Frank Shkreli: Besa nuk është slogan – është ndërgjegjja morale e kombit
BESA NUK ËSHTË SLOGAN – ËSHTË NDËRGJEGJJA MORALE E KOMBIT

Në
historinë e popujve ka fjalë që nuk janë thjesht pjesë e fjalorit. Ato janë
simbole të identitetit, të karakterit dhe të ndërgjegjes së një kombi. Edhe për
shqiptarët, ka fjalë që nuk janë thjesht pjesë e fjalorit, por përfaqësojnë
shtyllat morale mbi të cilat është ngritur identiteti kombëtar i shqiptarëve.
Dy prej tyre janë Rilindja dhe Besa.
Për
shumë shqiptarë, emri Rilindje evokon menjëherë Rilindjen Kombëtare, atë epokë
të ndritur kur mendimtarë, shkrimtarë dhe patriotë, me sakrifica të
jashtëzakonshme, hodhën themelet e ndërgjegjes kombëtare dhe të shtetit
shqiptar. Megjithatë, në vitet e fundit kjo fjalë është përdorur nga qeveria
aktuale socialiste si emërtim politik, duke zbehur për shumëkënd kuptimin e saj
historik dhe simbolik. Sot duket se një
fat i ngjashëm po i kanoset edhe fjalës Besa. Thjesht, një keqpërdorim i
fjalëve me peshë kombëtare! Ashtu, siç
përdoret gjithnjë nga partia në pushtet, fjala Rilindje e cila në historinë
shqiptare lidhet me Rilindjen Kombëtare dhe sakrificat e rindësve për gjuhën,
kulturën dhe shtetin shqiptar, sot po rrezikon të banalizohet edhe fjala Besa.
Kur
qeveritë ose partitë politike përvetësojnë simbole të tilla për qëllime
politike propagandistike, lind pyetja: a po u japin atyre përmbajtje përmes
veprave, apo thjesht po përpiqen të përfitojnë nga pesha emocionale dhe
historike që ato mbartin? Fjalët me
peshë kombëtare nuk duhet të shërbejnë si dekor politik. Ato duhet të mbeten
pronë e të gjithë shqiptarëve. Asnjë qeveri nuk mund të monopolizojë Besën,
ashtu siç nuk mund të monopolizojë Rilindjen. Besa nuk shpallet; ajo mbahet.
Rilindja nuk mund të dekretohet. Ajo
ndërtohet me punë, ndershmëri dhe përkushtim ndaj interesit kombëtar. Prandaj vendimi i Kryeministrit Edi Rama,
ditët e fundit, për ta pagëzuar
programin e ri qeveritar me emrin "Besa", nuk është një zgjedhje e
zakonshme politike. Ai prek një trashëgimi morale që nuk i përket asnjë partie
dhe asnjë qeverie. "Besa" nuk është pronë e një partie politike as e
ndonjë pushteti ose individi. Ajo është
pronë e Kombit shqiptar.
Në
traditën shqiptare, Besa nuk ka qenë kurrë një dekor retorik, as një mjet
politik. APër shqiptarët, ajo ishte dhe mbetet fjala e dhënë, e cila nuk
shkeltj. Ishte garancia e nderit personal dhe e dinjitetit familjar e kombëtar.
Në Kanunin e Lekë Dukagjinit, të mbledhur nga At Shtjefën Gjeçovi, Besa përbën
një nga shtyllat kryesore të rendit shoqëror. Ajo siguronte paqen, mbronte
mikun dhe vendoste besimin aty ku mungonin institucione.
Edith
Durham, mikja e madhe e shqiptarëve, kishte mbetur e mahnitur nga pesha që
kishte fjala e dhënë në jetën e shqiptarëve. Për të, si e huaj, besa ishte dëshmi se nderi te shqiptarët
kishte më shumë fuqi se frika dhe se morali kishte më shumë peshë se
forca. Ndërkaq, Faik Konica i madh e
konsideronte nderin dhe karakterin si themelet mbi të cilat mund të ndërtohej
një Shqipëri e qytetëruar. Ai paralajmëronte, vazhdimisht, se një komb nuk ngrihet
me fjalë të mëdha, por me përgjegjësi morale dhe me respekt ndaj së
vërtetës. Edhe At Gjergj Fishta i madh,
në veprën e tij, e ngriti Besën në rangun e një virtyti kombëtar. Në botën
shqiptare të "Lahutës së Malcis", nderi, fjala e dhënë dhe Besa janë
shtyllat mbi të cilat qëndron dinjiteti malësorit, i burrit shqiptar dhe i
kombit, në përgjithësi. Për Fishtën, shqiptari humb gjithçka kur humbet Besën.
