Frank Shkreli: At Pjetër Meshkalla – ndërgjegjja e lirë që sfidoi diktaturën komuniste
AT PJETËR MESHKALLA – NDËRGJEGJJA E LIRË QË SFIDOI DIKTATURËN KOMUNISTE

Në
historinë e Shqipërisë së shekullit XX ka figura që nuk maten me postet që
mbajtën, as me pushtetin që ushtruan, por me forcën morale me të cilën mbrojtën
të vërtetën. Ata u bënë ndërgjegjja e një kombi në kohët kur ndërgjegjja
kërkohej të heshtte. Një prej këtyre figurave është At Pjetër Meshkalla,
jezuiti, edukatori, intelektuali dhe i burgosuri i ndërgjegjes, i cili mbeti i
palëkundur përballë një prej diktaturave më të egra komuniste të Evropës.
Në
38-vjetorin e kalimit të tij në amshim, kujtimi i At Pjetër Meshkallës nuk
është vetëm një akt nderimi për një meshtar të shquar të Kishës Katolike
Shqiptare. Ai është një detyrim moral për të kujtuar një shqiptar që e mbrojti
lirinë e ndërgjegjes kur ajo ishte shpallur armike e shtetit dhe që dëshmoi me
jetën e tij se asnjë regjim nuk mund ta nënshtrojë shpirtin e lirë të
njeriut. I lindur në Shkodër më 26
shtator 1901, At Pjetër Meshkalla u formua në traditën intelektuale të Urdhrit
Jezuit, duke kryer studimet në Austri, në Itali dhe në Slloveni. Ai u kthye në
Shqipëri me bindjen se arsimi ishte themeli i qytetërimit dhe se edukimi i
brezave ishte shërbimi më i madh ndaj kombit. Për nxënësit e tij, ai ishte më
shumë se profesor: ishte formues i karakterit, që i mësonte të mendonin
lirshëm, të kërkonin të vërtetën dhe të mbronin dinjitetin njerëzor. Ky formim humanist dhe evropian e bëri të
papajtueshëm me çdo ideologji totalitare, përfshir atë komuniste. Ashtu siç
kishte kundërshtuar fashizmin, ai nuk mund të pranonte as komunizmin, i cili
synonte të nënshtronte jo vetëm institucionet, por edhe mendimin dhe
ndërgjegjen e njeriut. Për këtë arsye At Pjetër Meshkalla u arrestua në vitin
1946 dhe kaloi shumë vite në burgjet dhe kampet e regjimit komunist. Por burgu
nuk e ndryshoi. Përkundrazi, ai e forcoi. Bashkëvuajtësit e kujtojnë jezuitin
shqiptar si një njeri të qetë, me humor të hollë, të mbushur me besim dhe
shpresë. Në qelitë e errëta ai vazhdoi të ishte mësues, duke u dhënë kurajë të
burgosurve dhe duke u kujtuar se e keqja nuk është kurrë e përjetshme.
Në
veprën monumentale "Rrno vetëm për me tregue", At Zef Pllumi e
përshkruan At Pjetër Meshkallën si një ndër figurat më fisnike të klerit
katolik shqiptar, një njeri me kulturë të gjerë, urti të rrallë dhe qetësi
shpirtërore të jashtëzakonshme. Për At Zef Pllumin, Meshkalla ishte një mësues
edhe në burg, sepse predikonte me shembullin e jetës së tij dhe jo vetëm me
fjalë. Frank Shkreli: Porosia e At Zef
Pllumit në 100-vjetorin e lindjes drejtuar intelektualëve dhe klasës politike
shqiptare: Dashuria për njëri tjetrin dhe progresi i kombit | Gazeta Telegraf
Kulmi
i qëndresës qytetare të At Meshkallës erdhi në vitin 1967, kur regjimi komunist
ndërmori fushatën barbare për zhdukjen e fesë në Shqipëri, duke mbyllur e
shkatërruar kishat, xhamitë dhe teqetë, ndërsa vendi u shpall, "shteti i
parë ateist në botë", duke i shpallur luftë edhe Zotit. Frank Shkreli: Shkurti 1967, krimi që ende
nuk quhet krim | Gazeta Telegraf

At
Pjetër Mëshkalla i përket atij brezi të jashtëzakonshëm të klerikëve dhe
intelektualëve shqiptarë, siç janë – Imzot Vinçenc Prennushi Frank Shkreli: 70-vjet më parë ndërroi jetë
nën tortura – Bariu i katolikëve dhe Engjëlli i myslimanëve | Gazeta Telegraf),
At Gjon Shllaku, At Bernardin Palaj, Dom Shtjefën Kurti, (Frank Shkreli:
"Fajtori" i pafajshëm! 50-vjetori i ekzekutimit të Dom Shtjefën
Kurtit nga regjimi barbar komunist i Enver Hoxhës | Gazeta Telegraf )At Zef
Pllumi e shumë të tjerë – që nuk pranuan ta sakrifikonin të vërtetën për hir të
pushtetit. Në të njëjtën traditë kulturore dhe evropiane qëndrojnë, ndër të
tjerë, edhe Ernest Koliqi dhe Martin Camaj, të cilët, secili në mënyrën e vet,
mbrojtën identitetin kulturor e kombëtar të shqiptarëve dhe për këtë u
përballën me shpifje, (madje deri në ditët e sotëme), përndjekje ose mërgim.
