Frank Shkreli: Petro Nini Luarasi në Amerikë, 1904–1908 – një mision patriotik
PETRO NINI LUARASI NË AMERIKË 1904-1908 - NJË MISION PATRIOTIK
Në kuadër të 115-vjetorit të martirizmit të tij
Fillimi
i organizimit të shqiptarëve në Amerikë

Petro
Nini Luarasi ka qendruar në Shtetet e Bashkuara gjatë viteve 1904-1908,
periudhë e rëndësishme kjo e veprimtarisë së tij patriotike dhe arsimore në
komunitetin shqiptar të Amerikës. Qëndrimi i Petro Nini Luarasit në Shtetet e
Bashkuara gjatë atyre viteve përbën një kapitull të rëndësishëm në historinë e
veprimtarisë së tij patriotike dhe arsimore në Shtetet e Bashkuara. Në Amerikë,
ai u lidh me kolonitë shqiptare të kohës dhe u përfshi në përpjekjet e
intelektualëve e veprimtarëve shqiptarë të kohës, për ruajtjen e gjuhës,
arsimit dhe ndërgjegjes kombëtare në Amerikë.
Në një periudhë kur çështja shqiptare kërkonte jo vetëm përpjekje brenda
vendit, por edhe organizim e sensibilizim në diasporë, Luarasi e shihte arsimin
dhe gjuhën shqipe si themelet e identitetit kombëtar. Vitet e tij në Amerikë
përkojnë me një periudhë të vrullshme të zgjimit kombëtar shqiptar. Përmes
kontakteve, me bashkatdhetarët dhe veprimtarët. Petro Nini Luarasi vazhdoi të
propagandonte idenë se shkolla shqipe, libri shqip dhe gjuha shqipe ishin armët
më të fuqishme të një kombi që kërkonte lirinë dhe pavarësinë. Përvoja
amerikane i dha atij mundësi të njihte nga afër organizimin e komuniteteve
shqiptare në mërgim dhe rolin që diaspora në Amerikë mund të luante në
mbështetje të çështjes kombëtare.
Kjo
periudhë dëshmon se veprimtaria e Petro Nini Luarasit nuk u kufizua vetëm në
Shqipëri. Ai ishte një prej atyre patriotëve që e kuptuan heret rëndësinë e
lidhjes së shqiptarëve brenda atdheut me bashkatdhetarët në diasporë. Si më
lartë, kontributi i tij në Amerikë duhet
parë si pjesë e pandarë e misionit të tij të madh: mbrojtjen e gjuhës shqipe,
përhapjen e arsimit kombëtar dhe forcimin e vetëdijes shqiptare në prag të
Pavarësisë së Shqipërisë. Burimet e konfirmojnë periudhën 1904–1908 dhe rolin e
Luarasit në organizimin patriotik të shqiptarëve në Amerikë, veçanërisht në
shoqëritë "Mall i Mëmëdheut" dhe "Pellazgu". Petro Nini
Luarasi në Amerikë ishte një nga pionerët e lëvizjes shqiptare në këtë
vend. Në vitin 1904, Petro Nini Luarasi
mbërriti në Shtetet e Bashkuara, duke nisur një kapitull të ri në jetën e tij
të gjatë patriotike. Qëndrimi i tij në Amerikë, deri në vitin 1908, nuk ishte
thjesht një periudhë mërgimi. Ai e shndërroi atë në një mision të mirëfilltë
kombëtar, duke iu kushtuar organizimit të shqiptarëve dhe përhapjes së ideve të
Rilindjes Kombëtare.
Në
Amerikë ai u përpoq të zgjonte ndërgjegjen kombëtare të emigrantëve shqiptarë,
duke i nxitur ata të mos shkëputeshin nga gjuha, kultura dhe fati i atdheut.
Veprimtaria e tij duhet parë në kuadrin e një periudhe kur komunitetet shqiptare
në Shtetet e Bashkuara po shndërroheshin gradualisht në një forcë të organizuar
në mbështetje të çështjes kombëtare. Vitet e tij në Amerikë përkojnë edhe me
shfaqjen e figurave të tjera që do të luanin një rol të madh në jetën kombëtare
shqiptare në Amerikë. Shoqëria "Besa-Besën", e themeluar në Boston më
6 janar 1907, përfshinte ndër figurat e saj të njohura, Fan Nolin e Sotir
Pecin. Në këtë atmosferë të zgjimit kombëtar u zhvillua edhe shtypi shqiptar në
Amerikë. Luarasi lidhet me gazetën "Kombi", të botuar në Boston më
1908, ndërsa gjatë viteve 1907–1908 bashkëpunoi edhe me organin
"Drita" të Sofjes. Shkrimet e tij kishin karakter patriotik, arsimor
dhe publicistik, duke mbrojtur të drejtën e shqiptarëve për gjuhën dhe kulturën
e tyre kombëtare.

