Sinan Sadiku: Rrëfimet e një mërgimtari
RRËFIMET E NJË MËRGIMTARI
Naser
I. Dërmaku: “SKUTAVE TË JETËS, rrëfime të një mërgimtari”, botoi “Drita press”,
Prishtinë, 2021.

Populli ynë gjatë historisë në vazhdimësi është
ballafaquar me mërgimin, kurbetin, me të gjitha pasojat që e shoqërojnë atë.
Për këtë arsye, letërsia jonë, qoftë gojore, qoftë e shkruar, e ka trajtuar
këtë tematike dhe është frymëzuar prej saj. Disa nga këngët dhe poezitë tona më
të mira janë të motivuara nga kurbeti. Shumica e tyre janë këngë dhe poezi të
dhimbshme, që shkaktojnë përjetime të thella, të cilat edhe sot dëgjohen dhe
lexohen me ëndje nga një shtresë e gjerë. Megjithatë, ende ndihet mungesa e librave
autobiografikë të karakterit dokumentar, të shkruar nga vetë mërgimtarët. I
tillë është libri “Skutave të jetës,
rrëfime të një mërgimtari”, i autorit Naser I. Dërmaku.
Libri është një vepër, përmes së cilës autori na njofton
me jetën, veprimtarinë, idealet, shpresat, përjetimet, sfidat, dilemat,
iluzionet, zhgënjimet, mendimet dhe botëkuptimet e tij gjatë qëndrimit në
mërgim, në decenien e fundit të shekullit të kaluar dhe gjatë dy decenieve të
para të shekullit të njëzetenjëtë. Ky libër na shërben shumë për ta njohur
jetën e mërgimtarëve tanë në shtetet e Perëndimit, veçmas jetën e atyre
bashkatdhetarëve të cilët ideal jetësor e kishin çlirimin e Kosovës nga
okupatori serb, për çka kanë kontribuuar në të gjitha format e mundshme, qoftë
duke i ndihmuar familjet e veta dhe njerëzit në nevojë, qoftë duke grumbulluar
mjete për t’i mbajtur gjallë arsimin, kulturën, shëndetësinë, për ta financuar
UÇK-në etj.
Tema për të cilën Dërmaku ka shkruar më së shumti në këtë
libër është angazhimi - kontributi i tij për ta ndihmuar çlirimin e Kosovës, që
ishte ideali më i rëndësishëm, për realizimin e të cilit ka investuar më së
shumti dije, aktivitet, kohë dhe i ka shpenzuar mjetet dhe energjitë e veta,
shpesh duke sakrifikuar dhe duke e lënë pas dore përmbushjen e nevojave të veta
elementare. Në funksion të realizimit të idealit të tij për liri dhe për
ruajtje të identitetit kombëtar, në libër i gjejmë shumë aktivitete të cilave u
ka pri ose i ka organizuar me disa nga bashkëpunëtorët e tij.
Libri është i sistemuar në tri pjesë: Nga dekada e parë në mërgim, Nga dekada e
dytë në mërgim dhe Jashtë ditarit, në
kohështrirje të ndryshme.
Në pjesën e parë autori shkruan për angazhimet e tij dhe
të miqve e bashkëpunëtorëve për ta ndihmuar Kosovën, ndonjëherë edhe
Shqipërinë, po edhe për shumë aktivitete kulturore në organizimin e të cilave
ka marrë pjesë.
Ndër aktivitetet për të cilat ka shkruar është botimi i
fletushkës “Kosova Report” e më vonë nxjerrja e revistës “Mërgimtari” me një
tirazh prej 5000 kopjeve, në të cilën revistë janë botuar shkrime të ndryshme
për aktivitete kulturore nga fusha e filmit, teatrit, muzikës etj., intervista
me personalitete të rëndësishme politike, kulturore dhe informata të ndryshme
për jetën në mërgim, duke mos e harruar as jetën në Kosovë.
Në libër ka shkrime të shumta edhe për aktivitete të
ndryshme për informimin e palës gjermane, qytetarëve, autoriteteve dhe
institucioneve me gjendjen në Kosovë dhe represionin e shtetit serb ndaj
shqiptarëve, e gjithë kjo për ta ndërkombëtarizuar çështjen dhe për të fituar
miq e mbështetës. Pastaj vazhdohet edhe me shkrime për aktivitete të tjera,
veçmas nga fusha e kulturës dhe për takime me njerëz nga fusha e muzikës,
teatrit dhe letërsisë. Aktivitetet dhe shfaqjet muzikore të këngëtarëve nga
Kosova e ngjallnin jetën kulturore në mërgatë dhe i ushqenin ndjenjat atdhetare
të mërgimtarëve, por Dërmaku ka edhe kritika, jo vetëm për çmimin e biletës që
ishte 20 marka gjermane, që nuk ishin pak, por edhe për stërkeqjen e muzikës
shqiptare, për të cilën gjë ai e kishte shkruar një artikull në të përditshmen
“Bota sot”. Kritika ka edhe për gazetarët e RTK-së në Gjermani të cilët për të bërë
reportazhe, përmes të cilave prezantohej aktiviteti “patriotik dhe kulturor” i
klubeve dhe individëve në mërgatë, kërkonin dhe merrnin shuma të majme parash.
