Frank Shkreli: Petro Nini Luarasi dhe sfidat e shqiptarëve të shekullit XXI

PETRO NINI LUARASI: "Edhe 99 herë të rrëzohemi, përsëri duhet të ngrihemi"
Petro
Nini Luarasi dhe sfidat e shqiptarëve të shekullit XXI

"Shqiptarët
nuk kanë shembuj për t'u ndjekur." Kjo është një thënie që dëgjohet
shpesh. Por nuk është e vërtetë. Nuk është historia e shqiptarëve që është e
varfër me shembuj atdhetarësh. Shpesh është kujtesa jonë që është bërë më e
varfër. Se shqiptarët kanë nxjerrë burra
dhe gra që e deshën atdheun më shumë se veten. Kanë pasur luftëtarë që mbrojtën
lirinë, mendimtarë që ndriçuan rrugën e kombit, shkrimtarë që ngritën gjuhën
shqipe në majat e letërsisë dhe mësues që sakrifikuan gjithçka për dijen. Njëri
prej tyre është Petro Nini Luarasi. Ai
nuk u bë i pavdekshëm sepse mbajti pushtet, pasuri apo privilegje. U bë i
pavdekshëm sepse i kushtoi jetën një ideali: gjuhës shqipe, arsimit dhe
ndërgjegjes kombëtare. Në një kohë kur të shkruaje e të mësoje shqip ishte akt
guximi, ai zgjodhi rrugën e sakrificës dhe jo të heshtjes. Për këtë arsye, emri
i tij mbetet i lidhur përgjithmonë me martirizimin për gjuhën amtare. Por Petro Nini Luarasi nuk na la vetëm veprën
e tij. Ai na la edhe një amanet që tingëllon sot po aq i fuqishëm sa më shumë
se një shekull më parë: "Edhe 99 herë të rrëzohemi, përsëri duhet të
ngrihemi." Këto fjalë nuk janë
vetëm një thirrje për qëndresë. Janë një program moral për çdo brez shqiptar.
Ato na kujtojnë se rënia nuk është turp; turp është dorëzimi. Humbja nuk është
fundi; fundi vjen vetëm kur humbet besimin!
Në
një kohë kur shumë shqiptarë shohin largimin si rrugën e vetme drejt një jete
më të mirë, kur zhgënjimi shpesh zë vendin e shpresës dhe kur përçarja
zëvendëson bashkimin, Petro Nini Luarasi na kujton se asnjë komb nuk ndërton të
ardhmen duke hequr dorë nga vetvetja. Prandaj,
kur dikush thotë se shqiptarët nuk kanë shembuj për t'u ndjekur, përgjigjja nuk
duhet kërkuar larg. Ajo gjendet në faqet e historisë sonë, te ata që nuk
kërkuan lavdi për veten, por liri dhe dinjitet për kombin. Petro Nini Luarasi është një prej atyre
shembujve të shumtë. Ai nuk na kërkon të bëjmë gjëra të pamundura. Na kërkon
vetëm të mos dorëzohemi. Sepse kombet nuk bëhen të mëdha nga mungesa e
pengesave, por nga njerëzit që, edhe pasi rrëzohen shumë herë, gjejnë forcën të
ngrihen përsëri. "Edhe 99 herë të
rrëzohemi, përsëri duhet të ngrihemi."
Kjo thënie nga rilindasi i madh Petro Nini Luarasi nuk është thjesht një
thënie e bukur. Është një filozofi mbijetese. Është testamenti moral dhe
atdhetar i një njeriu që pa burgun, përndjekjen dhe flijimin, por nuk pa kurrë
dorëzimin. Sot më shumë se një shekull më vonë, shqiptarët nuk përballen më me
ndalimin e gjuhës shqipe. Ata nuk përballen me shkollat e mbyllura apo me
ndalimin e alfabetit, si në kohën e Petro Nini Luarasai. Megjithatë, shqiptaria
sot përballet me një rrezik tjetër, po aq të madh: humbjen e besimit. Frank Shkreli: Klasa politike në Shqipëri dhe
në Kosovë po tradhëton shpresën dhe besimin e shqiptarëve për të ardhmen |
Gazeta Telegraf. Në Shqipëri, në Kosovë
dhe në trojet e tjera shqiptare, mijëra të rinj nuk e shohin më të ardhmen në
vendin e tyre. Çdo ditë, avionët mbushen me djem e vajza që largohen jo sepse
nuk e duan atdheun, por sepse nuk besojnë se mund të ndërtojnë një jetë me
dinjitet në të. Emigrimi nuk është vetëm një zgjedhje ekonomike; shpesh ai
është shprehje e një zhgënjimi të thellë ndaj institucioneve, politikës dhe
mungesës së mundësive. Frank Shkreli:
Zbrazja e trojeve shqiptare sot dhe rreziku i brendshëm aktual | Gazeta Telegraf
Ky
është rrëzimi i kohës sonë. Por Petro Nini Luarasi do të pyeste: A është
largimi zgjidhja e vetme, apo është shenja se kemi pushuar së besuari se vendi
ynë mund të ndryshojë? Ai nuk do t'i gjykonte ata që largohen për të siguruar
jetën e familjes. Edhe vetë ai njohu mërgimin dhe veproi për çështjen kombëtare