Ndërsa, At Shtjefën Gjeçovi, në
përmbledhjen e Kanunit të Lekë Dukagjinit, e paraqet Besën si një nga shtyllat
themelore të rendit zakonor shqiptar. Ajo ishte garanci paqeje, sigurie dhe
besueshmërie. Edhe kur kishte gjakmarrje, Besa krijonte një periudhë paqeje që
respektohej nga të gjitha palët, një praktikë shoqëroroe që edhe sot
respektohet në malësitë tona. Kjo tregon se Besa nuk ishte një slogan
emocional, por një normë juridike e morale për shqiptarët. Edhe shkrimtari Ismail Kadare e ka trajtuar
Besën si një nga simbolet më të fuqishme të qytetërimit shqiptar. Në veprat e
tij, ajo nuk paraqitet thjesht si zakon, por si një kategori morale që
përfaqëson, jo vetëm identitetin por edhe dinjitetin kombëtar.
Por
ndoshta dëshmia më e fuqishme e kësaj vlere nuk gjendet vetëm në letërsi apo në
Kanun. Ajo gjendet në historinë e Luftës së Dytë Botërore. Kur mijëra hebrenjë kërkonin strehë për t'i
shpëtuar shfarosjes naziste, shqiptarët, pa dallime fetare, krahinore a
politike të kohës, Frank Shkreli:Pse nuk përmendet roli unik i Kol Bib Mirakës
për shpëtimin e hebrejve në Shqipëri në Luftën e Dytë Botërorë? | Gazeta
Telegraf --hapën dyert e shtëpive të tyre. Ata nuk pyetën për fenë, kombin, as
politikën apo prejardhjen e tyre.
Shqiptarët e asaj kohe, pa dallim, i mbrojtën hebrenjët nga nazistët sepse e
ndienin si detyrim moral – bazuar në Besën e dhënë. Në shumë dëshmi të
mbijetuarish përsëritet e njëjta ide: shqiptarët e mbajtën fjalën, sepse kishin
dhënë Besën! Pikërisht, siç dihet tanimë edhe përtej kufijve të Shqipërisë, ky
gjest bëri që Shqipëria të mbetej një nga rastet më të rralla në Evropë ku
numri i hebrenjve pas luftës ishte më i madh se para saj.
Ky
është kuptimi i vërtetë i Besës shqiptare. Prandaj lind pyetja: a mund të
përdoret një trashëgimi e tillë si emër i një programi politik qeveritar,
sot? Sigurisht që askush nuk mund ta
ndalojë ligjërisht përdorimin e kësaj fjale, qoftë, nga një qeveri ose individ.
Por, ama, ekziston edhe një përgjegjësi morale dhe kombëtare që nuk guxon të
shkelet nga askush. Zakonisht, simbolet kombëtare do duhej të fitojnë respekt
kur qëndrojnë mbi ndarjet politike, dhe jo kur bëhen pjesë e tyre. Duke pasur
parasysh se, normalisht, një qeveri nuk gjykohet nga emri që i vë programeve të
saj, por gjykohet nga mbajtja e premtimeve, nga drejtësia që ushtron ose jo,
nga transparenca dhe nga shërbimi dhe respekti ndaj qytetarëve të vet, në
përgjithsi dhe pa dallim. Nëse këto mungojnë, atëherë edhe emri dhe fjala më
fisnike rrezikon të humbasë kuptimin e vet.
Se Besa nuk është një markë politike dhe as një slogan fushate. Besa,
është një nga vlerat më të lashta të kombit shqiptar, e mishëruar në Kanunin e
Lekë Dukagjinit, (shpesh subjekt talljeje nga ish-regjimi komunist por edhe
sot). Për shekuj me radhë, besa ka nënkuptuar fjalën e mbajtur, nderin,
përgjegjësinë morale dhe kombëtare, si dhe gatishmërinë për të mbrojtur tjetrin
madje edhe me sakrifica personale.
