Frank Shkreli: 35 vjet tranzicion – Shqipëria ende nuk është përballur me të kaluarën komuniste
35 VJET TRANZICION: SHQIPËRIA ENDE NUK ËSHTË PËRBALLUR ME TË KALUARËN KOMUNISTE

Nga krimet e komunizmit te krimet serbe
në Kosovë, fjalët e bukura nuk mjaftojnë më. Një shtet demokratik duhet të ketë
guximin ta njohë të vërtetën, ta dokumentojë atë dhe ta kthejë në politikë
shtetërore. Këtë subjekt e kam trajtuar në dhjetëra artikuj gjatë viteve, duke
u përpjekur të sjell në vëmendje një prej plagëve më të thella dhe ende të
pambyllura të shoqërisë shqiptare: përballjen me të kaluarën komuniste, krimet
e diktaturës dhe detyrimin e shtetit për të vendosur të vërtetën historike në
themel të kujtesës kombëtare. E kam trajtuar këtë çështje jo si një
polemikë të radhës politike, por si një detyrim ndaj viktimave, familjeve të
tyre dhe brezave që duhet ta njohin të kaluarën për të kuptuar më mirë të
tashmen. Pikërisht për këtë arsye, zhvillimet e këtyre ditëve dhe turi
i AIDSSH-së në ish-vendet e internimit, më shtyjnë t'i rikthehem edhe një herë
kësaj teme, me një pyetje që pas 35 vitesh tranzicion nuk mund të shmanget më:
sa larg ka shkuar Shqipëria nga fjalët te veprat në përballjen me trashëgiminë
dhe krimet e diktaturës komuniste?
Ka tema që nuk mund të mbyllen me një
deklaratë politike, me një ceremoni përkujtimore apo me një kurorë me lule. Ka
plagë të historisë që kërkojnë më shumë se fjalë: kërkojnë të Vërtetën,
Kujtesën, Drejtësinë dhe, mbi të gjitha, një qëndrim të qartë të shtetit.
Pikërisht për këtë arsye, turi përkujtimor që Autoriteti për Informimin mbi
Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) po zhvillon këto ditë në
ish-fshatrat e internimit të Lushnjës, është shumë më tepër se një veprimtari
përkujtimore. Ai është një udhëtim në një të kaluar që Shqipëria postkomuniste
ende nuk e ka përballuar plotësisht. AIDSSH e ka artikuluar vetë në mënyrë të
drejtpërdrejtë këtë problem, duke folur për mënyrën se si tranzicioni është
sjellë me "hipokrizi" ndaj të përndjekurve dhe duke kërkuar që ndjesa
e shtetit të dëshmohet me vepra. Në Savër, Gjazë, Kosovë të Madhe, e në
vendbanime të tjera ku mijëra shqiptarë u internuan nga regjimi komunist, nuk
po vizitohen thjesht vende të harruara. Po vizitohen vende ku shteti
diktatorial komunist shkatërroi jetën e njerëzve jo sepse kishin kryer ndonjë
krim, por sepse regjimi i kishte shpallur "armiq", "të
deklasuar" apo të padëshirueshëm.
Presidenti Bajram Begaj, i cili iu
bashkua këtij turi, ka bërë thirrje për ruajtjen e kujtesës dhe për ta kthyer
atë në mësim për brezat e ardhshëm. Por këtu lind pyetja e pashmangshme: çfarë
është bërë gjatë këtyre 35 viteve, përtej fjalëve? Tridhjetë e pesë vite
tranzicion dhe një bilanc i papërfunduar. Shqipëria ka kaluar 35 vjet nga
rrëzimi i regjimit komunist. Kanë ardhur qeveri të "majta" dhe të
"djathta". Kanë ndryshuar presidentë, kryeministra, parlamente dhe
programe politike. Shqipëria është anëtarësuar në NATO, ka hapur negociatat me
Bashkimin Evropian dhe ka ndërtuar institucione të reja demokratike. Por një
çështje themelore mbetet e papërfunduar: përballja me të kaluarën komuniste.
Është e vërtetë se Kuvendi i Shqipërisë ka debatuar rezoluta për dënimin e
krimeve të regjimit komunist. Por aq. Është gjithashtu e vërtetë se politikanë
nga e gjithë skena politike kanë dënuar, në raste të ndryshme, krimet e
diktaturës. Ka pasur deklarata presidenciale, parlamentare dhe qeveritare. Ka
pasur muze, libra, konferenca dhe aktivitete përkujtimore. Por problemi nuk
është mungesa absolute e fjalëve. Problemi është hendeku midis fjalëve dhe
veprave.
