Frank Shkreli: 23 Gushti – dita që Evropa nuk harron
23 GUSHTI – DITA QË EVROPA NUK HARRON
Shqipëria
dhe Kosova përballë kujtesës së regjimeve totalitare komuniste

23 gushti është dita që Evropa
përkujton viktimat e të gjitha regjimeve totalitare dhe autoritare. Kjo
shtë një datë që nuk i përket vetëm së kaluarës. Por ajo është një ditë që bën
thirrje për të kujtuar se liria, demokracia dhe dinjiteti njerëzor nuk janë
vlera të vetëkuptueshme dhe se shoqëritë që harrojnë historinë rrezikojnë të
mos nxjerrin mësimet e saj. 23 gushti lidhet me datën 23 gusht të vitit
1939, kur Gjermania naziste dhe Bashkimi Sovjetik komunist nënshkruan Paktin
Molotov–Ribbentrop. Parlamenti Evropian e ka përcaktuar 23 gushtin si Ditën
Evropiane të Përkujtimit të Viktimave të të gjitha Regjimeve Totalitare dhe
Autoritare. Frank Shkreli: ?Dita Evropiane e kujtimit të viktimave të komunizmit dhe
nazizmit | Gazeta Telegraf -
Institucionet evropiane vazhdojnë të theksojnë rëndësinë e ruajtjes së kujtesës
së krimeve të nazizmit, stalinizmit, komunizmit dhe regjimeve të tjera
totalitare.
Për shqiptarët, kjo ditë nuk është një
përkujtim abstrakt evropian. Por duhej të ishte një ditë që prek drejtpërdrejt
historinë e shqiptarëve. Shqipëria ka kujtesën e një
diktature gati gjysmëshekullore. Siç dihet, ajo ka përjetuar një nga
regjimet më të ashpra komuniste të Evropës Lindore. Për gati gjysmë shekulli,
shteti komunist i regjimit të Enver Hoxhës ka përdorur, si dënim e ndëshkim,
burgimin, internimin, dëbimin, punën e detyruar dhe ekzekutimin e
kundërshtarëve të vet politikë, si instrumente të kontrollit total politik dhe
shoqëror. Frank Shkreli: Shqipëria të dënojë
zyrtarisht vra.sjet makabër të komunizmit | Gazeta Telegraf --Familje të tëra u ndëshkuan jo vetëm për veprimet e tyre,
por edhe për prejardhjen familjare apo bindjet e të afërmve. Fëmijë, gra dhe të
moshuar përfunduan në kampe internimi pa qenë vetë autorë të ndonjë krimi. Një
nga simbolet më tragjike të kësaj historie është ish-kampi i Tepelenës, por jo
vetëm. Tepelena është vetëm një prej këtyre vendeve. Kujtesa shqiptare
përfshin gjithashtu Spaçin, Qafë-Barin, Burrelin, Maliqin, kampet e internimit
dhe dhjetëra burgje e vende të tjera ku mijëra shqiptarë vuajtën për arsye
politike. Por a mjafton përkujtimi? Këtu qëndron pyetja më e rëndësishme.
Nuk mjafton që një herë në vit të vendosen kurora, të mbahen fjalime dhe të
publikohen mesazhe politike që i merr era. Kujtesa historike duhet të kthehet,
zyrtarisht, me vendime të Kuvendit të Shqipërisë, në një politikë të
qëndrueshme të edukimit dhe dokumentimit. Kjo, në rend të parë, është
përgjegjësi e qeverisë dhe shtetit shqiptar, si përfaqësues të Shqipërisë, një
vendi, politikisht, ushtarakisht dhe gjeografikisht, në Evropë. Vetë
institucionet evropiane theksojnë se nuk mund të ketë pajtim pa kujtesë dhe
se projektet e kujtesës në çdo vend të vuajtur nga totalitarizmat e sheklullit
XX, duhet të nxisin kërkimin, edukimin dhe njohjen e fakteve historike. Frank Shkreli*: Pajtimi kombëtar, mbi
të gjitha! | Gazeta Telegraf-- Kjo
është veçanërisht e rëndësishme në Shqipëri, ku brezat që e kanë përjetuar
drejtpërdrejt komunizmin po pakësohen. Kur të mos jenë më gjallë dëshmitarët e
asaj kohe, kush do t'ua tregojë të rinjve se çfarë ndodhte në burgjet dhe
kampet e internimit? Kush do t'u shpjegojë atyre se çfarë do të thoshte të
humbisje lirinë e fjalës, pronën, arsimin, profesionin apo edhe jetën për shkak
të bindjeve politike? Përgjigjja duhet të jetë: arkivat, muzeumet, mbi të
gjitha shkollat, librat dhe dëshmitë e dokumentuara.
