Frank Shkreli: Kur një shoqëri nuk përballet me të kaluarën komuniste, e kaluara rikthehet
KUR NJË SHOQËRI NUK PËRBALLET ME TË KALUARËN KOMUNISTE
E KALUARA RIKTHEHET
Nga
poezia për Enver Hoxhën në një bibliotekë publike në Lushnje tek përgjegjësia e
shtetit dhe e klasës politike

Pamjet dhe lajmi se në një bibliotekë
publike në Lushnjë janë recituar vargje në nderim të Enver Hoxhës nuk janë
thjesht një episod që mund të kalojë pa u vënë re. Se një institucion publik i
kulturës nuk duhet të bëhet skenë për nostalgjinë dhe glorifikimin e
diktaturës. Frank SHKRELI / Reabilitohet Enver Hoxha
| Gazeta Telegraf. Pamje si ajo në Lushnjë duhet
të na bëjnë të mendojmë më thellë për mënyrën se si Shqipëria e ka trajtuar të
kaluarën e saj komuniste gjatë 35 viteve të tranzicionit. Frank Shkreli: 35 -vjet tranzicion,
Shqipëria ende nuk është përballur me të kaluarën komuniste | Gazeta Telegraf. Pyetja e vërtetë nuk është vetëm si mund të recitohen sot vargje
për diktatorin në një institucion publik. Pyetja më e rëndësishme duhet të jetë
si arritëm deri këtu? Se një shoqëri nuk mund ta ndërtojë të ardhmen duke e
lënë të kaluarën të paqartë, të patrajtuar ose të interpretuar sipas interesave
politike të ditës. Aq më tepër kur bëhet fjalë për një regjim që për afër
gjysmë shekulli mohoi lirinë politike, pluralizmin, lirinë e fjalës dhe të
drejta të tjera themelore të njeriut, madje mohoi dhe shpalli armik edhe Zotin.
Frank Shkreli: Shkurti i zi i vitit
1967, kur Shqipëria komuniste i shpalli luftë Zotit | Gazeta Telegraf
Përballja me komunizmin nuk do të thotë
të ndalosh dikë të shkruaj një poezi. Jo, nuk do të thotë të ndalosh një
qytetar të ketë mendimin e vet. Demokracia duhet të jetë më e fortë se
nostalgjia. Por demokracia kërkon që shteti të mos e ngatërrojë lirinë e
individit me rehabilitimin institucional të një diktature. Një bibliotekë
publike është hapësirë e të gjithë qytetarëve – nostalgjikë të regjimit dhe të
përndjekurve të atij regjimi diktatorial. Bibëioteka mund dhe duhet të
organizojë një debat për Enver Hoxhën, mund të paraqesë dokumente të periudhës
komuniste, mund të ftojë studiues me pikëpamje të ndryshme. Por detyrimi i saj
është që historia të trajtohet me seriozitet dhe me kontekst. Sepse historia e
komunizmit nuk është vetëm ajo që kujtojnë nostalgjikët, siç bëri ajo zonja në
bibliotekën publike të Lushnjes. Historia komuniste është edhe ajo që kanë
përjetuar viktimat e shumta të komunizmit barbar. Është historia e
njerëzve që u burgosën vetëm për bindjet e tyre politike anti-komuniste. E
familjeve të internuara. E atyre që humbën jetën. E intelektualëve të dënuar. E
pronarëve të shpronësuar. E klerikëve të persekutuar. Një shtet që i
shpalli luftë Zotit dhe ende nuk i ka kërkuar falje njeriut. Frank Shkreli: Shkurti 1967, krimi që
ende nuk quhet krim | Gazeta Telegraf. E
qindra mijëra shqiptarëve që jetuan nën frikën e shtetit. Këto histori
nuk mund të fshihen nga kujtesa kombëtare vetëm sepse kanë kaluar dekada dhe se
ashtu i teket, qoftë edhe një poete.
