Frank Shkreli: Kur kërcënimi bëhet arsye për të kufizuar lirinë e besimit
KUR KËRCËNIMI BËHET ARSYE PËR TË KUFIZUAR LIRINË E BESIMIT
Shën Flori dhe Shën Lauri, Dardania e krishterë
dhe një provë për demokracinë e Kosovës

Ngjarjet
e ditëve të fundit në Zogaj të Vushtrrisë nuk mund të trajtohen më thjesht si
një mosmarrëveshje rreth një ceremonie fetare. Siç duket ato kanë marrë një
dimension më të gjërë dhe prekin drejtpërdrejt çështje të lirisë fetare, të
drejtave të komuniteteve, të sigurisë dhe të mënyrës se si institucionet e
Kosovës përballen me tensionet që mund të lindin rreth një çështjeje me
ngarkesë historike e identitare.
Ceremonia
e bekimit të gurthemelit të kishës së re katolike "Shën Flori dhe
Lauri" në Zogaj ishte planifikuar për 18 gusht 2026. Sipas Dioqezës
Prizren-Prishtinë, autoritetet ishin njoftuar me kohë për ceremoninë dhe,
megjithatë, Policia e Kosovës vendosi që ajo të mos lejohej. Dioqeza e cilësoi
vendimin jokushtetues, joligjor, të padrejtë dhe të pajustifikuar, ndërsa tha
se edhe ankesa zyrtare e zyrtarit ipeshkvor Don Fran Kola nuk e ndryshoi
vendimin. Por historia nuk përfundoi
aty. Për të shmangur përplasjet dhe për të mos lejuar që një akt fetar të shndërrohej
në një burim tensioni, ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, i shoqëruar nga
meshtarë dhe besimtarë, shkoi në Zogaj më 17 gusht, (një ditë para se ishte
caktuar) në vigjilje të festës së Shën Florit dhe Shën Laurit, dhe bekoi
gurthemelin në mënyrë të qetë e dinjitoze. Të nesërmen, ceremonia e pagëzimeve
u zhvillua në
Katedralen
"Shën Nënë Tereza" në Prishtinë.
Kjo ishte një zgjedhje e matur nga ana e Kishës. Ajo shmangu
konfrontimin, por nuk hoqi dorë nga e drejta e saj. Përkundrazi, Dioqeza ka
bërë të ditur se do të vazhdojë rrugët institucionale dhe ligjore për të
kërkuar respektimin e lirisë fetare, të së drejtës së pronës dhe të ushtrimit
paqësor të misionit të saj.
Por
tashmë duket se kemi edhe një fakt tjetër në lidhje me këtë ngjarje. Njoftohet
se pas vendosjes së gurthemelit, në zonë pati edhe protestë nga qytetarë që
kundërshtuan ndërtimin e kishës katolike "Shën Flori dhe Lauri", në
vendgjarje u shfaqën njësi të Policisë së Kosovës. Ky zhvillim mund t'a bëj deri diku, më të
kuptueshëm argumentin e institucioneve për nevojën e ruajtjes së sigurisë, por
njëkohësisht e bën edhe më të domosdoshme pyetjen: a duhet që protesta dhe kërcënimi i mundshëm të çojnë në kufizimin e
një ceremonie fetare, apo detyra e shtetit është të garantojë që ajo të
zhvillohet në mënyrë të sigurt dhe paqësore?
Kjo
është pika ku duhet të jemi të gjithë të kujdesshëm në lidhje me këtë çeshtje.
Në asnjë mënyrë nuk duhet të fajësojmë një komunitet të tërë për qëndrimet e
disa individëve. Nuk duhet as të pohojmë pa prova se kundërshtimi i kishës mund
të burojë nga arsyet fetare apo historike. Por është po aq e gabuar që këto
zhvillime të kalohen në heshtje.
Në
një demokraci, protesta është e drejtë; kërcënimi nuk është. Kundërshtimi është
i ligjshëm; frikësimi nuk është. Siguria është përgjegjësi e shtetit; liria
fetare është gjithashtu përgjegjësi e shtetit.
E vërteta është se kemi të bëJmë me një kishë me një simbolikë të
veçantë historike. Kisha e re do t'u kushtohet Shën Florit dhe Shën Laurit, dy
martirëve që tradita e krishterë dhe burime historike i lidhin me Ulpianën dhe
Dardaninë e lashtë. Kjo nuk është një zgjedhje e zakonshme apo e rastësishme.
Dy shenjtorët janë pjesë e kujtesës së krishtërimit të hershëm në trojet
dardane. Pikërisht për këtë arsye, kisha që mban emrat e tyre ka një rëndësi që
shkon përtej mureve të një objekti të ri fetar.
Ajo prek kujtesën historike. Dhe
këtu duhet të jemi të qartë: historia nuk mund të bëhet pronë ekskluzive e
askujt.