Nëse një shtet e dënon një regjim
kriminal, atëherë duhet të jetë i gatshëm të bëjë edhe punën që e shoqëron këtë
dënim: të hapë arkivat, të zbardhë përgjegjësitë, të identifikojë viktimat, të
gjejë të zhdukurit, të ruajë vendet e vuajtjes, të edukojë brezat e rinj dhe të
sigurojë që krimet të mos relativizohen. Kjo është arsyeja pse puna e AIDSSH-së
dhe ndonjë organizatë tjetër -- ka një rëndësi të veçantë, por nuk mjafton.
Institucioni ka përgjegjësi për grumbullimin, administrimin, përpunimin dhe
vënien në dispozicion të dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit për periudhën
1944–1991. Por një institucion nuk mund ta bëjë i vetëm atë që duhet të jetë
një politikë kombëtare e kujtesës. A mjafton të kujtojmë? Jo. Kujtesa pa
përgjegjësi rrezikon të mbetet vetëm ceremoni. Një shoqëri demokratike nuk e
kujton të kaluarën vetëm për të qarë viktimat. E kujton për të kuptuar
mekanizmin që prodhoi viktimat. Prandaj, një fëmijë shqiptar duhet të mësojë se
çfarë ishte internimi, çfarë ishte kampi i Tepelenës, çfarë ndodhi në Spaç, Burrel,
Qafë-Bari dhe në dhjetëra vende të tjera të vuajtjes. Duhet të mësojë se si
funksiononte Sigurimi i Shtetit, si përdorej frika, si shkatërroheshin familjet
dhe si një diktaturë e kthente ligjin në instrument shtypës. Megjithë kufizimet
ligjore, dokumentet e AIDSSH-së e bëjnë këtë të mundur, por jo plotësisht. Më
heret, dokumentet e publikuara lidhur me masakrën e Qafës së Valmirit dëshmuan
se 14 burra u ekzekutuan në vitin 1949 pas një procesi gjyqësor të kryer në
kohë rekord. Dokumentet e procesit tregojnë edhe se ata nuk kishin qenë
përgjegjës për vrasjen e Bardhok Bibës. Këto nuk janë thjesht histori të së
kaluarës. Janë prova. Dhe një demokraci që ka prova për krimet e diktaturës ka
edhe një detyrim t'i bëjë ato pjesë të ndërgjegjes kombëtare. Ku janë veprat? Kjo
është pyetja që duhet t'i bëhet klasës politike shqiptare, pa dallim krahu. Nuk
është e drejtë që përgjegjësinë për kujtesën t'ua lëmë vetëm historianëve,
familjeve të ish-të përndjekurve, gazetarëve apo institucioneve si AIDSSH. Shteti
duhet të marrë përsipër përgjegjësinë e vet. Sepse viktimat e
komunizmit nuk janë viktima të një partie politike. Janë viktima të një sistemi
që sundoi Shqipërinë për gati gjysmë shekulli. Prandaj edhe
përballja me atë sistem nuk duhet të jetë çështje e një partie. Duhet
të jetë çështje e shtetit shqiptar. Këtu qëndron edhe një nga dështimet
më të mëdha të tranzicionit: de-komunistizimi nuk u shndërrua kurrë në
një projekt të plotë kombëtar. U fol shumë. U premtua shumë. U
debatuan rezoluta. U bënë deklarata. Por shumë familje vazhduan të prisnin
dëmshpërblimin, njohjen, zbardhjen e fatit të të zhdukurve dhe, mbi të gjitha,
një pranim të plotë moral të vuajtjeve të tyre.
E njëjta pyetje edhe për Kosovën. Kjo na çon te një çështje tjetër që nuk mund të ndahet krejtësisht nga
kjo temë: qëndrimi i Shqipërisë ndaj krimeve serbe në Kosovë. Edhe
këtu duhet të jemi të drejtë: Shqipëria i ka dënuar krimet serbe në Kosovë dhe
politikanë shqiptarë nga e gjithë skena politike kanë folur publikisht kundër
tyre. Por ajo që mungon është një politikë shtetërore e
vazhdueshme, e fuqishme, e institucionalizuar dhe zyrtarizuar nga Kuvendi i
Shqipërisë. Një politikë që të mos varet nga deklarata e radhës e një ministri,
deputeti apo kryeministri. Nëse Shqipëria e konsideron veten shtet amë të një
kombi që ka përjetuar një nga tragjeditë më të mëdha të Evropës së fundmi,
atëherë dokumentimi i krimeve ndaj shqiptarëve të Kosovës, ruajtja e dëshmive
dhe kërkesa për drejtësi duhet të jenë pjesë e kujtesës dhe diplomacisë së saj
shtetërore. Nuk është fjala për të ushqyer urrejtje ndaj një populli.
Është fjala për të mos lejuar që krimi të harrohet. Pajtimi nuk ndërtohet mbi
harresën. Pajtimi i vërtetë ndërtohet mbi të Vërtetën. Shqipëria duhet të
mësojë të mos ketë frikë nga historia.
