Frank Shkreli: Historia nuk është privilegj – është e drejtë!
HISTORIA NUK ËSHTË PRIVILEGJ -- ËSHTË E DREJTË!
Historia
kombëtare shqiptare në shkollat e Malit të Zi mbetet një prove e papërfunduar e
demokracisë dhe e përgjegjësisë politike shqiptare

Nga
viti në vit, ndërsa shqiptarët në Mal të Zi vazhdojnë përpjekjet për të ruajtur
identitetin e tyre kombëtar, një pyetje bëhet gjithnjë e më shqetësuese: pse
nxënësit shqiptarë në shkollat shqipe nuk mësojnë sa duhet për historinë e
kombit të tyre? Prej kohësh, studiues,
arsimtarë dhe veprimtarë të çështjes kombëtare kanë ngritur zërin për mangësitë
e programeve mësimore dhe teksteve të historisë në shkollat shqipe të atij
vendi. Ndër zërat më të njohur është edhe historiani dhe studiuesi Dom Nikë
Ukgjinaj, i cili ka shprehur shqetësimin se brezat e rinj shqiptarë në Mal të
Zi po privohen nga njohja e thellë e historisë, kulturës dhe trashëgimisë së
tyre kombëtare. Sipas tij, një popull që nuk njeh historinë e vet rrezikon të
humbasë vetëdijen për identitetin dhe të ardhmen e tij.
Në
këtë sfond, përgjegjësia nuk mund të kërkohet vetëm te institucionet shtetërore
të Malit të Zi. Edhe klasa politike shqiptare mban pjesën e saj të
përgjegjësisë, gjatë viteve e dekadave të kaluara. Për më shumë se tri dekada,
partitë politike shqiptare kanë qenë pjesë e jetës institucionale dhe, në
periudha të ndryshme, edhe pjesë e qeverive malazeze. Megjithatë, rezultatet
konkrete në fushën e arsimit kombëtar për fëmijt shqiptarë kanë mbetur larg
pritshmërive të historianëve dhe studiuesve shqiptarë të atyre trojeve. Ndonëse, shqiptarët nuk kërkojnë privilegje
në këtë fushë, ata me plot të drejtë, kërkojnë të drejtën elementare që fëmijët
e tyre të mësojnë historinë e popullit të cilit i përkasin, figurat e tij
kombëtare, qëndresën e tij shekullore dhe kontributin e tij në qytetërimin
evropian dhe historinë kombëtare. Nëse partitë politike shqiptare arrijnë të
bashkohen rreth kësaj kauze, ato do t’u lënë brezave një trashëgimi shumë më të
vlefshme se çdo mandat politik: të drejtën që çdo fëmij shqiptar në Mal të Zi
të njohë historinë e popullit të vet me dinjitet dhe me saktësi shkencore.
Një
arsim në gjuhën shqipe që nuk pasqyron historinë shqiptare në mënyrë të denjë
mbetet i paplotë. Prandaj, kritika e Dr
Dom Nikë Ukgjinajt dhe e shumë intelektualëve të tjerë në ato anë, nuk duhet
parë si sulm politik kundër askujt, por të shikohet si një thirrje
ndërgjegjsimi qytetar. Sepse është thënë shpesh se një shtet demokratik nuk
matet vetëm me zgjedhje të lira, me institucione funksionale apo me ritmin e
nevojshëm të integrimit evropian. Sepse, demokracia në një vend duhet të matet
edhe me mënyrën se si një shtet që pretendon të jetë “demokratik”, u garanton
komuniteteve të veta të drejtën për të njohur historinë, gjuhën dhe identitetin
e tyre kombëtar, sipas standardeve ndërkombëtare. Në këtë aspekt, ekspertë dhe
studiues, që i ndjekin këto punë nga afër në terren, shteti dhe qeveria e Malit
të Zi ende nuk e ka përfunduar provimin.