Dardania,
historikisht, ka qenë hapësirë ku kanë bashkëjetuar dhe janë zhvilluar tradita
të ndryshme historike, fetare e kulturore. Trashëgimia e krishterë e saj është
pjesë e historisë së këtyre trojeve, ashtu siç janë pjesë e saj edhe periudhat
dhe traditat e mëvonshme. Prandaj,
ndërtimi i një kishe katolike kushtuar dy martirëve të lidhur me Dardaninë nuk
duhet parë si kërcënim ndaj askujt. Përkundrazi, duhet parë si një mundësi për
ta pasuruar kujtesën historike dhe për t'u treguar brezave të rinj se historia
e Kosovës nuk fillon dhe nuk mbaron me një periudhë të vetme.
Edhe
familja që dhuroi tokën për ndërtimin e kishës, ka folur. Një element i rëndësishëm i zhvillimeve të
fundit është fakti se toka për ndërtimin e kishës është dhuruar nga familja
Musa. Fadil Musa, pjesëtar i kësaj
familjeje, ka treguar për median vendase se ndërtimi i kishës lidhet me një
dëshirë të kahershme të familjes (ishte amanet i babait) sipas tij, dhe se
ceremonia e bekimit ishte dashur të zhvillohej më 18 gusht. Ai gjithashtu ka
shprehur një qëndrim të matur: familja nuk dëshironte përballje dhe e
konsideronte vendimin e institucioneve të sigurisë si masë për mbrojtjen e
qytetarëve. Ky qëndrim duhet vlerësuar.
Sepse në një situatë të tillë, përgjegjësia nuk u takon vetëm institucioneve. U
takon edhe komuniteteve dhe qytetarëve që të mos lejojnë që një çështje fetare
të shndërrohet në konflikt ndëretnik, ndërfetar apo politik.
Por
megjithatë, në lidhje me këtë ngjarje mbeten disa pyetje që institucionet duhet
t'u përgjigjen për sqarim të publikut të gjërë: Nëse ekzistonte një kërcënim
konkret, serioz dhe i dokumentuar, publiku meriton të dijë të paktën natyrën e
përgjithshme të rrezikut që çoi në ndalimin e ceremonisë. Nëse kishte protesta
të planifikuara, kërcënime apo rrezik real për përplasje, pse nuk mund të
sigurohej ceremonia?
A
ishte e pamundur të sigurohej perimetri?
A ishte e pamundur të ndaheshin protestuesit nga pjesëmarrësit në
ceremoni? A ishte e pamundur që Policia
të garantonte njëkohësisht edhe të drejtën për protestë, edhe të drejtën për
ushtrimin e fesë? Këto janë pyetje
legjitime. Sepse nëse çdo kërcënim ndaj
një aktiviteti fetar rezulton në anulimin e aktivitetit, atëherë krijohet një
precedent shqetësues: mjafton që dikush të kërcënojë dhe shteti, në vend që të
përballet me kërcënuesin, kufizon të drejtën e atij që kërcënohet. Kjo nuk mund të jetë logjika e një
demokracie. Kosova duhet të tregojë se
është më e fortë se frika.
Kosova
është një shtet që ka marrë përsipër të ndërtojë një shoqëri demokratike,
shumetnike dhe ndërfetare. Pikërisht për këtë arsye, raste të tilla janë teste
të rëndësishme. Testi nuk është vetëm
nëse një kishë do të ndërtohet apo jo.
Prova e vërtetë është nëse shteti
mund të garantojë që një komunitet të ndërtojë vendin e vet të lutjes pa
kërcënuar askënd dhe pa u kërcënuar nga askush.
Nëse ka kundërshtime, ato duhet të shprehen në mënyrë paqësore dhe
përmes ligjit. Nëse ka kërcënime, ato duhet të hetohen. Nëse ka shkelje ligjore, ato duhet të
ndëshkohen.
Por
nuk mund të pranohet një logjikë ku liria fetare bëhet e kushtëzuar nga reagimi
i atyre që nuk e pranojnë atë. Kjo do të
ishte një fitore e frikës mbi lirinë. Dhe pikërisht këtu qëndron rëndësia e
zhvilliemeve të fundit në Zogaj të Vushtrisë.
Ndoshta
kjo nuk është vetëm çështja e një kishe në një fshat të Vushtrrisë. Ndoshta
është një moment ku Kosova duhet t'i bëjë vetes një pyetje shumë më të
madhe: A jemi vërtet një demokraci që
mbron lirinë e besimit edhe atëherë kur ajo liri na vendos përballë
ndjeshmërive, kundërshtimeve dhe historive të ndryshme? Përgjigjja nuk duhet të
jepet me fjalë. Duhet të jepet nepërmjet institucioneve.
Sepse
Shën Flori dhe Shën Lauri nuk duhet të bëhen emra që ndajnë qytetarët e
Kosovës. Në vend të kësaj, ata mund të bëhen një kujtesë për të gjithë se
historia e këtij vendi është më e vjetër, më e ndërlikuar dhe më e pasur se
konfliktet e ditës. Dhe se në një Kosovë
demokratike, kërcënimi duhet të neutralizohet, ndërsa liria e besimit duhet të
mbrohet.




