Frank Shkreli: Nga Pusteci në Ulqin – kur sulmohen simbolet, gjuha dhe identiteti shqiptar
NGA PUSTECI NË ULQIN – KUR SULMOHEN SIMBOLET, GJUHA DHE IDENTITETI SHQIPTAR

Fakte,
reagime dhe një pyetje që nuk mund të shmanget: kush dhe si i mbron interesat
kombëtare shqiptare në hapësirat ku shqiptarët kanë jetuar prej shekujsh? Ka raste kur një ngjarje e vetme mund të
konsiderohet incident. Por kur, në një periudhë të shkurtër, në vende të
ndryshme e vit pas viti, shfaqen debate që prekin simbolet, gjuhën dhe arsimin
e shqiptarëve, është e natyrshme që opinioni publik të shtrojë pyetje më të
gjera. Dy raste të fundit, njëri në
Pustec të Shqipërisë dhe tjetri në Ulqin nën Mal të Zi, meritojnë të shihen me
qetësi, me dokumente dhe pa ekzagjerime. Jo më larg se një javë më parë, një
incident tjetër me flamurin shqiptar ndodhi në një festival muzikor në Guci.
Në
Pustec të Shqpërisë një himn që mungoi, një mungesë serioze protokolli. Më 20
gusht 2026, gjatë një aktiviteti kulturor në Pustec, ku ishte i pranishëm edhe
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, u ekzekutua Himni i
Maqedonisë së Veriut, ndërsa nuk u ekzekutua Himni Kombëtar Shqiptar. Ngjarja u bë publike menjëherë dhe shkaktoi
reagime. Ministria për Evropën dhe Punët
e Jashtme e Shqipërisë (MEPJ) reagoi zyrtarisht më 21 gusht, duke shprehur
keqardhje për mospërfshirjen e Himnit Kombëtar Shqiptar dhe duke e cilësuar atë
si një mungesë serioze në respektimin e rregullave të mirësjelljes dhe
protokollit midis shteteve. MEPJ theksoi se respektimi i simboleve kombëtare
nuk është çështje politike apo interpretimi, raportoi media shqiptare. Kjo
është pika e parë që duhet mbajtur shënim.
Pusteci është në territorin e Republikës së Shqipërisë. Në të njëjtën
kohë, komuniteti maqedonas i Pustecit ka të drejta të garantuara për ruajtjen
dhe zhvillimin e gjuhës, kulturës dhe traditave të veta. Kjo është pjesë e
detyrimit të Shqipërisë si shtet demokratik dhe evropian. Por respektimi i të drejtave të minoritetit
maqedonas nuk mund të vihet përballë respektit për simbolet e shtetit shqiptar.
Të dyja mund dhe duhet të bashkëjetojnë.
Prandaj, pa e cilësuar paraprakisht këtë incident si një akt të
qëllimshëm politik, pyetja është legjitime: si mund të mos përfshihet simboli
kombëtar i vendit pritës në një aktivitet zyrtar ku merr pjesë kryeministri i
një shteti fqinj? Sa për shembull, çdo tubim me rëndësi i komunitetit
shqiptaro-amerikan hapet me hymnin e Shteteve të Bashkuara dhe hymnin
shqiptar. Ma merr mendja se kjo ndodhë
edhe me diasporën shqiptare në vendet e normale në botën demokratike të Evropës
Perendomore. Prandaj kjo është një pyetje legjitime për protokollin, për
organizatorët dhe për institucionet përgjegjëse. Dhe mirë është që MEPJ reagoi.
Por a mjafton?
Ulqini
një rast tjetër i ditëve të fundit me një debat për arsimin dhe gjuhën. Në
Ulqin çështja është tjetër, por prek një dimension po aq të ndjeshëm që ka të
bëjë me arsimin dhe gjuhën shqipe. Më 29
korrik 2026, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit e Malit të Zi
vendosi për emërimin e Snežana Živanovi? si drejtoreshë të Shkollës së Mesme të
Përzier "Bratstvo-jedinstvo", në Ulqin.
