Frank Shkreli: Rexhep Qosja - Një figurë e madhe e kulturës shqiptare
U NDA NGA JETA AKADEMIK REXHEP QOSJA
Një
figurë e madhe e kulturës shqiptare dhe zëri që nderoi Gjergj Fishtën
Bota shqiptare e letrave dhe mendimit humbi një nga figurat e
saj më të ndritura: akademikun Rexhep Qosja, studiuesin, shkrimtarin dhe
intelektualin e angazhuar, e që për dekada me radhë ka ndikuar fuqishëm në
formësimin e vetëdijes kulturore dhe kombëtare shqiptare.
I lindur më 1936, në Plavë-Guci nën Malin e Zi, Qosja u bë një
nga zërat më autoritarë të albanologjisë dhe kritikës letrare. Veprimtaria e
tij përfshiu një gamë të gjerë shkrimesh -- nga studimet shkencore e deri te
romanet dhe esetë -- ku spikaste një mendim i thellë, analitik dhe shpeshherë
polemizues, por gjithmonë i mbështetur në dije dhe përgjegjësi intelektuale.
Nga pikëpamja ime, një ndër dimensionet më të veçanta të veprimtarisë
së tij ishte edhe thirrja për rivlerësimin dhe mbrojtjen e figurave madhore të
letërsisë shqipe të përjashtuar nga regjimi komunist shqiptar sllavo-aziatik,
në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar. Por që deri në ditët e sotme, mbeturinat nostalgjike
të atij regjimi kriminal vazhdojnë të përjashtojnë e të anashkalojnë Gjergj
Fishtën dhe veprën e tij, duke filluar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë e
deri tek institucionet e tjera akademike e shkencore, si në Tiranë ashtu edhe
në Shqipëri. Në këtë kuadër, të
rivlersimit të figurave të ndaluara e të përjashtuar, admirimi i Akademik
Rexhep Qoses për Gjergj Fishtën, zë një vend të rëndësishëm diskursin
kombëtar. Në një kohë kur Fishta ishte lënë në harresë apo i anatemuar nga
regjime të caktuara komuniste -- ai shqiptar dhe ai si vëlla jugosllav, Qosja e
ka vlerësuar hapur dhe shpesh At Gjergj Fishtën si një nga shtyllat themelore
të kulturës shqiptare. Se pa të,
historia e letërsisë, por edhe ajo kombëtare nuk ishte shkencore , por vetëm
një trung i gjymtuar. Ai e konsideronte autorin e “Lahutës së Malësisë” si një
ndër përfaqësuesit më autentikë të shpirtit kombëtar dhe një monument të
letërsisë shqipe që duhej studiuar dhe nderuar pa paragjykime ideologjike. Qosja
e ka konsideruar Gjergj Fishtën si një lis mbi të cilin, për pothuaj gjysëm
shekulli, fatkeqsisht, mbi të ranë rrufetë e dënimeve e përjashtimeve politike
për një gjysëm shekulli e deri në ditët e sotëme. Por për fat të mirë –
përjashto ideologët shqiptarë që ende kontrollojnë e përjashtojnë, zyrtarisht,
figura të mëdha kombëtare –siç ka venë në dukje shpesh edhe Rexhep Qosja, At
Gjergj Fishta mbetet se mbetet shkrimtari që populli nuk e ka harruar,
pavarsisht, përpjekjeve të nostalgjikëve komunistë në Tiranë dhe në Prishtinë,
për ta zhdukur atë nga kujtesa.
Në një intervistë me Dr Elez Biberajn, Shefin e atëhershëm të
Zërit të Amerikës në gjuhën shqip (13 Qershor 1990), pyetjes se cili ishte
vlersimi i tij për veprën e Gjergj Fishtës, Rexhep Qosja është përgjigjur kështu:
Elez Biberaj: Duket se në Kosovë ka
filluar një fushatë për riabilitimin e Gjergj Fishtës. Në Shqipëri, Ismail
Kadare ka kërkuar që të ribotohen veprat e Fishtës. Si e vlersoni veprimtarinë letrare të Fishtës
dhe përpjekjet për reabilitimin e tij?
Rexhep Qosja: “Ismail Kadare është jo
vetëm poet e prozator i madh por edhe intelektual i madh, i çmuar dhe i dashur
fort edhe në Kosovë. Mendimi i tij gjithmonë ka jehonë të madhe. Kërkesa e tij (Kadares)
që të ribotohen veprat e Gjergj Fishtës ka shkaktuar vërtetë një valë shkrimesh
për Fishtën në Kosovë. Fishta është një prej shkrimtarëve më të mëdhej
shqiptarë. Me De Raden dhe Naimin, (Fishta) përbën tri majet e traditës letrare
dhe kulturore shqiptare. Sado që disa vepra të tij të shikuara jo vetëm nga
aspekti stilistik paraqiten si të vonuara, konservatore, në procesin stilistiko-letrar
shqiptar. Por, pa studimin e veprës së Fishtës nuk mund të njihet drejt, as të
paraqitet megjithë dinjitetin e saj artistik, letërsia shqipe e gjysmës së parë
të shekullit tonë (XX).
