e një brezi intelektualësh shqiptarë që, megjithëse u detyruan të
jetonin larg atdheut, nuk reshtën së punuari për çështjen kombëtare dhe për
lirinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. I lindur në Gjakovë më 24 prill 1906,
Prof. Dr. Rexhep Krasniqi mbeti jetim që në fëmijëri. Fati e lidhi me një nga
figurat më të ndritura të lëvizjes kombëtare shqiptare, Bajram Currin, nën
kujdesin e të cilit u formuan karakteri dhe idealet e tij patriotike. Që në rininë e hershme ai e kuptoi se arma më
e fuqishme e një kombi nuk ishte vetëm pushka, por edhe dija. Studimet universitare në Austri dhe
doktoratura në histori në Universitetin e Vjenës, i dhanë atij një përgatitje
të rrallë akademike për kohën. Dr. Rexhep Krasniqi i përkiste atij brezi të intelektualëve shqiptarë që
kishin marrë formim në universitetet më të mira evropiane dhe që e shihnin
arsimin si themelin e ndërtimit të shtetit modern shqiptar. Kontributi i tij në arsimin kombëtar, sidomos
në Kosovë, mori përmasa të veçanta gjatë viteve 1941–1944, kur u angazhua në
organizimin e shkollave shqipe në Dardani dhe më gjërë në trojet shqiptare. Nën
drejtimin e Ernest Koliqit, në atë kohë Ministëe i Arsimit, hapja e dhjetëra
shkollave disa thonë deri në 200 shkolla në gjuhën shqipe dhe përgatitja e
mësuesve shqiptarë, përbënin një ngjarje historike për shqiptarët e Kosovës, të
cilëve për dekada u ishte mohuar e drejta për arsim në gjuhën amtare. Për Dr. Krasniqin, arsimi nuk ishte thjesht
transmetim njohurish. Për të dhe për brezin e patriotëve bashpuntorë të tij në
atë kohë, shkollimi konsiderohej si
instrumenti kryesor për ruajtjen e identitetit kombëtar. Pikërisht për këtë
arsye emri i tij mbetet i lidhur ngushtë me historinë e shkollës shqipe në
Kosovë, por jo vetëm.
Pas
Luftës së Dytë Botërore, me vendosjen e regjimit komunist në Shqipëri, si shumë
intelektualë të tjerë, ai mori rrugën e mërgimit. Ishte një mërgim i detyruar,
por jo një tërheqje nga jeta publike. Përkundrazi, ai u bë një nga zërat më të
fuqishëm të Shqipërisë së lirë në botën perëndimore. Në Shtetet e Bashkuara, ku u vendos
përfundimisht, Dr. Rexhep Krasniqi drejtoi për shumë vite Komitetin Kombëtar
"Shqipëria e Lirë", në Nju Jork -- organizatën më të rëndësishme
politike të mërgatës antikomuniste shqiptare, gjatë luftës së ftohët. Nën drejtimin e tij, kjo organizatë u
shndërrua në një qendër të rëndësishme të veprimtarisë politike, diplomatike
dhe publicistike, në mbrojtje të çështjes shqiptare dhe të drejtave të
shqiptarëve. Konsiderohej, nga komuniteti shqiptaro-amerikan, si
"përfaqësi diplomatike" dhe si "qëndër shërbimesh shoqërore",
për shqiptarët e Amerikës.
Dr
Krasniqi besonte se liria e Shqipërisë nuk ishte vetëm një aspiratë politike,
por një domosdoshmëri historike. Në artikujt, fjalimet dhe shkrimet e tij, ai
mbrojti me vendosmëri të drejtën e shqiptarëve për të jetuar të lirë, duke
denoncuar vazhdimisht represionin komunist dhe shkeljen e të drejtave themelore
të njeriut nga regjimi komunist në Shqipëri.
