Blerim Latifi: Fati i shtëpive të zotave të qiellit varet gjithmonë nga zotat e tokës

4h më parë

Fati i shtëpive të zotave të qiellit varet gjithmonë nga zotat e tokës

Nga Prof. Blerim Latifi

Pashë disa pamje nga vizita e presidentit francez në Xhaminë e Umajadëve në Damask, i shoqëruar nga lideri i ri sirian, Ahmed al-Sharaa.

Historia e kësaj faltoreje është një shembull i rrallë për të kuptuar se si qytetërimet, fetë dhe perandoritë nuk kanë ndërtuar gjithmonë duke e fshirë të shkuarën, por shpesh duke u ngritur mbi trashëgiminë e njëra-tjetrës.

Historia na tregon se në fillim, në këtë vend ngrihej një tempull pagan kushtuar zotit Hadad. Fiset kananite besonin se Hadadi ishte zoti i stuhive dhe i shiut. Në tokat e përvëluara të Levantit, ku shiu ishte burim jete, fiset kananite i ofronin flijime Hadadit, duke besuar se kështu do të fitonin bekimin e tij për të ujitur tokat dhe për të siguruar prodhimet e saj.

Por një ditë, befas, erdhën romakët. Bashkë me ta mbërritën edhe perënditë e tyre. Tempulli i Hadadit ndërroi zot: romakët e shndërruan atë në një tempull kushtuar Jupiterit, zotit suprem të panteonit romak.

Por një ditë edhe Roma vendosi të ndahej nga Jupiteri dhe t'i drejtohej një Zoti të ri: Jezu Krishtit, të cilin, shekuj më parë, e kishte kryqëzuar në Jerusalem. Pasardhësit e Konstandinit të Madh e çuan më tej projektin e tij fetar. Krishterimi jo vetëm që do të tolerohej në Perandorinë Romake, por do të bëhej feja zyrtare e saj dhe e vetmja e lejuar. Politeizmi dhe paganizmi greko-romak u shpallën të paligjshëm, ndërsa tempujt e tyre ose u shkatërruan, ose u shndërruan në kisha.

Kështu, Tempulli i Jupiterit në Damask u kthye në një kishë kushtuar Shën Gjon Pagëzorit.

Një legjendë ia shtoi edhe më shumë shenjtërinë këtij vendi. Sipas saj, aty ruheshin reliket e kokës së Shën Gjon Pagëzorit, i njohur në traditën shqiptare edhe si Shën Gjon Kryepremi.

Tre shekuj më vonë, një ushtri tjetër, me një fe tjetër, marshoi drejt Damaskut: ushtria e Kalifatit Islamik. Muslimanët nuk e rrënuan menjëherë kishën. Përkundrazi, kërkuan që një pjesë e saj t'u vihej në dispozicion për kryerjen e lutjeve të tyre. Thuhet se, për rreth gjysmë shekulli, kjo faltore ishte njëkohësisht gjysmë kishë dhe gjysmë xhami. Në njërën anë dëgjoheshin lutjet drejtuar Krishtit, ndërsa në anën tjetër ato drejtuar Allahut.

Brenda ndërtesës ndodhej diçka që i bashkonte të dy komunitetet fetare: varri me reliket e Shën Gjon Pagëzorit, të cilin tradita islame e njeh si Profetin Jahja.

Por të krishterët dhe muslimanët ndanin edhe një besim tjetër: besimin në Ardhjen e Dytë të Krishtit. Megjithatë, traditat e tyre ndryshojnë në një pikë: të krishterët besojnë se Ardhja e Dytë do të lidhet me Jerusalemin, ndërsa shumë tradita islame tregojnë se Jezusi (Isa) do të zbresë në Damask, pranë minares lindore të xhamisë që sot mban emrin e Umajadëve.

Pas rreth gjysmë shekulli bashkëndarjeje të së njëjtës faltore, një vendim i kalifit umajad Al-Valid I ndryshoi edhe një herë historinë e saj. Kisha u shemb dhe në vend të saj u ndërtua Xhamia e Madhe e Damaskut, e njohur sot si Xhamia e Umajadëve. Megjithatë, brenda saj vazhdoi të ruhej një vend i shenjtë që, sipas traditës, përmban reliket e Shën Gjon Pagëzorit (Profetit Jahja), duke e bërë këtë monument një nga vendet më të rralla në botë, ku shtresat fetare dhe historike të kananitëve, romakëve, të krishterëve dhe muslimanëve nuk e kanë fshirë krejtësisht njëra-tjetrën, por janë ngritur njëra mbi tjetrën.

Një kronikë në gur, ku mund të shkruhej: çdo sundimtar që erdhi këtu solli një zot të ri, por askush nuk e nisi historinë nga e para.

Sepse një gjë dihet: fati i shtëpive të zotave të qiellit varet gjithmonë nga zotat e tokës.