Frank Shkreli: Nga paralajmërimi “Demokracia nuk pret” te zgjimi qytetar dhe alarmi “Demokracia në rrezik!”
NGA PARALAJMËRIMI: "DEMOKRACIA NUK PRET"
TE
ZGJIMI QYTETAR DHE ALARMI: DEMOKRACIA NË RREZIK!

Protestat e sotme në Shqipëri, janë një
shenjë se shqiptarët po rizgjohen për të mbrojtur lirinë dhe demokracinë.
Para 10–15 vitesh, kur shkruaja artikuj për "Demokracia nuk pret",
nuk e kisha fjalën vetëm për një shqetësim të çastit politik. Ishte një
paralajmërim se demokracia shqiptare nuk mund të lihej në mëshirën e politikanëve,
të partive politike apo të interesave të pushtetit. Kam theksuar vazhdimisht
se, Demokracia kërkon vigjilencë, kërkon qytetarë pjesëmarrës. Kërkon një
shoqëri që nuk hesht kur institucionet dobësohen, kur pushteti përqendrohet,
kur korrupsioni bëhet pjesë e sistemit dhe e jetës së përditshme dhe kur
qytetari fillon të ndiejë se zëri i tij nuk dëgjohet më.
Sot, pas më shumë se një dekade, kemi
ardhur në një pikë ku titulli "Demokracia nuk pret" merr një kuptim
edhe më të fortë: Demokracia është në rrezik dhe shqiptarët kanë filluar ta
kuptojnë këtë. Protestat që kanë përfshirë Tiranën dhe qytete të tjera gjatë
vitit 2026 duhen parë edhe në këtë kontekst. Ato nuk janë vetëm një përplasje
ndërmjet opozitës dhe qeverisë. Sigurisht, partitë politike kanë interesat dhe
agjendat e tyre dhe do përpiqen të shfrytëzojnë çdo pakënaqsi të qytetarëve me
qeverinë në pushtet. Por përtej partive politike, në Shqipëri, më në fund, po
shfaqet diçka tjetër: pakënaqësia qytetare dhe dëshira e një pjese të shoqërisë
për të mos qëndruar më spektatore përballë mënyrës se si qeveriset
vendi.
Në protestat e fundit është parë edhe
një element i rëndësishëm: pjesëmarrja e të rinjve. Frank Shkreli: Kur zgjohet rinia,
dridhen elitat. A po vjen më në fund ndryshimi në trojet shqiptare?! |
Gazeta Telegraf --Lëvizja e njohur si
"Revolucioni i Flamingove", për shembull, ka mobilizuar mijëra shqiptarë,
veçanërisht të rinj, të cilët kanë ngritur shqetësime jo vetëm për projektet
konkrete të zhvillimit, por edhe për korrupsionin, institucionet publike dhe
mënyrën e shpërndarjes së pasurisë e mundësive në vend. Ky mobilizim është
ndoshta pjesa më shpresëdhënëse e zhvillimeve të sotme. Sepse një shoqëri
demokratike fillon të zgjohet atëherë kur qytetari nuk thotë më: "Çfarë
mund të bëj unë?" Por pyet: "Çfarë po bëjmë ne?" Ky është
ndryshimi ndërmjet indiferencës dhe qytetarisë.
Me të drejtë, protestat prej pothuaj dy
muajsh shikohen nga vërejtës të jashtëm dhe të brendshëm si një shenjë zgjimi
qytetar i shqiptarëve. Nuk është aq e rëndësishme vetëm se sa njerëz dalin në
një protestë. Më e rëndësishme është fakti se pse dalin. Kur qytetarët
dalin në rrugë për të kërkuar transparencë, drejtësi, llogaridhënie, mbrojtjen
e pasurisë publike dhe respektimin e institucioneve, atëherë protesta merr një
dimension më të madh se një konflikt i zakonshëm politik. Ajo bëhet një
shprehje e sovranitetit qytetar. E kjo, pikërisht, është arsyeja pse protestat
duhet të lexohen më me kujdes. Edhe analizat e fundit mbi zhvillimet politike
në Shqipëri i kanë lidhur protestat me probleme më të thella sistemike të
demokracisë shqiptare, jo vetëm me një konflikt të momentit. Sigurisht, kjo nuk
do të thotë se çdo protestë është demokratike në çdo formë të saj. Dhuna,
sulmet ndaj policisë apo shkatërrimi i pronës nuk mund të justifikohen në emër
të demokracisë. Protesta demokratike duhet të jetë e vendosur, por paqësore, e
guximshme, por e përgjegjshme. Sepse qëllimi nuk është të zëvendësohet një
autoritarizëm me një tjetër. Qëllimi është të forcohet demokracia. Kjo njuk do
të thotë se Shqipëria është kthyer në një diktaturë. Por në të njëjtën kohë,
një demokraci nuk humbet vetëm atëherë kur mbyllet parlamenti, kur ndalohen
partitë politike apo kur burgosen kundërshtarë politikë.