Këta burra nuk i bashkonte ideologjia; i bashkonte një ideal më i lartë: bindja
se Shqipëria i përket qytetërimit perëndimor, se liria e mendimit është e
shenjtë dhe se kultura nuk mund të ndërtohet mbi frikën.
At
Pjetër Meshkalla ndërroi jetë më 28 korrik 1988, vetëm dy vjet para shembjes së
regjimit që e kishte burgosur për një pjesë të madhe të jetës. Ai nuk e pa me
sytë e tij rikthimin e lirisë fetare dhe pluralizmit politik, por jetoi
mjaftueshëm për të dëshmuar se asnjë diktaturë nuk është e përjetshme. Sot, kur shpresojmëp që Shqipëria të bëhet
pjesë e botës demokratike dhe të forcojë institucionet e saj mbi vlerat e
shtetit të së drejtës, figura e At Pjetër Meshkallës merr një domethënie edhe
më të madhe. Kujtesa për 'të nuk duhet të mbetet vetëm një ceremoni përkujtimore.
Ajo duhet të shërbejë si kujtesë se liria nuk është e garantuar përgjithmonë,
se demokracia kërkon qytetarë me ndërgjegje të lirë dhe se pajtimi me historinë
është i mundur vetëm mbi themelin e së vërtetës.
Sot,
në një kohë kur relativizmi moral dhe harresa historike rrezikojnë të zbehin
kujtesën e brezave, jeta e At Pjetër Meshkallës mbetet një testament i gjallë.
Ajo na kujton se njeriu mund të humbasë lirinë fizike, por jo domosdoshmërisht
lirinë e ndërgjegjes; se besimi mund të përndiqet, por jo të zhduket; dhe se e
vërteta mund të vonojë, por nuk mund të mposhtet. Ky është mësimi që na lë At Pjetër Meshkalla
sot. Nuk është vetëm mësimi i një meshtari katolik, por i një shqiptari të madh
që e deshi vendin e tij aq shumë, sa ishte i gatshëm të vuante për të drejtën e
çdo njeriu për të qenë i lirë. Në këtë
38-vjetor të kalimit të tij në amshim, homazhi më i bukur nuk është vetëm ta
kujtojmë. Është të mbrojmë ato vlera për të cilat ai vuajti: lirinë e ndërgjegjes,
dinjitetin njerëzor, tolerancën, besimin dhe demokracinë e vërtetë. Ky shkrim
modest është një homazh për një njeri që nuk e ndau kurrë fenë nga dashuria për
Atdheun dhe nuk e ndau kurrë besimin nga mbrojtja e dinjitetit njerëzor.
Njëkohsisht, për ata që interesohen, është një ftesë për brezat e sotëm që të
njohin një nga personalitetet më fisnike të historisë shqiptare dhe të kuptojnë
se liria, demokracia dhe të drejtat e njeriut kanë pasur mbrojtës të guximshëm
të vlerave njerëzore dhe kombëtare edhe në vitet më të errëta të diktaturës komuniste. Prandaj, në përvjetorin e kalimit të tij në
amshim, nderojmë At Pjetër Meshkallën me bindjen se shembulli i tij vazhdon të
ndriçojë rrugën e Shqipërisë drejt një të ardhmeje të mbështetur mbi të
Vërtetën, Lirinë, Demokracinë dhe Dinjitetin Njerëzor.
Kjo
është arsyeja pse emri i tij nuk i përket vetëm historisë së Kishës Katolike
Shqiptare. At Pjetër Meshkalla i përket historisë së Shqipërisë! Frank Shkreli*: Harmonia fetare në shkollën
jezuite,"Atë Pjetër Meshkalla" në Shkodër | Gazeta Telegraf


