Frank Shkreli: Kur “kultura” përplaset me kujtesën kombëtare në Prizren dhe heshtja e institucioneve në Prishtinë e në Tiranë
PA BUSULL HISTORIKE--KUR “KULTURA” PËRPLASET ME KUJTESËN KOMBËTARE NË PRIZREN DHE HESHTJA E INSTITUCIONEVE NË PRISHTINË E NË TIRANË
Jemi mësuar ta
konsiderojmë Prizrenin si kryeqytetin shpirtëror të shqiptarëve. Jo për shkak
të institucioneve, jo për shkak të pushtetit politik, por për shkak të peshës
së historisë që ai mbart. Në këtë qytet Lidhja Shqiptare e Prizrenit ka hedhur themelet
e vetëdijes kombëtare, në këtë qytet historia nuk është thjesht e kaluara -- është
identitet. https://telegraf.al/opinion/frank-shkreli-lidhja-e-prizrenit-nje-kthese-vendimtare-per-kombin/
Dhe
pikërisht për këtë arsye, çdo zhvillim në Prizren nuk është i zakonshëm. Nuk
mund të jetë. Kur në një hapësirë të tillë zhvillohen aktivitete me simbolikë
të diskutueshme historike, reagimi nuk është thjesht emocional -- është reagim
ndaj një ndjenje se po lëkundet diçka më e thellë, në këtë mes. Sepse, për të gjithë ata që jetojnë aty ose
kanë vizituar atë vend, Prizreni nuk është vetëm një qytet i bukur me kalldrëme
dhe monumente. Ai është një pikë referimi për atë çfarë shqiptarët kanë qenë
dhe çfarë pretendojnë të jenë.
Në
qendër të Prizrenit, aty ku historia shqiptare ka marrë një nga kthesat më
vendimtare të saj kombëtare, zhvillimi i një parade me simbole osmane para disa
ditësh, me të drejtë ka shkaktuar reagime të forta, por edhe të ndara në
opinionin publik. Për shumë qytetarë, kjo nuk është thjesht një shfaqje
folklorike apo turistike, por një fyerje ndaj kujtesës historike të Kombit
Shqiptar. Problemi nuk qëndron vetëm te një paradë apo një aktivitet i caktuar.
Problemi është mungesa e një vije të qartë dhe standarde nga institucionet e dy
shteteve shqiptare: çfarë përfaqëson sot Prizreni për shqiptarët? A është ai
një skenë, ku përfaqsuesit e pushtuesve të çdo periudhë historike, mund të
shfaqet pa dallim, apo një hapësirë që kërkon një filtër më të fortë të dukurive
të tilla, për shkak të simbolikës që mbart?
Një
qytet si Prizreni pra, kërkon përgjegjësi më të madhe nga institucionet shtetërore
në Kosovë dhe në Shqipëri. Kërkon vetëdije. Kërkon kujdes. Nuk mjafton të
thuash “është kulturë” apo “është trashëgimi”. Pyetja e vërtetë është: çfarë
mesazhi po japin shqiptarët në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar kur
zgjedhin të shfaqin, pikërisht, këtë pjesë të historisë, pikërisht, në këtë qytet
dhe në këtë kohë? Nëse Prizreni është “kryeqytet shpirtëror simbolik”, siç e
konsiderojnë shumica e shqiptarëve, atëherë ai duhet të trajtohet si i tillë e jo
si një hapësirë neutrale ku gjithçka është e barabartë dhe e pranueshme, pa
reflektim historik. Sepse në fund të fundit, një komb nuk humb historinë brenda
natës. Ai e humb atë ngadalë -- duke mos ditur më dhe më me shumë kujdes -- se çfarë
duhet të ruajë nga influencat dhe pretendimet e pushtuesve të huaj shekullorë në
trojet e sotëme iliro-arbërore.
