Frank Shkreli: Rinia e Kosovës përballë një momenti vendimtar
E ARDHMJA E KOMBIT ËSHTË NË DUAR TË RINISË SHQIPTARE – RINIA PO KTHEHET NË SKENËN POLITIKE -- Zgjedhjet e 7 qershorit në Kosovë
Rinia
e Kosovës përballë një momenti vendimtar

Nga
protestat e ditëve të fundit të rinisë shqiptare në Tiranë dhe në Shkup, kohët
e fundit,
po
vihet re një zgjim i ri qytetar, anë e mbanë trojeve shqiptare, sidomos në radhët e rinisë shqiptare. Edhe rinia e Kosovës gjëndet këto ditë
përballë një momenti vendimtar -- Zgjedhjet
e 7 qershorit zhvillohen në një kohë kur rinia shqiptare në rajon po dëshmon
një aktivizim të ri qytetar. Protestat e fundit të të rinjve në Tiranë dhe
Shkup kanë treguar se brezi i ri nuk është më i gatshëm të qëndrojë indiferent
përballë çështjeve që prekin të ardhmen e tij. Në Tiranë, të rinjtë janë bërë
pjesë e lëvizjeve qytetare dhe protestave për kauza publike e politike -- Frank Shkreli: Kur zgjohet
rinia, dridhen elitat. A po vjen më në fund ndryshimi në trojet
shqiptare?! | Gazeta Telegraf, ndërsa
në Shkup mijëra studentë shqiptarë dolën, më heret, në mbrojtje të së drejtës për përdorimin e
gjuhës shqipe në provimet shtetërore, duke e kthyer çështjen në një debat të
gjerë shoqëror dhe kombëtar. Frank
Shkreli: Një gjuhë, një identitet, studentët dalin në mbrojtje të shqipes |
Gazeta Telegraf,
Këto
zhvillime përçojnë një mesazh të qartë se rinia shqiptare nuk kërkon më vetëm
të dëgjohet, por edhe të ndikojë. Ajo po refuzon rolin e spektatorit dhe po
kërkon të jetë pjesë e vendim-marrjes, për çeshtjet që prekin të ardhmen e tyre.
Pikërisht, për këtë arsye, zgjedhjet e 7 qershorit në Kosovë përbëjnë një provë
të rëndësishme për vetëdijen politike të brezit të ri në atë vend. Prandaj,
nëse protestat e rinisë në Tiranë dhe në Shkup janë shënja serioze e një zgjimi
të ri qytetar e rinor ndër shqiptarët, atëherë 7 qershori mund të jetë dita kur
ky zë do të dëgjohet fuqishëm edhe në kutitë e votimit të Kosovës këtë të
dielë. Jo vetëm për të zgjedhur qeverinë e ardhshme, por edhe për të përcaktuar
përparsitë e dekadës së ardhshme dhe përtej, për shqiptarët në Ballkanin
Perëndimor. Sepse, në fund të fundit, e
ardhmja e Kosovës dhe e gjithë trojeve shqiptare do varet gjithnjë e më shumë
nga brezi që sot kërkon, jo thjesht, të përfaqësohet, por të marrë pjesë
drejtpërdrejt edhe në formësimin e saj. Protestat dhe reagimet publike janë
mjetet të fuqishme demokratike, por ndryshimi rrënjësor dhe afatgjat, që sot
kërkojnë shqiptarët, nevojit pjesëmarrje të drejtpërdrejt në proceset politike
dhe institucionale. Në ketë mes, vota – VOTA, vërtetë e LIRË -- mbetet
instrumenti më i fortë për ta shndërruar pakënaqësinë në ndryshim konkret, por
pa përjashtuar as protestat, që janë pjesë e demokracisë së mirëfillt dhe e
drejtë e qytetarëve.
Përballë
sfidave si papunësia, emigrimi, cilësia e arsimit dhe mungesa e mundësive, të
rinjtë kanë arsye të mjaftueshme për të kërkuar politika konkrete dhe jo vetëm
premtime elektorale. Vota e tyre duhet të jetë një votë e informuar, e bazuar
në programe dhe vizione për të ardhmen, e jo në retorikë politike e 22- partive
politike që po marrin pjesë në zgjedhjet e 7 qershorit. Thuhet shpesh se Kosova ka popullsinë më të
re në Evropë. Banorët e Kosovës nën moshën 25-vjeçare përbëjnë ende mbi
55-përqind të popullsisë totale, megjithë emigracionin masiv, mbetet një faktor
elektoral ky me shumë rëndësi që mund të
vendosë rezultatin përfundimtar në zgjedhje.
