Frank Shkreli: Spaçi nuk e mposhti shpirtin
SPAÇI NUK E MPOSHTI SHPIRTIN
Spaçi:
Kujtesë, Drejtësi dhe Pajtim Kombëtar.
"Rikthimi"
i Kardinalit Ernest Simoni në vendin e martirizimit rikthen në ndërgjegjën
kombëtare, çmimin e lirisë, detyrimin për pajtim dhe kujtesën

Më 31 korrik 2026, në ish-burgun e Spaçit u
celebrua mesha e udhëhequr nga Kardinali shqiptar, Hirësia e Tij Ernest Simoni
(Troshani). "Rikthimi" i Kardinalit Ernest Simoni në vendin ku dikur
ka vuajtur dënimin dhe punën e detyruar --me ftesë të Shoqatës Antikomuniste të
të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë -- shënoi një moment reflektimi për
vuajtjet, torturat dhe sakrificën e qindra të dënuarve gjatë regjimit komunist
në Shqipëri, njoftohet në faqen e internetit të Konferencës Ipeshkvore të
Kishës Katolike të Shqipërisë (K.I.SH)
Vura re se "rikthimi" i Kardinalit Ernest
Simoni në Spac u raportua në median shqiptare si nje lajm i rëndomtë i ditës.
Por, besoj se vizita e tij atje, duhet të trajtohej si dicka më shumë se një
lajm i zakonshëm. "Rikthimi" i Kardinalit Ernest Simonit në
ish-burgun e Spaçit është shumë më tepër se një lajm i ditës, për një vizitë
simbolike. "Rikthimi" i tij në Spaç përbën një kthim në vendin ku u
vu në provë besimi, dinjiteti dhe qëndresa e një prej figurave më të njohura të
Kishës Katolike Shqiptare. Them se ai nuk u kthye në Spaç si një vizitor i
zakonshëm, por si një dëshmitar i gjallë i një prej kapitujve më të errët të
historisë shqiptare. Kardinal Simoni ka kaluar vite të gjata në Spaç,
duke punuar në galeritë e minierës dhe duke përjetuar tortura e privime gjatë
regjimit komunist. Thashë se "rikthimi" i tij në Spaç të premtën e
kaluar, megjithse në moshë të thyer, ishte më shumë se një lajm i rëndomtë i
një vizite simbolike sepse ajo vizitë u shndërrua në një akt kujtese dhe
pajtimi: një dëshmi se viktimat e diktaturës komuniste nuk kërkojnë hakmarrje,
por të Vërtetën, Kujtesën dhe Respektin për sakrificën e mijëra të burgosurve
politikë të regjimit komunist të Enver Hoxhës Frank Shkreli: Revolta antikomuniste
në Gulagun shqiptar të Spaçit, 50-vjetë më parë | Gazeta Telegraf
"Rikthimi" i Kardinalit Ernest Simoni në
Spaç, në atë vend, ku mijëra burra u privuan nga liria, ku u shkatërruan jetë,
familje dhe ëndrra, At Ernest Simoni kaloi vite të tëra të mundimit. I dënuar
për shkak të besimit dhe fjalës së lirë, ai njohu punën e detyruar, urinë,
poshtërimin dhe dhunën. Por regjimi nuk arriti t'i nënshtrojë atij shpirtin.
Dom Ernest Simon Troshani vazhdoi të mbetej meshtar edhe kur i ishte ndaluar të
ushtronte meshtarinë, duke u bërë atë burim shprese për bashkëvuajtësit e tij,
për shumë dekada. Frank Shkreli: 50-Vjetori i revoltës
Anti-Komuniste në Spaç | Gazeta Telegraf
Prania e Kardinalit Simoni, javën që kaloi në Spaç,
nuk është vetëm një kujtim personal. Është një akt ndërgjegjeje kombëtare.
Është një kujtesë se liria, besimi dhe dinjiteti njerëzor kanë pasur një çmim
të jashtëzakonshëm në Shqipëri, për pothuaj gjsëm shekulli komunizëm. Në një
kohë kur dëshmitarët e drejtpërdrejtë të diktaturës po pakësohen, zëri i
Kardinalit Simoni fiton një vlerë edhe më të madhe. Ai nuk flet për hakmarrje,
por për të Vërtetën. Jo për urrejtje, por për falje. Jo për harresë, por
për kujtesë. Një shoqëri që nuk ruan vendet e vuajtjes, si kujtesë për
breza, rrezikon të humbasë edhe kuptimin e lirisë. Spaçi nuk është thjesht një
ish-burg. Ai është një monument i ndërgjegjes kombëtare. Çdo gur, çdo galeri
dhe çdo qeli mbart historinë e njerëzve që paguan me rininë, me jetën dhe me
familjet e tyre për të mos hequr dorë nga bindjet e tyre politike dhe
fetare. Prandaj "rikthimi" i Kardinalit Ernest Simoni të
premten që kaloi në Spaç, duhet parë vetëm si një ngjarje kishtare apo
ceremoniale. Vet prania e tij atje ishte një apel drejtuar
institucioneve, historianëve, arsimit dhe shoqërisë shqiptare që kujtesa e
krimeve të komunizmit të mos mbetet vetëm në librat e historisë, por të jetojë
në ndërgjegjen e brezave.
