Frank Shkreli: Bekim Sejdiu për president – a po i kthehet Kosova profilit institucional?
BEKIM SEJDIU PËR PRESIDENT – A PO I KTHEHET KOSOVA PROFILIT INSTITUCIONAL?

Pas
muajsh ngërçi politik e institucional, nga Prishtina vjen më në fund një lajm i
mirë që mund të shihet si një hap drejt normalizimit: Lëvizja Vetëvendosje dhe
Lidhja Demokratike e Kosovës kanë rënë dakord që Prof. Dr. Bekim Sejdiu të jetë
kandidati i përbashkët për President të Republikës së Kosovës. Duhet theksuar që në fillim: Dr. Bekim Sejdiu është propozuar, jo zgjedhur.
Vendimi përfundimtar i takon Kuvendit të Republikës së Kosovës. Por vetë fakti
që dy forca politike, të cilat jo gjithmonë kanë qenë në një linjë, janë
pajtuar për një figurë që nuk vjen nga politika aktive partiake, është zhvillim
që meriton vëmendje. Dhe këtu qëndron
ndoshta rëndësia e kësaj kandidature. Dr. Bekim Sejdiu ka një profil të
ndryshëm nga shumë prej emrave që kanë dominuar politikën kosovare gjatë viteve
të fundit. Është profesor, diplomat dhe ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese.
Para se të kalonte në drejtësinë kushtetuese, ai ka shërbyer në diplomacinë e
Kosovës, përfshirë si ambasador i parë i Republikës së Kosovës në Turqi dhe si
konsull i përgjithshëm në Nju Jork. Në vitin 2015 u emërua gjyqtar i Gjykatës
Kushtetuese.
Një
tjetër element me rëndësi që nuk duhet anashkaluar në profilin e Bekim Sejdiut
është përvoja e tij në Shtetet e Bashkuara. Gjatë viteve 2012–2014, ai shërbeu
si Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Nju Jork, në një periudhë
kur marrëdhëniet me diasporën shqiptare në SHBA kishin një rëndësi të veçantë
për shtetin e ri të Kosovës. Gjatë kësaj
periudhe, Sejdiu pati mundësi të punonte drejtpërdrejt me komunitetin
shqiptaro-amerikan, një komunitet që kishte dhënë një kontribut të
jashtëzakonshëm për çështjen e Kosovës dhe vazhdonte të luante një rol të
rëndësishëm në forcimin e lidhjeve shqiptaro-amerikane. Për shumë shqiptarë në Nju Jork dhe më gjerë
në Amerikë, ai u njoh si një përfaqësues i denjë i Kosovës me profil
profesional, akademik dhe diplomatik. Respekti që ai fitoi gjatë shërbimit në
Nju Jork është një element i rëndësishëm i përvojës së tij publike, sidomos
nëse kandidatura për President shihet edhe në prizmin e marrëdhënieve të
Kosovës me Shtetet e Bashkuara dhe diasporën shqiptaro-amerikane. Kjo përvojë amerikane i shtohet një karriere
që përfshin diplomacinë, drejtësinë kushtetuese dhe akademinë. Pikërisht, kjo
ndërthurje mund të jetë një nga avantazhet e tij nëse Kuvendi e zgjedh në krye
të shtetit.
Pra,
kemi të bëjmë me një profil shtetëror, juridik, diplomatik dhe akademik, më
shumë sesa me një figurë të politikës së përditshme, që në të vërtretë është
një plus. Sepse ky ppropozim mund të
jetë, pikërisht, ajo që i duhet sot Kosovës.
Presidenca e Republikës nuk duhet të jetë një zgjatim i një partie
politike. Presidenti duhet të jetë, mbi të gjitha, një figurë që mishëron
shtetin, Kushtetutën dhe unitetin institucional. Në këtë kuptim, një kandidat
me përvojë në diplomaci dhe në Gjykatën Kushtetuese mund të sjellë një
dimension tjetër në Presidencën e Kosovës.
Por këtu fillon edhe prova e vërtetë.
A do të jetë Bekim Sejdiu kandidat i partive që e propozuan apo
President i Republikës?
Kjo
është pyetja që do të përcaktojë rëndësinë e kësaj kandidature. Vetë Sejdiu,
duke pranuar propozimin, ka deklaruar se ambicia e tij ka qenë kryesisht në
fushat akademike dhe profesionale, por se e ka pranuar përgjegjësinë për t'i
shërbyer Republikës dhe qytetarëve të saj.
Kjo deklaratë është e rëndësishme. Sepse Kosova nuk ka nevojë vetëm për
një figurë që ta mbyllë një krizë politike. Ka nevojë për një President që të
mund të fitojë autoritet përtej shumicës që e zgjedh. Nëse Bekim Sejdiu arrin të zgjidhet nga
Kuvendi, sfida e tij do të jetë e madhe: të ruajë pavarësinë institucionale, të
jetë faktor stabiliteti në një skenë politike tepër të polarizuar dhe të
përfaqësojë Kosovën me seriozitet në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në këtë pikë, kandidatura e tij është më
shumë se një emër për Presidencën. Është
një provë për politikën kosovare: a është ajo në gjendje të vendosë interesin e
shtetit mbi interesin partiak? Nëse
përgjigjja është po, atëherë marrëveshja për Bekim Sejdiun mund të jetë një
kthesë pozitive. Nëse jo, atëherë edhe një
figurë me profil të lartë institucional rrezikon të mbetet peng i të njëjtës
kulturë politike që e ka mbajtur Kosovën për muaj të tërë në ngërç.
Prandaj,
para se të pyesim nëse Bekim Sejdiu do të jetë President i mirë, duhet të
pyesim diçka tjetër: A do t'i japin
partitë politike Presidentit të ardhshëm hapësirën që të jetë President i
Republikës dhe jo President i një marrëveshjeje politike që e solli në atë
post? Kjo do të jetë prova e vërtetë –
jo vetëm për Bekim Sejdiun, por edhe për pjekurinë institucionale të politikës
së Kosovës.

Gjatë
shërbimit të tij diplomatik në Nju Jork, Prof. Dr. Bekim Sejdiu ishte i
pranishëm gjithmonë në tubimet e komunitetit shqiptaro-amerikan. Në këtë foto
ishte me rastin e promovimit nga VATRA të tre vëllimeve mbi historinë e Kosovës
të autorit Dr Jusuf Buxhovi, New York, 1 Dhjetor 2012


