Frank Shkreli: Shkodra nuk e harron historinë e saj
SHKODRA NUK E HARRON HISTORINË E SAJ
Hapja
e një konsullate serbe në kryeqendrën historike të Veriut nuk është vetëm një
çështje protokolli diplomatik. Ajo prek kujtesën historike, simbolikën
kombëtare dhe të drejtën e qytetarëve për të kërkuar transparencë.

Ditët e fundit, Ministria e Jashtme e
Republikës së Shqipërisë ka reaguar --Ministria per Evropën dhe Punët e
Jashtme --në lidhje me lajmet se Serbia
ka kërkuar të hapë një konsullatë në Shkodër, duke shtuar se nga ana e saj,
Shqipëria ka kërkuar hapjen e një konsullate të përgjithshme të Republikës së
Shqipërisë në Bujanoc. Në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë,
në lidhje me njoftimin e Ministrit të Jashtëm të Serbisë për mundësinë e hapjes
së një konsullate në Shqipëri thuhet: "Shqipëria ka kërkuar hapjen e një
Konsullate të Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Luginën e Preshevës.
Serbia, nga ana e saj, ka kërkuar hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në
Shkodër. Nëse dhe kur palët të bien dakord për çdo aspekt dhe detaj të këtij
procesi, në momentin e duhur do të ndërmerren veprimet përkatëse", me justifikimin
se, "Në praktikën e konsoliduar diplomatike, reciprociteti është një parim
themelor i marrëdhënieve ndërmjet shteteve dhe një instrument i politikës së
jashtme për të avancuar interesat kombëtare".
Në marrëdhëniet e Shqipërisë dhe të
shqiptarëve me Serbinë, historikisht, e sidomos në rrethanat e sotëme, nuk
është e pamundur të flitet për "praktikë të konsoliduar diplomatike"
dhe për "reciprocitet". Një vendim i tillë nuk mund të vlerësohet e
të justifikohet vetëm përmes procedurave administrative ose gjuhës së ftohtë
diplomatike. Sepse ka raste kur historia, kujtesa dhe simbolika e një
vendi janë po aq të rëndësishme sa vetë akti zyrtar. Mundësia e hapjes së një
konsullate serbe në Shkodër është një prej këtyre rasteve. Askush nuk e vë në
diskutim të drejtën e shteteve sovrane për të vendosur marrëdhënie diplomatike
dhe konsullore, të "konsoliduara dhe reciproke" siç i cilëson
Ministria e Jashtme e Shqipërisë, qoftë edhe me një shtet si Serbia.
Shqipëria dhe Serbia kanë detyrimin të zhvillojnë marrëdhënie normale
fqinjësore dhe të kontribojnë për paqën e stabilitetin në Ballkan. Kjo është në
interes të të dy vendeve dhe të gjithë rajonit.
Prandaj, diplomacia, qoftë ajo e
konsoliduar ose reciproke, nuk do duhej të zhvillohet në një hapësirë pa histori
e pa kujtesë. Por të zhvillohet mbi kujtesën e popujve, mbi përvojat që
kanë lënë gjurmë dhe plagë, por edhe mbi simbolet që formësojnë identitetin
kombëtar të qyteti ose një kombi. Shqipëria do duhej të kishte hapur
konsullaten e saj me kohë në Luginën e Preshevës, ku jetojnë rreth 60.000
shqiptarë.
Mund të jetë e çuditshme dhe e vështirë
për tu kutpuar për Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë se pse Shkodra nuk është
një qytet i zakonshëm për një konsullatë serbe. Shkodra është një nga shtyllat
mbi të cilat është ngritur vetëdija kombëtare shqiptare. Është qyteti i
Rilindjes Kombëtare, i kulturës, i arsimit, i publicistikës dhe i shumë
figurave që i dhanë Shqipërisë zë e dinjitet në momentet më të vështira të
historisë së saj. Pikërisht për këtë arsye kjo çeshstje ka ngjallur debat dhe
lind një pyetje e natyrshme, pse pikërisht Shkodra për një adresë diplomatike
serbe? Nga këndvështrimi praktik, nuk duket të ketë arsye të dukshme që e bëjnë
këtë qytet një domosdoshmëri konsullore serbe. Dihet se atje nuk ka një
komunitet të konsiderueshëm serb, as një prani ekonomike apo tregtare që ta
shpjegojë vetvetiu këtë zgjedhje. Kur mungojnë arsyet e qarta praktike, është e
natyrshme që qytetarët t'i kushtojnë vëmendje simbolikës së këtij vendimi dhe
të pyesin gjithnjë, pse pikërisht, Shkodra? Njerzit pyesin sepse mbi të
gjitha, Shkodra është, historikisht, simbol i qëndresës shqiptare ndër shekuj.
Rrethimi i saj në vitet 1912–1913 nuk ishte thjesht një betejë për një qytet
por ishte një betejë për vet mbijetesën e Kombit dhe shtetit shqiptar.