Figura e Kardinalit Simoni mishëron një të vërtetë
të rrallë: njeriu mund të burgoset, por ndërgjegjja nuk mund të vihet në
pranga. Kjo është arsyeja pse kthimi i tij në Spaç nuk është vetëm një rikthim
në të kaluarën, por është edhe një thirrje për të ardhmen. Sepse kombet që
kujtojnë martirët e tyre ndërtojnë qytetërimin mbi të Vërtetën. Sa herë është
thënë, se kombet që harrojnë krimet e së kaluarës, ata rrezikojnë të përsërisin
gabimet e historisë. Prandaj, për të ritheksuar, përballë Spaçit dhe çdo
vendi tjetër të vuajtjes, shqiptarët nuk kanë luksin e harresës, por kanë
detyrimin e kujtesës. Ky vend nuk duhet të mbetet vetëm një rrënojë e heshtur,
por një shkollë e hapur e ndërgjegjes kombëtare, ku brezat e rinj të mësojnë se
liria nuk është dhuratë, por sacrifice. Se dinjiteti njerëzor nuk është i
vetëkuptueshëm, por i fituar me dhimbje; se e vërteta nuk shuhet, edhe kur për
dekada është përpjekur, zyrtarisht, të varroset.
Siç e kam theksuar edhe në të kaluarën, vet
ekzistenca e burgu i Spaçit dhe revolta atje para më shumë se 50-viteve,
nuk ishte thjesht një sfidë kundër diktaturës komuniste. Ajo ishte një thirrje
për dinjitet njerëzor, për liri dhe për nderin e shqiptarit. Sot, kujtimi
i atyre burrave që ngritën flamurin kombëtar pa simbolin me yll të diktaturës
komuniste nuk duhet të shërbejë për të hapur plagë të reja, por për të mbyllur
ato të vjetrat me të Vërtetën, Drejtësinë, Pajtimin dhe Paqën. Frank Shkreli: 51-vjet nga revolta e
Spaçit. Pajtim e Paqe midis shqiptarëve! | Gazeta Telegraf—Prandaj
sot me rastin e "rikthimit" Kardinalit Ernest Simoni në Spaç nuk
duhet të ndalemi vetëm te heroizmi i atyre burrave që vuajtën dhe shumë prej
tyre vdiqën atje. Por duhet të ndalemi edhe te mesazhi që Spaçi i përcjell
Shqipërisë së shekullit XXI. Siç ka theksuar edhe vet Kardinali shqiptar,
ky mesazh nuk është urrejtja. Nuk është hakmarrja. Nuk është ndarja e
shqiptarëve në fitimtarë e të mundur.
Mesazhi është pajtimi i ndërtuar mbi të vërtetën
dhe drejtësinë. E kam thënë shpesh në shkrimet e mia modeste, gjatë
viteve, mbi këtë subjekt se asnjë komb nuk mund të ecë përpara duke harruar të
kaluarën komuniste. Por duhet theksuar edhe njpherë se po aq i vërtetë është
fakti se asnjë komb nuk mund të ndërtojë të ardhmen duke mbetur rob i plagëve
të së kaluarës. Kujtesa historike nuk duhet të jetë barrë që ndanë shqiptarët,
por urë që i bashkon. Spaçi nuk është pronë e një partie politike, e një
ideologjie apo e një brezi të caktuar. Sot si është pjesë e ndërgjegjes
kombëtare shqiptare. Është vendi ku u provua se edhe në kushtet më çnjerëzore,
shqiptari mund të mbetet i lirë në shpirt. Prandaj, nderimi për të
burgosurit politikë dhe kundërshtarët e komunizmit, nuk duhet të përdoret për
të ushqyer përçarje të reja në shoqërinë shqiptare, siç kemi venë re kohët e
fundit. Përkundrazi, sakrifica e tyre duhet të frymëzojë një kulturë dialogu,
respekti dhe pajtimi.
Kundërshtarët e komunizmit nuk sakrifikuan që
shqiptarët, pas 35-vjetëve pas shembjes zyrtare të regjimit komunist, të
vazhdonin të jetonin të ndarë nga urrejtja, por sakrifikuan që brezat e
ardhshëm të jetonin në liri, demokraci në paajtim e paqë me njëri tjetrin dhe
dinjitet. Pajtimi nuk nënkupton harresë. Nuk nënkupton relativizim të
krimeve të diktaturës dhe as barazim moral midis viktimës dhe persekutorit.
