Frank Shkreli: Përballë protestave në Tiranë dhe krizës së demokracisë, kujtojmë Profesor Arshi Pipën
PËRBALLË PROTESTAVE NË TIRANË DHE KRIZËS SË DEMOKRACISË, KUJTOJMË PROFESOR ARSHI PIPËN -- Intelektualin që komunizm nuk arriti ta thyejë -- në 29-vjetorin e ndarjes së tij nga kjo jetë

Më
20 korrik 1997, në Washington, u shua fizikisht një nga personalitetet më të
mëdha të mendimit shqiptar të shekullit XX. Por vdekja nuk mund ta heshtte
Arshi Pipën. Përkundrazi, me kalimin e viteve, zëri i tij është bërë edhe më
aktual, ndërsa veprat dhe paralajmërimet e tij marrin një peshë të re në një
Shqipëri që ende nuk ka bërë paqe me të kaluarën e saj komuniste, e
rrjedhimisht, as me vet-veten.
Arshi
Pipa nuk ishte vetëm poet, filozof, kritik letrar dhe profesor universiteti në
Amerikë. Ai ishte ndërgjegjja e lirë e një kombi të robëruar. Ishte një
intelektual që e pagoi me dhjetë vjet burg besnikërinë ndaj së vërtetës dhe
refuzimin për t'iu nënshtruar diktaturës komuniste të Enver Hoxhës. Në burgjet e regjimit të Enver Hoxhës, ai
provoi gjithçka që mund të prodhojë një sistem totalitar terrorist: urinë,
punën skllavëruese, poshtërimin dhe terrorin psikologjik. Regjimi synonte ta
thyente, ta detyronte të mohonte veten dhe bindjet e tij. Dështoi. Nga ato qeli
të errëta dolën poezi, meditime dhe një forcë morale që vetëm njerëzit me
karakter të jashtëzakonshëm mund ta ruajnë në kushte çnjerëzore. Kur arriti në botën e lirë, Arshi Pipa nuk
zgjodhi qetësinë e mërgimit. Ai zgjodhi betejën. Nga universitetet amerikane,
ku fitoi respektin e kolegëve dhe studentëve si studiues i letërsisë dhe
filozofisë, ai e përdori autoritetin e tij akademik për t'i treguar Amerikës
dhe botës fytyrën e vërtetë të komunizmit shqiptar. Në një kohë kur propaganda e Tiranës përpiqej
të paraqiste Shqipërinë si një "parajsë socialiste", Arshi Pipa u bë
një nga zërat më të besueshëm që e rrëzoi dhe diskreditoi atë mashtrim. Ai nuk
fliste nga teoritë. Fliste si njeri që kishte mbijetuar ferrin komunist në
burgjet e Enver Hoxhës. Lufta e tij nuk
kufizohej vetëm kundër diktaturës shqiptare. Arshi Pipa e shihte komunizmin si
një kërcënim universal ndaj qytetërimit perëndimor, ndaj lirisë individuale dhe
dinjitetit njerëzor. Ai ishte pjesë e asaj plejade intelektualësh shqiptarë dhe
të Evropës Lindore dhe të diasporës antikomuniste në Amerikë që paralajmëronin
Perëndimin të mos binte pre, e iluzioneve ideologjike. Për Profesor Pipën,
komunizmi nuk kishte "fytyrë njerëzore". Ai ishte një sistem që
mbijetonte vetëm përmes dhunës, frikës dhe shkatërrimit të elitave kombëtare.
Njëkohësisht,
ai mbrojti me vendosmëri identitetin kulturor shqiptar. Debatet e tij mbi
gjuhën standarde, historinë e letërsisë dhe trashëgiminë kombëtare nuk ishin,
thjesht, ushtrime akademike. Ato ishin pjesë e përpjekjes për ta çliruar
kulturën shqiptare nga prangat ideologjike të diktaturës komuniste në çdo fushë
të jetës dhe veprimtarisë shoqërore. Ai besonte se edhe gjuha mund të burgosej,
po aq sa njeriu, kur vihej në shërbim të pushtetit politik.
Sot,
paradoksi është i hidhur. Ndërsa emra mediokër të nomenklaturës komuniste
vazhdojnë në krye të institucioneve akadaemike, vazhdojnë të promovohen e madje
të rehabilitohen në jetën publike shqiptare -- figura si Arshi Pipa, Ernest
Koliqi, Martin Camaj, e shumë të tjerë patriotë, të dënuar, anashkaluar dhe të
harruar, ende nuk kanë marrë vendin që meritojnë në shoqërinë shqiptare, në
tekstet shkollore, në institucionet shtetërore, universitare e akademike dhe as
në kujtesën kombëtare, në përgjithsi. Kjo nuk është vetëm një harresë historike
por është një padrejtësi morale përmasash kombëtare.
