Frank Shkreli: Përqafimi Zelensky–Vuçiç dhe plaga që duhet të na shqetësojë më shumë - përçarja shqiptare
PËRQAFIMI ZELENSKY-VUÇIÇ DHE PLAGA QË DUHET TË NA SHQETËSOJË MË SHUMË: PËRÇARJA SHQIPTARE

Ukraina kërkon respekt për sovranitetin
e saj, Serbia këmbëngul kundër Kosovës, ndërsa Tirana dhe Prishtina vazhdojnë
të flasin shpesh me dy zëra. Kjo është koha për një politikë shqiptare më të
bashkuar, më të mençur dhe më të vendosur. Përqafimi i presidentit ukrainas
Volodymyr Zelensky me presidentin serb Aleksandar Vuçiç në Beograd nuk mund të
kalojë pa koment. Jo sepse një përqafim diplomatik është diçka e pazakontë, por
sepse pas kësaj fotografie qëndrojnë dy realitete që vështirë se mund të mos
përplasen në mendjen e kujtdo që e njeh sadopak historinë e Ballkanit. Nga
njëra anë është Ukraina, e cila prej vitesh lufton për sovranitetin dhe
integritetin territorial të saj dhe kërkon nga bota që të mos pranojë pushtimin
rus. Nga ana tjetër është Serbia, e cila vazhdon të deklarojë se nuk do ta
njohë kurrë Kosovën si shtet të pavarur. Dhe pikërisht këtu lind pyetja që
Prishtina dhe Tirana duhet t'ia bëjnë hapur Kievit. Si mund të kërkojë
Ukraina respekt për sovranitetin dhe integritetin territorial të saj, ndërsa
vetë vazhdon të mos njohë Kosovën? Kjo nuk është pyetje kundër popullit
ukrainas. Nuk është as kundër luftës së drejtë të Ukrainës për mbijetesë. Është
pyetje për parimet. Sepse nëse sovraniteti dhe integriteti territorial
janë parime të së drejtës ndërkombëtare, atëherë ato duhet të vlejnë për të
gjithë, jo vetëm për ata që kanë nevojë për mbështetjen e botës në një moment
të caktuar.
Solidariteti me Ukrainën nuk kërkon heshtjen për Kosovën. Shqiptarët e kuptojnë shumë mirë dhimbjen e Ukrainës. E kuptojnë mirë çfarë do të thotë të përballesh me një fuqi shumë më të madhe. E kuptojnë çfarë do të thotë të luftosh për lirinë dhe ekzistencën. Kosova ka kaluar nëpër luftë, dëbime, dhunë dhe krime nga regjimi terrorist serb i Millosheviçit. Aleanca perëndimore NATO, ndërhyri për t'i dhënë fund katastrofës humanitare dhe Kosovës iu hap rruga drejt lirisë dhe shtetësisë. Prandaj shqiptarët nuk kanë asnjë arsye të jenë indiferentë ndaj fatit të Ukrainës. Përkundrazi, Shqipëria dhe Kosova duhet të vazhdojnë të jenë në anën e Ukrainës kundër agresionit rus. Por solidariteti nuk do të thotë heshtje. Miku i vërtetë nuk është ai që të duartroket gjithmonë. Është ai që të thotë të vërtetën edhe kur ajo nuk të pëlqen. Dhe e vërteta që duhet t'i thuhet Kievit është e thjeshtë: Nëse integriteti territorial është parim për Ukrainën, ai nuk mund të jetë përjashtim kur bëhet fjalë për Kosovën. Kosova nuk kërkon privilegj. Por kërkon të njëjtin standard.
Ndërkaq, Vuçiçi e di shumë mirë se
çfarë kërkon. Aleksandar Vuçiçi nuk është politikan që vepron pa llogari.
