Frank Shkreli: Kur ndërgjegjja vlen më shumë se disiplina partiake
KUR NDËRGJEGJA VLEN MË SHUMË SE DISIPLINA PARTIAKE
“Nuk
ua kam marrë mandatin e deputetit. Ma keni marrë ju mue, për 10 muej rresht.
Tash mandati ka ardhë në vend të vet. Nëse jeni kaq të sigurt që unë nuk fitoj
pa ju dhe ju i keni plot 83 mandate, atëherë shpërndajeni parlamentin, shkojmë
në zgjedhje të parakohshme dhe masim forcat se kush fiton çka…”
Deputetja Marjana Koçeku

Vendimi
i deputetes Marjana Koçeku për t'u larguar nga grupi parlamentar i Partisë
Socialiste dhe për të vazhduar mandatin si deputete e pavarur përbën një
zhvillim me rëndësi që tejkalon kufijtë e një karriere individuale politike. Ai
ngre një pyetje thelbësore për demokracinë shqiptare dhe për çdo deputet cilës
do parti qoftë pozitë ose ose opozitë.. A duhet deputeti t'i bindet gjithmonë
partisë, apo duhet t'i qëndrojë besnik ndërgjegjes së vet dhe interesit të
qytetarëve që e kanë zgjedhur, a po partisë?
Për
më shumë se tri dekada tranzicion, politika shqiptare është karakterizuar nga
përqendrimi i pushtetit brenda partive, e nga mungesa e debatit të brendshëm.
Shpesh, mendimi ndryshe është parë si sfidë ndaj autoritetit të udhëheqjes
(Numrit 1), dhe jo si një kontribut i dobishëm për përmirësimin e
vendim-marrjes politike, në dobi të partisë dhe demokracisë në vend. Në këtë
klimë, çdo veprim që afirmon pavarësinë e mendimit politik, brenda partive,
merr një rëndësi të veçantë, në procesin politik.
Rëndësia
e vendimit të Marjana Koçekut – për të ndryshuar mandatin nga deputete e
Partisë Socialiste në deputete të pavarur, nuk qëndron thjesht tek efektet
numerike në Kuvend, por tek rëndësia e mesazhit që ai përcjell. Vendimi i
Marjana Koçekut, na rikujton se deputeti nuk është pronë e partisë, por
përfaqësues i qytetarëve, ashtu siç konsiderohet në pjesën më të madhe të
vendeve demokratike. Prandaj, mandati
parlamentar nuk duhet të reduktohet në një ushtrim të bindjes politike, automatike,
por duhet të shërbejë si instrument përfaqësimi, debati dhe përgjegjësie
publike.
Demokracia
e brendshme në partitë politike në Shqipëri – sidomos dy partitë kryesore të
vendit -- mbetet një nga sfidat më serioze të sistemit politik shqiptar këto
35-vite, e që klasa politike shqiptare merr guximin ta quaj këtë proces
politik, “demokraci”. Shumë nga
problemet e qeverisjes, të përfaqësimit dhe të besimit të qytetarëve ndaj
institucioneve të shtetit shqiptar burojnë, pikërisht, nga fakti se partitë
politike shpesh funksionojnë në mënyrë vertikale, me pak ose aspak hapësirë për
debat, pa kritikë dhe pa konkurrencë të lirë të ideve dhe udhëheqjes së
partive.
Nëse
shqiptarët duan për veten një parlament më përfaqësues dhe më të pavarur se
këto 35-vite, të pavarur, institucione më të forta dhe një kulturë politike,
vërtetë, më demokratike, atëherë duhet të fillojnë transformimin politik duke
nisur nga vetë partitë politike. Demokracia nuk ndërtohet vetëm në ditën e
zgjedhjeve. Ajo ndërtohet çdo ditë, brenda organizatave politike që pretendojnë
të qeverisin vendin. Si shembull, ish-presidenti i Amerikës, repblikani, Ronald