nga Shtetet e Bashkuara. Por ai do të na kujtonte se mërgimi nuk duhet të
kthehet në dorëzim dhe se lidhja me atdheun nuk mbaron në kufi. Sot, shqiptarët nuk kanë aq nevojë vetëm për
rrugë, ura apo pallate e ndërtesa, por kanë nevojë të rindërtojnë besimin në
vetveten dhe në atdheun e vet. Sepse kur një popull humbet besimin, fillon të
largohet jo vetëm fizikisht, por edhe shpirtërisht nga vendi i vet. Shqiptarët kanë kaluar pushtime, luftëra,
diktaturën e egër komuniste, varfëri dhe mërgime të panumërta. Megjithatë, kanë mbijetuar sepse çdo brez ka
gjetur forcën të ngrihet edhe një herë. Pikërisht, këtë na mëson Petro Nini
Luarasi: rrëzimi nuk është fundi. Fundi vjen vetëm kur pranojmë të mos ngrihemi
më. Prandaj thënia e tij është sot më
aktuale se kurrë. Ajo sot u drejtohet sidomos qytetarëve, mësuesve, prindërve,
të rinjve dhe diasporës. Ajo thënie na kujton se ndryshimi nuk lind nga
dëshpërimi, por nga këmbëngulja dhe nga besimi për një të ardhme më të mirë për
të gjithë.
Nëse
brezi i Petro Nini Luarasit do të ishte dorëzuar, Shqipëria ndoshta nuk do ta
kishte fituar kurrë të drejtën për të shkruar e për të mësuar në gjuhën e saj.
Nëse ky brez i shqiptarëve sot dorëzohet përballë korrupsionit, padrejtësisë,
polarizimit politik apo varfërisë, rrezikojnë të humbasin jo gjuhën, por edhe
shpresën. Dhe një komb që humbet shpresën, fillon të zbrazë vetveten. Sepse pa
u distancuar nga e kaluara komuniste, nuk fitohet as besimi për të ardhmen.
Frank Shkreli: Pa u distancuar nga e kaluara, nuk fitohet besimi i së ardhmes |
Gazeta Telegraf
Prandaj
porosia e Petro Nini Luarasit mbetet një detyrë për çdo brez se edhe nëse
rrëzohemi në përpjekjet për të ndërtuar një shtet më të drejtë, një shoqëri më
të ndershme dhe një të ardhme që i mban të rinjtë pranë atdheut, shqiptarët
duhet të ngrihen përsëri. Jo një herë,
por nëntëdhjetë e nëntë herë, e nëse duhet, edhe të njëqindtën, citohet të ketë
thenë Petro Nini Luarasi. Sepse kombet nuk maten me numrin e rrëzimeve, por me
forcën për t'u ringritur. Ai do këshillonte se rënia nuk është humbje, por
dorëzimi është! Shpesh thuhet se
shqiptarët kanë kaluar shekuj të vështirë. Kjo është e vërtetë. Por ndoshta
sfida më e madhe e kohës sonë nuk është varfëria, as emigrimi, as përçarja
politike. Sfida më e madhe më duket se është është lodhja shpirtërore, lodhja
me politikën e këtyre 35-viteve. Frank Shkreli: Protestat dhe fundi i një epoke
politike në Shqipëri, një domosdoshmëri e kohës | Gazeta Telegraf. Një popull mund të përballojë shumë vuajtje,
nëse beson se nesër do të jetë më mirë. Mirëpo, kur humbet besimin, ai fillon
të largohet jo vetëm nga vendi, por edhe nga vetvetja. Kjo është drama që,
fatkeqsisht, shohim sot në shumë vise shqiptare. Në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoninë e
Veriut, në Mal të Zi dhe në Luginën e Preshevës, shumë shqiptarë ndajnë të
njëjtën pyetje: A ia vlen të qëndrosh këtu? Përgjigjet janë të ndryshme, por
vetë pyetja është një tregues i një shqetësimi të thellë, anë e mbanë trojeve
shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Ajo nuk lind vetëm nga vështirësitë
ekonomike. Ajo lind edhe nga ndjenja, sidomos në radhët e të rinjve, se
përpjekja personale shpesh nuk shpërblehet, se e mira ecën ngadalë dhe se
shpresa vonon – siç provojnë protestat prej pothuaj dy muajsh në Tiranë. Por historia shqiptare na mëson se brezat që
ndërtuan kombin nuk jetuan në rrethana më të lehta. Ata nuk kishin shtet, nuk
kishin universitete shqiptare, nuk kishin administratë kombëtare dhe, në shumë
raste, nuk kishin as të drejtën të mësonin në gjuhën e tyre. Megjithatë nuk
hoqën dorë nga ideja se Shqipëria dhe shqiptaria meritonin një të ardhme më të
mirë. Petro Nini Luarasi nuk u ngrit
vetëm kundër ndalimit të gjuhës shqipe. Ai u ngrit kundër dëshpërimit. Ai e
kuptonte se pushtuesi më i rrezikshëm nuk është ai që merr tokën, por ai që të
bind se nuk ia vlen më të luftosh për të.