Për Kosovën, çështja ka një
dimension tjetër. Kosova nuk përjetoi regjimin komunist shqiptar të Enver
Hoxhës. Kosova ka gjithashtu kujtesën e represionit të regjimit komunist
jugosllav. Përvoja historike e shqiptarëve të Kosovës lidhet me sistemin
komunist jugosllav dhe me periudha të ndryshme të represionit politik,
veçanërisht ndaj kërkesave politike e kombëtare të shqiptarëve në atë krahinë
(sot shtet I pavarur) dhe në trojet e tjera shqiptare
nën-ish-Jugosllavinë. Prandaj, kujtesa e 23 gushtit në Kosovë duhet të
shihet në kontekstin e përvojës së saj me systemin komunist ish-jugosllav, pa
bërë ekuacione të pasakta historike midis dy përvojave që nuk kanë qenë identike.
Kjo është pikërisht arsyeja pse Kosova ka nevojë për një trajtim serioz të
kësaj date. Jo për të importuar një narrativë të gatshme, por për ta vendosur
përvojën e vet historike në kuadrin më të gjerë evropian të totalitarizmit dhe
autoritarizmit. Frank Shkreli: Drejtesi edhe per
Viktimat e Komunizmit ne Kosove - Zemra Shqiptare -- Kosova ka historinë e vet të burgosjeve politike, të
represionit dhe të përplasjeve me sistemin komunist jugosllav. Ajo histori nuk
duhet të mbetet vetëm në kujtesën e familjeve që e përjetuan. Ka edhe një
parim tjetër që duhet të jetë i qartë. Kujtesa nuk do të thotë hakmarrje. Të kujtosh
viktimat e komunizmit nuk do të thotë të kërkosh hakmarrje. Të studiosh krimet
e një regjimi nuk do të thotë të fajësosh brezat e sotëm për veprimet e një
sistemi të kaluar. Përkundrazi. Kujtesa historike është një mënyrë
për t'i dhënë dinjitet viktimave dhe për t'i dhënë shoqërisë mundësinë të
kuptojë se si u krijua një system totalitar që i mohoi njeriut lirinë dhe të
drejtat themelore. Prandaj, faktet duhet të jenë mbi politikën.
Dokumentet duhet të jenë mbi propagandën. Dëshmitë duhet të kontrollohen dhe të
krahasohen. Dhe historia duhet të shkruhet mbi bazën e provave, jo të
nevojave politike të ditës. Kjo është edhe mënyra më e mirë për t'iu përgjigjur
atyre që përpiqen ta relativizojnë të kaluarën totalitare, në rastin e
shqiptarëve, komunizmin prej pothuaj një shekulli.
Çështja e kujtesës së viktimave të
komunizmit, merr një rëndësi edhe më të madhe kur e shohim në një kontekst
ndërkombëtar. Në Evropë, 23 gushti vazhdon të përdoret si një ditë
edukimi dhe reflektimi. Rrjeti Evropian i Kujtesës dhe Solidaritetit, për
shembull, e shoqëron përkujtimin e këtij viti me fushatën "Remember.
August 23", (Kujtoje 23 Gushtin), duke e lidhur kujtesën e viktimave
me edukimin publik dhe me nevojën për të kuptuar pasojat e totalitarizmit në
Evropën e sotme. Edhe në Shtetet e Bashkuara, megjithse nuk kanë pasur të bëjnë
në mëynzrë direkte me totalitarianizmin komunist e nazist, po shohim një
interes në rritje për mësimin e historisë së komunizmit dhe të regjimeve
totalitare në shkolla. Frank Shkreli: Dhoma e Përfaqësuesve e
Shtetit Teksas, dënon komunizmin dhe kërkon miratimin e ligjit që në shkollat e
shtetit të mësohet mbi krimet e komunizmit | Gazeta Telegraf -- Kjo është një qasje që meriton vëmendje edhe në Shqipëri e
Kosovë. Sepse lufta kundër harresës nuk fitohet vetëm me monumente,
kushtuar viktimave të komunizmit, megjitse as ato nuk ekzistojnë në trojet
shqiogtare, por fitohet në klasën e historisë. Aty, në kalsën e
historisë, ku një nxënës mëson se çfarë është demokracia, duhet të mësojë edhe
çfarë ndodh kur demokracia shkatërrohet. Aty ku mëson për lirinë e
fjalës, duhet të mësojë edhe se çfarë ndodh kur shteti e ndalon fjalën e
lirë. Aty ku mëson për të drejtat e njeriut, duhet të mësojë edhe
historinë e atyre që i humbën këto të drejta nga regjimet totalitare si
komunizmi, anë e mbanë trojeve shqiptare për pothuaj një shekull.



