Frank Shkreli: Jusuf Buxhovi – intelektuali në udhëkryqet e historisë shqiptare
JUSUF BUXHOVI - INTELEKTUALI NË UDHËKRYQET E HISTORISË SHQIPTARE
Në
80-vjetorin e lindjes, një vështrim mbi veprën e shkrimtarit, historianit,
publicistit dhe bashkëpuntrit të Dr Ibrahim Rugovës

80-vjetori
i lindjes së Jusuf Buxhovit m'u duk se është një është një rast i mirë për ta
trajtuar figurën e tij jo thjesht si një përvjetor personal, por si një bilanc
të një veprimtarie gjashtë-dekadëshe në letërsi, gazetari dhe historiografi.
Buxhovi mbushi 80 vjeç më 4 gusht 2026 dhe këtë përvjetor e shoqëron edhe
60-vjetori i krijimtarisë së tij.
Ka
përvjetorë që shkojnë e vinë, e për të gjithë ne shënojnë vetëm kalimin e
viteve, por ka përvjetorë që na japin mundësinë të ndalemi përpara një vepre
dhe një jete dhe verprimtarie të madhe.
80-vjetori i Jusuf Buxhovit është një nga ata përvjetor që dua ta kujtojë
(megjithse me pak vonesë) me respektin që kam për të dhe për kontributin e tij
gjatë viteve. Me Jusuf Buxhovin jam
njohur fillimisht në fillim të viteve '90, në Washington, në një periudhë
vendimtare për Kosovën dhe për përpjekjet e saj për të fituar mbështetjen e Shteteve
të Bashkuara dhe botës. Ai vinte në Washington si pjesë e delegacioneve të
Presidentit Ibrahim Rugova, në kuadër të përpjekjeve të atëhershme për ta
paraqitur çështjen e Kosovës para institucioneve qeveritare dhe qarqeve
politike amerikane. Ishte koha kur diplomacia politike dhe ajo publike e
Kosovës po ndërtonte themelet e mbështetjes së Shteteve të Bashkuara dhe çdo
vizitë në Washington kishte një rëndësi të veçantë. Në ato takime të para dhe
më vonë, pata mundësinë ta njoh Jusuf Buxhovin, jo vetëm si gazetar, shkrimtar
e publicist, por edhe si një intelektual të angazhuar drejtpërdrejt në çështjen
kombëtare dhe si anëtar të ekipit politik e intelektual që shoqëronte Rugovën
në përpjekjet e tij diplomatike të asaj kohe. Ky dimension i jetës së tij është
shumë i rëndësishëm, sepse e plotëson figurën e Buxhovit si intelektual që nuk
qëndroi vetëm në rolin e shkrimtarit, gazetarit dhe historianit, por u përfshi
drejtpërdrejt edhe në jetën politike të Kosovës. Sidomos në periudhën e Ibrahim
Rugovës, dallohej veprimtaria e tij politike dhe bashkpunimi i ngushtë me
Presidentin historik të Kosovës. Në
vitet vendimtare të rezistencës politike dhe institucionale të Kosovës, Buxhovi
ishte pjesë e rrethit të intelektualëve që e mbështetën vizionin politik të Rugovës
dhe rrugën e tij të veçantë drejt lirisë e pavarësisë. Si një nga themeluesit
dhe drejtuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës në periudhën e hershme, ai
kontribuoi në artikulimin politik të çështjes së Kosovës dhe në përpjekjet për
ta ndërkombëtarizuar atë. Përvoja e gjatë si gazetar dhe korrespondent në
Gjermani i dha Buxhovit një njohje të drejtpërdrejtë të realiteteve politike
evropiano-perëndimore nepërmjet kontakteve me qarqet politike e diplomatike të
botës së lirë. Kjo përvojë e ndërthur me vizionin politik të Rugovës, e ka bërë
Buxhovin një nga zërat intelektualë e politikë të rëndësishëm të asaj periudhe.