Pajtimi fillon me pranimin e së vërtetës, me respektin për viktimat dhe me
dënimin moral të çdo sistemi që mohon lirinë e njeriut. Vetëm mbi këtë themel
mund të ndërtohet një paqe e qëndrueshme shoqërore ndër shquiptarët në
shekullin XXI. Sot, shqiptarët, kudo që jetojnë – në Shqipëri,
Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Luginën e Preshevës apo në diasporë –
kanë më shumë arsye të bashkohen sesa të ndahen. Sfidat kombëtare sot kërkojnë
unitet, mençuri dhe mirëkuptim, jo armiqësi të trashëguara. Spaçi na
kujton se liria nuk fitohet vetëm një herë. Ajo mbrohet çdo ditë me
kulturën e dialogut, me respektin për mendimin ndryshe dhe me aftësinë për të
ndërtuar ura aty ku dikur ishin ngritur mure.
Nëse brezi i shqiptarërve si Kardinal Ernest Simoni
(Troshani) që vuajti në burgun e Spaçit pati guximin të sfidonte një diktaturën
komuniste, atëherë brezi i sotëm duhet të ketë guximin të ndërtojë Pajtimin
Kombëtar. Ky është nderimi më i madh që mund t'u bëhet martirëve dhe të
mbijetuarve të Spaçit. Prandaj, le të jetë kujtimi i
Spaçit jo vetëm një homazh për të shkuarën, por edhe një thirrje për të
ardhmen. Për një Shqipëri më të drejtë, një shoqëri më të bashkuar dhe një Komb
që gjen forcën të pajtohet me historinë, pa e harruar kurrë atë. Si
rrjedhim, Shqipëria, Kosova dhe mbarë Kombi shqiptar, duhet ta vendos
kujtesën e Spaçit dhe të krimeve të diktaturës komuniste në përgjithsi, në një
shtyllë të edukimit kombëtar. Fëmijët dhe të rinjtë duhet të njohin jo vetëm
emrat e heronjve të lirisë, por edhe vendet ku ajo u vu në provë deri në
kufijtë e saj më të skajshëm. Spaçi, Burreli, Tepelena dhe çdo kamp apo burg
politik duhet të ruhet, jo si relike të ftohta, por si dëshmi të gjalla që
flasin gjithnjë. Sepse një komb që nuk e ruan kujtesën e vuajtjes së vet,
rrezikon të humbasë ndjeshmërinë ndaj padrejtësisë. Dhe një shoqëri që nuk e
edukon brezin e ri me të Vërtetën e plotë të historisë së saj, rrezikon ta
përsërisë atë. Prandaj, le të mos mjaftohemi me përkujtim. Njëkohsisht,
le të kërkojmë ruajtje, edukim dhe ndërgjegjësim. Le ta kthejmë Spaçin në një
vend ku heshtja flet, ku gurët dëshmojnë dhe ku historia nuk fshihet, por
mësohet. Vetëm atëherë kujtesa jonë do të jetë e plotë. Vetëm atëherë
liria do të jetë e sigurt.
Faleminderit, Kardinal Ernest Simoni, që u rikthyet
në Spaç, jo me urrejtje, por me lutje. Jo për të hapur plagë të reja, por
për të nderuar kujtimin e atyre që vuajtën dhe për t'u kujtuar brezave se liria,
besimi dhe dinjiteti njerëzor kanë gjithmonë një çmim.
Shenjtëria e Tij, Haxhi Dedë Baba Edmond Brahimaj,
Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve me Eminencën e Tij, Kardinalin Ernest Simoni
(Troshani) dhe Imzot Gjergj Metën, ipeshkëv i Rrëshenit e President i
Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, dalë më 31 korrik 2026, në Mirditë. --
Fotot janë marrë nga portali i Dioqezës Rrëshen


Me këtë rast, Papa Leoni i XIV i dërgoi një mesazh
Kardinalit shqiptar https://kish.al/papa-leoni-leter-kardinalit-ernest-simonit-asnje-burg-nuk-mund-ta-ndaje-njeriun-nga-dashuria-e-hyjit/ --
"Ai vend, i gdhendur në kujtesën e popullit shqiptar, mbetet një prej
faqeve më të dhimbshme të historisë së tij. Spaçi ka qenë një vend ku
shumë njerëz kanë mbartur kryqin e rëndë të padrejtësisë; gjaku i atyre që kanë
vuajtur dhe kanë vdekur mes atyre maleve e ka ujitur atë tokë, duke e bërë një
dëshmi të heshtur besnikërie, guximi e shprese." (Papa Leoni i XIV
Fotot janë marrë nga portali i K.I:SH