Nga paralajmërimi disa vite më parë se,
"Demokracaia nuk pret", te alarmi sot se demokracia është në rrezik
në Shqipëri, ishte një lidhje gjatë viteve e shkrimeve të mia të dikurshme e
deri në ditët e sotëme: Se "Demokracia nuk pret" ishte pra një
paralajmërim, ndërsa sot më duhet të jap alarmin se "Demokracia është në
rrezik." Se i ashtuquajturi "tranzicion" është grabitur nga
klasa politike në Shqipëri por edhe Kosovë, një fenomen që po dëbon shqiptarët
nga trojet e tyre shekullore. Klasa politike në të dy anët e kufirit duhet të
kuptojë se legjitimiteti nuk fitohet vetëm në zgjedhje, qofshin ato edhe të
lira, por ai ruhet dhe kultivohet përmes integritetit moral e kombëtar,
transparencës dhe përgjegjësisë së politikës ndaj qytetarëve. Frank Shkreli: Klasa politike në
Shqipëri dhe në Kosovë po tradhëton shpresën dhe besimin e shqiptarëve për të
ardhmen | Gazeta Telegraf
Një gjë pozitive nga këto zhvillime të
fundit është fakti se protestat janë një nga shenjat se në të vërtetë, një
pjesë e shoqërisë shqiptare po e kupton tani këtë rrezik që po i kanoset Kombit
shqiptar. Mbetet për tu pa nëse ky është fillimi i një zgjimi që ka munguar për
dekada tani. Për vite me radhë shqiptarët janë ankuar në kafene, në familje, në
rrjetet sociale dhe në biseda private. Për fat të keq të vendit, shumë prej
tyre kanë zgjedhur emigrimin si përgjigje ndaj mungesës së shpresës. Të tjerë
janë tërhequr nga politika, disa të tjerë i janë dorëzuar fatit duke menduar se
politikanët shqiptarë, "të gjithë janë njësoj". Por demokracia
nuk mund të mbijetojë kështu nëse qytetari largohet prej saj, duke u dorzëuar
para së keqes. Prandaj, një qytetar që del në shesh për të kërkuar llogari nga
pushteti nuk duhet parë, domosdoshmërisht, si kundërshtar i shtetit. Në një
demokraci normale, qytetari kritik është një nga mbrojtësit më të rëndësishëm
të shtetit demokratik.
Sa herë jam shprehur se Shqipëria ka
nevojë për një zgjim demokratik. Shqiptarët nuk kanë nevojë për një
tjetër revolucion politik që të zëvendësojë një grup politikanësh me një grup
tjetër. Por ata kanë nevojë për një revolucion demokratik të ndërgjegjes. Duhet
një brez që beson se ligji është mbi pushtetin. Një brez që nuk pranon
korrupsionin si normalitet. Një brez që kërkon zgjedhje të lira e të besueshme.
Një brez që kërkon drejtësi të pavarur. Një brez që nuk e sheh shtetin si pronë
të partisë që qeveris. Dhe mbi të gjitha, Shqipëria dhe shqiptarët kanë nevojë
për një brez që nuk pranon të largohet nga Shqipëria vetëm sepse nuk sheh një
të ardhme në vendin e vet.
Prandaj, kjo është arsyeja pse
protestat e sotme mund të jenë më shumë se një episod politik. Shpresoj
që ato të jenë shenja e një zgjimi të vërtetë qytetar, pa kthesë mbrapa.