Sa herë e kam thenë e shkruar se,
pikërisht, këtu qëndron përgjegjësia e politikës shqiptare. Frank Shkreli: Nuk mund të hesht për
krimet e komunizmit! | Gazeta Telegraf --Pas rënies
së komunizmit, Shqipëria pati mundësinë të ndërtonte një proces të gjerë dhe të
qëndrueshëm të përballjes me të kaluarën e saj komuniste. Por ky proces ka
mbetur i paplotë dhe shpesh është trajtuar në mënyrë të fragmentuar e të
politizuar, nga udhëheqsit më të lartë të shtetit dhe të qeverive shqiptare, e
deri te "poetja" e Lushnjes. Përgjegjësia nuk mund t'i
ngarkohet vetëm një partie apo një qeverie. Përgjatë 35 viteve kanë qeverisur
forca të ndryshme politike dhe të gjitha kanë pasur mundësinë të kontribuojnë
në ndërtimin e një kulture të qëndrueshme të kujtesës, siç kanë bërë shumica e
vendeve ish-komuniste të Evropës lindore. Jam shprehur shpesh se
përgjegjësia është më e gjerë. Frank Shkreli: Shqipëria të dënojë
zyrtarisht vra.sjet makabër të komunizmit | Gazeta Telegraf. Është përgjegjësi e klasës politike të tranzicionit. Është
përgjegjësi e institucioneve të arsimit dhe kulturës. Është përgjegjësi e
historianëve, intelektualëve dhe mediave. Dhe, mbi të gjitha, është
përgjegjësi e shtetit që brezat e rinj të mos e mësojnë komunizmin nga legjendat,
nostalgjia apo propaganda, por nga dokumentet, dëshmitë dhe faktet. Sepse
aty ku mungon historia e vërtetë, lind miti. Dhe aty ku mungon kujtesa,
nostalgjia mund të gjejë terren. Kjo është arsyeja pse ngjarje të tilla
si ajo në Lushnjë nuk duhen parë si çështje të vogla kulturore. Ato janë një
sinjal se përballja e shoqërisë shqiptare me të kaluarën komuniste ende nuk ka
përfunduar. Përballja me të kaluarën komuniste, nuk është hakmarrje,
është kujtesë. Frank Shkreli: Lavdi grave të
qendresës anti-komuniste shqiptare. Ka ardhur koha që Shqipëria dhe politika të bëjnë një dallim të
qartë. Përballja me krimet e komunizmit nuk është hakmarrje ndaj atyre që
kanë menduar ndryshe. Nuk është luftë kundër një brezi. Nuk është
përpjekje për të fshirë historinë. Përkundrazi. Është përpjekje për ta
vendosur historinë në vendin e saj. Një shoqëri demokratike nuk ka pse të
ketë frikë nga e vërteta. Ajo duhet të jetë në gjendje të shohë edhe faqet më
të errëta të historisë së saj pa i zbukuruar dhe pa i fshehur. Nëse
Shqipëria dëshiron të ecë përpara, duhet t'u japë hapësirë edhe zërave të
viktimave të diktaturës. Duhet të ruajë dokumentet, të kujtojë viktimat, të
edukojë brezat dhe të krijojë institucione ku historia mund të studiohet pa
ndërhyrje politike. Sepse një komb që nuk njeh vuajtjet e veta rrezikon
t'i relativizojë ato. Dhe kur krimet relativizohen, rruga drejt
nostalgjisë bëhet më e shkurtër. Frank Shkreli: Klasa politike në
Shqipëri dhe në Kosovë po tradhëton shpresën dhe besimin e shqiptarëve për të
ardhmen | Gazeta Telegraf
Shumë mire që rasti i Lushnjes të
tërheq vëmendje e publikut, por kjo çeshtje nuk duhet të mbetet në Lushnje.
Pyetja duhet t'i drejtohet çdo bashkie, çdo biblioteke, çdo muzeu, çdo shkolle
dhe çdo institucioni public, Akademia e Shkencave e universitetet: Çfarë
mesazhi u përcjellet brezave për diktaturën komuniste?
