Albert Zholi: Mos luani me klubin “Labëria”, se “kur ka nevojë Shqipëria, ngrihet në këmbë Labëria”

1h më parë

MOS LUAJNI ME KLUBIN "LABËRIA" SE "KUR KA NEVOJË SHQIPËRIA, NGRIHET NË KËMBË LABËRIA"

Klubi "Labëria" nuk është thjesht një godinë, është një copëz e gjallë e Pavarësisë së Shqipërisë

Nga Albert Z. Zholi

E kam lexuar me dhjetëra herë... Dhe nuk  bëj thirrje për revoltë, jo, kurrë, por për informim të   opinionit. Mendoj se është  një lapsus për shkak të stinës së tejnxehur! Ku e kam fjalën?! Këto ditë, në rrjetet sociale, po qarkullon një lajm që të trondit (qoftë i gabuar i hedhur në tregun mediatik nga njerëz pa u menduar gjatë): "Do të prishet muzeu ku punoi Babai i Kombit dhe do të ndërtohet një muze për hebrenjtë." Nuk e dimë nëse ky informacion është i vërtetë pasi institucionet që nga Kryeministria, Bashkia, Prefektura, Qarku ka heshtje. Nuk dimë as burimin e tij. Por pikërisht për këtë arsye, institucionet duhet të flasin qartë. Duhet t'u thonë qytetarëve të Vlorës: Çfarë po planifikohet me godinën e Klubit "Labëria"? A ka një projekt? A ka një vendim? A ka një marrëveshje? Sepse këtu nuk kemi të bëjmë me një ndërtesë të zakonshme. Kemi të bëjmë me një nga dëshmitarët më të rëndësishëm të Rilindjes Kombëtare dhe të Pavarësisë së Shqipërisë. Godina e Klubit "Labëria", në qendrën historike të Vlorës, është ndërtesë me vlera të jashtëzakonshme historike dhe arkitekturore, e shpallur "Monument Kulture i Kategorisë I". Në këtë godinë u themelua më 11 tetor 1908 Klubi Patriotik "Labëria". President nderi u zgjodh Ismail Qemali, ndërsa në drejtimin dhe veprimtarinë e tij morën pjesë shumë prej figurave të shquara të lëvizjes kombëtare shqiptare. Aty u fol shqip kur shqipja kërkonte dritë. Aty u punua për arsimin kur arsimi shqip ishte një mision patriotik. Aty u ushqye ideja e Shqipërisë së lirë kur Pavarësia ishte ende një ëndërr. Në këtë hapësirë lidhet edhe historia e arsimit shqip në Vlorë. Në vitin 1908 u hap shkolla e parë shqipe e qytetit, ndërsa një vit më pas u hap edhe shkolla për vajza, me kontributin e jashtëzakonshëm të Marigo Posios. Në ato banka mësuan dhe u formuan njerëz që më pas do të bëheshin pjesë e historisë së Shqipërisë. Dhe pikërisht nga kjo vatër patriotike u dha një kontribut i rëndësishëm në përgatitjen e asaj atmosfere kombëtare që kulmoi me 28 Nëntorin e vitit 1912. Atëherë, pyetja është e thjeshtë: Si mund të mendohet prekja e një godine të tillë? Ne nuk jemi kundër asnjë komuniteti. Nuk jemi kundër kujtesës së askujt. Shqipëria ka qenë dhe është vend bashkëjetese, ku çdo komunitet që ka kontribuar në historinë e vendit meriton respekt. Por respekti për historinë e të tjerëve nuk mund të kërkojë fshirjen e historisë sonë. Nëse dikush dëshiron të ndërtojë një muze të ri, le ta ndërtojë. Nëse ka një histori që duhet të dokumentohet, le të dokumentohet. Nëse ka komunitete që duhen nderuar, le të nderohen. Por jo duke prekur një monument që lidhet drejtpërdrejt me historinë e Pavarësisë së Shqipërisë. Paraja nuk është argument kundër historisë. Investimet nuk janë argument kundër kujtesës. Dhe asnjë shumë parash, nga cilido burim qoftë, nuk mund të blejë të drejtën për të fshirë gjurmët e historisë shqiptare. Klubi "Labëria" nuk është pronë e një individi. Nuk është pronë e një qeverie. Nuk është pronë e një partie. Ai është pjesë e trashëgimisë kombëtare. Është i Vlorës, por historia që mbart është e të gjithë shqiptarëve. Prandaj, nëse ekziston një projekt për ndërhyrjen në këtë godinë, ai duhet të bëhet menjëherë publik. Qytetarët kanë të drejtë të dinë se çfarë do të bëhet, kush e ka propozuar, kush e ka miratuar dhe cilat janë garancitë për ruajtjen e monumentit. Nuk mjafton të thuhet: "Do të restaurohet." Nuk mjafton të thuhet: "Do të bëhet muze." Duhet të dimë çfarë muzeu, në çfarë forme dhe mbi çfarë baze ligjore e historike. Sepse restaurimi është një gjë. Tjetërsimi është tjetër gjë. Dhe mes tyre ka një kufi që nuk duhet kaluar. Vlora nuk mund të trajtohet si një parcelë e lirë ndërtimi ku çdo gjë që pengon një projekt