Veprimtaria e tij nuk kufizohej vetëm te Shqipëria. Ai ngriti
vazhdimisht zërin edhe për të drejtat e shqiptarëve në Kosovë, në trojet e tjera
etnike dhe në diasporë, duke e konsideruar çështjen shqiptare si një tërësi të
pandashme. Në këtë rrugëtim ai
bashkëpunoi me shumë prej personaliteteve më të njohura të mërgatës shqiptare
të asaj kohe, ndër ta Ernest Koliqin, Hasan Dostin, Martin Camajn, Arshi Pipën
me Federatën Pan-shqiptare Vatra dhe shumë të tjerë. Edhe pse secili kishte
profilin dhe mënyrën e vet të veprimit, të gjithë i bashkonte një ideal i
përbashkët: Shqipëria e lirë, demokratike e lidhur me botën perëndimore. Për fat të keq të tyre dhe etë Atdheut,
historia e pasluftës nuk ka qenë aspak e drejtë me këtë brez intelektualësh të
Kombit, si prof Dr Rexhep Krasniqi. Për dekada, propaganda komuniste i kishte
shpallur "armiq të popullit", duke u përpjekur të fshinte çdo gjurmë
të kontributit të tyre. Vetëm pas rënies së komunizmit u bë e mundur një
rivlerësim pak më objektiv i jetës dhe veprës së tyre, megjithse gjithnjë
mungon një rivlersim i plotë i kontributit të tyre.
Sot,
figura e Dr. Rexhep Krasniqit meriton studime më të thelluara. Ai nuk ishte
vetëm një kundërshtar politik i komunizmit, siç ishin shumica e intelektualëve
shqiptarë anti-komunistë. Ai ishte një intelektual me kulturë të gjerë
evropiane, një historian serioz, një pedagog i përkushtuar dhe një patriot që
nuk e ndau kurrë fatin e vet nga fati i kombit shqiptar. 120-vjet nga lindja,
kujtimi i Dr. Rexhep Krasniqit mbetet i gjallë jo vetëm në historinë e mërgatës
shqiptare në Amerikë, por edhe në ndërgjegjen e atyre që besojnë se arsimi,
kultura dhe liria janë shtyllat mbi të cilat ndërtohet një komb përparimtar e
pro-perendimor. Brezi i tij nuk pati
fatin të kthehej në një Shqipëri të lirë ashtu siç e kishte ëndërruar. Por ai
la pas një trashëgimi morale e intelektuale që vazhdon të frymëzojë edhe sot.
Kjo është arsyeja pse përkujtimi i Dr. Rexhep Krasniqit nuk është thjesht një
akt nderimi për të kaluarën, por është një thirrje për të mos harruar ata që,
në kohët më të vështira, mbajtën gjallë idealin e lirisë dhe demokracisë së
vërtetë shqiptare.
Prof.
Dr Rexhep Krasniqi, ashtu si shumë patriotë anti-komunistë të brezit të tij të
pas Luftës së II Botërore, mbante të hapura dritaret e Shqipërisë drejt
Perëndimit. Si kryetar i Komitetit "Shqipëria e Lirë", Dr. Krasniqi
mbajti lidhje të vazhdueshme me institucionet zyrtare amerikane dhe me
organizatat ndërkombëtare, sidomos në Shtetet e bashkuara të Amerikës, që
merreshin me çështjet e vendeve të robëruara nga komunizmi në Evropën lindore e
qëndrore. Ai e kuptonte se beteja për Shqipërinë dhe për shqiptarët nuk fitohej
vetëm me retorikë, por edhe me argumente, me diplomaci dhe me një prani të
vazhdueshme në opinionin public të perëndimit demokratik.
Sot,
kur Shqipëria dhe Kosova jetojnë në liri, është e drejtë të kujtohen ata burra
që nuk e humbën kurrë shpresën as në vitet më të errëta të diktaturës
komuniste. Dr. Rexhep Krasniqi ishte njëri prej tyre. Ndonëse ai nuk e pa të
realizuar, plotësisht, ëndrrën për të cilën punoi gjithë jetën e vet, ai i
përket atij brezi patriotësh antikomunistë shqiptarë, që e mbajti gjallë
idealin e lirisë dhe të demokracisë shqiptare edhe kur dukej se gjithçka kishte
humbur. Në këtë 120-vjetor të lindjes,
figura e Dr. Rexhep Krasniqit vazhdon të na kujtojë se historia nuk ndërtohet
vetëm nga ata që ushtrojnë pushtetin, por edhe nga ata që, me dije, karakter
dhe sakrificë, mbrojnë të vërtetën dhe dinjitetin e kombit.