Ndoshta ky është mësimi më i madh që na
sjell turi i AIDSSH-së këto ditë. Se Shqipëria nuk duhet të ketë frikë nga
historia e saj. As nga krimet e komunizmit. As nga viktimat. As nga dokumentet.
As nga emrat. As nga përgjegjësit. Një shtet demokratik nuk dobësohet kur
pranon se paraardhësi i tij politik ka kryer krime. Përkundrazi, përforcohet.
Sepse demokracia fillon pikërisht aty ku shteti pranon se nuk është mbi të
Vërtetën. Në këtë kuptim, fjalët e Presidentit Begaj për kujtesën marrin një
rëndësi të veçantë. Por edhe ato duhet të shoqërohen me një pyetje të thjeshtë:
çfarë do të bëhet, konkretisht? Do të vazhdohet me ceremonitë? Apo do të
ndërtohet një politikë kombëtare e kujtesës? Do të vazhdohet të flitet për
viktimat? Apo do t'u japim familjeve të tyre përgjigje? Do të thuhet se e
dënojmë diktaturën? Apo do t'u mësohet brezave të rinj se çfarë ishte
ajo? Kuvendi duhet të bëjë hapin e radhës. Ky është momenti që Kuvendi i
Shqipërisë të mos mbetet vetëm te rezolutat e së kaluarës. Duhet një
debat i ri parlamentar, serioz dhe gjithëpërfshirës mbi 35 vitet e përballjes
me trashëgiminë komuniste. Një debat që të përfshijë arkivat, viktimat,
familjet e të përndjekurve, të zhdukurit, vendet e internimit, arsimin,
muzealizimin, dëmshpërblimet dhe përgjegjësinë e institucioneve. Dhe mbi të
gjitha, duhet një qëndrim i qartë: Krimet e diktaturës nuk janë çështje
e së "majtës" apo së "djathtës". Janë çështje e demokracisë
shqiptare dhe e historisë kombëtare. Po kështu, kur bëhet fjalë për
krimet serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës, Shqipëria duhet të ketë një qëndrim të
qartë institucional, të mbështetur në dokumente, dëshmi dhe standarde
ndërkombëtare të drejtësisë. Pas 35 vitesh tranzicion, Shqipëria nuk ka më
nevojë për deklarata të tjera solemne. Ka nevojë për vepra.
Ndërkaq, megjithë punën e mirë që bën,
të vlerësosh punën e AIDSSH-së në hapjen, administrimin dhe publikimin e
dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit, nuk do të thotë se institucioni duhet
të jetë jashtë kritikës. Përkundrazi, një debat serioz mbi përballjen e
Shqipërisë me të kaluarën komuniste duhet të përfshijë edhe vetë institucionet
që janë ngarkuar me këtë mision. Gjatë viteve nuk kanë munguar kritikat ndaj
AIDSSH-së, për mënyrën e trajtimit të dosjeve, ritmin e zbardhjes së tyre,
transparencën, qasjen e familjarëve dhe studiuesve në dokumente, si edhe për
mënyrën se si është administruar dhe komunikuar informacioni. Disa prej këtyre
kritikave meritojnë përgjigje institucionale dhe transparencë më të madhe. Por
kritika ndaj AIDSSH-së nuk duhet të përdoret si alibi për të fshehur një
problem shumë më të madh: përgjegjësia për përballjen me të kaluarën komuniste
nuk i takon vetëm këtij Autoriteti, ose ndonjë tjetri. Ajo është përgjegjësi e
shtetit shqiptar dhe, mbi të gjitha, e institucioneve politike që kanë drejtuar
vendin gjatë këtyre 35 viteve.
Prandaj, ajo që duhet të vijë më pas
është përgjegjësia e institucioneve politike. Sepse nuk mund të pritet që
vetëm një institucion të mbajë mbi supe peshën e një historie të tërë. Tashmë
është radha e shtetit. Është radha e Kuvendit. Është radha e politikës
shqiptare. Dhe është radha e shoqërisë, gjithashtu. Sepse një vend që nuk e
njeh të kaluarën e vet, rrezikon ta përsërisë atë. Dhe një Shqipëri që i kujton
viktimat vetëm në ditë përkujtimore, ndonëse rrallë, por nuk e kthen kujtesën
në politikë shtetërore, ende nuk e ka përfunduar tranzicionin e saj moral e
kombëtar. Pas 35 vitesh, Shqipëria duhet të bëjë më në fund atë që nuk e ka
bërë sa duhet e të përballet me të kaluarën, jo për t'u kthyer pas, por për të
ecur përpara. Kjo nuk është hakmarrje. Nuk është revansh. Nuk është luftë
politike. Është drejtësi historike. Dhe mbi të gjitha, është dinjitet shtetëror
e kombëtar që të mos përjetësohet e keqja e komunizmit në Shqipëri.