Historia
politike e shqiptarëve ka treguar se momentet e kthesës dhe ndryshimit të madh
kanë ardhur shpesh nga energjia dhe vizioni i brezave të rinj. Pikërisht, për
këtë arsye, zgjedhjet e 7 qershorit në Kosovë nuk duhet të shihen vetëm si një
garë mes partive politike. Ato janë edhe një provë për aftësinë e sistemit
politik që të kuptojë dhe të përfaqësojë kërkesat e një brezi të ri të
shqiptarëve që duan një distancim nga politikat e vjetra përçarse dhe nga
influencat e ideologjive të huaja -- përfshir ato të mbeturinave ish-komuniste
në të dy anët e kufirit – fatkeqsisht, ende të gjalla në politikën e hapësirës shqiptare,
35-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit.
Ashtu siç ka ndodhur edhe në Shqipëri, nëse partitë politike në Kosovë
vazhdojnë të mbështeten te narrativat tradicionale dhe te figurat e konsumuara
politike, atëherë edhe ato rrezikojnë të humbasin lidhjet me segmentin më
dinamik të shoqërisë shqiptare kudo, përfshir Kosovën.
Mund
të themi se lajmi i ditës është se po shohim një gjeneratë shqiptare që nuk
mjaftohet me slogane politike por kërkon rezultate konkrete për ndryshim dhe
për një jetë më të mirë për të gjithë.
Kemi të bëjmë me një brez rinie që komunikon ndryshe, organizohet ndryshe
dhe ushtron presion politik e publik, përmes instrumenteve modernë të
komunikimit dhe mobilizimit qytetar.
Shqiptarët
sot nuk janë më të izoluar si në komunizëm brenda kufijve artificial shtetëror.
Trojet shqiqtare janë sot më të lidhura se kurrë më parë, ndërmjet vetes dhe me
botën dhe shumë mirë e informuar. Çdo protestë në Tiranë, ndiqet në Prishtinë,
ashtu si edhe çdo debat në Prishtinë ndiqet në Shkup e më gjërë.
Energjia
që po shihet sot në rrugët e Tiranës dhe Shkupit më heret, duhet të shndërrohet
në një pjesëmarrje demokratike edhe në votimet në Kosovë, pasnesër.
Protesta,
si gjithmonë kudo në botë, është një formë e rëndësishme e angazhimit qytetar,
por vota kur është e lirë, mbetet instrumenti më i fuqishëm për të sjellë
ndryshim. Nëse rinia shqiptare arrin ta bashkojë zërin e protestës me forcën e
votës, ajo mund të bëhet faktori më i rëndësishëm në përcaktimin e drejtimit që
do të marrë vendi dhe dhe Kombi shqiptar më vitet dhe dekadat e ardhme.
Më
7 qershor, të rinjtë e Kosovës kanë mundësinë të dëshmojnë se janë jo vetëm e
ardhmja e vendit, por edhe forca që mund të ndikojë vendimet e së tashmes. Në
fund të fundit, një demokraci është aq e fortë sa edhe pjesëmarrja e brezit të
ri që do ta trashëgojë atë demokraci. Prandaj, ashtu si edhe rinia që po
proteston në Tiranë dhe në Shkup, edhe rinia e Kosovës gjëndet sot
përballë një momenti vendimtar, në prak të zgjedhjeve të 7 qershorit. Sepse e
ardhmja e Kosovës, si shtet i lirë, i pavarur dhe demokratik por edhe e
Shqipërisë dhe gjithë hapësirës shqiptare në Ballkanin Perendimor, do varet
gjithnjë e më shumë nga brezi që sot kërkon jo vetëm të përfaqsohet, por edhe
të marrë pjesë dejtpërdrejt në formësimin e asaj së ardhme që ky brez kërkon
sot për veten, për familjet e tyre dhe për mbarë Kombin.