Nuk
bëhet fjalë, pra, për një qytet të zakonshëm. Sepse, Prizreni është vendi ku më 1878 u
themelua Lidhja Shqiptare e Prizrenit -- një moment themelor në artikulimin e
vetëdijes kombëtare shqiptare dhe në përpjekjet për mbrojtjen e trojeve
shqiptare, pa dallim qyteti a krahine. Prandaj, çdo aktivitet publik në këtë
hapësirë nuk është thjesht spektakël; ai mbartë domethënie historike identitare
pë shqiptarët. Pikërisht për këtë arsye,
një pjesë e opinionit publik i sheh këto nisma, jo vetëm problematike, por edhe
ofenduese ndaj identitetit kombëtar të shqiptarëve. Argumenti është i thjeshtë:
historia nuk është neutrale. Ajo as nuk paraqitet në vakum, por në kontekste
konkrete, me simbolikë dhe mesazhe që ndikojnë në mënyrën se si një komb e
kupton vetveten dhe të kaluarën e vet.
Po
nga ana tjetër, mbështetsit e këtyre aktiviteteve theksojnë se periudha osmane
është pjesë e pandashme e historisë së qytetit dhe ka lënë gjurmë të dukshme në
arkitekturë, kulturë dhe traditë. Sipas kësaj logjike, rikrijimet historike apo
eventet tematike nuk janë glorifikim, por një mënyrë për të promovuar
trashëgiminë dhe për të tërhequr turizëm. Por dilema nuk zgjidhet kaq lehtë. Sepse problemi nuk është vetëm çfarë shfaqet,
por edhe ku dhe si shfaqet. Një aktivitet që mund të ishte i pranueshëm në një
kontekst tjetër, merr një kuptim krejt tjetër kur zhvillohet në një hapësirë me
ngarkesë të fortë simbolike kombëtare, siç është Prizreni, për të gjithë shqiptarët,
kudo. Nëqoftse dikujt i nevojitet një kujtesë se prizreni është i të gjithë
shqiptarëve, dëgjoni njëherë këngën popullore “Thërret Prizereni mori Shkodër”.
Muzikën e
këngës e ka punuar si kompozitor Hamëz Llapqeva, ndërsa autor i tekstit
rezulton të jetë Sylë Bajrami, të dy shqiptarë nga Kosova Mix - Aurela Gace - Therret
Prizreni (Kenge Moj).
Prandaj,
në këtë mes, hyn në lojë një tjetër dimension i debatit e që është roli i institucioneve, si ruajtës të historisë,
kulturës dhe të identitetit kombëtar shqiptar. Si Tirana ashtu edhe Prishtina
janë përballur shpesh me kritika për mungesë qëndrimi të qartë në raste të
tilla, si dhe për rrezikun e influencave të huaja në trojet shqiptare. https://telegraf.al/opinion-2/frank-shkreli-edhe-nje-here-per-rrezikun-ruso-turk-ne-shqiperi-dhe-ne-kosove/ Në emër të “hapjes”,
“diversitetit kulturor” apo “promovimit turistik”, vendimet në lidhje me dukuri
të tilla, lihen të pa-artikuluara e pa standard, ndërsa publiku detyrohet t’i
interpretojë vetë. Kjo heshtje zyrtare, natyrisht, krijon një boshllëk. Dhe në
këtë boshllëk lindin përplasjet: njëra palë sheh në këto aktivitete një formë
normalizimi dhe justifikimi të së kaluarës së pushtimeve të tokave shqiptare
nga të huajt, ndërsa pala tjetër i konsideron si shprehje të një identiteti të
shumëfishtë kulturor. Pa një kornizë të qartë institucionale, çdo ngjarje e
tillë kthehet në krizë sado të vogël, publike.