Serbia prej vitesh luan një lojë të kujdesshme mes Perëndimit, Rusisë dhe
Kinës. Beogradi kërkon afrimin me Evropën, por njëkohësisht ruan marrëdhëniet e
veçanta me Moskën dhe vazhdon politikën e tij të mosnjohjes së Kosovës. Tani
Serbia po afrohet edhe me Ukrainën. Ka interesa ekonomike, politike dhe
strategjike. Ukraina ka nevojë për mbështetje, marrëdhënie dhe partnerë të
rinj. Kievi ka interes të forcojë pozitat e veta në Evropë dhe në Ballkan.
Por këtu shtrohet pyetja: A duhet që
Kosova të paguaj çmimin e kësaj diplomacie? Kjo është ajo që Prishtina
duhet ta bëjë të qartë. Sepse Vuçiçi e di se Kosova është karta më e
fuqishme e politikës së jashtme të Serbisë. Dhe nëse Beogradi arrin ta
përdorë afrimin me Ukrainën për të forcuar pozicionin e vet kundër Kosovës,
atëherë kjo nuk duhet të kalojë në heshtje. Por problem kryesor nuk është vetëm
Beogradi, Moska e Kievi.
Këtu arrijmë te pjesa më e dhimbshme e
kësaj historie. Shqiptarët, historikisht, kanë plot të drejtë që të ankohen
dhe të kritikojnë trajtimin e tyre, anë e mbanë trojeve të veta. Por,
para se të drejtojmë gishtin ka Beogradi, Moska, Kievi apo kancelaritë
evropiane, duhet të shohim edhe nga vetja. Plaga më e madhe e shqiptarëve
vazhdon të jetë mungesa e një politike të koordinuar shqiptare, në interes të
kombit. Sidomos vitet e fundit, Tirana dhe Prishtina shumë herë nuk janë
paraqitur si dy shtylla të së njëjtës hapësirë shqiptare dhe evropiane, por si
dy qendra politike që konkurrojnë, dyshojnë dhe kundërshtojnë njëra-tjetrën. Ky
është një luks që shqiptarët nuk mund t'ia lejojnë vetes. Në diplomaci nuk
mjaftojnë emocionet, duhet strategji. Nëse Beogradi shkon në Kiev me një
qëndrim të qartë për interesat e Serbisë, ndërsa Tirana dhe Prishtina shkojnë
nëpër kancelari me mesazhe të ndryshme, kush del më i fortë? Përgjigjja
është e qartë. Serbia nuk ka nevojë gjithmonë të fitojë betejën me shqiptarët.
Mjafton që shqiptarët të humbin kohën duke luftuar me njëri-tjetrin, siç po
ndodhë me klasën aktuale politike në Tiranë dhe në Prishtinë. Ky është një nga
mësimet më të hidhura që duhet të nxjerrim nga fotoja e përqafimit
Zelensky-Vuçiq.
Mjaft është mjaft! Tirana dhe Prishtina
duhet të ulen në të njëjtën tryezë në mbrojte të interesave kombëtare. Kjo
është koha për një ndryshim të mentalitetit politik përçarës që ka dominiuar
marrëdhëniet ndërshqiptare. Nuk është hera e parë që kam theksuar nevojën për
bashkrendim të interesave kombëtare midis Tiranës dhe Prishtinës -Frank Shkreli: Për një normalitet në marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë, jo
fjalë boshe! | Gazeta Telegraf- sidomos kur preken
çështje që kanë rëndësi strategjike për shqiptarët. Tirana dhe Prishtina
duhet të konsultohen me njëra tjetrën, para se të flasin me botën. Jo për të
krijuar një politikë të përbashkët që cenon sovranitetin e Kosovës apo të Shqipërisë.
Jo për të ndërhyrë në punët e njëra-tjetrës. Por për të siguruar që, në
çështjet madhore të Kombit, interesat shqiptare të mos paraqiten të përçara.
Midis dy shteteve shqiptare, duhet të ketë konsultim të rregullt për zhvillimet
në rajon, marrëdhëniet me BE-në dhe NATO-n, dialogun Kosovë–Serbi dhe
marrëdhëniet me fuqitë që ndikojnë në Ballkan. Një Shqipëri e fortë dhe një
Kosovë e fortë nuk janë kërcënim për askënd. Por një Shqipëri dhe një
Kosovë që flasin me dy zëra janë një mundësi për të tjerët. Dhe Beogradi e di
shumë mirë këtë gjë.