A po u mësojmë se liria dhe demokracia
janë vlera që duhet të mbrohen? A po u tregojmë se çfarë ndodh kur një
parti, një ideologji dhe një udhëheqës vendosen mbi individin dhe mbi të
drejtat e tij? A po u tregojmë historinë e atyre që vuajtën? A po i
ruajmë dëshmitë e tyre? Apo po lejojmë që boshllëkun ta mbushë
nostalgjia? Këto janë pyetje që nuk mund të shmangen më. Pas 35 vitesh,
Shqipëria nuk ka nevojë për një luftë të re politike mbi komunizmin. Ka nevojë
për një konsensus demokratik mbi faktin se krimet dhe shkeljet e të drejtave të
njeriut nuk mund dhe as nuk duhet të relativizohen nga nostalgjia politike,
sidomos kur ky relativizim praktikohet nga nivelet më të larta politike,
akademike dhe institucionale të Shqipërisë. Shqipëria ka ende plagë të
pambyllura me të kaluarën e saj komuniste. Ish i burgosuri i regjimit
komunist të Enver Hoxhës, Profesori i ndjerë Sami Repishti do u thonte se me
relativizimin e krimeve të komunizmit po lëndoni gjithnjë "plagët tona të
hapuna" SAMI REPISHTI – JU LUTEMI, MOS LËNDONI
PLAGËT TONA TË HAPUNA! – Dielli | The Sun
Të rinjtë shqiptarë duhet të kenë
mundësi ta studiojnë komunizmin pa propagandë, por edhe pa harresë, siç po
ndodhë edhe në Shtetet e Bashkuara. Dhe kjo nuk mund të jetë detyrë vetëm
e familjeve të ish-të përndjekurve. Është detyrë dhe përgjegjësi e
shtetit. Shikoni botën rreth jush. Frank Shkreli: Kur historia e
komunizmit hyn në klasat amerikane | Gazeta Telegraf. Është detyrë e gjithë shoqërisë. Është detyrë e kujtesës
kombëtare. Sepse e ardhmja nuk ndërtohet duke harruar të kaluarën.
Ndërtohet duke e njohur atë. Dhe nëse sot diktatori mund të rikthehet në
vargje si "yll" e "dritë", brenda një institucioni publik,
ndoshta kjo duhet të na bëjë të kuptojmë se problemi nuk është vetëm nostalgjia
e disa individëve. Problemi është se 35 vjet nuk kanë mjaftuar për ta
bërë kujtesën e diktaturës një pjesë të qëndrueshme të ndërgjegjes demokratike
të Shqipërisë. Kjo është një përgjegjësi që politika dhe institucionet
shqiptare nuk mund ta shtyjnë më, pafundësisht. Sepse një vend që nuk përballet
me të kaluarën e vet e ka më të vështirë të ndërtojë një të ardhme të sigurt
demokratike. Për ata që kanë sy për të parë dhe veshë për të dëgjuar, ky fakt
po shihet çdo ditë në rrugët e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, po shihet,
sidomos, në largimin masiv të rinisë shqiptare nga vendlindja. Shqipëria
dhe Kombi shqiptar kanë nevojë për një pajtim kombëtar. Frank Shkreli*: Pajtimi kombëtar, mbi
të gjitha! | Gazeta Telegraf
E kaluara komuniste nuk zhduket duke e heshtur ose duke e injoruar atë. Se, do
s'do ajo rikthehet -- ndonjëherë edhe në vargje, madje edhe në një
bibliotekë publike si ajo e Lushnjes, ditët e fundit. Kujtesa historike
pra, nuk është pronë private, por është e të gjithëve. Dhe diktatura nuk bëhet
më e butë as më pak diktaturë, vetëm se për 'të shkruhen vargje.
Një bibliotekë publike duhet të jetë
shtëpi e librit. Jo strehim i nostalgjisë për diktaturën kriminale komuniste
pothuaj gjysëm shekullore.


