Frank Shkreli: Kur zgjohet rinia, dridhen elitat – a po vjen më në fund ndryshimi në trojet shqiptare?
KUR ZGJOHET RINIA, DRIDHEN ELITAT. A PO VJEN MË NË FUND NDRYSHIMI NË TROJET SHQIPTARE?!

Për
më shumë se tri dekada, politika në Shqipëri, Kosovë dhe në hapësirën shqiptare
në Maqedoninë e Veriut ka ndërtuar një sistem që ka prodhuar një paradoks të
dhimbshëm: brezi më i arsimuar në historinë moderne shqiptare është bërë,
njëkohësisht, brezi më i zhgënjyer i shqiptarëve në histori. Të rinjtë kanë
studiuar më shumë se prindërit e tyre, kanë akses më të madh në informacion,
njohin më mirë botën demokratike dhe standardet perëndimore. Por, ndërkohë, në jetën e tyre të re dhe veprimtarinë
e tyre, përfshir shkollat e universitetet, janë përballur me korrupsion,
nepotizëm, mungesë meritokracie dhe institucione shtetërore që shpesh kanë
shërbyer më shumë interesat e pushtetit dhe të klasës politike sesa interesin e
publikut shqiptar.
Për
vite me radhë, elitat politike janë mbështetur në një llogari të thjeshtë, por
ndoshta të gabuar se rinia shqiptare ose do të heshtë, ose do të largohet nga
trojet e vete stërgjyshore për një jetë më të mirë e normale në shekullin
XXI. Dhe në masë të madhe ky realitet
fatkeq ka ndodhur. Qindra mijëra të rinj
shqiptarë kanë zgjedhur emigrimin si votën e tyre më të fortë kundër një
sistemi që nuk u ofronte shpresë as perspektivë për një jetë më të mirë në
tokën e të parëve të tyre. Nuk është e nveojshme të lexoni studime, raporte ose
deklarata të qeverisë. Mjafton të
udhëtosh nepër aeroportet e Evropës për të parë se ato janë shndërruar në
qendrat më të mëdha të protestës së heshtur shqiptare.
Por,
sot shohim se po shfaqen shenja se ky cikël mund të mos vazhdojë
pafundësisht. Nga protestat studentore
dhe lëvizjet qytetare, deri te angazhimi në mbrojtje të mjedisit, transparencës
dhe të drejtave civile, duket se po krijohet një brez shqiptarësh që nuk po
kërkon thjesht rotacion pushteti. Por ai po vë në pikëpyetje vetë mënyrën se si
është ndërtuar pushteti. Kjo është arsyeja pse zgjimi i rinisë përbën
zhvillimin më të rëndësishëm politik në hapësirën shqiptare, sot për sot, por
edhe këto 35-vjet tranzicion të pafund.
Frika
më e madhe e establishmentit politik nuk është opozita tradicionale politike.
Opozitat kanë qenë të parashikueshme, të integruara në lojën e zakonshme të
pushtetit të radhës. Sot frika e vërtetë e klasës politike shqiptare, është një
brez që nuk ndien detyrim ndaj miteve politike të viteve '90, që nuk voton
sipas besnikërive familjare apo partiake por që kërkon llogari nga të gjithë,
pa dallim ngjyrash politike të partive shterpa politike të ashtuquajturit
“tranzicionit post-komunist”.
Në
Shqipëri, protestat kundër korrupsionit në çdo nivel të shoqërisë, të qeverisë
e të shtetit, për mbrojtjen e hapësirave publike, mjedisit, dhe interesit
komunitar kanë treguar se shumë të rinj nuk janë më të gatshëm të pranojnë
vendime të marra pa konsultim. Edhe në Kosovë, votuesit e rinj kanë luajtur rol
vendimtar në transformimet politike të viteve të fundit, duke sfiduar partitë
tradicionale politike. Në Maqedoninë e Veriut, me protesta e tyre të fundit,
studentët dhe aktivistët e rinj shqiptarë vazhdojnë të jenë ndër zërat më
kritikë ndaj dështimeve institucionale dhe të partive politike shqiptare.
Megjithatë,
pyetja kryesore mbetet: a mjafton zemërimi për të sjellë ndryshim? Historia na mëson se jo. Zemërimi mund të
rrëzojë sisteme, por nuk ndërton institucione. Protesta mund të zgjojë
shoqërinë, por nuk e reformon automatikisht shtetin as qeverinë. Ndryshimi i
qëndrueshëm kërkon organizim, vizion, lidership dhe këmbëngulje.
Rreziku
më i madh për rininë shqiptare sot është që energjia e saj të kanalizohet nga
të njëjtat struktura që ajo kërkon të ndryshojë. Gjatë viteve, politika shqiptare
ka treguar një aftësi të jashtëzakonshme për të absorbuar kritikët, për t'i
shndërruar rebelët në pjesë të sistemit dhe për të neutralizuar çdo lëvizje që
kërcënon status quo-në dhe privilgjet e tyre. Pikërisht, këtu do të matet
pjekuria e brezit të ri në këtë moment të historisë kombëtare.
Por
një gjë është e qartë: trojet shqiptare nuk vuajnë nga mungesa e burimeve, as
nga mungesa e inteligjencës. Por ato vuajnë nga mungesa e besimit te drejtësia,
meritokracia dhe shteti ligjor. Dhe askush nuk ka më shumë interes për t'i
rikthyer këto vlera sesa brezi që do të jetojë për dekada, me pasojat e
vendimeve të sotme të klasës politike aktuale – pozitë edhe opozitë.
Por,
nëse rinia shqiptare arrinë të shndërrojë pakënaqësinë në angazhim qytetar,
protestën në pjesëmarrje dhe idealizmin në përgjegjësi publike, atëherë ajo
mund të bëhet forca që do të thyejë ciklin e tranzicionit të pafund shqiptar.
Nëse jo, atëherë, vendet shqiptare do të vazhdojnë të humbasin kapitalin e tyre
më të çmuar: njerëzit e rinj, të cilët të zhgënjyer do marrin rrugët e botës.
Prandaj,
çështja nuk është më nëse rinia mund të sjellë ndryshimin. Çështja është nëse
ajo do të ketë guximin, durimin dhe vendosmërinë për ta imponuar atë përballë
një sistemi që ka mësuar prej kohësh t'i rezistojë ndryshimit.
Sepse
unë besoj se çdo brez qet njerëzit e vet dhe se çdo epokë ka momentin e saj
vendimtar. Dhe ndoshta momenti i brezit të ri shqiptar ka ardhur. Nëse ai do të
shfrytëzohet apo do të humbasë, kjo nuk varet më nga elitat e vjetra politike të
këtyre 35-viteve tranzicion të pafund. Varet nga vetë rinia.
Megjithatë,
mes apatisë dhe zhgënjimit të akumuluar prej vitesh e dekadash, fakti që
gjithnjë e më shumë të rinj e të reja po refuzojnë të heshtin është në vetvete
një lajm i mirë. Është një shenjë pozitive se shoqëria shqiptare në përgjithsi
ende ka energji për tu përballur me problemet e saj, përfshir klasën politike
të dështuar, që udhëheq sot. Ndoshta
është tepër heret të flitet për një transformim të madh, ose për një “Pranverë
shqiptare”. Por është e qartë se një brez i ri shqiptarësh po troket në derën e
historisë. Dhe pyetja nuk është më nëse rinia shqiptare është zgjuar ose jo.
Pyetja është nëse politika aktuale shqiptare, anë e mbanë trojeve shqiptare,
është gati ta dëgjojë atë.



