Frank Shkreli: Flamuri shqiptar në gjyq – ku janë vlerat evropiane të Malit të Zi?
FLAMURI SHQIPTAR NË GJYQ – KU JANË VLERAT EVROPIANE TË MALIT TË ZI?
Drejtësia
Selektive në Mal të Zi dhe "Kompromisi" i Heshtur i Politikës
Shqiptare në atë vend

Flamuri shqiptar i padeshiruar në Mal
te Zi — nje vend që pretendon vlerat e NATO-s dhe antarësimin në Bashkimin
Evropian. Bashkimi Evropian dhe NATO nuk janë vetëm organizata politike dhe
ushtarake. Ato përfaqësojnë një sistem vlerash që mbështetet mbi lirinë,
demokracinë, shtetin e së drejtës dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave. Në
këtë kuptim, respektimi i identitetit kombëtar të shqiptarëve nuk është një
favor që u bëhet atyre, por një detyrim që buron nga standardet demokratike që
Mali i Zi ka pranuar vetë. Unë, personalisht, jam dëshmitar se Shqiptarët
në Mal të Zi dhe n; Shtetet e Bashkuara t; Amerikës kanë qenë ndër mbështetësit
më të qëndrueshëm të orientimit perëndimor të atij vendi. Ata kanë kontribuar
në jetën politike, ekonomike dhe kulturore të shtetit dhe kanë mbështetur
integrimin euroatlantik të Podgoricës. Frank Shkreli:Një shtet i ri me plagë
të vjetra, Mali i Zi në 20-vjetorin e pavarësisë. Shqiptarët në Mal të Zi mes
kontributit historik dhe pritshmërive të papërmbushura | Gazeta Telegraf. Pikërisht për këtë arsye, çdo veprim që krijon
përshtypjen e diskriminimit ndaj simboleve kombëtare të shqiptarëve në atë vend
rrezikon të dëmtojë besimin e një komuniteti që ka treguar vazhdimisht
lojalitet qytetar ndaj shtetit.
Për vite tani, raportime dhe raste të
veçanta që lidhen me përdorimin e flamurit shqiptar në Mal të Zi kanë nxitur
diskutime publike mbi mënyrën se si zbatohen rregullat për simbolet kombëtare
dhe si respektohen të drejtat e pakicave. Për shqiptarët e atyre trojeve, nuk
ka asgjë të re. Kjo është një histori e vjetër, për të mos thënë permanente.
Është një çeshtje që jam munduar ta trajtoj për pothuaj 15- vjetë tani. Asgjë
nuk ka ndryshuar, fatkeqsisht. Shqiptarët e atyre trojeve vazhdojnë t'a ndjejnë
veten si të huaj në shtëpinë e vet. Frank Shkreli: Shqiptarët nën Mal të
Zi - si të huaj në tokën e vet - Zemra Shqiptare. Për shqiptarët autoktonë në Mal të Zi, flamuri kombëtar nuk
është një simbol i huaj. Ai është pjesë e identitetit historik, kulturor dhe
kombëtar të një komuniteti që ka jetuar në trojet e veta në Ulqin, Tuz, Plavë,
Guci dhe vise të tjera shumë kohë përpara krijimit të shteteve moderne në rajon
dhe në botë. Për këtë arsye, çdo përpjekje për ta trajtuar flamurin shqiptar si
problem, provokim ose simbol të padëshiruar prek drejtpërdrejt ndjenjën e
barazisë dhe dinjitetit të këtij komuniteti. Në disa situata, janë
ngritur shqetësime nga komuniteti shqiptar atje, lidhur me kufizimet ose
keqinterpretimet e rregullave për përdorimin e flamurit. Rasti fundit është
reflektues i situatës aktuale. Rasti i Vatra Balidemajt me 1 gusht. E
reja shqiptare u shoqërua nga policia dhe u gjobit nga gjykata lokale në
Plavë-Guci, vetëm e vetëm, se mbante në dorë flamurin "Autochthonous"
ndërsa merrte pjesë në një festival veror muzikor në vendlindjen e saj. Ka
simbole që nuk kanë nevojë për leje për të qenë pjesë e historisë. Flamuri
shqiptar është njëri prej tyre. Në trevat shqiptare të Malit të Zi ai nuk është
një simbol i importuar, as një shenjë provokimi politik ndaj askujt. Ai është
dëshmi e vazhdimësisë historike të një populli autokton që ka ruajtur gjuhën,
kulturën dhe identitetin e vet ndër shekuj.