Një
komb që nuk nderon ata që sakrifikuan për lirinë, rrezikon të humbasë vetë
kuptimin e lirisë. Arshi Pipa nuk kërkoi privilegje, as lavdi personale. Ai
kërkoi vetëm që e vërteta të mos nënshtrohej dhe që krimet e komunizmit të mos
relativizoheshin, kurrë. Në këtë
përvjetor të ndarjes së tij nga jeta, kujtimi i Arshi Pipës është më shumë se
një homazh. Është një thirrje për ndërgjegje. Është një kujtesë se demokracia
nuk mbrohet me harresë, por me të Vërtetën; se pajtimi nuk ndërtohet mbi
heshtjen ndaj së kaluarës komuniste dhe krimeve të regjimit, por mbi
drejtësinë; dhe se liria nuk është dhuratë, por trashëgimi që çdo brez duhet ta
mbrojë. Profesor Arshi Pipa mbetet një nga monumentet morale të antikomunizmit
shqiptar. Zëri i tij vazhdon të na kujtojë se diktaturat mund të burgosin
trupin e njeriut, por kurrë mendimin e lirë.
Nëse
Profesor Arshi Pipa do të mund të na fliste sot, ai nuk do të hiqte dorë nga
parimet që e udhëhoqën gjithë jetën e tij: mbrojtjen e lirisë dhe demokracisë,
të drejtës së qytetarëve për të kundërshtuar pushtetin dhe domosdoshmërinë që
qeveritë të japin llogari para popullit. Ai, si shumë të tjerë të brezit të
tij, e konsideronte heshtjen përballë padrejtësisë si bashkëfajësi morale dhe
besonte se demokracia nuk mund të mbijetojë pa një qytetari aktive dhe pa
institucione që respektojnë ligjin. Në këtë kuptim, protestat e vazhdueshme
qytetare në Tiranë, pavarësisht bindjeve politike të pjesëmarrësve dhe debateve
që ato kanë ngjallur, janë shprehje e një të drejte themelore demokratike që
duhet të garantohet dhe të dëgjohet, jo të shpërfillet.
Po
aq e sigurt është se Arshi Pipa do të këmbëngulte që opozita, shoqëria civile
dhe çdo lëvizje qytetare të udhëhiqeshin nga parime morale, respekti për
shtetin e së drejtës dhe refuzimi i çdo forme dhune. Për të, demokracia nuk
ishte vetëm e drejta për të protestuar, por edhe përgjegjësia për të ndërtuar
një kulturë politike ku pushteti kontrollohet, ku korrupsioni ndëshkohet dhe
liria dhe interesi kombëtar nuk sakrifikohen kurrë në emër të interesave
politike e partiake. Ky është mesazhi që e bën Profesor Arshi Pipën një figurë
të përhershme të ndërgjegjes kombëtare shqiptare. Është detyrë morale dhe kombëtare që shteti
dhe shoqëria shqiptare t'i japin Arshi Pipës vendin që i takon në panteonin e
kulturës dhe të rezistencës shqiptare. Veprat e tij duhet të jenë pjesë e
programeve universitare dhe shkollore; kontributi i tij duhet të njihet e të
promovohet; ndërsa sakrifica e tij duhet të shërbejë si frymëzim edhe për
brezat e rinj sot dhe në të ardhmen.
Siç
e kam theksuar shpeshëherë në të kaluarën edhe për raste të tjera, një komb që
nuk nderon mendjet e tij më të ndritura, rrezikon të humbasë kujtesën
historike. Arshi Pipa nuk ka nevojë për lavdi të vonuar -- është Shqipëria ajo
që ka nevojë të pajtohet me të Vërtetën për figura si ai.


Takimi im i parë me Arshi Pipën nuk ka qenë në person, por ishte Libri i Burgut -- i shkruar prej tij ndërsa ishte në burg i dënuar nga regjimi komunist -- si një dokument kundër regjimit komunist. Një libër ky për të cilin vet autori ka thënë se, "... U nis me qëllim që libri të delte nga burgjet prej të cilave unë ndoshta nuk do të delsha... Kështuqë, qysh heret shestova me mbledhë përvojen time, dhe jo vetëm timen, të kohës së robënisë, që të ishte ky libër dëshmi e jetës së burgut dhe të kampit — e një anës së jetës nën diktaturën komuniste e cila karakterizon mirë gjithë kompleksin."


