Frank Shkreli: Anthony Athanas – shqiptari që nderoi Amerikën dhe nuk harroi kurrë Shqipërinë
ANTHONY ATHANAS - SHQIPTARI QË NDEROI AMERIKËN DHE NUK HARROI KURRË SHQIPËRINË
Në
përvjetorin e lindjes së njërit prej vatranëve më të shquar të shekullit të
kaluar

Sa
herë më bie rasti të kujtoj Anthony Athanas, nuk më vjen ndër mend së pari
restoranti i famshëm "Anthony's Pier 4", as fotografitë e tij me
presidentë amerikanë, senatorë, artistë e personalitete botërore që zbukuronin
muret e atij institucioni të njohur të Bostonit. Më kujtohet vetë Anthony. Më kujtohet buzëqeshja e tij e ngrohtë,
mënyra si të priste në hyrje të restorantit dhe përulësia me të cilën të bënte
të ndiheshe si në shtëpinë tënde. Ishte pronar i një prej restoranteve më të
njohura të Amerikës, por nuk sillej kurrë si njeri i rëndësishëm. Përkundrazi.
Kur hynte një shqiptar, ai shihte para së gjithash një bashkatdhetar. Kjo ishte
madhështia e Anthony Athanas.
Kam
pas fatin dhe privilegjin që Anthony Athanas ta kem takuar disa herë kur isha
me shërbim në Washington dhe më vonë gjatë veprimtarive të komunitetit
shqiptaro-amerikan, por dhe në restorantin e tij, në Boston, dhe në takime në
Nju Jork e Boston. Pa përjashtim, çdo herë largohesha nga takimet me të, me të
njëjtën përshtypje: se përballë nuk kisha vetëm një biznesmen të suksesshëm
shqiptaro-amerikan, por një burrë që nuk kishte lejuar që suksesi ta largonte
nga njerëzit e vet, nga "Vatra" dhe nga Shqipëria.
Sot
në përvjetorin e lindjes së tij, mendova se ia vlen të kujtojmë Anthony
Athanas, jo vetëm njeriun që realizoi ëndrrën amerikane, por edhe
shqiptaro-amerikanin që e kishte kuptuar se suksesi merr kuptim të plotë vetëm
kur vihet në shërbim të komunitetit shqiptaro-amerikan, në interes të Amerikës
sonë të dashur dhe të lidhjeve tona të ngushta historike, komb me komb, sidomos
në këtë 250-vjetor të të themelimit të Amerikës. Në përvjetorin e lindjes së
tij, për mua, si shqiptaro-amerikan, kujtimi i Anthony Athanas nuk është vetëm
një detyrim moral ndaj një bashkatdhetari të shquar të cilin kam pasur
priviliegjin ta njoh deri diku. Kjo datë është edhe një rast për të reflektuar
mbi vlerat që ai përfaqësoi gjatë gjithë jetës së tij këtu në Amerikë: punën e
palodhur, integritetin, mirënjohjen ndaj vendit që i hapi dyert dhe për
besnikërinë e pandërprerë të tij ndaj Shqipërisë.
Ka
data, pra, që meritojnë të kujtohen jo vetëm për të nderuar një njeri, por,
njëkohsisht, edhe për t'u kujtuar brezave se çfarë mund të arrijë shqiptari kur
puna, ndershmëria dhe dashuria për atdheun bëhen pjesë e pandashme e jetës së
tij. Përvjetori i lindjes së Anthony Athanas është njëra prej këtyre datave.
