Frank Shkreli: Një deklaratë e papërgjegjshme nga Podgorica?
NJË DEKLARATË E PAPËRGJEGJSHME NGA PODGORICA?
Në kulmin e pushimeve evropiane, Podgorica hedh
një bombë politike:
Pse përmendet Shqipëria?

Shpesh
thuhet se, "Ballkani prodhon më shumë histori sesa mund të konsumojë,
kështu që ajo përhapet dhe ndikon në të gjithë botën". Në pikë të gushtit,
kur pjesa më e madhe e Evropës është me pushime dhe vëmendja e opinionit publik
është larg zhvillimeve politike, nga Podgorica shpërthen një deklaratë bombë.
Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spaji?, njofton se dy shtete të rajonit po
përgatisin, sipas informacioneve që ai i cilëson "serioze operative",
veprime hibride për destabilizimin e vendit dhe pengimin e rrugës së tij drejt
Bashkimit Evropian. Deklarata e
kryeministrit të Malit të Zi, Milojko Spaji?, se të paktën dy shtete të rajonit
po përgatisin veprime hibride për destabilizimin e Malit të Zi, është një deklaratë
që nuk mund të kalojë pa u analizuar seriozisht. Sepse në diplomaci,
veçanërisht midis dy vendeve fqinje dhe aleate të NATO-s, edhe një aludim mund
të ketë pasoja politike. Spaji? tha më
27 gusht se kishte "informacione serioze operative të sigurisë" se
mbyllja e kapitujve të rinj të negociatave me Bashkimin Evropian do të
shoqërohej me një veprimtari të bashkrenduar hibride, në të cilën, sipas tij,
përfshiheshin zyrtarë të të paktën dy shteteve fqinje të rajonit. Sipas tij,
synimi ishte destabilizimi i Malit të Zi dhe pengimi i rrugës së tij
evropiane. Por kryeministri malazez nuk
i emërtoi këto shtete. Por disa orë më vonë, gazeta e njohur malazeze Vijesti,
duke iu referuar disa burimeve, publikoi pretendimin se Spaji? kishte parasysh
Serbinë dhe Shqipërinë. Këtu fillon
shqetësimi. Sepse, nëse Shqipëria ishte
njëra prej vendeve për të cilat kryeministri malazez kishte informacion të
tillë, atëherë kemi të bëjmë me një çështje jashtëzakonisht serioze. Shqipëria
dhe Mali i Zi nuk janë thjesht dy vende fqinje. Të dyja janë anëtare të NATO-s,
kanë marrëdhënie zyrtare miqësore dhe ndajnë objektivin strategjik të
integrimit evropian. Në këtë rrethanë,
një akuzë për veprimtari hibride dhe destabilizim nuk është një deklaratë e
zakonshme politike. Është një akuzë me peshë të rëndë ndërkombëtare. Prandaj lind pyetja: ku janë provat? Nëse një kryeministër disponon informacione
operative të sigurisë për ndërhyrje të një shteti tjetër në destabilizimin e
vendit të tij, kjo çështje duhet trajtuar në institucionet kompetente,
përfshirë strukturat e NATO-s dhe partnerët evropianë. Nuk është e mjaftueshme
që publiku të dëgjojë se ekzistojnë "informacione serioze operative",
ndërsa emrat e shteteve dhe provat mbeten të padeklaruara.
Në
rastin e Shqipërisë, situata bëhet edhe më e ndjeshme. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme,
Ferit Hoxha, reagoi duke theksuar se nuk ka pasur asnjë akuzë zyrtare ndaj
Shqipërisë, por njëkohësisht e mohoi prerazi çdo përfshirje të Tiranës në
ndonjë skenar destabilizues në Mal të Zi.
Ky reagim ishte i natyrshëm. Shqipëria nuk mund të pranojë që emri i saj
të vendoset në një listë të dyshimtë shtetesh që pretendohet se po punojnë
kundër stabilitetit të një vendi fqinj.
Por edhe Podgorica duhet ta kuptojë se aludimet kanë pasoja. Nëse Spaji? nuk e ka pasur fjalën për
Shqipërinë, atëherë është në interes të tij dhe të qeverisë së tij që ta bëjë
këtë të qartë. Nëse e ka pasur fjalën për Shqipërinë, atëherë duhet të ketë
kurajën institucionale dhe politike të dalë publikisht me prova dhe ta sqarojë
akuzën. Sepse, nuk mund të ketë një
situatë ku një kryeministër flet për dy shtete që po destabilizojnë vendin e
tij, ndërsa mediat identifikojnë njërin prej tyre si Shqipërinë. Ndërkohë që më
pas mbetet në ajër pyetja nëse kryeministri e kishte apo nuk e kishte fjalën
për Tiranën zyrtare. Kjo nuk është
mënyrë serioze për të menaxhuar marrëdhëniet midis vendeve fqinje, aq më tepër
midis vendeve anëtare të NATO-s.
