Frank Shkreli: Anton Çefa – një jetë në shërbim të fjalës shqipe dhe kujtesës kombëtare
ANTON ÇEFA – NJË JETË NË SHËRBIM TË FJALËS SHQIPE DHE KUJTESËS KOMBËTARE
Shkrimtari,
poeti, studiuesi dhe publicisti shkodran që e bëri fjalën një dëshmi të kohës
dhe kulturës shqiptare në atdhe edhe në Amerikë

Po e vazhdoj serinë jo-formale – që unë
sjell për lexuesit, nga koha në kohë -- të kujtimeve kushtuar vlerave dhe
personaliteteve të shquara shqiptaro-amerikane, por jo vetëm. Anton Çefa
ka lindur në Shkodër më 1934, ka studiuar në Universitetin e Tiranës, ka punuar
si mësues, ka qenë drejtues i Radio Shkodrës pas renies së komunizmit zyrtar
dhe pas emigrimit në SHBA më 1993, editor i gazetës Dielli të
Federatës Panshqiptare Vatra. Vatra e Dielli, mirënjohje e respekt
për kontributin publicistik, gjuhësor e poetik të ish editorit të Diellit Anton
Çefa – Dielli | The Sun -- Në historinë e kulturës shqiptare ka njerëz që nuk kanë bërë zhurmë
rreth vetes, por që kanë lënë gjurmë të thella nëpërmjet punës së tyre. Anton
Çefa është njëri prej tyre. Poet, shkrimtar, studiues, kritik letrar, publicist
dhe pedagog, ai i përket asaj plejade intelektualësh shkodranë për të cilët
kultura nuk ka qenë thjesht profesion, por një mënyrë jetese dhe një detyrë
ndaj kombit. Në vendlindjen e tij në Shkodër, Anton Çefa (vëllai i
studiuesi dhe shkrimtarit të njohur, Kolec Çefa, autor i disa librave e i një mori
studimesh e artikujsh),është formuar në një mjedis ku tradita kulturore,
dashuria për gjuhën shqipe dhe kujtesa historike kishin një peshë të veçantë.
Kreu studimet pedagogjike dhe më pas studimet universitare në degën e Gjuhës,
Letërsisë dhe Historisë së Shqipërisë në Universitetin e Tiranës, të cilat i
përfundoi në vitin 1962. Për shumë vite shërbeu si mësues në shkollat 8-vjeçare
dhe të mesme dhe, pas rënies së diktaturës komuniste, u nderua me titullin
"Mësues i merituar". Por figura e Anton Çefës nuk mund të kufizohet
vetëm te mësuesia. Qysh në vitet e regjimit komunist ai shkroi për çështje që
lidhen me psikologjinë etnike dhe pedagogjinë popullore shqiptare. Kjo prirje
do të bëhej më vonë një nga shtyllat e rëndësishme të veprimtarisë së tij studimore.
Pas përmbysjes së komunizmit, Çefa u përfshi në jetën e re publike e kulturore
të Shkodrës. Ishte ndër themeluesit e gazetës demokratike "Shkodra",
ndërsa për një periudhë drejtoi Radio Shkodrën. Ishte gjithashtu pjesë e
këshillave botues të revistave "Rrezja e jonë" dhe "Kumbona e së
Diellës".
Në vitin 1993, Anton Çefa vendosi të
emigronte familjarisht nga Shkodra në Shtetet e Bashkuara. Por, ashtu si për
shumë patriotë të tjerë – që për arsye të ndryshme u detyruan të largoheshin
nga atdheu -- largimi fizik i tij nga Shqipëria nuk nënkuptoi largimin e tij
shpirtëror prej saj. Përkundrazi, Amerika u bë një tjetër hapësirë ku ai
vazhdoi t'i shërbente kulturës dhe çështjes kombëtare. Në vitet 1994–2007
ai shërbeu si editor i gazetës "Dielli", organit historik të
Federatës Panshqiptare Vatra. Në këtë rol, ai u bë një prej zërave të
rëndësishëm të shtypit dhe kulturës shqiptare në Amerikë. Kjo veprimtari është
veçanërisht e rëndësishme po të kemi parasysh historinë e Diellit dhe të
Vatrës. Për një intelektual shqiptar të ardhur nga Shkodra, të punonte në këtë
institucion të diasporës do të thoshte të lidhej me një traditë të gjatë të
mendimit, publicistikës dhe veprimtarisë kombëtare shqiptare në Shtetet e
Bashkuara të Amerikës.
Anton Çefa është para së gjithash poet.
Në krijimtarinë e tij poetike gjenden vëllimet "Dritarja e një
britme", "Heshtja ka tingull guri", "Fjalë në vargoj të
muzgët", "Flatrime me krahë të premë" dhe më vonë "Tinguj e
ngjyra Shqipërie". Bibliografia e tij dëshmon një vazhdimësi të
rëndësishme krijuese, ndërsa poezia e tij është përkthyer edhe në rumanisht.