Kjo
është arsyeja pse kërkohet një qasje më e matur zyrtare. Jo mohimi i historisë,
por kornizimi i saj me përgjegjësi. Për
këtë janë fajtorë si Tirana ashtu edhe Prishtina. https://telegraf.al/politike/bashkia-tirane-ngre-monument-per-viktimat-e-grushtit-te-deshtuar-te-shtetit-kunder-erdoganit/ Një shtet që
respekton veten nuk e fshin asnjë periudhë historike, por as nuk i trajton të
gjitha njësoj. Ai vendos kufij të qartë për hapësirat simbolike në haopësirat
publike, për mënyrën e përfaqësimit dhe për mesazhet që përcillen në publik. Sepse në fund të fundit, çështja nuk është
vetëm për një paradë apo një aktivitet kulturor. Është për mënyrën se si një
shoqëri zgjedh të kujtojë historinë e vet.
Është për vijën ndarëse mes kujtesës dhe harresës. Ka momente kur një
shoqëri duhet të ndalet dhe të pyesë veten: çfarë po festojmë në të vërtetë?
Sepse jo çdo “aktivitet kulturor” është i pafajshëm dhe jo çdo rikrijim
historik është i shkëputur nga domethënia që mbart. Dhe mbi të gjitha, mbeten
pa përgjigje zyrtare, pyetjet thelbësore: a po e ruajnë shqiptarët historinë e
vet, apo ata po mësohen ta relativizojnë atë, pak nga pak? Ku mbaron
trashëgimia kulturore dhe ku fillon glorifikimi politik i pushtuesve historik
të trojeve shqiptare?
Zhillimi
i “Paradës ushtarake osmane” në Prizren këto ditë, kërkon shpjegim dhe përgjigje
nga autoritetet vendore dhe qendrore të Republikës së Kosovës. Sepse pa busull
historike nga autoritetet shtetërore e sidomos kur Tirana dhe Prishtina zyrtare
heshtin për zhvillime të tilla në dy shtetet shqiptare atëherë, natyrisht, do vendosin
të tjerët. Kur institucionet nuk flasin
qartë, hapësira publike mbushet me zëra të tjerë. Dhe shpesh, këta zëra nuk
udhëhiqen nga kujtesa historike as nga interest kombëtare por nga interesa të
momentit -- kulturore, turistike apo edhe politike.
Rasti
i fundit në Prizren nuk është një incident i izoluar. Ai është simptomë e një
problemi më të thellë: mungesa e një politike të qartë shtetërore për trajtimin
e historisë në hapësirat publike, anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkanin Perëndimor.
Në një qytet ku u themelua Lidhja Shqiptare e Prizrenit, çdo aktivitet me
simbolikë historike nuk mund të trajtohet si argëtim i zakonshëm. Sepse këtu nuk bëhet fjalë për ndalimin e
historisë -- por për kornizimin e saj me përgjegjësi.
Në
mungesë të kësaj busulle, çdo debat bëhet emocional, çdo reagim bëhet i ashpër,
dhe çdo vendim duket pastak si kompromis. Dhe atëherë lind pyetja që nuk mund
të shmanget më: A po drejtohen Kosova dhe Shqipëria nga një vizion i qartë për
historinë kombëtare, apo nga rrethanat politike të ditës dhe nga interesat personale
dhe partiake të rastit? Sepse historia
nuk është dekor. Ajo është themel. Dhe kur themeli lihet pa mbrojtje, çdo
ndikim -- i brendshëm apo i jashtëm – dalngadal, gjen vend për t’u bërë normë. Në
fund të fundit, përgjegjësia është e atyre në Tiranë e Prishtinë të cilët do
duhej të kishin vendosur me kohë këto standarde, por që për fat të keq, autoritetetet
shqiptare, zgjedhin të mos vendosin standard as mos të marrin përgjegjësi.
"Qëllimi ynë i shenjtë është mbrojtja e të drejtave të kombit shqiptar.” Abdyl Frashëri, ideolog e atdhetar i shquar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare si dhe një nga drejtuesit kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Mbrojtja e trojeve shqiptare bashkimi i vilajeteve shqiptare ishte synimi i Lidhjes me qëllim për të ndaluar ndarjen e tyre nga shtetet fqinje dhe Perandoria Osmane.















