Frank Shkreli: 4 Korrik 2026 – 250 vjet Amerikë: një miqësi që ndryshoi përgjithmonë historinë e shqiptarëve
4 KORRIK, 2026 -
250-VJET AMERIKË: NJË MIQËSI QË
NDRYSHOI PËRGJITHMONË
HISTORINË E SHQIPTARËVE

Megjithë
problemet e brendshme dhe protestat prej më shumë se një muaji, në Tiranë dhe
qytete të tjera shqiptare vazhdojnë protestat masive studentore-qytetare kundër
regjimit të Kryeministrit Edi Rama dhe politikave të tija ekonomike dhe
shoqërore. Nën hijen e protestave
anti-qeveritare ne Tiranë, 4 Korriku, 2026 shënon 250-vjetorin e Amerikës – një
ditë që shqiptarët kudo festojnë dhe kujtojnë sot këtë përvjetor me rëndësi për
dy kombet e mëdha mike –Kombit Amerikan dhe atij shqiptar – por ndoshta duhet
të shërbejë edhe si një rast për të reflektuar edhe për demokracinë, lirinë dhe
protestat e qytetarëve me fokus të drejtat e tyre si qytetarë të atj vendi.
Por
qëllimi i këtij shënimi modest eshtë 250-vjetori i Amerikës dhe rëndësia e
këtij përvjetori për shqiptarët gjatë 100- e ca viteve lidhje midis dy popujve tanë. Kur Amerika i doli zot Kombit Shqiptar. Dyqind e pesëdhjetë vjet më parë, atëbotë,
lindi një republikë e ndërtuar mbi idealet e lirisë, dinjitetit njerëzor dhe
qeverisjes demokratike. Në kuadër të
250-vjetorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, historia e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane
është një histori besimi, miqësie dhe mbështetjeje në momentet më vendimtare
për fatin e Kombit shqiptar, sidomos gjatë 100-viteve të lidhjeve
shqiptaro-amerikane: në çastet kur liria, identiteti kombëtar, dinjiteti dhe e
drejta për të jetuar në paqe u vunë në provë për shqiptarët, ndërkohë që
Shtetet e Bashkuara ishin në krye të përpjekjeve, në mbrojtje të interesave dhe
eksistencës kombëtare të shqiptarëve.
Një nga momentet më të rëndësishme të këtyre përpjekjeve të herëshme të
fillim shekullit të kaluar, ishte qëndrimi i Presidentit Woodrow Wilson, i cili
pas Luftës së Parë Botërore kundërshtoi copëtimin e Shqipërisë dhe mbrojti të
drejtën e saj për të ekzistuar si shtet i pavarur, pasi Wilsoni, sipas
kujtimeve të Peshkop Fan Nolit, i kishte premtuar atij se një zë që do kishte
në Konferencën e Paqës, atë zë do e përdorte në mbrojtje të Shqipërisë. Ky
angazhim amerikan i asaj kohe, mbetet një nga gurët themelorë të miqësisë
shqiptaro-amerikane, mbi 100-vjeçare.
Por
lufta kundër shqiptarëve dhe të drejtave të tyre në Ballkanin Perendimor nuk
pushoi kurrë. Dekada më vonë, gjatë
shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, Presidenti George H. W. Bush, gjithnjë në
mbrojtje të shqiptarëve dhe të drejtave të tyre në tokat e tyre shekullore –
përball kërcënimeve serioze për spastrim etnik dërgoi një mesazh të qartë
amerikan, në reagim të kërcënimeve serbe kundër shqiptarëve të Kosovës për
regjimin e Beogradit. Në dhjetor 1992, paralajmërimi i njohur si
"Paralajmërimi i Krishtlindjeve" ("Christmas Warning") i
Presidentit Bush, bëri të ditur se Shtetet e Bashkuara do ta konsideronin, me
seriozitetin më të madh, çdo përdorim të forcës ushtarake serbo-jugosllave
kundër shqiptarëve autoktonë në Kosovë. Ky ishte një sinjal i fortë amerikan
dërguar regjimit terrorist serbo-jugosllav se Amerika nuk do të qëndronte
indiferente përballë një përshkallëzimi të dhunës serbo-sllave kundër
shqiptarëve.
Por,
megjithë paralajmërimet amerikane, për mos shkelje vizash së kuqe në Kosovë,
kriza politike dhe ushtarake në Kosovë arriti kulmin nga fundi i 1990-ave.
Kësaj radhe qe një president tjetër amerikan, Presidenti Bill Clintoni që i
erdhi në ndihmë shqiptarëve. Presidenti
Clinton udhëhoqi politikën amerikane kundër Serbisë që çoi, më në fund, në
ndërhyrjen e NATO-s kundër forcave terroriste serbe, duke ndaluar spastrimin
etnik dhe duke krijuar kushtet që Kosova të ndërtonte rrugën e saj drejt
lirisë, shtetësisë dhe më në fund drejt pavarësisë. Më 10 qershor 2007, gjatë vizitës së tij
historike në Tiranë, Presidenti George W. Bush i riu – në vazhdën e mbështetjes
amerikane për Shqipërinë dhe për shqiptarë -- dha një mesazh të qartë e të
fortë në mbrojjtje të të drejtave të shqiptarëve -- përsëri nga një President i
Amerikës, që u dëgjua në mbarë botën: "Kosova duhet të jetë e
pavarur." Kjo deklaratë shënoi një moment tjetër vendimtar diplomatik dhe