Prandaj, sa herë që ngritja e flamurit
shqiptar shoqërohet me polemika, pengesa ose trajtime që perceptohen si të
pabarabarta, nuk vihet në diskutim vetëm një simbol kombëtar. Por vihet në
provë vetë besueshmëria e shtetit malazez si demokraci evropiane. Mali
i Zi është anëtar i NATO-s dhe synon të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. Ky
është një angazhim që kërkon më shumë se deklarata politike. Kërkon
respekt të përditshëm për liritë themelore, për dinjitetin e njeriut dhe për të
drejtat e pakicave kombëtare, përfshir shqiptarët. Këto nuk janë
koncesione; janë standarde. Shqiptarët në Mal të Zi nuk kërkojnë
privilegje. Frank Shkreli: Historia kombëtare
shqiptare në shkollat e Malit të Zi mbetet një provë e papërfunduar e
demokracisë dhe e përgjegjësisë politike shqiptare | Gazeta Telegraf Ata kërkojnë atë që u takon si qytetarë të atij vendi dhe si
komunitet autokton: të drejtën për të jetuar identitetin e tyre pa paragjykime,
pa frikë dhe pa u ndjerë se simbolet e tyre kombëtare janë më pak të pranueshme
se të komuniteteve të tjera në atë vend.
Historia e Ballkanit ka treguar se
shtetet nuk dobësohen nga respektimi i identitetit të qytetarëve të tyre. Ato
dobësohen kur krijojnë ndjesinë se ligji zbatohet ndryshe -- në mënyrë të hapur
diskriminuese -- për komunitete të ndryshme, sdimos për shqiptarët.
Besimi ndërtohet me barazi, jo me standarde të dyfishta. Pikërisht për
këtë arsye, çdo rast që ngre pikëpyetje mbi trajtimin e flamurit shqiptar duhet
të trajtohet me seriozitet, transparencë dhe në përputhje me ligjin.
Institucionet zyrtare malazeze kanë përgjegjësinë të sqarojnë çdo rast të
diskutueshëm dhe të sigurojnë që ligji të zbatohet në mënyrë të barabart për të
gjithë, përfshir rastin e Vatra Balidemajt. Standardi nuk mund të jetë i
ndryshëm për një simbol kombëtar në krahasim me të tjerët. Demokracia matet
pikërisht nga mënyra se si trajtohen pakicat dhe jo nga deklaratat formale për
respektimin e të drejtave të tyre. Një shtet modern nuk ka arsye të ketë frikë
nga një simbol që përfaqëson identitetin e një pjese të qytetarëve të tij. Në
fund të fundit, demokracia nuk matet nga mënyra se si shumica ushtron
pushtetin, por nga mënyra se si mbrohen të drejtat e atyre që janë në pakicë.
Nëse Mali i Zi dëshiron të jetë një shembull i suksesit euroatlantik në
Ballkan, atëherë duhet ta dëshmojë këtë jo vetëm në forumet ndërkombëtare, por
edhe në Ulqin, Tuz, Plavë, Guci, Rozhajë e kudo ku shqiptarët jetojnë dhe
ruajnë identitetin e tyre. Ishte Gucia, një vatër e lashtë e historisë
dhe qëndresës shqiptare në Mal të Zi, që u kthye, së fundmi, në skenën e një
paradoksi ligjor që ngre pikëpyetje të mëdha mbi barazinë qytetare në Mal të
Zi. Vatra Balidemaj, një vajzë 19-vjeçare nga Martinajt, u shoqërua në
polici dhe u gjobit nga gjykata vendase deri në 250 euro. "Krimi" i
saj? Valëvitja e flamurit "Autochthonous" – një simbol i dizajnuar
mbi të vërtetën historike të të parëve të saj në ato troje. Ky akt nuk
është thjesht një incident i izoluar administrativ, por një pasqyrë e qartë
vazhdimësie e asaj që quhet drejtësi selektive nga ana e shtetit malazez.
Autoritetet u nxituan të aplikojnë Nenin 23 të Ligjit për Rendin Publik,
duke e klasifikuar stemën si "provokim", ndërsa mbyllin sytë
rregullisht përpara valëve të stërgjyrëshave serbë dhe parullave shoviniste
serbe që pushtojnë rrugët e Malit të Zi nëpër dasma e festa fetare.
