Frank Shkreli: Urim për Dom Nosh Gjolajn në 50-vjetorin e meshtarisë së tij
URIM PËR DOM NOSH GJOLAJN NË 50- VJETORIN E MESHTARISË SË TIJ

I
dashur Dom Nosh:
Me
rastin e 50-vjetorit të Meshtarisë suaj, kam nderin dhe kënaqësinë t'ju
përcjell urimet e mia më të përzemërta si ish-koleg dhe bashkëstudent i juaji
në Gjimnazin Klasik Salezian të Rijekës në Kroaci ku kemi kaluar së bashku disa
vite të rinisë sonë, 1965–1969.
Pesëdhjetë
vjet shërbim meshtarak janë një dëshmi e rrallë e besnikërisë ndaj thirrjes së
Zotit dhe e përkushtimit ndaj Kishës, Kombit e popullit. Duke kujtuar
rrugëtimin tuaj, nuk mund të mos veçoj shërbimin tuaj të çmuar në Prishtinë, në
një nga periudhat më të vështira dhe më sfiduese për shqiptarët e Kosovës. Në
ato vite të rënda, kur liritë kombëtare e njerëzore ishin të kufizuara dhe
populli ynë përballej me padrejtësi të shumta, e shtypje të mëdha, ju qëndruat
pranë besimtarëve dhe bashkatdhetarëve tuaj me guxim, urti dhe përkushtim të
palëkundur.
Prania
dhe veprimtaria juaj nuk ishin vetëm shërbim fetar, por edhe burim shprese,
dinjiteti dhe force morale për shumë njerëz. Ju dëshmuat se meshtari i vërtetë
është gjithnmonë pranë popullit të tij sidomos në kohët më të vështira.
Për
ne që ju kemi njohur prej rinisë, është gëzim i veçantë të shohim se idealet,
serioziteti dhe vlerat që ju karakterizonin në bankat e shkollës kanë mbetur
udhërrëfyes të jetës suaj edhe gjatë pesë dekadave të meshtarisë.
Në
këtë jubile të artë, ju uroj shëndet, paqe, gëzim shpirtëror dhe bekimet e
Zotit për shumë vite të tjera. Mirënjohja e njerëzve që u keni shërbyer dhe
respekti i miqve e kolegëve tuaj janë dëshmi e veprës së madhe gjatë një gjysëm
shekulli.
Me
respekt të veçantë dhe kujtime të paharruara nga vitet tona në Rijekë.
Frank Shkreli
Ish-koleg
në Gjimnazin Klasik të Rijekës (1965–1969)
Ad Multos Annos, Dom
Nosh!
Zoti
ju shpërbleftë për gjithçka keni bërë në shërbim të Kishës, të Kombit shqiptar
dhe të njeriut.