Petro
Nini Luarasin nuk mund të quhet, pa reserve, si "themeluesi i lëvizjes
shqiptare në Amerikë". Besoj se më e saktë dhe, historikisht, më e
mbrojtshme do të ishte si, "një nga pionierët dhe nismëtarët e lëvizjes së
organizuar shqiptare në Amerikë", përfshir lidhjet e tij me Vatren dhe
Diellin. Këtu duhet bërë një ndarje
kronologjike e rëndësishme: Petro Nini Luarasi ishte në Amerikë më 1904–1908,
ndërsa Federata Pan-Shqiptare "Vatra" u themelua vetëm në vitin 1912.
Prandaj nuk do të ishte, historikisht, e saktë të thuhej se Luarasi ishte
anëtar apo themelues i "Vatrës".
Por, lidhja e tij me rrethin patriotik të shqiptarëve enë Amerikë që më
vonë krijoi "Vatrën" dhe themeloi gazetën "Dielli" është
shumë e rëndësishme.
Një
dëshmi e rëndësishme është bashkëpunimi i tij me Sotir Pecin dhe Fan Nolin në
nismën për botimin e gazetës "Kombi", e cila filloi të botohej në
Boston në vitin 1906. "Kombi" u bë një nga organet e para të
rëndësishme të shtypit shqiptar në Amerikë dhe synonte të shërbente si lidhje
midis shqiptarëve të Amerikës dhe Atdheut. Burimet e kohës dhe studimet mbi
diasporën shqiptare e përmendin Petro Nini Luarasin si njërin ndër figurat që
kontribuan në këtë përpjekje. Në vitin 1907, Luarasi u lidh gjithashtu me
shoqërinë "Besa-Besën", të themeluar në Boston nga Fan Noli dhe Sotir
Peci. Kjo shoqëri do të luante një rol të rëndësishëm në organizimin e shqiptarëve
të Amerikës dhe, më vonë, do të lidhej me procesin që çoi në krijimin e
"Vatrës". Petro Nini Luarasin
ishte një nga figurat e hershme që erdhi në Amerikë përpara themelimit të
Federatës Vatra dhe gazetës Dilli, që me rolin e tij në komunitett, ndikoi
shumë në përhapjen e nacionalizmit shqiptar përmes librave dhe fletushkave në
gjuhën shqipe.
Për
këtë arsye – në 115-vjetorin e martitizimit të tij -- e kujtojmë këtë figurë të
dalluar kombëtare, veçanërisht të rëndësishme edhe për historinë e shqiptarëve
të Amerikës. Petro Nini Luarasi ishte në mesin e atyre që hodhën farën për
mësimin e gjuhës shqipe dhe për mbrojtjen e interesave kombëtare shqiptare në
fillim të shekullit të kaluar, ndërsa, "Dielli", "Vatra"
dhe organizata të tjera që u themeluan gjatë dekadave të shekullit XX e deri në
ditët e sotëme, do ta çonin më tej këtë mision.
Sot, më shumë se një shekull më vonë, frytet e asaj pune dhe të
përpjekjeve të shumë shqiptarëve të tjerë të asaj kohe janë ende të dukshme. Në
qytete të ndryshme të Shteteve të Bashkuara, qindra organizata, shoqata, kisha,
xhami, qendra kulturore, media dhe institucione të komunitetit shqiptar
vazhdojnë veprimtarinë për ruajtjen e gjuhës, kulturës, traditave dhe
identitetit shqiptar.
Natyrisht,
këto zhvillime nuk janë vetëm rezultat i punës së një individi. Ato janë fryt i
përpjekjeve të brezave të tërë shqiptarësh, që nga fundi i shekullit XIX dhe
fillimi i shekullit XX, e kuptuan se komuniteti në mërgim mund të bëhej një
mbështetje e rëndësishme për Kombin dhe për Shqipërinë. Petro Nini Luarasi zë
një vend të veçantë në këtë histori. Ai ishte një nga ata që hodhën farën.
Brezat që erdhën më pas e ujitën dhe e zhvilluan atë. Dhe sot, kur shohim
veprimtarinë e gjallë të komuniteteve shqiptare në Amerikë, mund të shohim edhe
një pjesë të trashëgimisë së asaj pune të nisur më shumë se një shekull më
parë. Historia e Petro Nini Luarasit,
pra, nuk i përket vetëm së kaluarës. Ajo është edhe një histori e vazhdimësisë,
nga përpjekjet e para për të mësuar e përhapur gjuhën dhe kulturën shqipe, te
institucionet dhe organizatat shqiptaro-amerikane që vazhdojnë sot të punojnë
për gjuhën, kulturën dhe identitetin kombëtar të shqitarëve në këtë vend të
madh e të dashur për për të gjithë ne.
Kjo është ndoshta dëshmia më e bukur se puna e një atdhetari nuk matet vetëm me vitet që ai jeton apo me kohën që qëndron në një vend. Ajo matet edhe me gjurmët që lë dhe me brezat që vazhdojnë atë punë që ai nisi më shumë se një shekull më parë. Ai, pra, ishte Petro Nini Luarasi!