Por, përtej fajit të qartë të qeverisë
në Podgoricë, kjo ngjarje nxjerr në dritë një të vërtetë tjetër të hidhur:
përgjegjësinë e madhe të vetë përfaqësuesve politikë shqiptarë. Sot,
politikanët shqiptarë në Mal të Zi nuk janë më në opozitë e as në periferi të
vendimmarrjes. Ata mbajnë poste me rëndësi në administratën shtetërore
malazeze. Qytetari shqiptar nuk i voton liderët e vet vetëm për të bërë opozitë
brenda qeverisë, por për të ndryshuar ligjet diskriminuese dhe për të garantuar
që policia e shtetit që ata vetë bashkë-drejtojnë të mos persekutojë fëmijët
shqiptarë. Me keqardhje të thellë e them se përgjegjësia e faktorit politik
shqiptar – me ndonjë përjashtim aty këtu -- qëndron te gatishmëria e tyre për
të bërë kompromise të shpejta për karrige e pushtet, duke lënë pas dore
reformat jetike ligjore të nevojshme për mbrojtjen e votuesve shqiptarë. Ligji
aktual për simbolet është lënë qëllimisht me ekuivoke dhe kurthe burokratike,
të cilat lejojnë policinë t'i interpretojë simbolet kombëtare sipas dëshirës.
Për sa kohë që partitë shqiptare pranojnë të jenë dekor i qeverive në Podgoricë
pa kushtëzuar pjesëmarrjen e tyre me fshirjen e këtyre neneve diskriminuese,
ato bëhen bashkëfajtore në heshtje për çdo gjobë dhe fyerje që u bëhet
bashkëkombësve të tyre. Frank Shkreli: Diktatura e shumicës
ndaj pakicës shqiptare në Mal të Zi | Gazeta Telegraf
Vatra Balidemaj u shpreh e lënduar se u
gjobit në tokën e të parëve të saj. Por gjoba e saj shpërfaqi rishtas dy
dështime të mëdha: të një shteti malazez që ende trembet nga identiteti
shqiptar, dhe të një klase politike shqiptare që ka pushtet në Podgoricë, por
nuk ka fuqi (ose vullnet) të mbrojë popullin e vet dhe të drejtat ligjitime të
tij.
Respekti për flamurin shqiptar nuk
është favor ndaj shqiptarëve. Është respekt për parimet mbi të cilat ndërtohen
demokracitë evropiane. Dhe pikërisht aty fillon prova e vërtetë e një shteti që
pretendon të jetë pjesë e familjes evropiane. Mali i Zi duhet të vendosë nëse
dëshiron të jetë një shoqëri me të vërtetë demokratike, apo një sistem që
përdor ligjin si mjet penalizimi selektiv ndaj shqiptarëve. Rasti i
Vatra Balidemajt duhet të shërbejë gjithashtu edhe si një moment reflektimi, jo
vetëm për Podgoricën dhe për përfaqsuesit politik[ shqiptarë në Mal të Zi, por
edhe për Evropën. Sepse nëse një flamur shqiptar shihet si kërcënim,
problemi nuk qëndron te flamuri. Problemi është te frika që dikush ka prej
tij. Megjithse flamuri nuk është armë. Dhe as identiteti kombëtar nuk
është krim!
Flamuri shqiptar nuk është armë që
dikush duhet t'i frikësohet. Ai nuk kërcënon, nuk pushton dhe nuk kërkon luftë.
Flamuri kuqezi është simbol i identitetit, i lirisë dhe i dinjitetit kombëtar
të një populli. Të respektosh flamurin shqiptar nuk do të thotë të kesh frikë
nga Shqipëria apo shqiptarët. Por do të thotë të respektosh një komb, historinë
e tij dhe të drejtën e tij për të qenë krenar për identitetin e vet. Edhe NATO
-- anëtare e së cilës është edhe Mali i Zi -- nuk është një organizatë që duhet
të ngjallë frikë. Ajo është, para së gjithash, një aleancë e vendeve që kanë
zgjedhur të mbrojnë lirinë dhe paqen së bashku. Në këtë kuadër, flamuri
shqiptar në Mal të Zi nuk është simbol kërcënimi, por simbol i një vendi që ka
zgjedhur të jetë pjesë e botës euroatlantike."