mund të zhduket. Vlora është qyteti ku u shpall Pavarësia. Është qyteti i Ismail Qemalit. Është qyteti i flamurit. Është qyteti i atyre burrave dhe grave që punuan përpara 28 Nëntorit që Shqipëria të bëhej shtet. Dhe Klubi "Labëria" është një nga dëshmitë e gjalla të asaj historie. Prandaj sot duhet të thuhet qartë: MOS LUAJNI ME VLORËN! Mos prekni atë që nuk ju përket vetëm juve. Mos shkatërroni atë që na përket të gjithëve. Mos e ktheni historinë në mall për t'u tregtuar. Labëria nuk është kundër askujt. Por Labëria nuk do të lejojë që historia e saj të fshihet. Kjo godinë duhet të restaurohet, të mbrohet, të dokumentohet dhe t'u lihet brezave. Sepse muret e saj nuk janë thjesht gurë. Ato kanë dëgjuar fjalët e patriotëve. Kanë parë përpjekjet për gjuhën shqipe. Kanë parë ëndrrën e Pavarësisë të marrë formë. LABËRIA, NJË EMËR QË NUK MUND TË FSHIHET NGA HISTORIA ...Dhe për të kuptuar se çfarë përfaqëson Labëria në ndërgjegjen shqiptare, mjafton të kujtojmë vargjet e Andon Zako Çajupit: "Labëri sa i dua,/ Pyjet e kodrat e tua,/ Ato gryka, ato male,/ Ku dhe zogu shkon ngadalë,/ Shkëmbinj dhe shpella si thikë,/ Që t'i shikosh të vjen frikë,/ Anës lumit, ndënë hije,/ Ç'faqetë një rrugë dhie,
Rrugë e ngushtë nëpër gjemba,/ Mjerë kujt t'i shkasë këmba!" Vargje që nuk janë thjesht një përshkrim i natyrës. Ato janë një dëshmi e dashurisë së poetit për një trevë që ka lënë gjurmë të thella në historinë dhe kulturën shqiptare. Labëria nuk është vetëm Dukati, Progonati apo Vermiku, Vlora, Saranda.. . Ajo është një hapësirë e gjerë historike, kulturore dhe shpirtërore në jugperëndim të Shqipërisë, me shtrirje që lidhet me Vjosën, bregdetin jonian dhe trevat e tjera të jugut. Është një Labëri e këngës dhe e polifonisë, e pushkës dhe e penës, e patriotëve dhe e mësuesve, e njerëzve që në ditët më të vështira kanë ditur të ngrihen për vendin e tyre. Prandaj Labëria nuk mund të shihet thjesht si një emër në hartë. Labëria është një kujtesë. Është një identitet. Është një pjesë e shpirtit shqiptar. Dhe nëse një ndërtesë në zemër të Vlorës lidhet me atë histori, me Klubin "Labëria", me Ismail Qemalin, me arsimin shqip dhe me rrugën që çoi drejt 28 Nëntorit, atëherë ajo nuk është vetëm pronë materiale. Ajo është pasuri e kujtesës kombëtare. Prandaj, le të ndërtohen muze të rinj, le të restaurohen monumentet, le të nderohen të gjitha komunitetet dhe kontributet që kanë lënë gjurmë në historinë e Shqipërisë. Por mos e ndërtoni të renë duke rrënuar të vjetrën. Mos e zëvendësoni historinë. Mos e zhdukni dëshminë. Mos e ktheni kujtesën kombëtare në një çështje pazari. Sepse Labëria ka qenë aty kur Shqipëria kishte nevojë për burra dhe gra që ta ngrinin zërin për gjuhën, arsimin dhe Pavarësinë. Dhe do të jetë përsëri aty sa herë që historia e saj të vihet në rrezik. Mos luani me Vlorën! Mos luani me Labërinë! Mos luani me historinë e Shqipërisë! Sepse një popull që ruan monumentet e tij, ruan edhe kujtesën. Dhe një popull që ruan kujtesën, nuk e humbet kurrë rrugën e tij. Dhe një popull që nuk mbron dëshmitarët e historisë së vet, rrezikon të humbasë edhe vetë kujtesën. Klubi "Labëria" duhet të mbetet në këmbë.
Për Vlorën. Për Labërinë. Për Shqipërinë. Për brezat që do të vijnë. Mos luani me historinë!

Kanë thënë për Labërinë":

Fan Noli: "Kur lëngon Shqipëria zgjohet Labëria" dhe "...kur të vdes të më përcillni me këngë labësh dhe labeshash".

Dritëro Agolli: "Nuk do bëhesha ky shkrimtar që jam sot, po të mos kisha mësuar në Labëri".

Rexhep Qosja: "Kur është sëmurur liria, kur e ka zënë gripi atë, i pari që e ndien këtë grip apo këtë sëmundje është Labëria dhe jo vetëm e ndien, por ajo merr masa dhe për ta shëruar". "Labëria e ka lindur dhe rilindur Shqipërinë".

Ndërsa kleriku dhe shkrimtari Shtjefën Gjeçovi: "Imzot, kur të vij në Shkodër do t'u bëj të flisni labçe, se vlonjati për Shqipërinë jep fëmijën, djeg shtëpinë dhe fal pasurinë".
Ismail Kadare, ka shkruar se: "Gazeta "Labëria" ka qënë për mua, një nga surprizat e këndshme, larg këtij agresiviteti që karakterizon shtypin shqiptar"