Vendimi
shkaktoi reagim nga zëvendës-kryeministri i Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, i cili
e kundërshtoi emërimin dhe deklaroi se ishte e papranueshme që një person që,
sipas tij, nuk e flet shqipen, të drejtojë një shkollë ku mësimi zhvillohet
edhe në gjuhën shqipe. Sipas medias vendore, Gjeloshaj e cilësoi këtë vendim si
"provokim institucional" dhe "albanofobi".
Por
këtu faktet kërkojnë një saktësim për lexuesin.
Ministria malazeze e Arsimit e ka kundërshtuar deklaratën se Živanovi?
nuk flet shqip. Sipas Ministrisë, në dokumentacionin e konkursit ajo deklaron
njohuri të gjuhës shqipe në nivelin B2, përfshirë të kuptuarit, leximin, të
folurin, ndërveprimin në të folur dhe shkrimin.
Prandaj,
nuk do të ishte korrekte të shkruanim se "drejtoresha nuk flet shqip"
si një fakt të provuar, derisa të vërtetohet nëse ajo flete ose jo shqip. Por
megjithëkëtë, kjo nuk e mbyll debatin.
Përkundrazi, e bën pyetjen më të rëndësishme: Çfarë peshe duhet të ketë
njohja e gjuhës shqipe në drejtimin e një shkolle të mesme në një qytet si
Ulqini, ku shqipja është gjuhë e një pjese dërmuese të komunitetit dhe e
arsimit? Kjo pyetje nuk është
diskriminuese. As nuk duhet të lidhet automatikisht me kombësinë e një
drejtuesi/je. Është një pyetje mbi kompetencën gjuhësore, komunikimin me
nxënësit e prindërit dhe me respektimin praktik të karakterit shumëgjuhësh të
institucionit.
Ndërkaq,
Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe të Minoriteteve e Malit të Zi, në
reagimin e saj të 20 gushtit, ka theksuar se drejtuesit e institucioneve
arsimore duhet të zgjidhen mbi bazën e ekspertizës, përvojës dhe rezultateve,
ndërsa njëkohësisht të drejtat e komunitetit shqiptar për barazi, përdorimin e
gjuhës dhe ruajtjen e identitetit duhet të respektohen e mbrohen në mënyrë të
vazhdueshme, sipas medias vendase. Ky
është një parim me të cilin është vështirë të mos pajtohesh. Kështuqë, shqiptarët në Ulqin dhe në Malësi
nuk kanë heshtur në lidhje me këtë emërim por as në raste të tjera. Një tjetër
fakt duhet theksuar për hir të së vërtetës. Se nuk është e drejtë të krijohet
përshtypja se shqiptarët e Malit të Zi janë pasivë ose se institucionet e tyre
nuk reagojnë, ndaj kësaj dhe dukurive të tjera, si kjo. Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve (KKSH) në Mal
të Zi është një institucion i komunitetit shqiptar dhe ka struktura të posaçme
për arsimin, kulturën, informimin dhe përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe. Në
çështjet e arsimit, Këshilli me të drejtë ka argumentuar, publikisht, se arsimi
në gjuhën shqipe është një nga shtyllat kryesore të ruajtjes së identitetit
kombëtar shqiptar. Ka ndërmarrë edhe nisma konkrete për pasurimin e materialeve
mësimore në shqip dhe për forcimin e përmbajtjes së historisë kombëtare në
arsim. Frank Shkreli: Historia kombëtare
shqiptare në shkollat e Malit të Zi mbetet një provë e papërfunduar e
demokracisë dhe e përgjegjësisë politike Shqiptare.
Madje,
sipas raportimeve të fundit, KKSH ka ngritur edhe shqetësime lidhur me proceset
e emërimit të drejtuesve të shkollave në gjuhën shqipe. (MALESIA.ORG - Tuz,
Malësi). Pra, pyetja nuk është: "Pse shqiptarët heshtin?" Pyetja
është:
Sa
dëgjohet zëri i tyre dhe sa efektiv është reagimi institucional kur ata ngrenë
shqetësime? A janë këto raste të veçuara
apo mund të jenë të koordinuara? Pa prova të mjaftueshme është vështirë të
deklarohet se çdo rast është pjesë e një politike të koordinuar antishqiptare.