Kjo njohje e hershme me të në Washington më ka mbetur si një nga kujtimet e mia
që e lidh figurën e Jusuf Buxhovit me një periudhë kur fjala, argumenti dhe
prania politike e intelektualëve shqiptarë në kryeqytetin amerikan, në fillim
të 1990-ave, kishin një peshë të veçantë.
Më
4 gusht 1946, në Pejë, lindi një njeri që do ta ndërtonte jetën e tij
intelektuale në disa fusha, njëherësh, si gazetar, shkrimtar, historian dhe
publicist. Sot, në moshën 80-vjeçare, Jusuf Buxhovi shënon jo vetëm një jetë të
gjatë, por edhe gjashtë dekada krijimtarie. Rruga e tij nisi në gazetarinë e
kulturës në gazetën "Rilindja", në vitin 1967. Më pas ai u bë
redaktor dhe, për më shumë se dy dekada, korrespondent i kësaj gazete në Bon,
në atë kohë kryeqytet i Gjermanisë Perëndimore.
Përvoja gjermane do të ishte vendimtare për formimin e tij si studiues.
Nga viti 2000 deri më 2008, ai iu kushtua kërkimeve në arkivat gjermane, duke e
kthyer gazetarinë dhe përvojën e drejtpërdrejtë me botën perëndimore në një
tjetër instrument për të lexuar historinë shqiptare.
Por
Buxhovi nuk mund të kuptohet vetëm si gazetar dhe as vetëm si historian. Thelbi
i figurës së tij është pikërisht ndërthurja e këtyre dy dimensioneve me
letërsinë. Ai studioi Gjuhë dhe Letërsi
Shqipe në Universitetin e Prishtinës, ndërsa më vonë kreu studimet
pasuniversitare në Histori, duke mbrojtur temën mbi Lidhjen Shqiptare të
Prizrenit, bazuar në dokumentet gjermane. Kështu, letërsia dhe historia u bënë
dy shtylla të një pune që synonte të depërtonte në kujtesën shqiptare. Në
letërsi, Buxhovi ka ndërtuar një botë të tijën, ndërsa në historiografi ka
ndërmarrë një projekt shumë më të gjerë: rivështrimin e historisë së Kosovës
dhe të shqiptarëve përmes dokumentit, kujtesës dhe interpretimit historik.
Vepra shumëvëllimëshe "Kosova" është shprehja më e dukshme e këtij
qëllimi. Vetë përmasat e këtij projekti e vendosin autorin përpara një detyre
që shkon përtej një libri të zakonshëm historiografik. Ajo është një përpjekje
për të ndërtuar një narrativë të gjerë mbi fatin dhe të vërtetën historike të
Kosovës dhe të shqiptarëve. "Të shënohet e kaluara me qëllim që të mos
harrohet dhe të përballemi me të kaluarën e ligët, si pjesë e përgjegjësisë së
plotë që ka njeriu ndaj së Vërtetës dhe detyrimi që të gjithë të kemi -- si
individ dhe shoqëri -- për të dëshmuar dhe për të mbrojtur të Vërtetën." Këtu qëndron edhe një nga veçoritë më të
rëndësishme të Buxhovit se ai nuk e sheh historinë vetëm si të kaluar, por si
një forcë që vazhdon të ndikojë në të tashmen.
Në
këtë kuptim, puna e tij historiografike ka qenë dhe mbetet edhe një përpjekje
për ta nxjerrë historinë shqiptare nga kornizat e vjetra ideologjike komuniste
dhe nga interpretimet e ndërtuara prej historiografive të huaja, sidomos asaj
serbe. Në intervista të ndryshme, Buxhovi ka insistuar në nevojën që
historiografia shqiptare të përballet me dokumentin dhe të çlirohet nga
paragjykimet ideologjike.