Vetë titujt e këtyre veprave flasin për një poezi të lidhur me dhimbjen,
kujtesën, atdheun dhe përvojën njerëzore. "Heshtja ka tingull guri"
është një titull që mund të merret edhe si metaforë për një pjesë të madhe të
përvojës së intelektualit shqiptar të shekullit XX: shumë gjëra u heshtën,
shumë kujtime mbetën të pathëna, por heshtja nuk do të thotë se ato u zhdukën.
Në vitin 2021 u botua "Tinguj e ngjyra Shqipërie", një tjetër dëshmi
e lidhjes së tij të vazhdueshme me vendin e origjinës.
Një dimension tjetër i rëndësishëm i
veprës së Çefës është studimi. Ai nuk është mjaftuar me krijimin letrar, por
është marrë me kritikën letrare, me figurat e mëdha të kulturës shqiptare dhe
me atë që ai e ka quajtur "psikologjia etnike e popullit tonë".
Ndër veprat e tij studimore janë "Në hullitë e fjalës artistike – Kritikë
letrare", "Noli e Konica" dhe dy pjesët e "Sprovë e
psikologjisë etnike të popullit tonë". Kjo fushë e veprimtarisë së tij
është veçanërisht interesante, sepse Çefa përpiqet ta shohë shqiptarin jo vetëm
nëpërmjet historisë politike, por edhe nëpërmjet mënyrës së të menduarit,
zakoneve, traditave, marrëdhënieve shoqërore dhe trashëgimisë kulturore.
Në këtë kuptim, studimi për të nuk është një aktivitet i ftohtë akademik. Është
një përpjekje për të kuptuar se çfarë e ka bërë dhe çfarë vazhdon ta bëjë
shqiptarin shqiptar. Një nga meritat e Anton Çefës është edhe vëmendja që u ka
kushtuar autorëve dhe figurave të rëndësishme të kulturës shqiptare, por jo
vetëm. (Libri i Portreteve, 2015), duke iu rikthyer kështu autorëve, veprave
dhe ideve që nuk duhet të humbasin nga kujtesa. Anton Çefa nuk mund të
ndahet as nga kultura shqiptare në Amerikë. Në historinë e diasporës shqiptare
në Shtetet e Bashkuara, Anton Çefa meriton një vend të veçantë edhe për
kontributin e tij në shtypin shqiptar. Gazeta Dielli, organ i Federatës
Pan-Shqiptare Vatra ka qenë për dekada një nga institucionet më të rëndësishme
të kulturës dhe mendimit shqiptar në Amerikë. Nëpërmjet punës së tij si editor
i Diellit, (1994-2006), Çefa ishte pjesë e kësaj vazhdimësie dhe kontribuoi që
gazeta të mbetej një hapësirë ku mund të bashkoheshin publicistika, kultura,
letërsia dhe shqetësimet kombëtare.
Në përmbyllje, Anton Çefa është nga ata
autorë shqiptarë që duhen lexuar jo vetëm për atë që kanë shkruar, por edhe për
atë që kanë përfaqësuar. Ai përfaqëson një brez intelektualësh që e kanë
përjetuar nga afër ndryshimin e madh të Shqipërisë nga diktatura komuniste në
demokraci, nga izolimi në emigracion dhe nga heshtja e detyruar në lirinë e
fjalës. Në poezinë e tij lexxuesi gjenë emocionin ndërsa në studimet e
tij, kërkimin. Në publicistikën e tij, shqetësimin qytetar, ndërsa në
veprimtarinë e tij në diasporë, një lidhje të pandërprerë me Shkodrën dhe
Shqipërinë. Prandaj Anton Çefa nuk duhet parë thjesht si një emër në një
bibliografi. Ai është pjesë e një tradite intelektuale shqiptare që e ka
kuptuar fjalën si përgjegjësi. Dhe ndoshta kjo është një nga mënyrat më të mira
për ta përmbledhur veprën e tij. Një jetë, e kaluar në kërkim të fjalës së
bukur, të së vërtetës së kujtesës dhe të vlerave që nuk duhet të humbasin. Në
një kohë kur shumë figura të kulturës shqiptare presin ende një vlerësim më të
plotë, Anton Çefa është një nga ata emra që meriton të rilexohet, të studiohet
dhe të vendoset në vendin që i takon në historinë e kulturës shqiptare në atdhe
dhe në mërgim.
Sepse një komb nuk jeton vetëm nga
historia që shkruan për veten, por edhe nga njerëzit që ia ruajnë kujtesën. Dhe
Anton Çefa me veprat dhe shkrimet e tija publicistike, është, pa dyshim, një
prej tyre.



