Anton Marku: Cikël me poezi nga libri ''Hija e shiut''

2h më parë

Cikël me poezi nga libri ‘‘Hija e shiut’’, Anton Marku, BOTIMET TOENA, Tiranë, 2026

Anton Marku


Sa herë që historisë

i ra lapsi nga dora

toka ia përpiu këmbët

duart ia gurëzoi vreshtave të gjyshërve



PAMBARIMISHT


Është diçka

më e vjetër se sa fjala


E ngjizur

në fillim të fillimit


Kur parajsa

ende nuk kishte emër


Një frymë

që lindi kohën

dhe i fali jetë.



RRËFIMI


Trupi i një mëkatari u kërrus

sikur të kishte përtypur dy herë

të njëjtën kafshatë


Mes tij dhe Atij

një fjalë shpirti


Mbi librin e shenjtë

tha tri herë besoj në Zot


I veshur me falje

u kthye të ngjyrosë

në tavolinën e vet

trohat e kohës së mbetur.



BORXHI I PASHLYER


Populli im nuk e deshi luftën

ai e dinte se sa të shtrenjta janë

veshjet e saj


Sa herë që historisë

i ra lapsi nga dora

toka ia përpiu këmbët

duart ia gurëzoi vreshtave të gjyshërve


Atyre që vriteshin me plumbin e parë

me dhëmbë ua përvjelte mëngët


I rritur livadheve të veta

në asnjë atdhe tjetër

nuk e ktheu kokën.



OBORRTARI


Në sofra ulej

pa i larë duart


Për rrënjët e tij

kërkonte tjetër tokë


Deri në fund të botës

i shkoi pas të djeshmes

t’i thotë diçka në vesh


Sytë e tij

ngjanin si litarët.



PA TAKT


Në shtëpinë time

janë shpeshtuar kollitjet


Trupi nuk u bindet viteve


Goja po rri më gjatë hapur

për moshën që ka


Dashnoret e fqinjit përballë

nuk po më thirrin në emër


Dorës

gishtat iu janë bërë barrë.


Anton Marku

Vjenë, 11.08.2026