Prandaj, kjo është arsyeja pse shumëkush mund ta shohë përdorimin sot të
Besës për qëllime politike -- si një banalizim të një ideje që, historikisht, u
përket të gjithë shqiptarëve, pavarësisht bindjeve partiake, politike,
krahinore a fetare. Është e turpshme që vlera historike dhe kombëtare e Besës
të monopolizohet në këtë mënyrë, nga cilado parti, qeveri, parti apo lider
politik, qoftë.
Si
mund të përdoret ose të konsiderohet Besa si një strategji komunikimi të një
program politik? Historia nuk do të
kujtojë emrin e një programi qeveritar politik me këtë emër, por do të kujtojë
nëse fjala e dhënë u mbajt apo u thye. Sepse, në traditën shqiptare, Besa nuk
matet me deklarata, as me programe politike. Ajo matet me vepra. Dhe kjo është
arsyeja pse Besa duhet të mbetet e paprekshme, gjithmonë mbi politikën dhe jo
të monopolizohet, politikisht, në këtë mënyrë!
Për ata që kanë sensin dhe respektin e historisë, Besa dhe vlera tjera
kombëtare duhet të mbeten dhe të ruhen si porosi e të parëve, si nder i
shqiptarit që e dallon nga popuj të tjerë dhe jo të çoroditet dhe të përdoret
në këtë mënyrë nga politika dhe pushteti në fuqi, për qëllimet politike të
rastit, nën presioniet e protestave dhe revoltës mbarë popullore në Shqipëri.
Besa
shqiptare nuk mund dhe nuk duhet të përdoret në këtë mënyrë banale, se ajo nuk
ka lindur në zyrat e shtetit dhe nuk është krijuar nga politika. Ajo ka lindur
në jetën e shqiptarëve ndër shekuj, në familje, në fis, në kuvend dhe në
marrëdhëniet ndërmjet njerëzve. Ajo ishte garancia më e fortë e fjalës së
dhënë, shumë kohë përpara se të ekzistonin kontratat e shkruara të
korrupcionit, manipulimet politike, apo institucionet moderne shtetërore.
Historikisht, shqiptari mund të humbiste pasurinë, por jo Besën. Humbja e Besës
nënkuptonte humbjen e nderit... humbjen e gjithçkaje. Shkelja e besës, në disa
raste konsiderohej si një ndër fajet më të rënda morale e shoqërore, me pasojë
që personi të përjashtohej ose të izolohej nga fisi ose nga katundi – ose në
minimum të mos i jepj më besë dhe të mos merrej fjala e tij më si e besueshme!
Prandaj,
fjalët si Besa, Rilindja, simbolet dhe vlerat që u kanë mbijetuar shekujve
meritojnë respekt të veçantë, sepse ato nuk janë pronë e qeverive të radhës.
Janë pasuri e mbarë Kombit! Sidomos Besa është amanet i brezave që paraprinë.
Ajo nuk fitohet me një vendim qeverie dhe nuk shpallet me konferenca për shtyp
ose në mtingje partiake. Ajo fitohet çdo ditë, me ndershmëri, përgjegjësi dhe
mbajtje të fjalës. Se Besa e shqiptarit nuk shitet pazarit, sipas qejfit! Nëse politika shqiptare sot, dëshiron t'i
shërbejë vërtetë Besës, nuk ka nevojë ta përdorë si slogan. Mjafton ta zbatojë
si parim. Vetëm atëherë fjala "Besë" do të ruaj madhështinë që i kanë
dhënë historia, kultura, tradita dhe ndërgjegjja e Kombit shqiptar, në shekuj. "Besa, kjo mrekulli e botës shqiptare,
me të cilën ndiesia heroike e detyrës dhe e nderës, e shëroi gjatë shekujve
plagën etnike të indvidualizmës''.
Kjo
është arsyeja, pra se pse BESA duhet të mbetet mbi politikën, si porosi e të
parëve, si nder i shqiptarit dhe si një nga dhuratat më të çmuara që Kombi
shqiptar i ka dhënë qytetërimit evropian dhe më gjërë. Edhe njpherë, Besa nuk
shpallet me dekret, ajo provohet. Besa as nuk trashëgohet me pushtet, as nuk
dekretohet nga pushteti, por fitohet me karakter. Një kujtesë për ata që as sot
nuk ia dinë kuptimin e vërtetë fjalës Besë: për shqiptarin, Besa nuk është
thjesht një fjalë që thuhet, ajo është një fjalë që mbahet!