i dha një shtysë të fuqishme procesit që kulmoi me shpalljen e pavarësisë së
Kosovës më 17 shkurt 2008.
Në
të gjitha këto momente, Amerika dëshmoi se marrëdhënia me shqiptarët nuk ishte
vetëm një aleancë strategjike, por një partneritet i ndërtuar mbi vlerat e
lirisë, demokracisë dhe respektit për të drejtat e njeriut. Një fakt se Shtetet e Bashkuara të Amerikës –
pa dallime politike, republikanë e demokratë -- kanë zgjedhur gjatë gjithë
kësaj historie më shumë se 100-vjeçare me shqiptarët, të qendronin në anën e
duhur dhe të drejtë të historisë.
Prandaj, mirënjohja shqiptare ndaj Amerikës dhe popullit amerikan në
këtë 250-vjetor nuk është vetëm një slogan politik e madje as edhe ndonjë
formulë diplomatike. Por është një mirënjohje historike që buron kryesisht nga
kujtesa e fortë historike e një populli që e di mirë se kush i ka qëndruar
pranë në ditët më të vështira të historisë së tij moderne. Duke mos harruar, njëkohsisht, as sot kur valet e
e pasigurisë po rikthehen në shumë pjesë të botës dhe kur demokracia dhe liria
po përballen me sfida të reja, lidhjet midis Kombit Amerikan dhe Kombit
Shqiptar, duhet të mbeten gjithnjë ndër asetet më të çmuara të shqiptarëve
kudo.
Me
rastin e 250-vjetorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shqiptarët kujtojnë
me mirënjohje kontributin e popullit amerikan dhe të presidentëve të tij që
lanë gjurmë në historinë kombëtare shqiptare. Miqësia shqiptaro-amerikane
mbetet një nga shtyllat më të forta të orientimit euroatlantik të Kombit
shqiptar dhe një dëshmi se aleancat e ndërtuara mbi vlera të përbashkëta i
rezistojnë kohës dhe rreziqeve. Gëzuar
250-vjetorin, Shteteve të Bashkuara të Amerikës! Faleminderit që në momentet
vendimtare të historisë i dolët zot lirisë dhe aspiratave të Kombit Shqiptar
nga sulmet dhe plane grabitqare të huajve.
Unë jam veç një shqiptaro-amerikan dhe flas vetëm në emrin tim personal
kur them se, ndërsa Shtetet e Bashkuara kremtojnë sot me 4 Korrik, 2026, 250-vjetorin,
komuniteti shqiptaro-amerikan i bashkohet këtij jubileu me një fjalë të
thjeshtë, por të mbushur me kuptim historik: THANK YOU, AMERICA! Faleminderit, Amerikë! Faleminderit që për
mua, familjen time si dhe për breza emigrantësh shqiptarë që erdhën në brigjet
e tua, me pak pasuri materiale, por me shumë shpresë në zemër, duke u bërë
strehë e sigurt për të gjithë ne. Faleminderit që na dhe mundësi të ndërtonim
jetë të re, të arsimonin fëmijët tanë dhe të bëheshim pjesë e një shoqërie ku
puna, talenti dhe përkushtimi vlerësohen më shumë se prejardhja etnike. Faleminderit që në momentet vendimtare të
historisë kombëtare të shqiptarëve qëndrove pranë aspiratave të shqiptarëve për
liri, demokraci dhe të drejta njerëzore. Kujtoj në në këtë 250-vjetor se në
Amerikë, ne shqiptarët nuk gjetën vetëm një atdhe të dytë. Këtu gjetëm një vend
ku mundën të ruanin identitetin, gjuhën, traditat dhe besimin, duke u bërë,
njëkohësisht, qytetarë krenarë amerikanë. Kjo pra është forca e modelit
amerikan në këtë 250-vjetor: uniteti kombëtar amerikan, pa kërkuar
uniformitet. Nuk është rastësi që
figurat më të ndritura të diasporës sonë, e deri te veprimtarët e shumtë të
komunitetit shqiptaro-amerikanë, e shohim Amerikën si tokën ku liria dhe
përgjegjësia qytetare ecin krah për krah. Sot, ndërsa festojmë këtë përvjetor
me rendësi le të kontribojmë në
ndërtimin e Amerikës dhe të falënderojmë brezat e amerikanëve që ndihmuan
çështjen shqiptare në kohë sfidash dhe sakrificash.
Historia
e komunitetit shqiptaro-amerikan është një histori mirënjohjeje, por edhe
kontributi. Është historia e njerëzve që erdhën për të kërkuar liri, mundësi dhe që, në këmbim, i dhanë
Amerikës punën, dijen, kulturën dhe përkushtimin e tyre. Në këtë 250-vjetor,
mesazhi i shqiptaro-amerikanëve si unë, është i qartë: Faleminderit, Amerikë,
për lirinë që frymëzon. Faleminderit për mundësitë që krijon. Faleminderit për
miqësinë dhe mbrojtjejn që ke treguar ndaj shqiptarëve.
Dhe,
siç do të thoshin etërit e diasporës sonë, le të vazhdojë të forcohet kjo lidhje
e veçantë mes popullit amerikan dhe popullit shqiptar, e ndërtuar mbi vlera të
përbashkëta, respekt të ndërsjellë dhe besim te liria.
Gëzuar
250-vjetorin, Amerikë!
Me
mirënjohje dhe krenari!
Frank
Shkreli