Emri i Anthony Athanas nuk lidhet vetëm me restorantin legjendar
"Anthony's Pier 4", siç mendojnë disa, dikur ndër më të njohurit në Shtetet e
Bashkuara, ose me biznese të tjera. Emri
Anthony Athanas, ndoshta si rrallë ndonjë tjetër, lidhet me një jetë që
mishëroi në mënyrën më të denjë atë që amerikanët e quajnë "American
Dream", por që për Anthony Athanas nuk ishte kurrë një histori e
shkëputur, krejtësisht, nga rrënjët e tija shqiptare. Ai ka lindur në Korçë dhe si shumë
bashkatdhetarë të brezit të tij, mori rrugën e emigrimit në një moshë fare të
njomë. Ishte vetëm katër vjeç kur mbërriti në Amerikë, në vitin 1911, për t'u
bashkuar me të atin. Jeta nuk i fali atij asgjë. Në moshën 13-vjeçare u detyrua
të linte shkollën për të punuar. Por ajo që nuk mundi t'i jepte shkolla,
Anthonit ia dha puna, përkushtimi dhe inteligjenca natyrore e shqiptarit. Nga
larës i enëve e deri tek pronari i një prej restoranteve më të famshme të
Amerikës, rruga e tij nuk ishte as e lehtë dhe as e shkurtër. Ishte një jetë e
ndërtuar me djersë, sakrifica dhe këmbëngulje. Kur hapi "Anthony's Pier
4" në Boston në vitin 1963, askush nuk mund ta kishte parashikuar se ai
restorant do të bëhej një institucion amerikan,
i një shqiptari që u bë legjendë amerikane. Për dekada me radhë, "Anthony's
Pier 4" nuk ishte vetëm një restorant. Ishte një simbol i suksesit
amerikan të një shqiptari. Në vitet e lulëzimit të tij, mijëra klientë e
frekuentonin çdo ditë, ndërsa në muret e tij vareshin fotografi me presidentë
amerikanë, senatorë, artistë, diplomatë dhe figura të njohura amerikane dhe botërore.
Për të përmendur vetëm disa, Frank Sinatra, John F. Kennedy, Richard Nixon,
Henry Kissinger, Elizabeth Taylor, Alfred Hitchcock e shumë personalitete të
tjera, ishin mysafirë të rregullt të Anthony Athanas. Megjithatë, as fama dhe as pasuria nuk ia ndryshuan
karakterin e shqiptarit. Anthony nuk e
harroi kurrë vendlindjen. Nuk e harroi gjuhën. Nuk e harroi kombin. Përkundrazi!
Sa
më shumë rritej emri i tij në Amerikë, aq më shumë shtohej angazhimi i tij
qëllim mirë, në shërbim të komunitetit shqiptaro-amerikan. Siç thashë më lartë
ka data që duhet të kujtohen në jetën e disa njerzve, por unë sot po kujtoj
Anthony Athanas edje si një shembëll të rrallë – ndoshta ndër të vetmit të
tillë – të komunitetit shqiptaro-amerikan gjatë shekullit të kaluar e deri në
ditët e sotëme. Anthony Athanas ishte
dhe mbetet, historikisht, ndër figurat më të rëndësishme të Federatës
Pan-Shqiptare "Vatra". Ishte
bashkëpunëtor i afërt i Fan Nolit dhe Faik Konicës dhe më vonë një nga
mbështetësit më besnikë të vazhdimësisë së kësaj organizate historike në
Shtetet e Bashkuara. Për ata që e njihnin, Anthony Athanas, nuk e bëri këtë
angazhim për interes personal, sepse nuk kishte nevojë as për emër, as për
para. Ai i kishte fituar të dyja me punën e tij. E bëri sepse besonte se shqiptari,
sado larg të jetojë, nuk duhet ta harrojë kurrë përgjegjësinë ndaj kombit të
vet. Me një rast, ish-kryetari i
"Vatrës", Agim Karagjozi, e ka përshkruar Anthony Athanas, me të
drejtë, si trashëgimtarin e Fan Nolit në Federatën Vatra. Ishte një vlerësim që
nuk i bëhej një biznesmeni të pasur shqiptaro-amerikan, por një patrioti të
përkushtuar shqiptaro-amerikan. Pas largimit nga jeta të Fan Nolit dhe të
brezit të themeluesve, "Vatra" kishte nevojë për njerëz që ta mbanin
gjallë frymën e saj. Anthony Athanas ishte ndër ata burra që nuk lejuan të
shuhej ai pishtar që Noli, Konica dhe patriotët e tjerë kishin ndezur në fillim
të shekullit të kaluar. Ai nuk e bëri këtë për lavdi personale as për pëfitime
materiale. Ai e bëri këtë sepse e konsideronte si detyrim ndaj historisë së
shqiptarëve në Amerikë.
