Frank Shkreli: Turpi i një deklarate që sfidon të vërtetën historike
TURPI I NJË DEKLARATE QË SFIDON TË VËRTETËN HISTORIKE

Ka
deklarata politike që duhen kundërshtuar. Ka edhe të tjera që duhen dënuar pa
asnjë dyshim as vonesë. Fjala është për deklaratën e ministres serbe, Snezhana
Paunoviq, e cila tha se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit në
vitin 1998, do ta kishte "spastruar etnikisht Kosovën".
Kur
zyrtarë të Beogradit flasin për "spastrim etnik", në Kosovë, ata nuk
mund t'i ikin hijes së së kaluarës. Pikërisht regjimi i Slobodan Millosheviçit
zhvilloi në Kosovë një fushatë dhune
terrori shtetëror që detyroi qindra mijëra shqiptarë të largoheshin nga
shtëpitë e tyre, shkatërroi qindra fshatra dhe la pas mijëra të vrarë e të
zhdukur. Këto nuk janë pretendime politike. Janë fakte të dokumentuara nga
organizatat ndërkombëtare, nga dëshmitë e panumërta dhe nga proceset gjyqësore
ndërkombëtare.
Prandaj,
kur sot një ministre serbe përdor të njëjtin term kundër Kosovës, ajo nuk po
mbron të drejtat e askujt. Ajo po përpiqet të relativizojë krimet e së
kaluarës, të zëvendësojë viktimën me agresorin dhe të ndërtojë një narrativë që
nuk i reziston as historisë, as fakteve. Edhe më shqetsues do të ishte
normalizimi i përdorimit të kësaj gjuhe nga Beogradi zyrtar. Historikisht,
Ballkani e ka paguar shtrenjt çmimin e urrejtjes së institucionalizuar në atë
rajon. Shqetësuese është edhe heshtja
ose reagimi i vakët i një pjese të bashkësisë ndërkombëtare. Ballkani ka paguar
një çmim të tmerrshëm për gjuhën e urrejtjes dhe për propagandën nacionaliste
gjatë dekadave. Në një Evropë që ka ndërtuar paqen mbi mësimet e tragjedive të shekullit
XX, përdorimi i terminologjisë së spastrimit etnik për qëllime propagandistike
është i papranueshëm. Kjo nuk është retorikë politike e zakonshme; është një
përpjekje për të shtrembëruar historinë, për të viktimizuar agresorin dhe për
të nxitur tensione të reja në një rajon që ende mban plagët e luftës së fund
shekullit të kaluar.
Pikërisht
për këtë arsye, çdo deklaratë që ringjall fantazmat e viteve '90 duhet të marrë
përgjigjen e merituar. Jo me fjalë të një diplomacie të zbehtë, por me qartësi
morale dhe politike. Bashkimi Evropian,
Shtetet e Bashkuara dhe partnerët ndërkombëtarë nuk duhet ta relativizojnë një
gjuhë të tillë nga një ministre e qeverisë së Beogradit.
Heshtja
përballë deklaratave që aludojnë ose paralajmërojnë spastrim etnik rrezikon të
normalizojë një diskurs që Evropa është betuar të mos e tolerojë më kurrë. Paqja ndërtohet mbi të vërtetën,
përgjegjësinë dhe respektin për dinjitetin njerëzor. Kush përdor gjuhën e
spastrimit etnik si armë propagandistike nuk i shërben as popullit të vet, as
stabilitetit të rajonit. Përkundrazi, ai i hap rrugë mosbesimit, urrejtjes dhe
izolimit ndërkombëtar. Historia e
Ballkanit na ka mësuar një mësim të hidhur se fjalët e papërgjegjshme shpesh u
paraprijnë veprave tragjike. Prandaj, ato duhet të dënohen me vendosmëri, pa
vonesë dhe pa standarde të dyfishta.
Reagimi
i Tiranës zyrtare: Prandaj, përballë një deklarate kaq të rëndë dhe provokuese
nga një ministre e qeverisë socialiste serbe, heshtja e Tiranës zyrtare nuk do
të ishte as e justifikueshme dhe as në përputhje me përgjegjësinë e saj
politike e kombëtare në rajon. Shqipëria duhej të reagonte menjëherë, duke
dënuar pa vonesë dhe pa dyshim retorikën serbe si një përpjekje për të
shtrembëruar të vërtetën historike, për të diskredituar shtetin e Kosovës dhe
për të minuar dialogun në rajon. Njëkohësisht, Tirana duhej t'u bënte thirrje
Bashkimit Evropian dhe partnerëve euroatlantikë që të mos tolerojnë gjuhën e
provokimit dhe të kërkojnë nga Beogradi zyrtar përgjegjësi politike, sepse
paqja nuk mund të ndërtohet mbi propagandën, as pajtimi mbi falsifikimin e historisë. Serbia nuk mund të pretendojë se synon
integrimin evropian, ndërsa njëkohësisht lejon përfaqësuesit e saj të përdorin
një retorikë që bie ndesh me vlerat mbi të cilat është ndërtuar Evropa e
pasluftës. Serbia nuk mund të kërkojë besim ndërkombëtar duke ushqyer mosbesim
rajonal dhe konflikte. Nuk mund të ndërtosh paqe duke ricikluar propagandën dhe
duke hedhur në veprim industrinë e mohimit të krimeve në Kosovë. Ka ardhur koha që Beogradi zyrtar të heqë dorë
nga politika e viktimizimit artificial dhe të përballet, ndershmërisht, me të
kaluarën e vet kriminale ndaj shqiptarëve të Kosovës. Vetëm atëherë, dialogu do të ketë kuptim dhe
e ardhmja do të ndërtohej mbi besimin e ndërsjellt.
Kosova
nuk ka nevojë t'i përgjigjet kësaj gjuhe provokuese me të njëjtën monedhë.
Përgjigjja më e fortë që Kosova mund t'i japë është shteti ligjor, mbrojtja e
të drejtave të çdo qytetari dhe besimi te faktet. Por kjo nuk do të thotë
heshtje përballë shpifjeve. Historia nuk
mund të fshihet me një konferencë shtypi. As nuk mund të rishkruhet me
deklarata ministrore. Kush përdor termin "spastrim etnik" si armë
propagandistike, jo vetëm që fyen kujtesën e viktimave, por rrezikon paqen dhe
stabilitetin e gjithë rajonit.
Ballkani
nuk ka nevojë për më shumë gënjeshtra historike. Ka nevojë për përgjegjësi, për
të vërtetën dhe për guximin për t'u përballur me të kaluarën. Deri atëherë, çdo
deklaratë e tillë do të mbetet ajo që është: një akt i papërgjegjshëm politik,
një provokim i qëllimshëm dhe një përpjekje e dëshpëruar për ta kthyer
propagandën në zëvendësuese të së vërtetës.