Sepse, shqiptarët janë dhe njihen si popull autokton në Mal të Zi. Si të
tillë, ata kanë dhënë një kontribut të çmuar në historinë, kulturën dhe jetën
politike të atij vendi dhe rajonit. Megjithëkëtë, fëmijët shqiptarë që ndjekin
mësimin në gjuhën amtare në shkollat e vendit, vazhdojnë të mos kenë një
pasqyrim të plotë, të balancuar dhe dinjitoz të historisë së kombit të tyre në
programet zyrtare të historisë së vendit të tyre. Kjo situatë, për shqiptarët,
nuk është një çështje e një rëndësie dytësore. Por shikohet, në qarqet e
informuara mirë, si një mangësi serioze që prek vetë themelin e identitetit
kombëtar dhe të vetëdijes historike të brezave të rinj të shqiptarëve në atë vend.
Natyrisht,
se historia për njerzit dhet shtetet serioze nuk është propagandë dhe nuk duhet
të jetë kurrë e tillë. Por po aq i papranueshëm është fakti, që debatohet sot,
kur historia e një populli, siç janë shqiptarët në Mal të Zi, reduktohet në
disa faqe të librave të historisë ose të trajtohet si një shtojcë fakultative.
Një arsim i mirë nuk ndërtohet mbi harresën e askujt historike. Arsimi i
mirëfilltë ndërtohet mbi njohjen dhe respektimin e historisë së të gjithë
qytetarëve, pa dallim, të një shteti. Prandaj, në këtë debat që zhvillohet në atë vend, nuk mund të
shmanget as roli dhe as përgjegjësia e klasës politike shqiptare në Mal të Zi.
Ndërkohë që historia kombëtare shqiptare nuk është shndërruar kurrë në një
prioritet të panegociueshëm nga politika shqiptare vendase, shpeshherë,
energjitë politike të partive shqiptare janë përqendruar, kryesisht dhe
historikisht, te ndarja e posteve dhe tek interesat afatshkurtra
politiko-ekonomike, ndërsa arsimi i brezave – investimi më i rëndësishëm për të
ardhmen e brezave të shqiptarëve – ka mbetur në hije.
Por,
në këtë mes, përgjegjësia nuk është vetëm e politikës shqiptare, siç thashë më
lartë. Janë edhe institucionet zyrtare
arsimore të shtetit të Malit të Zi, ato që duhet ta kuptojnë, seriozisht, se
respektimi i identitetit kombëtar të pakicave nuk përfundon, thjesht, me
lejimin e mësimit në gjuhën amtare. Por, ai duhet të përfshij edhe të drejtën e
shqiptarëve në Mal të Zi, për një arsim përtej gjuhës amtare një arsim serioz
që pasqyron drejt edhe historinë, kulturën dhe trashëgiminë e tyre kombëtare. Kjo,
në të vërtetë, nuk është një kërkesë e veçantë e shqiptarëve sot në Mal të Zi
ose diku tjetër. Në botën e sotëme, ky
është një standard i panegociueshëm i demokracive evropiane, pjesë e të cilave
pretendon të jetë edhe Mali i Zi, ndërsa mbetet edhe një kusht i rëndësishëm
për ndërtimin e një shoqërie të barabartë anë e mbanë në kontinentit evropian.
Kjo kërkesë, është në përputhje të plotë me standardet evropiane për mbrojtjen
e pakicave kombëtare, sipas Këshillit të Evropës,
Por,
përveç përgjegjsisë dhe rolit të klasës politike shqiptare në Mal të Zi, që
theksova më lartë, aq i rëndësishëm është edhe roli dhe përgjegjësia e elitës
intelektuale shqiptare në Mal të Zi, në mbështetje të realizimit të kësaj
nisme. Historianët, studiuesit, akademikët, mësuesit dhe organizatat kulturore
shqiptare duhet të flasin me një zë në lidhje me këtë çeshtje me rëndësi. Ata
duhet të kontribojnë me argumente shkencore, me projekte konkrete dhe me
bashkëpunim institucional për hartimin e programeve dhe teksteve që shkencërisht,
pasqyrojnë me objektivitet historinë shqiptare të atyre trojeve, ndër
shekuj. Kjo pra nuk është vetëm një
betejë e partive politike, por është një detyrë mbarë-kombëtare. Historia e
vërtetë, nuk mund të mbrohet vetëm me akademi përkujtimore, me deklarata
patriotike apo me fjalime në përvjetorë të caktuar historikë. Ajo duhet të
mbrohet në klasë. Në bankat e shkollës, aty ku formohet mendja dhe ndërgjegjja
kombëtare e një brezi të ri. Nëse një
fëmijë shqiptar në Mal të Zi ose kudo tjetër, përfundon arsimin pa njohur
rrugëtimin historik të popullit të vet në ato troje, pa njohur figurat që
ndërtuan identitetin kombëtar atje, dhe pa kuptuar kontributin e shqiptarëve në
historinë e Malit të Zi dhe të Ballkanit, atëherë gjithë faktorët në këtë fushë
kanë dështuar, të gjithë: shteti zyrtar, partitë politike shqiptare zyrtare,
intelektualët, historianët, studiuesit shqiptarë dhe shoqëria, në përgjithsi.