Sakrificat e mbrojtësve të saj dhe vendimet e mëvonshme të Fuqive të Mëdha bënë
që Shkodra të mbetej pjesë e Shqipërisë. Kjo histori nuk është vetëm pjesë e së
kaluarës, ajo është pjesë e kujtesës sonë historike kombëtare, që nuk duhet
harruar aq lehtë, sidomos në marrëdhëniet me Serbinë. Kjo nuk do të thotë
se historia duhet të shërbejë si pengesë për marrëdhënie të mira me fqinjët.
Përkundrazi. Shqipëria ka interes jetik për paqe, bashkëpunim dhe fqinjësi të
mirë me të gjithë, përfshir Serbinë. Por pajtimi nuk ndërtohet mbi harresën. Ai
ndërtohet mbi njohjen e së vërtetës, mbi respektin reciprok dhe mbi
ndjeshmërinë ndaj kujtesës historike të secilit popull.
Është domethënës fakti se rezervat ndaj
kësaj nisme diplomatike nuk janë shprehur vetëm nga një krah politik në
Shqipëri. Edhe figura të njohura të së majtës shqiptare socialiste në pushtet,
si Pandeli Majko dhe Ditmir Bushati, kanë ngritur, publikisht, pikëpyetje dhe
kanë kërkuar kujdes në trajtimin e çështjeve që lidhen me Serbinë dhe me
interesin kombëtar shqiptar. Kjo tregon se kemi të bëjmë me një debat që, me të
drejtë, duhej të tejkalonte ndarjet partiake dhe të prek një dimension më të
gjerë të vetëdijes kombëtare shqiptare. Shkodra e përjetoi, drejtpërdrejt,
këtë politikë. Rrethimi i saj në vitet 1912–1913, bombardimet, përpjekjet për
pushtim dhe presioni ndërkombëtar për ta shkëputur nga trungu shqiptar mbeten
plagë të pashlyera në kujtesën historike të Shkodrës dhe të kombit
shqiptar. Mijëra shqiptarë dhanë jetën që flamuri shqiptar të valëvitej mbi
kalanë e Rozafës dhe jo flamuri i ushtrisë pushtuese. At Gjergj Fishta e
ka denoncuar, vazhdimisht, politikën ekspansioniste serbe dhe ka paralajmëruar
se Shqipëria nuk duhej të humbiste vigjilencën përballë pretendimeve të
fqinjëve. Për Fishtën, mbrojtja e identitetit kombëtar nuk ishte një çështje
urrejtjeje ndaj popujve të tjerë, por një detyrim moral ndaj historisë dhe
brezave që kishin sakrifikuar për lirinë. Ky mesazh i Fishtës mbetet po
aq aktual edhe sot. Prandaj, pyetjet që shtrohen për këtë çështje nuk burojnë
nga refuzimi i diplomacisë dhe as nga armiqësia ndaj një populli tjetër, por
ato duhet të burojnë nga përgjegjësia ndaj historisë dhe nga e drejta e
qytetarëve të Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë, për të kërkuar, që vendime të
tilla me aq ngarkesë të madhe simbolike – siç është hapja e një konsullate
serbe në Shkodër -- të shoqërohen me transparencë dhe me një shpjegim të plotë
nga institucionet e qeverisë dhe të shtetit shqiptar dhe jo të reagohet pas një
deklarate të Beogradit zyrtar.
Në këtë kuadër, institucionet shqiptare
kanë detyrimin t'i bëjnë publike arsyet që kanë çuar në këtë vendim, kriteret
mbi të cilat është përzgjedhur Shkodra dhe interesat konkrete shtetërore që
synohen të përmbushen. Po aq e rëndësishme është që kjo çështje të diskutohet
hapur në opinionin publik, me pjesëmarrjen e historianëve, diplomatëve,
studiuesve dhe qytetarëve. Një debat i tillë nuk dobëson shtetin. Përkundrazi,
e forcon atë. Një demokraci e vërtetë nuk ka frikë nga pyetjet, ajo forcohet
prej tyre. Ndërkohë që, historia nuk është një barrë që duhet hedhur pas
shpine. Ajo është një mësuese që ndihmon të mos përsëriten më gabimet e së
kaluarës dhe të ndërtohen marrëdhënie më të drejta e më të qëndrueshme, vërtetë
të konsoliduara dhe reciproke, sipas të drejtës ndërkombëtare. Shkodra
nuk ka nevojë për amnezi historike. Shkodra nuk ka nevojë për një konsullatë
serbe. Ajo ka nevojë për respekt. Respekt për historinë. Respekt për kujtesën.
Respekt për sakrificat e atyre që e bënë këtë qytet një nga simbolet më të
mëdha të identitetit kombëtar shqiptar.
Shkodra nuk është thjesht një pikë në
hartë. Ajo është një simbol i ndërgjegjes kombëtare shqiptare. Çdo vendim që
prek këtë simbol duhet të peshohet jo vetëm me arsyet diplomatike të ditës, por
edhe me përgjegjësinë ndaj historisë së Kombit.