Më
vonë, ndonëse në moshë të shkuar, dhe kur çështja kombëtare kërkonte zërin dhe
autoritetin e tij, Anthony nuk mungoi. Gjatë luftës së Kosovës ai iu bashkua
delegacioneve amerikane që vizituan Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë, duke
përdorur prestigjin e tij në mbështetje të të drejtave të shqiptarëve. Kjo
ishte arsyeja pse ai gëzonte respekt jo vetëm në komunitetin
shqiptaro-amerikan, por edhe në qarqet më të larta politike dhe shoqërore
amerikane.
Gjatë
jetës së tij shumë dimensionale, Anthony Athanas nderoi Shqipërinë, me
besnikërinë ndaj prejardhjes së vet dhe me shërbimin e palodhur të tij ndaj
komunitetit shqiptaro-amerikan. Sot, në një kohë kur shoqëria shqiptare,
sidomos komuniteti shqitaro-amerikan, kërkon modele frymëzimi, jeta e Anthony
Athanas mbetet, për të gjithë ne, një dëshmi suksesi i vërtetë që nuk matet
vetëm me pasurinë që krijon, por edhe me gjurmën që lë në jetën e njerëzve dhe
në historinë e kombit tënd. Për këtë
arsye, Anthony Athanas nuk është vetëm një figurë e shquar e diasporës
shqiptaro-amerikane. Ai është pjesë e
historisë sonë kombëtare. Sot, kur
shpesh dëgjojmë të flitet për modele frymëzimi në komunitettin
shqiptaro-amerikan ose më gjërë, nuk kemi nevojë t'i kërkojmë larg. Anthony Athanas mbetet një prej tyre. Ai na
kujton se suksesi nuk matet vetëm me pasurinë që grumbullojmë, por me respektin
që fitojmë në komunitet dhe më gjërë, me dorën që u shtrijmë të tjerëve dhe me
shërbimin që i bëjmë kombit tone të origjinës dhe Amerikës tone të dashur. Ky ishte, pra ishte Anthony Athanas. Një
amerikan i mirë. Një shqiptar i madh. Por edhe një vatran që e nderoi përjetë
emrin e shqiptarit në Amerikë. Ai e
deshi Amerikën, sepse Amerika i dha mundësinë të ndërtonte jetën e tij, i lirë.
Por, ai nuk e harroi kurrë Shqipërinë. Pikërisht, për këtë arsye, Anthony
Athanas mbetet një nga figurat më fisnike të historisë së diasporës shqiptare
në Shtetet e Bashkuara. Ashtu do mbahet mend!
Nderim
të përhershëm kujtimit të tij!
Frank
Shkreli
Anthony
Athanas – Shqiptari që u bë një legjendë amerikane (Korrik, 1911- Maj 2005)
Ajka
e dikurshme shqiptare anti-komuniste, Anthony Athanas, Prof Martin Camaj, Dr
Hamdi Oruçi, në një seminar të Federatës Vatra, 1968, Nju Jork
Krerët
e mërgatës shqiptare antikomuniste dikur, Anthony Athanas, Prof. Ernest Koliqi,
Prof. Nexhat Peshkëpia, ndër të tjerë, mbledhur në Romë, 1968 – një rast i
humbur historic për Kombin!
Anthony
Athanas duke folur gjatë një darke në Nju Jork, para një mijë pjesëmarrësve në
një seminar të Vatrës—foto nga revista Shejzat e Ernest Koliqit