Ky është mesazhi që i flet edhe brezit të sotëm. Shqiptarët kanë ndërtuar komunitete të
suksesshme në Amerikë, në Europë, në Australi e gjetkë. Ata kanë dëshmuar se me
punë, dije dhe ndershmëri mund të arrijnë majat. Kjo tregon se problemi nuk
është mungesa e aftësive. Sfida është si të krijohen kushte që kjo energji
krijuese të ketë mundësi të lulëzojë edhe në trojet shqiptare. Në këtë kuptim, diaspora nuk duhet parë si
një kapitull i mbyllur i historisë sonë, por si një pjesë e gjallë e kombit.
Mërgimtari nuk pushon së qeni shqiptar kur kalon kufirin. Ai mbetet bartës i
gjuhës, kujtesës dhe kulturës sonë. Por asnjë diasporë, sado e suksesshme të
jetë, nuk mund ta zëvendësojë jetën që zhvillohet në trojet shqiptare. Kombet
kanë nevojë për rrënjë, jo vetëm për degë. Prandaj thënia e Petro Nini Luarasit
merr sot një kuptim të ri. "Edhe 99 herë të rrëzohemi, përsëri duhet të
ngrihemi", nuk është një thirrje për optimizëm naiv. Është një detyrim
moral për të mos e pranuar dëshpërimin si fat. Sepse historia nuk ecën
gjithmonë në vijë të drejtë. Ka periudha kur duket se gjithçka ngec, kur
idealet zbehen dhe kur largimi duket më i lehtë se qëndrimi. Por pikërisht në
ato çaste provohet karakteri i një kombi. Periudha në të cilën jetojmë mund të
jetë një ng ato. Frank Shkreli: Kur zgjohet rinia, dridhen elitat. A po vjen më
në fund ndryshimi në trojet shqiptare?! | Gazeta Telegraf -- Janë pikërisht, periudha të tilla kur
duhet të na kujtohen fjalët e Petro Nini Luarasit: "Edhe 99 herë të
rrëzohemi, përsëri duhet të ngrihemi."
Shqiptarët nuk kanë nevojë të bindin botën se dinë të mbijetojnë. Këtë e
kanë dëshmuar prej shekujsh. Sfida e shekullit XXI është tjetër: të ndërtojnë
një shoqëri ku të rinjtë të mos largohen vetëm nga nevoja, por të kenë edhe
lirinë reale për të zgjedhur të qëndrojnë.
Ky do të ishte, ndoshta, triumfi më i madh i amanetit të Petro Nini
Luarasit. Jo vetëm ta ruajmë gjuhën shqipe, por ta bëjmë atë gjuhën e një
shoqërie që u jep bijve dhe bijave të saj arsye për të jetuar, për të krijuar
dhe për të ëndërruar në vendin e tyre.
Sepse një komb ringrihet jo vetëm kur kujton heronjtë e tij, por edhe
kur gjen guximin të bëhet i denjë për sakrificat e tyre.
Më
17 gusht 1911, Petro Nini Luarasi u nda nga jeta në rrethana që historiografia
shqiptare i ka lidhur me helmimin e organizuar nga qarqe shoviniste greke, të
cilat e konsideronin atë një pengesë për politikën e tyre të asimilimit të
shqiptarëve ortodoksë. Për breza të tërë shqiptarësh, ai është nderuar si
Martiri i gjuhës shqipe, sepse jetën e vuri në shërbim të shkollës, gjuhës dhe
ndërgjegjes kombëtare.
Petro
Nini Luarasin e helmuan sepse donte që shqiptarët të mos humbnin gjuhën e tyre.
Një shekull më vonë, askush nuk na ndalon ta flasim shqipen. Por, lind
pyetja: a po e lënë vetë shqiptarët pas
dore atdheun, gjuhën dhe shpresën? Ky
shkrim modest imi në kujtim të këtij rilindasi të madh nuk është një thirrje
kundër dikujt, por një thirrje për ringritje për shqiptarët kudo, sidomos për
shqiptarët në trojet shekullore iliro-arbërore -- në 115-vjetorin e vdekjes së
Petro Nini Luarasit (17 gusht 1911 – 17 gusht 2026). Besnikërisht, në frymën e
porosisë së Petro Nini Luarasit: "Edhe 99 herë të rrëzohemi, përsëri duhet
të ngrihemi."