Çështja
ka edhe një dimension tjetër, që në Tiranë duhet të merret seriozisht. Janë shqiptarët në Mal të Zi, një dimension
që nuk duhet harruar. Shqipëria dhe
shqiptarët ka një interes të drejtpërdrejtë në stabilitetin, demokracinë dhe
integrimin evropian të Malit të Zi, jo vetëm për shkak të marrëdhënieve
ndërshtetërore, por edhe për shkak të pranisë historike të shqiptarëve në Mal
të Zi. Ulqini, Tuzi, Plava, Gucia dhe
trevat e tjera shqiptare janë pjesë e pandashme e historisë së shqiptarëve në
Mal të Zi. Shqipëria ka detyrimin moral dhe politik të interesohet për pozitën
dhe të drejtat e shqiptarëve atje. Por
kjo është krejtësisht ndryshe nga destabilizimi i Malit të Zi. Frank Shkreli:
Flamuri shqiptar në gjyq, ku janë vlerat evropiane të Malit të Zi? | Gazeta
Telegraf
Përkundrazi,
një Mal i Zi i qëndrueshëm, demokratik dhe evropian është në interesin e
drejtpërdrejtë të shqiptarëve dhe të Shqipërisë. Shqiptarët e Malit të Zi nuk kanë nevojë për
një krizë të re politike midis Podgoricës dhe Tiranës. Kanë nevojë për
institucione demokratike, respektim të të drejtave të tyre të identitetit të
tyre kombëtar, përfaqësim politik dhe zhvillim ekonomik. Prandaj është e papranueshme që çështjet e
brendshme politike të Malit të Zi të shndërrohen në akuza të mjegullta ndaj
fqinjëve. Aleanca NATO është një
organizatë serioze, politike dhe ushtarake -- me 32 shtete anëtarë në Evropë
dhe Amerikën e Veriut, themeluar në 1949 -- dhe nuk është vendi i aludimeve.
Kjo
është pika kryesore. Një vend anëtar i
NATO-s që beson se një tjetër vend anëtar po ndërmerr veprime hibride kundër
tij, ka në dispozicion mekanizma institucionalë dhe aleatë me të cilët mund të
ndajë informacionin. Nëse ka prova, ato
duhet të hetohen. Nëse ka kërcënim real,
ai duhet të trajtohet. Nëqoftëse ka
ndërhyrje të huaj, autorët duhet të identifikohen. Por nëse nuk ka prova të mjaftueshme për t'i
bërë publike, atëherë një kryeministër duhet të tregojë kujdes të
jashtëzakonshëm në deklaratat e tij.
Sepse një fjalë e kryeministrit nuk është një koment i zakonshëm në
rrjetet sociale. Ajo mund të ndikojë në marrëdhëniet ndërkombëtare, në
opinionin publik dhe në besimin midis shteteve.
Sidomos kur bëhet fjalë për vende anëtare të NATO-s.
Në
fakt, edhe Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatovi?, (sipas burimeve të ai) ka
reaguar duke kërkuar që çështjet e sigurisë dhe stabilitetit të trajtohen me
kujdes e përgjegjësi, mbi bazën e fakteve dhe përmes institucioneve. Ai ka
thirrur për 31 gusht një mbledhje urgjente të Këshillit të Mbrojtjes dhe
Sigurisë të ved nit të tij, për të kërkuar informacion të saktë mbi pretendimet
e kryeministrit. Kjo është shumë
domethënëse. Sepse edhe brenda Malit të
Zi po kërkohet që deklaratat e kryeministrit të shoqërohen me fakte dhe
përgjegjësi institucionale. Dhe kjo
është pikërisht ajo që duhet kërkuar edhe nga Shqipëria. Nëse Shqipëria
akuzohet, le të dalin provat. Nëse nuk
akuzohet, le të thuhet qartë. Sepse në marrëdhëniet midis dy vendeve fqinje,
sidomos midis dy vendeve anëtare të NATO-s, nuk mund të ndërtohet politika mbi
aludime. Historia e marrëdhënieve
shqiptaro-malazeze është shumë e gjatë për t'u trajtuar me deklarata të
papeshuara. Dhe shqiptarët e Malit të Zi janë shumë të rëndësishëm për t'u bërë
pjesë e një loje të re politike rajonale.
Një
kryeministër ka të drejtë të mbrojë vendin e tij. Por pikërisht sepse është
kryeministër, ka edhe detyrimin të masë fjalët e tij. Në rastin konkret, pyetja mbetet e
hapur: Nëse ekzistojnë vërtet
"informacione serioze operative" për një përpjekje për destabilizimin
e Malit të Zi, pse nuk bëhen të qarta faktet dhe pse lihet hapësirë që një vend
fqinj dhe aleat i NATO-s si Shqipëria të vihet në shënjestër të dyshimeve? Kjo është një pyetje që Podgorica zyrtare
duhet t'i përgjigjet.