Prandaj,
ka ardhur koha që në lidhje me këtë çeshtje të rëndësishme të mësimit të
historisë së shqiptarëve në Mal të Zi të dëgjohen zërat e informuar mirë dhe
zërat e respektuar të arsyes dhe të dijes siç është Dr Dom Nikë Ukgjinaj e të
tjerë studiues e historian shqiptarë të atyre anëve. Ka ardhur koha për një marrëveshje të re
morale dhe institucionale, sidomos, në radhët e faktorit shqiptarë në Mal të Zi
në lidhje me këtë çeshtje. Se arsimi në
gjuhën shqipe nuk duhet të kufizohet vetëm te përdorimi i gjuhës shqipe. Por që
arsimi i brezave të rinj të shqiptarëve në Mal të Zi, duhet të përfshij,
patjetër, edhe të drejtën për të mësuar historinë kombëtare të shqiptarëve, në
mënyrë të plotë, të balancuar dhe shkencore. Një gjë e tillë, nuk nuk cenon as
nuk kërcënon askënd. Përkundrazi, një trajtim i tillë i historisë së
shqiptarëve në ato troje shekullore do forconte besimin ndërmjet komuniteteve
etnike dhe e bën Malin e Zi një shtet më demokratik dhe më evropian në sytë e
Evropës dhe botës, por çka është edhe më e rëndësishme në sytë e vet
shqiptarëve autoktonë të atyre trojeve shekullore. Sepse historia nuk është privilegj as nuk
është koncesion politik për askënd. Nuk është as favor që i bëhet një
komuniteti të caktuar, siç janë shqiptarët. Historia është e drejtë e një
populli! Historia nuk është privilegj që jepet ose merret sipas vullnetit të
pushtetit. Ajo është një e drejtë legjitime e çdo populli dhe një pjesë e
pandashme e identitetit të tij kombëtar, bazuar në marrveshje ndërkombëtare,
përfshir Deklaratën Universale të Drejtave të Njeriut të vitit 1948. Prandaj,
një shtet që synon të ndërtojë një të ardhme të përbashkët nuk duhet të
ketë frikë nga e vërteta historike e asnjërit prej grupeve të qytetarëve të
vet.
Por
sa u përket shqiptarëve në Mal të Zi, në fund të fundit, një komb nuk humbet
kur harron datat e historisë. Ai fillon të humbasë, keqas dhe përgjithmonë, kur
harron se kush është. Pikërisht, për këtë arsye, historia kombëtare shqiptare
në shkollat e Malit të Zi nuk është një debat i së kaluarës. Por duhet të jetë
një investim serioz kombëtar dhe në bashkpunim, për të ardhmen e një shoqërie demokratike,
ku çdo fëmijë, pa dallim etnie, ka të drejtë të njohë rrënjët e veta dhe të ecë
drejt së ardhmes me dinjitet, vetëbesim dhe respekt për të tjerët. Për ndryshe,
të mohosh historinë e një populli do të thotë t’i mohosh identitetin dhe
dinjitetin e tij kombëtar.


Dr. Dom Nikë Ukgjini, meshtar katolik me formim të thelluar në historinë kombëtare




