Frank Shkreli: Zgjedhjet në Kosovë – kur rinia hesht, demokracia dobësohet
ZGJEDHJET NË KOSOVË - KUR RINIA HESHT, DEMOKRACIA DOBËSOHET

Nga Prishtina në Tiranë e Shkup,
mesazhi është i njëjtë: Mjaft me politikën e vjetër! Zgjedhjet e djeshme
në Kosovë, me një pjesëmarrje vetëm prej rreth 37 për qind të
elektoratit, nuk janë, thjesht, një ngjarje politike e kufizuar brenda kufijve
të Republikës së Kosovës. Ato janë pjesë e një fenomeni më të gjerë që po
shfaqet gjithnjë e më qartë në mbarë hapësirën shqiptare: rritja e distancës
midis qytetarëve, veçanërisht të rinjve, dhe klasës tradicionale politike.
Askush nuk mund ta shpërfillë faktin se
shumica e qytetarëve të Kosovës zgjodhën të mos votojnë dje. Ky nuk është vetëm
një problem elektoral. Është një sinjal politik, shoqëror dhe moral që kërkon
vëmendje serioze nga klasa aktuale politike në Kosovë, Shqipëri dhe anë e mbanë
trojeve shqiptare. Kur shumica hesht, demokracia humbet një pjesë të forcës së
saj.
Por kjo heshtje nuk është vetëm e
rinisë së Kosovës. Por në muajt e fundit, në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup janë
dëgjuar zëra të rinj proteste. Të rinj që nuk identifikohen domosdoshmërisht me
partitë politike, tradicionale. Është një rini që kërkon mundësi më të mira
ekonomike, institucione më të ndershme, drejtësi më funksionale dhe një
politikë më pranë interesave të qytetarit shqiptar kudo. Në forma të ndryshme,
edhe ata po shprehin të njëjtin zhgënjim ndaj një klase politike që, sipas
tyre, ka vite që qarkullon brenda vetes, pa prodhuar pothuaj asnjë nga
ndryshimet e premtuara.
Mesazhi i rinisë shqiptare në të tre
qendrat kryesore të kombit është i ngjashëm: kauzat e qytetarëve nuk mund të
mbeten peng i politikanëve të karrierës. Për të gjithë ata që duan të shohin,
në Kosovë, ky mesazh u shpreh dje përmes mos-pjesëmarrjes masive në votime. Në
Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut, ai po shfaqet nëpërmjet protestave,
aktivizmit qytetar dhe mosbesimit në rritje ndaj institucioneve politike dhe
politikanëve në përgjithsi. Format mund të jenë deri diku të ndryshme, por
thelbi është i njëjtë.
Brezi i ri nuk po kërkon vetëm
ndërrimin e qeverive. Ai po kërkon ndryshimin, njëherë e mirë, të mënyrës së të
bërit politikë. Siç kam theksuar ditët e fundit në disa shkrime modeste, historia e Kombit shqiptar tregon se lëvizjet
më të rëndësishme kombëtare kanë lindur kur rinia ka marrë përgjegjësi për
fatet e vendit. Kështu ndodhi në kohën e Rilindjes Kombëtare të Lidhjes së
Prizrenit. Kështu ndodhi me lëvizjet studentore në Kosovë, fund shekullin e
kaluar. Kështu ndodhi me studentët shqiptarë që sfiduan diktaturën komuniste në
Shqipëri me 1990-91. Në çdo rast, energjia e ndryshimit erdhi nga brezat e rinj
dhe jo nga establishmenti politik i kohës. Prandaj, klasa politike aktuale
shqiptare kudo që ndodhet duhet ta lexojë drejtë e mirë mesazhin e ditëve
tona. Nuk mjafton të fitosh zgjedhjet. Duhet të fitosh besimin e
qytetarëve. Nuk mjafton të sigurosh mandate. Duhet të krijosh shpresë dhe
legjitimitet.
Kosova nuk humbi dje vetëm se pjesëmarrja
në zgjedhje ishte e ulët. Humbja më e madhe do të ishte nëse politika nuk arrin
të kuptojë arsyet e kësaj mos-pjesëmarrjeje në votime. Po kështu, Tirana dhe
Shkupi zyrtar do të gabonin rëndë nëse protestat dhe pakënaqësitë e të rinjve
do të trajtoheshin si episode kalimtare. Nuk janë të tilla! Sepse, në të gjithë
hapësirën shqiptare po formësohet një brez i ri që kërkon përgjegjësi,
meritokraci, transparencë dhe institucione që punojnë për qytetarin. Ky brez
nuk kërkon privilegje. Kërkon të ardhme, shpresë dhe perspektivë për të ardhmen
në vendin e tyre.
Dhe nëse politika shqiptare -- si në
Shqipëri ashtu edhe në Kosovë e Shkup --vazhdon
të mos e dëgjojë këtë zë, atëherë rreziku nuk është humbja e radhës në
zgjedhje. Rreziku është humbja e besimit të një brezi të tërë, në të bërit
politikë dhe në vet demokracinë e brishtë të shqiptarëve. Demokracia jeton dhe
forcohet nga pjesëmarrja e votuesve në proceset politike, sidomos pjesmarrja në
zgjedhje. Kombi forcohet nga shpresa. Kur rinia largohet nga politika ose e
sheh atë me mosbesim, atëherë asnjë parti nuk mund të quhet fituese. Të gjithë
humbin.
Dhashtë Zoti që klasa aktuale shqiptare
ta kuptojë mirë nivelin e zhgënjimit të votuesve shqiptarë, në këtë moment
historik, 35-vjet pas shembjes zyrtare të komunizmit -- nga Prishtina në Tiranë
e deri në Shkup – se rinia shqiptare po jep shënja të qarta, (qoftë me
mos-pjesëmarrje në votime si në Kosovë, ose me protesta sin ë Tiranë e Shkup)
për të gjithë ata që kanë sy për të parë dhe veshë për të dëgjuar, se
rinia e zhgënjyer deri tani nga politika, kërkon një kontratë të re
morale me politikën. Ajo nuk po kërkon premtime të reja, por përgjegjësi.
Nuk po kërkon parulla, por rezultate; nuk po kërkon liderë të përjetshëm, por
institucione që funksionojnë për të gjithë, dhe pa dallim. Kjo është sfida e
vërtetë e kohës sonë. Nëse politika do të ketë urtësinë ta dëgjojë këtë zë,
demokracia shqiptare mund të dalë më e fortë. Nëse jo, atëherë heshtja e
kutive të votimit në Kosovë dhe zhurma e protestave në Tiranë dhe në Shkup, do të
vazhdojnë të japin të njëjtin mesazh. Mjaft është mjaft me politikën e vjetër
pseudo-komuniste të dështuar e konfliktuale, anë e mbanë trojeve shqipptare!
Koha e politikës së vjetër e këtyre 35-viteve po perëndon, ndërsa koha e një
brezi të ri po troket në derën e historisë.
Sepse, në fund, kur rinia hesht, xiç
ndodhi me këtë rast të zgjedhjeve në Kosovë, humbet vet demokracia dhe
liria. Kur rinia largohet, humbet kombi. Shpëtimi i Kombit dhe "Shpëtimi i
Shqipërisë është në duart e vetë shqiptarëve", ka thënë, Abdyl Frashëri i
Lidhjes së Prizrenit. Një mesazh që sot tingëllon po aq aktual për të
rinjtë e këtij brezi të shqiptarëve në Prishtinë, Tiranë e Shkup, ashtu siç ka
qenë edhe në kohën e Rilindjes së vërtetë Kombëtare, mbarim shekullin e XIX e
fillim shekullin XX.