Doktoratën kam dashur ta bëj për veprën e Fishtës, por nuk më
është bërë e mundëshme ta regjistroj tezën në institucionet ku ajo duhej të
mbrohej. Vepra e Fishtës, mjerisht, për 45-vjet (komunizëm) ishte ekskomunikuar
prej letërsisë shqipe. Natyrisht, në dëmin e saj, të lexuesve të saj, në dëmin
e kulturës shqiptare, përgjithsisht. Fishta duhet të kthehet atje ku e ka
vendin, si vlerë e saj e madhe, që dëshmon mundësitë krijuese të gjeniut
shqiptar”, është shprehur Rexhep Qosja në intervistën e tij me Dr Elez
Biberajn, me 13 Qershor, 1990.
Tani, para se ndonjë lexues të reagojë duke thënë, po Qosja
ishte “enverist”, more. Pikëpamjet e mia për Enver Hoxhën dhe krimet e tija
kundër interesave të Kombit dihen për të gjithë ata që mund të kenë ndjekur
dyzina nga shkrimet e mia modeste mbi periudhën e zezë kombëtare, pasojat
sshkatëruese të së cilës ndjehen gjithnjë në shoqërinë shqiptare. Por, në mendimin
tim, ky është një prej aspekteve më interesante dhe deri diku paradoksale të
figurës së Rexhep Qosjes. Megjithse ai shpesh është akuzuar nga kritikët e tij
për simpati ndaj sistemit të Enver Hoxhës, apo për qëndrime “enveriste” në
rrafshin politik dhe ideologjik, roli i tij në reabilitimin e Fishtës është i pamohueshëm
dhe historik. Për Qosjen, Gjergj Fishta ishte një vlerë kombëtare që qëndronte
mbi partitë. Ai ka shkruar e argumentuar se një komb nuk mund të jetë i plotë
nëse mohon “Homerin” e vet.
Qosja nuk ishte vetëm studiues i së kaluarës, por edhe një zë
aktiv në kohën e tij. Ai u angazhua në debatet më të rëndësishme politike e
kulturore, sidomos në periudhat vendimtare për Kosovën, duke mbrojtur të
drejtat dhe identitetin e shqiptarëve me guxim intelektual dhe qëndrueshmëri
morale. Vepra e tij mbetet një pasuri e çmuar për brezat që vijnë -- një arkiv
mendimi, reflektimi dhe angazhimi. Humbja e tij lë një boshllëk të madh, por
trashëgimia që ai lë pas do të vazhdojë të frymëzojë studiues, shkrimtarë dhe
lexues në mbarë hapësirën shqiptare. Në kujtesën kolektive, Rexhep Qosja do të
mbetet si një figurë e pakompromis në kërkimin e së vërtetës, sipas tij,
natyrisht, dhe si një intelektual që, mes të tjerash, kontribuoi në rikthimin e
dinjitetit të figurave si At Gjergj Fishta, në panteonin e kulturës kombëtare. Të
gjithë jemi duke pritur që dëshira e Rexhep Qosjes të çohet në vend, sepse
ndalimi zyrtar i veprës së Fishtës vetëm po vazhdon zgjërimin e një hendeku të
rrezikshëm midis kulturës zyrtare dhe asaj shpirtërore të Kombit shqiptar. Megjithë
përpjekjet zyrtare në Tiranë dhe Prishtinë për të hedhur në harresë veprën dhe
figurën e madhe të Fishtës, ndryshe nga regjimet majtiste sot në Shqipëri dhe
Kosovë, shqiptarët jo vetëm në trojet e veta iliuro-arbërore por edhe kudo
gjënden anë e mbanë botës, nuk e kanë harruar kurrë Gjergj Fishtën, duke
kujtuar dhe mësuar përmendësh Lahutën e Malësisë, duke venë edhe jetë në rreyik
kur Fishta ishte i ndalauar nga regjimet komuniste.
Rexhep Qosja me delegacionin e parë të
përfaqsuesve të Kosovës që vizituan Uashingtonin, prill, 1990, në shtëpinë e Dr
Elez Biberajt në Virxhinia

