As nuk është e drejtë të thuhet se "provokimet ndodhin vetëm kundër
shqiptarëve", pa një studim shumë më të gjerë dhe pa dokumentuar raste të
krahasueshme ndaj komuniteteve të tjera.
Mirëpo, kjo nuk e bën pyetjen time të pavlefshme. Përkundrazi, pyetja
është legjitime dhe e pa-evitueshme:
Pse, në vende të ndryshme ku shqiptarët jetojnë prej brezash, herë pas
here, dhe historikisht, shfaqen konflikte ose debate pikërisht rreth gjuhës,
arsimit, simboleve dhe identitetit të tyre kombëtar? Kjo është një pyetje që meriton përgjigje. Jo
përgjigje emocionale. Jo përgjigje nacionaliste. Por përgjigje institucionale.
Dhe pyetja shkon përtej Pustecit dhe Ulqinit.
Nëse këto dy raste duam t'i shohim si pjesë të një diskutimi më të
gjerë, atëherë duhet të shikojmë edhe më tej -- te Plava e Gucia, Malësia,
Tivari, Prespa, Lugina e Preshevës dhe hapësirat shqiptare në Maqedoninë e
Veriut. Jo për të ndërtuar një hartë konfliktesh. Por për të parë nëse gjuha
shqipe, arsimi shqip, përfaqësimi institucional dhe identiteti kulturor
shqiptar gëzojnë, në praktikë, të njëjtin respekt që parashikojnë ligjet dhe
marrëveshjet. Për të siguruar këtë, përgjegjësia është
e shumëfishtë. Është përgjegjësi e institucioneve lokale. Është përgjegjësi e përfaqësuesve
politikë shqiptarë. Është përgjegjësi e Këshillave Kombëtarë dhe organizatave
të komunitetit. Por është edhe përgjegjësi e Tiranës dhe Prishtinës zyrtare që
çështjet e shqiptarëve jashtë kufijve shtetërorë të mos trajtohen vetëm kur
ndodh një incident dhe ai bëhet lajm.
Duhet politikë e qëndrueshme. Duhet diplomaci. Duhet arsim. Duhet
kulturë. Dhe mbi të gjitha, duhet vëmendje e vazhdueshme ndaj faktit se
identiteti kombëtar ruhet, para së gjithash, përmes gjuhës dhe arsimit. Në fund të fundit, ajo që kërkohet nuk është
konflikt me fqinjët. As nuk kërkohet privilegj për shqiptarët. Kërkohet barazi.
Barazia nuk është kërkesë radikale. Por është parim elementar i një shoqërie që
pretendon të jetë demokratike.
Prandaj,
nga Pusteci në Ulqin, pyetja nuk duhet të jetë vetëm "kush ka
faj?" Pyetja më e rëndësishme
është: A po mbrohen në mënyrë të mjaftueshme gjuha, arsimi, kultura dhe
identiteti shqiptar aty ku ato janë pjesë e pandashme e jetës së komunitetit? Dhe një pyetje tjetër, edhe më e drejtpërdrejtë:
Kush i mbron interesat kombëtare shqiptare kur ato preken? Përgjigjja nuk duhet
të jetë vetëm një deklaratë pas incidentit. Duhet të jetë një politikë e
përhershme dhe konsekuente. Interesat
kombëtare të shqiptarëve kudo mbrohen duke njohur, ruajtur dhe transmetuar të
drejtat, gjuhën, kulturën dhe kujtesën kombëtare tek brezat që vijnë. Dhe ky
nuk është nacionalizëm. Është
përgjegjësi mbarë kombëtare e shqiptarëve anë e mbanë trojeve të veta!