Dhe nëse është kështu, ky zgjim duhet përshëndetur, por edhe drejtuar ndaj një
qëllimi të qartë e të përbashkët: forcimit të demokracisë shqiptare. Sepse
-- Frank Shkreli: Shqiptarët në Ditën
Ndërkombëtare të Demokracisë, 2024 | Gazeta Telegraf -- siç kemi thënë shpesh, demokracia nuk mbrohet vetëm në ditën e
zgjedhjeve. Mbrohet çdo ditë. Sa herë kam cituar ish-Presidentin e Shteteve të
Bashkuara, Ronald Reagan se, "Liria nuk është kurrë më shumë se një brez
larg shuarjes. Se për demokracinë duhet luftuar dhe duhet mbrojtur çdo ditë dhe
nga çdo brez." Se demokracia mbrohet kur qytetari flet. Mbrohet
kur gazetari investigon. Mbrohet kur gjyqtari vendos sipas ligjit. Mbrohet kur
parlamenti kontrollon qeverinë. Mbrohet kur opozita ushtron detyrën e saj.
Mbrohet kur pushteti pranon kritikën. Dhe mbrohet, mbi të gjitha, kur qytetarët
refuzojnë të heshtin. Sepse historia na mëson se demokracitë nuk
zhduken gjithmonë me një goditje të vetme. Ato mund të konsumohen pak nga pak,
në heshtje, përmes tolerimit të shkeljeve të vogla, normalizimit të arrogancës
së pushtetit dhe indiferencës së qytetarëve. Kam shkruar për vite me
rradhë se mungesa e demokracisë së vërtetë, dobësimi i institucioneve, mungesa
e një opozite efektive dhe mos-distancimi zyrtar nga trashëgimia dhe krimet e
diktaturës komuniste mund të krijonin terrenin e volitshëm për prirje
autoritare.
Para një dekade e gjysmë na ishte
paralajmërimi im: "Demokracia nuk pret." Sot do ta përsërisja këtë
mesazh me një forcë edhe më të madhe dhe me një zë edhe më të fortë se, po
"Demokracia nuk pret", por demokracia as nuk mbrohet vetë.
Prandaj, ma merr mendja se nëse protestat e sotme janë vërtet shenja e
një zgjimi qytetar, atëherë Shqipëria ka ende një mundësi. Një mundësi për ta
kthyer zemërimin në ndërgjegje, pakënaqësinë në pjesëmarrje, protestën në
qytetari dhe zgjimin qytetar në një kërkesë të qartë -- se jo vetëm që
Shqipëria ka nevojë për një qeveri tjetër të re -- kjo është e qartë. Frank Shkreli: Protestat dhe fundi i
një epoke politike në Shqipëri, një domosdoshmëri e kohës | Gazeta Telegraf -- Por mbi të gjitha, dy shtetet shqiptare –Shqipëria dhe
Kosova -- kanë nevojë për një demokraci më të fortë, me pjesëmarrjen e
qytetarëve. Sepse në fund të fundit, kjo është beteja që nuk përfundoi me
rrëzimin e komunizmit dhe siç duket, as me çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.
Ndërsa beteja për demokracinë e vërtetë vazhdon.
Këtu qëndron pra edhe ndryshimi
ndërmjet "Demokracia nuk pret" e viteve më parë dhe thirrjes sot se
"Demokracia është në rrezik." E para ishte një paralajmërim. E dyta është
një alarm për veprim. Se, për fat të keq, sot kemi arritur aty ku
paralajmërimet e djeshme janë shndërruar në realitetin e sotëm politik anë e
mbanë trojeve shqiptare. Ky alarm nuk i drejtohet vetem qeverisë apo opozitës.
Ai i drejtohet gjithë shoqërisë shqiptare sepse demokracia nuk është pronë e
asnjë partie politike. Nuk është pronë e kryeministrit, e opozitës, e
parlamentit, e ambasadave apo e instiucioneve ndërkombëtare. Demokracia është
pronë e qytetarëve.
Tre vëllime publicistikë të autorit
"Demokracia nuk pret", botuar nga Gazeta Telegraf, Tiranë, 2018