Reagan, të cilin e citoj shpesh për lirinë e demokracinë -- një politikan i
njohur amerikan por edhe botërisht, i shekullit të kaluar -- vet ai, dikur,
ishte larguar nga Partia Demokrate amerikane për arsye të mospajtimit të tij me
parimet e asaj partie dhe është bërë anëtar i Partisë Republikane të Amerikës –
duke ndryshura kështi Amerikën dhe botën. Merrni me mend, nëse Ronald Reagan
nuk do kishte ndrruar parti, bota e jonë sot nuk do ishte kjo botë në të cilën
jetojmë.
Prandaj,
akti i largimit nga Partia Socialiste e deputetes shqiptare, Marjana Koçekut
duhet parë si një thirrje për më shumë pluralizëm për të mirën, brenda vetë
partive politike, dhe për një demokraci më të shndoshë për Shqipërinë. Por,
pavarësisht zhvillimeve të ardhshme, mesazhi që përcillet sot nga deputetja
tani e pavarur Marjana Koçeku është i qartë: partia nuk mund dhe nuk duhet të
jetë mbi gjithçka! Ashtu si në kohën e komunizmit. Shoqëria shqiptare ka nevojë për më shumë
politikanë/e, që guxojnë të mendojnë me kokën e tyre dhe të mbajnë përgjegjësi
para qytetarëve, jo vetëm të jenë përgjegjëse para strukturave partiake dhe
besnike ndaj Numrit 1. Vetëm atëherë mund të ndërtohet një demokraci e vërtetë,
kur besnikëria ndaj parimeve politike, në mbrojtje të interesave dhe nevojave
reale të popullitt, vlerësohet më shumë se besnikëria ndaj urdhrave të
partisë. Për këtë arsye, pavarësisht,
bindjeve politike që secili mund të ketë, vendimi i Marjana Koçekut meriton të
vlerësohet si një rast që nxit reflektim të thellë mbi raportin midis
ndërgjegjes individuale dhe disiplinës partiake. Një demokraci e shndetshme nuk
ka frikë nga mendimi ndryshe; përkundrazi, ajo ushqehet prej tij. Shoqëria
shqiptare ka nevojë për më shumë politikanë që guxojnë të mendojnë me kokën e
tyre dhe të mbajnë përgjegjësi para qytetarëve, jo vetëm para strukturave
partiake dhe numrit i të partisë si në kohën e Enver Hoxhës. Vetëm atëherë mund
të ndërtohet një demokraci e mirëfillt, ku besnikëria ndaj parimeve vlerësohet
më shumë se besnikëria ndaj urdhrave, partiakë.
Në
këtë kuptim, vendimi i deputetes Marjana Koçeku meriton respekt. Jo,
domosdoshmërisht, se të gjithë duhet të pajtohen me të, por një vendim i
tillë, rikthen në qendër të debatit një
vlerë themelore demokratike: lirinë e ndërgjegjes individuale politike, qoftë
edhe para besnikërisë ndaj partisë. Kjo është një vlerë që Shqipëria dhe
shqiptarët, kudo që jetojnë, kanë nevojë ta mbrojnë dhe ta forcojnë çdo ditë.
Sepse më në fund, një e vërtetë mbetet themelore: pa demokraci brenda partive
politike nuk mund të ketë demokraci të vërtetë, as në Shqipëri.

Marjana
Koçeku
Deputete
e pavarur e Qarkut Shkodër: “E ardhmja âshtë te rranjtë!

Autori
me rastin e përurimit të tre vëllimeve të “Demokracia nuk pret”, Tiranë, më 11.
9. 2018

“Është
e drejtë e secilit prej nesh që të interpretojmë, të analizojmë dhe të gjykojmë
tranzicionin politik post-komunist, pasi këtë na e mundëson kjo demokraci, sado
e brishtë, cilido qoftë mendimi ynë për zhvillimin e saj të deritanishëm.”