Faleminderit
për Pres. Wilson që mbrojti Shqipërinë dhe shqiptarët në Konferencën e Paqës në
Paris (1919-1920)

Faleminderit
për Pres. Bushin e vjetër që paralajmëroi Serbinë kundër padrejtësisë me
“Paralajmërimin e Krishtlindjes” në mbrojtje të shqiptarëve të Kosovës nga
spastrimi etnik djellëzor i Millosheviçit
(Dhjetor 1992)

Faleminderit
për Pres. Clinton që me angazhimin e Aleancës ushtarake NATO shpëtoi Kosovën
duke sulmuar forcat serbe brenda Kosovës dhe objektivave ushtarake serbe anë e
mbanë ish-Jugosllavisë. (mars 1999)

Faleminderit
për Pres. Bushin e ri i cili gjatë një vizite zyrtare në Tiranë deklaroi se
“mjaft është mjaft”, Kosova të jetë e pavarur tanimë. (Qershor 2007)
Përveç
falënderimeve të këtyre udhëheqësve amerikanë, për mbështetjen e tyre ndaj të
drejtave të shqiptarëve – në këtë 250-vjetor të Amerikës, falenderimet më të
veçanta i shkojnë popullit amerikan për një miqësi që në një shekull histori e
ka bërë të pavdeshme këtë miqësi – Gëzuar 250-vjetorin, Amerikë!
NJË
KOMB I TËRË SHQIPTAR JU PËRSHËNDET ME RESPEKT, KRENARI DHE MIRËNJOHJE TË
THELLË!