Kosova nuk duhet të jetë monedhë
këmbimi. Kjo duhet të jetë pika ku Prishtina dhe Tirana duhet të jenë,
absolutisht, të qarta. Kosova nuk mund të jetë çmimi i një afrimi
Ukrainë–Serbi. Kosova nuk mund të jetë kusuri i një marrëveshjeje
ekonomiko-politike Serbi-Ukrainë. Kosova nuk mund të jetë peng as i interesave
të fuqive të mëdha në rajon. Dhe, mbi të gjitha, Kosova nuk mund të jetë
përsëri në duart e diplomacisë së të tjerëve. Fatkeqsisht, historia shqiptare është
e mbushur me raste kur të tjerët kanë vendosur për shqiptarët. Në konferenca,
në kancelari, në marrëveshje diplomatike. Në tavolina ku shqiptarët shpesh nuk
kanë qenë të pranishëm. Nuk duhet të përsëritet ajo histori. Sot shqiptarët
kanë dy shtete, institucione, aleanca dhe miq ndërkombëtarë. Por, mbi të
gjitha, duhet të kenë edhe vetëdijen politike për të mbrojtur interesat e veta,
me një zë.
Prandaj, përqafimi Zelensky-Vuçiq duhet
të zgjojë shqiptarët, jo t'i trembë ata -- se Zelensky në Beograd po mbron
interesat e Ukrainës. Vuçiçi po mbron interesat e Serbisë. Kancelaritë
evropiane po mbrojnë interesat e tyre. Kjo është politika ndërkombëtare. Pyetja
që shqiptarët duhet t'i bëjmë vetes është: Kush po i mbron interesat e Kosovës,
Shqipërisë dhe të drejtat e shqiptarëve në përgjithsi, në trojet e veta
shekullore? Frank Shkreli: At Gjergj Fishta dhe të
drejtat e shqiptarëve - Zemra Shqiptare Dhe këtu shqiptarët nuk mund të presin gjithmonë përgjigjen nga të
tjerët. Duhet ta japin vetë përgjigjen në mbrojtje të interesave të përbashkëta
të dy shteteve shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Prishtina duhet të flasë.
Tirana duhet të flasë. Dhe, për çështjet strategjike, duhet të flasin me
një zë. Jo kundër Ukrainës. Jo kundër Evropës. Jo kundër askujt. Por për
Kosovën dhe për interest kombëtare të shqiptarve, sidomos Kosovës, se Kosova
nuk është monedhë këmbimi, as nuk është dekor diplomatik, për askënd. As nuk
është dosje që hapet e mbyllet sipas interesit të ditës, nga miq e armiq të
saj. Kosova sot është një realitet politik, historik dhe njerëzor, një shtet i
pavarur i njohur nga mbi 120-shtete të botës. Dhe nëse përballë një
fotografie Vuçiq-Zelenski në Beograd, Tirana dhe Prishtina vazhdojnë të merren
më shumë me njëra-tjetrën sesa me atë që po ndodh rreth tyre, atëherë rreziku
nuk vjen vetëm nga jashtë. Rreziku vjen edhe nga renda –"rreziku i
përbrenshëm", e ka quajtur dikur At Gjergj Fishta -- paaftësia e liderve
të klasës aktuale politike shqiptare në Tiranë dhe në Prishtinë për të qenë
bashkë kur historia i kërkon të jenë bashkë. Frank Shkreli: Pa busull historike,
kur "kultura" përplaset me kujtesën kombëtare në Prizren dhe heshtja
e institucioneve në Prishtinë e në Tiranë | Gazeta Telegraf. Kjo është ajo që duhet të ndryshojë. Jo nesër, por sot.
"Qëllimi ynë i shenjtë është mbrojtja e të drejtave të Kombit
shqiptar", ka thënë Abdyl Frashëri, ideolog e atdhetar i shquar i
Rilindjes së Vërtetë Kombëtare Shqiptare.