Sigurisht,
si çdo autor që prek tema të mëdha dhe të ndjeshme, edhe Buxhovi ka prodhuar
debate. Disa prej tezave të tij historike kanë qenë dhe mbeten të diskutueshme
në disa qarqe akademike. Por pikërisht këtu duhet parë një nga vlerat e tij. Me
punën dhe veprat e tij ai ka nxitur debat mbi historinë shqiptare, duke mos
pranuar që disa tema të mbeten të mbyllura në formulat tradicionale. Sepse një intelektual nuk matet vetëm me
numrin e veprave që shkruan. Ai matet edhe me pyetjet që u lë pas brezave. Dhe
Buxhovi ka ngritur shumë pyetje. Çfarë dimë, realisht, për historinë tonë? Sa
prej saj është shkruar nën ndikimin e politikës? Sa kemi ditur ta lexojmë
dokumentin? Si duhet të ndërtohet kujtesa kombëtare? Dhe, mbi të gjitha, si mund të bashkëjetojnë
letërsia, historia dhe përgjegjësia intelektuale? Në vitet e fundit, Buxhovi ka vazhduar të
jetë aktiv në debatet mediatike dhe akademike për historinë, identitetin
kombëtar dhe zhvillimet politike shqiptare. Në një intervistë më heret, me
rastin e 80-vjetorit dhe 60-vjetorit të krijimtarisë, ai është rikthyer,
pikërisht te marrëdhënia midis letërsisë, historisë, kujtesës dhe rolit të
intelektualit në një shoqëri
demokratike.
Kjo
është ndoshta mënyra më e mirë për ta kuptuar figurën e tij. Jusuf Buxhovi
është një intelektual që ka jetuar mes faktit historik dhe imagjinatës letrare,
mes dokumentit dhe kujtesës historikee dhe mes gazetarisë e studimit. Në një
kohë kur sot gazetaria shpesh është bërë e përkohshme, ndërsa letërsia shpesh e
fragmentuar dhe debati historik i politizuar, një jetë e kaluar në kërkim të
dokumentit dhe fakteve, në shkrim dhe në debat,
përbën një trashëgimi që meriton të vlerësohet. Tetëdhjetë vjet pas
lindjes së tij, mund të thuhet se Buxhovi i përket një brezi intelektualësh që
e përjetuan Kosovën në një nga periudhat më të vështira të historisë së saj
moderne dhe që, në mënyrën e tyre, u përpoqën ta dokumentonin, ta shpjegonin
dhe të mbronin kujtesën e saj. Prandaj 80-vjetori i Jusuf Buxhovit nuk duhet të
jetë vetëm një urim. Duhet të jetë një moment për të rilexuar veprën e tij, për
të vlerësuar kontributet e tij, për të diskutuar edhe tezat e debatueshme dhe
për të vendosur këtë figurë në vendin që meriton në historinë e mendimit
shqiptar të gjysmës së dytë të shekullit XX dhe fillimit të shekullit XXI. 80- vjet jetë dhe 60- vjet krijimtari janë
një rast për të uruar dhe për të nderuar njeriun, por edhe për të gjykuar
veprën, ndërsa vepra e Jusuf Buxhovit është tashmë pjesë e kujtesës historike
intelektuale mbarë-shqiptare.
Në këtë përvjetor shpreh mirënjohje për kontributin e Profesor Jusuf Buxhovit në letërsi, gazetari dhe historiografi. Vepra e tij ka lënë gjurmë të rëndësishme në kujtesën kulturore dhe historike mbarë-shqiptare duke pasuruar mendimin dhe debatin intelektual. Përmes shkrimeve dhe angazhimit publik, ai ka kontribuar në në ndërtimin e vetëdijes historike dhe identitetit historik kulturor kombëtar shqiptar. Ju uroj shëndet të mirë dhe vazhdim të suksesëshëm të krijimtarisë suaj intelektuale dhe kombëtare edhe për shumë vite.



Autori me Profesor Jusuf Buxhovin në Nju Jork, 2012

Me rastin e promovimit nga VATRA të tre vëllimeve mbi historinë e Kosovës, New York 1 Dhjetor 2012


