Frank Shkreli: Rinia shqiptare dhe fryma e lirisë amerikane në jubileun e 250-vjetorit të SHBA-së
RINIA SHQIPTARE DHE FRYMA E LIRISË AMERIKANE NË JUBILEUN E 250-VJETORIT TË SHBA-së - Nga idealet e vitit 1776 te kauzat e brezit të ri të shqiptarve në 2026

Ndërsa
Shtetet e Bashkuara të Amerikës festojnë kët vit 250-vjetorin e shpalljes së
pavarësisë, bota demokratike ka rastin të reflektojë jo vetëm mbi historinë e
një kombi të madh, por edhe mbi vlerat universale që e kanë bërë Amerikën
simbol të lirisë, demokracisë dhe mundësive njerëzore.
Për
ne shqiptarët, ky jubile ka një domethënie të veçantë. Amerika nuk ka qenë
vetëm një mike e madhe e kombit shqiptar, por edhe një frymëzim i vazhdueshëm
për breza të tërë që kanë kërkuar liri, dinjitet dhe drejtësi. Nga mbështetja e
Presidentit Woodrow Wilson për Shqipërinë, te roli vendimtar i Amerikës në
çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës, historia shqiptaro-amerikane është histori
besimi te idealet e lirisë.
Në
këtë përvjetor të madh, vëmendja, këto ditë, natyrshëm kthehet te rinia
shqiptare. Ashtu si Amerika e vitit 1776 u ndërtua mbi energjinë, guximin dhe
idealizmin e një brezi që kërkoi ndryshim, edhe sot në hapësirën shqiptare po
shohim një brez të ri që kërkon të dëgjohet. Protestat dhe angazhimi qytetar i
të rinjve në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup janë shprehje e një vetëdijeje të re që
kërkon më shumë përgjegjësi publike, më shumë meritokraci dhe më shumë mundësi
për të ardhmen.
Demokracia
nuk forcohet nga heshtja, por nga pjesëmarrja. Ajo nuk mbahet gjallë vetëm nga
institucionet, por edhe nga qytetarët që kërkojnë nga pushtetarët llogari,
transparencë dhe drejtësi. Ky është një nga mësimet më të mëdha që na jep
historia 250-vjeçare e Amerikës.
Natyrisht, protestat dhe pakënaqësitë nuk janë qëllim në vetvete. Ato
marrin vlerë kur shndërrohen në energji pozitive për ndërtimin e një shoqërie
më të mirë. Sfida e rinisë shqiptare sot nuk është vetëm të kundërshtojë atë që
nuk funksionon, por edhe të ndërtojë alternativa, të marrë përgjegjësi dhe të
bëhet pjesë aktive e jetës publike.
Në
këtë kuptim, jubileu amerikan është më shumë se një përkujtim historik. Ai
është një ftesë për reflektim edhe për shqiptarët. Ky jubile na kujton se
liria, demokracia dhe përparimi nuk janë dhurata të përhershme; ato kërkojnë
përkushtim, vigjilencë dhe angazhim nga çdo brez. "Liria nuk është më shumë se një
gjeneratë larg zhdukjes", ka thenë ish presidenti amerikan Ronald Reagan.
Ai ka theksuar se demokracia dhe liria duhet të mbrohen aktivisht nga çdo gjeneratë.
Ronald
Reagan e ka artikuluar për herë të parë këtë ide në fjalimet e tij të vitit
1961 dhe 1967, më së shumti në fjalimin e tij të inaugurimit governator I
kalifotnisës në vitin 1967, ku ka deklaruar se liria është diçka e brishtë dhe
nuk është më shumë se një gjeneratë larg zhdukjes. Ai ka shpjeguar se liria nuk
trashëgohet automatikisht, se për të duhet luftuar dhe mbrojtur vazhdimisht nga
çdo gjeneratë, sepse ata popuj që e kanë humbur lirinë, historikisht, rrallë e
kanë rikthyer atë.
Në
këtë 250-vjetor të Amerikës, mesazhi për të rinjtë shqiptarë është i qartë:
ndryshimet më të mëdha në histori nuk i kanë sjellë politikanët e karrierës,
por brezat që kanë pasur guximin të kërkojnë një të ardhme më të mirë. Protesta
pa dhunë, pjesëmarrja qytetare, liria e fjalës dhe përgjegjësia publike janë shenja
të një demokracie të gjallë, jo të një demokracie në krizë.
Prandaj,
protestat e rinisë shqiptare sot kanë një domethënie që shkon përtej kërkesave
të momentit. Ato janë një kujtesë se liria nuk trashëgohet përgjithmonë; ajo
duhet mbrojtur dhe ripërtërirë nga çdo brez. Ashtu si Amerika e vitit 1776 u
ndërtua mbi idealizmin dhe guximin e një brezi të ri, edhe e ardhmja e kombit
shqiptar do të varet nga aftësia e rinisë për të mbrojtur demokracinë,
drejtësinë dhe interesin kombëtar.
Në
250-vjetorin e Amerikës, rinia shqiptare ka arsye të shohë përtej kufijve të
ditës dhe të frymëzohet nga një histori që dëshmon se idealet mund të
ndryshojnë botën. Ashtu si një grup kolonësh amerikanë në vitin 1776 guxuan të
ëndërronin lirinë, edhe të rinjtë shqiptarë sot kanë të drejtën dhe detyrën të
ëndërrojnë një shoqëri më të drejtë, më të ndershme dhe më demokratike.
Ky
është mesazhi më i bukur me rastin e 250-vjetorit amerikan: se e ardhmja u
përket atyre që besojnë te liria, punojnë për të dhe nuk reshtin kurrë së kërkuari
një shoqëri më të mirë për brezat që vijnë.
Në fund të fundit, jubileu i 250-vjetorit të Amerikës nuk është vetëm
festë e historisë së saj; ai është edhe një kujtesë se çdo brez i cilitdo
popull ka detyrën dhe përgjegjësinë të shkruaj kapitullin e vet të lirisë. Për
shqiptarët e sotëm, ai kapitull duket se po shkruhet nga rinia që nuk pranon
heshtjen, përballë padrejtësisë.










