Frank Shkreli: Shqiptarët Evropianë, pa Evropë
NË "DITËN E EVROPËS", 9 Maj, 2026
SHQIPTARËT
EVROPIANË, PA EVROPË
Si
e tradhtoi klasa politike shqiptare fatin perëndimor të Kombit

9
Maji, Dita e "Evropës", 22026 është një ditë reflektimi për popujt që
e lidhën fatin e tyre me qytetërimin perëndimor, me demokracinë liberale,
shtetin ligjor dhe dinjitetin njerëzor. Për shqiptarët, kjo ditë duhej të ishte
gjithashtu një festë natyrore e identitetit kombëtar evropian, historik e
kulturor. Sepse shqiptarët kanë qenë ndër popujt më pro-evropianë në kontinent,
ndoshta më shumë se vetë disa kombe anëtare të Bashkimit Evropian (BE). Në të
vërtetë, shqiptarët që nga koha e Gjergj Kastriotit – Skënderbeu e këtej, kanë
qenë një murë, mbrojtës i qytetërimit evropian. Me gjak, sakkrifica dhe
qendresë, Kombi shqiptar ka mbrojtur identitetin e vet perëndimor mu në zemër
të Ballkanit the kontinentit evropian, edhe atëherë kur Evropa shpesh heshti
përball fatit të shqiptarëve. Por ironia më e madhe sot është kjo: armiku më i
madh i Shqipërisë modernë nuk rezultoi të ishin pushtuesi e huaj, por
shqiptarët vet -- vet klasa politike shqiptare e tri dekadave të fundit, për
fat të keq, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, që siç duket nuk e duan
antarësimin e shqiptarëve në BE.
Ja
ku janë sot shqiptarët në Ditën e Evropës, 9 maj, 2026. Ata mbeten,
paradoksalisht, "Evropianë, pa Evropë". Jo për shkak të mungesës së
dëshirës së popullit për integrim të plotë në Evropë, por për shkak të
dështimit të vazhdueshëm të klasës politike shqiptare, e cila për më shumë se
tri dekada, jo vetëm, nuk ka plotësuar kriteret për antarësim, ndonëse e ka
përdorur integrimin evropian si slogan elektoral dhe jo si projekt kombëtar.
Pas shembjes së Murit të Berlinit, dhe "tranzicionit post-komunist",
Shqipërinë e shqiptarët nuk i pengoi historia, gjeografia apo identiteti që të
ishin tanimë antarë me të drejta, përgjegjësi dhe detyrime. Shqiptarët
vazhdojnë të pengohen, nga korrupsioni, kapja e shtetit, klientelizmi dhe
mungesa e elitës shtetformuese. E vërteta e kësaj gjndjeje të mjerueshme, është
e hidhur. Shqipëria nuk mbetet jashtë Bashkimit Evropian sepse shqiptarët si komb
nuk e meritojnë një antarësim të tillë. Shqipëria mbeti jashtë Evropës sepse
politika shqiptare e të ashtuquajturit "tranzicion demokratik"
post-komunist, shkatërroi -- për dekada tani, me sjelljet e saj politike --
mundësinë historike të një kombi të tërë. Me 1991, shqiptarëve iu premtua një
"Shqipëri si e gjithë Evropa", rikthimi në familjen natyrore
evropiane, aty ku e kishte vendin, historikisht. Politikanët
"post-komunistë", premtuan në atë kohë se sakrificat e shqiptarëve nën
diktaturën komuniste do shpërbleheshin me liri-demokraci, të drejta të
barabarta, drejtësi, zhvillim ekonomik dhe dinjitet kombëtar. Por çfarë ndodhi
në të vërtetë?
Politikanët
shqiptarë kanë folur dhe flasin për Evropën duke premtuar integrim të shpejt,
por në të vërtetë, ndërtuan një sistem vlerash anti-evropiane. Ata premtuan
drejtësi, por mbrojtën pandëshkueshmërinë. Premtuan institucione demokratike,
por ndërtuan pushtete personale. Premtuan ekonomi tregu, por krijuan oligarki
të lidhura ngusht me politikën. Në vend të shtetit ligjor, u ngrit shteti i
korrupsionit. Në vend të elitës kombëtare u krijua kasta e oligarkëve politikë.
Në vend të demokracisë funksionale është themeluar kultura e pandëshkueshmërisë
dhe e mashtrimit publik.

Në Ditën e Evropës, 2006 duhet thënë qartë se integrimi nuk është një proces teknik, por proces moral dhe civilizues. Nuk mjafton të "happen" kapituj negociatash nëse vendi mbetet i mbyllur nga korrupsioni, frika dhe propaganda. Evropa nuk është vetëm financim apo burokraci. Mbi të gjitha, Evropa është kulturë përgjegjësie politike ndaj qytetarëve. Dhe pikërisht këtu ka dështuar elita politike shqiptare. Shqipëria humbi vite historike – nga të dy partitë kryesore shqiptare, duke zëvendësuar shtetin me partinë, meritën me militantizmin partiak, duke venë mbijetesën e pushtetit, mbi interesat kombëtare. Në vend që të ndërtonte institucione të forta, politika shqiotare ka krijuar varësi. Në vend që të prodhonte elitë, prodhoi servilizëm. Në vend që të forconte demokracinë, normalizoi arrogancën dhe kontrollin. Por megjithë këtë pesimizëm, shpresa dhe ëndërra e shqiptarëve për antarësim të plotë nuk është shuar. Ai jeton tek qytetarët, tek diaspora, tek rinia që ende beson se Shqipëria mund të bëhet shtet normal. Sepse, Evropa për shqiptarët nuk është thjesht destinacion politik por është rikthim tek vetja dhe vlerat evropiane.
Por
ky rikthim kërkon -- njëherë e mirë -- një ndarje historike me modelin e vjetër
politik të komunizmit. Kërkon lidership që nuk e përdor Evropën, sipas qejfit
dhe nevojës për të qëndruar në pushtet, duke e përdorur integrimin si dekor
propagandistik dhe jo si standard ndërtimi të shtetit, në përputhje me vlerat
dhe politikat e përbashkëta. Integrimi me Evropën, kërkon drejtësi reale,
institucione shtetërore funksionale dhe një kontratë të re morale dhe politike
me qytetarët shqiptarë. Nëse Dita e Evropës, 9 Maji, ka një kuptim për
Shqipërinë e vitit 2026, ai është se populli shqiptar nuk e ka tradhtuar
Evropën. Por është klasa politike shqiptare e "tranzicionit", ajo që
në, të vërtetë, ka tradhtuar shpresat e shqiptarëve!
Megjithëse
ëndërra e shqiptarëve për antarësim të plotë në BE ende nuk është realizuar, 9
Maji mbetet një ditë shprese dhe besimi për shqiptarët. Gëzuar Ditën e Evropës,
me besimin se një ditë, jo të largët, Flamuri i Gjergj Katriotit-Skenderbe do
të valojë denjësisht në familjen e madhe evropiane.