Ndërsa
në komunitetin shqiptaro-amerikan Dr. Rexhep Krasniqi ku ai gëzonte respekt të
veçantë, shumë emigrantë të brezit të pasluftës e kujtojnë gjithnjë si njeriun
që dinte të dëgjonte, të këshillonte dhe të bashkonte. Autoriteti i tij nuk
buronte nga posti, por nga karakteri, kultura dhe integriteti. Nëse më lejohet,
në këtë rast, një element shumë i veçantë, një kujtim personal. Unë e kisha takuar disa herë Rexhep Krasniqin
në fillim të 1970-ave e më vonë, dhe me çdo rast, gjithmonë më jepte zemër e
kurajë që të vazhdoja të isha i angazhuar në komunitet, që të vazhdoja studimet
dhe që të mos harroja gjuhë e kulturë dhe të humbisja identitetin. Në vitin 1972 kisha filluar një broshurë
tepër modeste për të rinjtë, "Rinia Shqiptare në Mërgim", e cila i
kishte rënë në dorë Doktorit të nderuar dhe në karakteristikën e tij që e
dallonte -- për një nismë megjithëse tepër modeste -- Prof Krasniqi kishte
gjetur kohë të më shkruante një letër duke më dhënë kurajë për të vazhduar,
përball sfidave të një nisme të tillë, ndërsa me porosiste: "I kam lexue
rishtas edhe të dy numrat e së përkohshmes "Rinia Shqiptare në Mërgim". Secili fillim ashtë i vështirë, por nga
përmbajtja e artikujve që keni botue deri tashti më duket se jeni në rrugë të
mbarë e që përputhet me moton e juej, "Lux et Veritas" (Drita dhe e
Vërteta). Të shpresojmë se me kohë, broshura juej ka me u ba një përmbledhje e
fuqive të reja të kulturës dhe virtyteve të Kombësisë Shqiptare në këtë vend të
lirisë dhe të përparimit." Në të
njëjtën letër, Doktor Krasniqi më jepte kurajë gjithashtu për vazhdimin e
studimeve dhe të mësoja anglishten, ashtu që, sipas tij të, hyja "në
radhën e shqiptarëve të paktë të kësaj kategorie, në këtë vend", shkruante
ai. Letra e Dr Krasniqit, ishte në përputhje me disa porosi edhe të Ernest
Koliqit. Ato porosi të tyre, që atëherë e deri më sot, gjithnjë më tingëllojnë
në veshët e mi sikur kishin dashur të më thonin: Mos u mbyll vetëm në hallet
tua. Afrohu me bashkatdhetarët, "burri i mirë me shokë shumë",
mbështet organizatat shqiptare dhe puno që zëri i Shqipërisë të dëgjohet me
dinjitet në këtë vend. Ashtuqë, një ditë kur historia të kërkojë dëshminë e
brezit tend të mund të thoni se keni kryer detyrën ndaj familjes, ndaj Amerikës
dhe ndaj Kombit shqiptar.
Fjalët
dashamirëse, porositë, këshillat, guximi, por edhe ndihmat që nuk i kursente,
jo vetëm për mua, por për të gjithë, e dallonin atë nga shumë udhëheqës të
tjerë të komunitetit shqiptaro-amerikan, me ndonjë përjashtim aty këtu. Kjo
është arsyeja që në këtë 120-vjetor të lindjes kujtoj me respekt dhe me
mirënjohje të thellë për jetën, veprën dhe shëmbullin e Prof. Dr Rexhep Krasniqit.
Një shqiptaro-amerikan i shekullit të kaluar, i cili me kontributin e tij
mbetet, jo vetëm, pjesë e çmuar e historisë kombëtare por edhe frymëzim për
brezat e ardhëshëm.

(1906-1999)
Prof.
Dr, Rexhep Krasniqi –Një udhëheqës i urtë. një intelektual i rrallë dhe një
patriot i palëkundur i çështjes kombëtare dhe i Shqipërisë etnike

Libri
i autorit Dr. Besim Muhadri: "Prof Dr. Rexhep Krasniqi – Një Jetë në
Shërbim të Shqipërisë Etnike", botuar kohët e fundit në Kosovë

Dr
Hamdi Oruçi duke i dorëzuar pllakën e artë Dr. Prof. Rexhep Krasniqit, në emër
të komunitetit shqiptaro-amerikan, New York, 28 Nëntor, 1975