Për vizitën e Kadaresë, takimin dhe bisedat me të autori
shkruan në pjesën e dytë të librit të titulluar Nga dekada e dytë në mërgim. Këtë pjesë Dërmaku e shkruan në formë
ditari, ndërsa aty-këtu e quan edhe fletore të kujtimeve, fletore të mbresave
jetësore etj. Shkrimin e mbresave dhe kujtimeve e fillon më 24.03.2002 dhe e
përfundon me 01.05.2012. Gjatë kësaj periudhe jetësore rreth dhjetëvjeçare ai
shkruan për aktivitete, tema, ndodhi, sfida, përjetime, mendime, shpresa,
zhgënjime, për bashkëpunimin me veprimtarë, miq, po edhe për pengesa dhe
keqkuptime që i vinin nga disa mërgimtarë shqiptarë. Në këtë lloj ditari jetësor
autori i ka zgjedhur temat, ngjarjet dhe njerëzit për të cilat ka shkruar, duke
ia bërë të njohura lexuesit ato të cilat i janë dukur më të rëndësishme si në
aspektin kombëtar, ashtu edhe në aspektin personal. Shihet që më së shumti ka
shkruar për aktivitete në të mirë të atdheut, për aktivitete kulturore,
letrare, politike, për librat e lexuar, për takime, organizime e biseda me
bashkëveprimtarë, për biseda me personalitete letrare, muzikore, politike, për
shënime përvjetorësh, për vizita në vendlindje, për takime me familjarë, me
nënën, me motrat, me vëllezërit me shokët e fëmijërisë e të rinisë etj.
Pjesa e dytë është pjesa më voluminoze, më e gjatë se të
dy të tjerat së bashku. Kryesisht është shkruar në qytetin Lëne, ku ka jetuar
autori. Në këtë pjesë shohim se Dërmaku është mjaft i interesuar dhe i
informuar për rrjedhat politikë, kulturore etj., në të cilat është edhe vetë
kontribuues. Pra, ai merr pjesë në organizime, takime, manifestime, ngjarje,
lexon dhe komenton gazeta, shikon televizione, ndjek koncerte muzikore, lexon
libra, shpreh mendime dhe mban qëndrime, disa prej të cilave i boton nëpër
gazetat dhe revistat e kohës. Disa nga librat e lexuar i komenton, i analizon,
nxjerr mësime prej tyre, por edhe i shijon si vlera estetike. Tregon se i ka lexuar veprat e shkrimtarëve: Ismail Kadare, Fatos
Kongoli, Rexhep Qosja, Ali Podrimja, Musa Ramadani, Vedat Kokona, Adem Demaçi,
Rifat Kukaj, Arif Demolli, Ramadan Haziri, Bajram Sefaj, Daut Demaku, Fan Noli,
Faik Konica, Blerim Shala, Sylejman Salihu, Edmond Tupja, Klara Buda... dhe të
shkrimtarëve botërorë: Albert Kamy, Herman Hese, Aleksandër Pushkin, Paulo
Koehlo, Gëte, Marsel Prust, Henri Miller, Orhan Pamuk, Miguel de Cervantes,
Dante Aligeri, Amos Oz, Stefan Cvajg etj.
Pjesa e tretë e librit është titulluar “Jashtë ditarit, në kohështrirje të
ndryshme”. Edhe në këtë pjesë, sikurse edhe në dy të tjerat, autori na
tregon për atë që e ka motivuar për ta shkruar këtë libër, ndërsa e ka motivuar
dëshira për t’ia prezantuar lexuesit aktivitetet dhe punët që ai me
bashkëpunëtorë i kanë kryer në të mirë të atdheut. Edhe në këtë pjesë shihen
dilemat që i ka pasur për t’ia filluar apo jo kësaj pune. Një nxitje shtesë i
ka ardhur edhe nga fakti se disa prej mërgimtarëve, shumica e të cilëve me mangësi
sa i përket aftësisë për t’u shprehur me shkrim, tashmë kishin shkruar libra,
ishin anëtarësuar në Lidhjen e Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë
në Gjermani (LSHAKSH), po edhe në Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës (LSHK)!
Këta tipat nuk linin rast pa e reklamuar vetveten, pa u treguar të rëndësishëm,
pa folur e pa shkruar për vepra të shumta patriotike, pa u krekosur me to,
vepra të cilat, edhe nëse i kishin kryer deri diku, i kishin kryer me pagesë.
Andaj, Dërmaku shkruan: “Veprimtar vullnetar i çështjes e me pagesë, nuk vete”
dhe habitet me arsyetimin e tyre “se nuk kanë pasur punë tjetër profesionale,
pos PATRIOTIZMIT! (sic!)
Dërmaku i heton dhe i kritikon këto dukuri dhe befasohet
për të keq kur sheh se edhe disa krijues të shquar nga Kosova, të cilët, edhe
pse i dinin deficitet e librave të autorëve gjysmanalfabetë, ato “i uronin, i
lavdëronin me fjalë të zgjedhura, i çonin në qiellin e shtatë”. Pra, ai i ka
detektuar këto dukuri të shëmtuara që janë bërë pjesë e jetës sonë kulturore e
letrare, si në diasporë ashtu edhe në Kosovë, sepse, siç shkruan ai, “Ata sot
janë edhe anëtarë të Lidhjes së shkrimtarëve të Kosovës”.
Siç e kam përmendur edhe në pjesët tjera të këtij punimi,
autori është një dashamir i madh i librit, një lexues i pasionuar i tij dhe një
vizitues i shpeshtë i panairit më të madh të librit në botë, që mbahet për çdo
vit në Frankfurt të Gjermanisë. Ai lexon shumë libra, si të autorëve shqiptarë,
ashtu edhe të atyre botërorë, i komenton, i analizon, përfiton prej tyre, i
shijon vlerat estetike dhe nganjëherë shkruan mbresa dhe ese përmes të cilave i
shpërfaq përshtypjet dhe vlerësimet e tij. Një ese e shkruar me shije, në të
cilën shihet talenti i autorit në këtë fushë, është ajo e titulluar “Leximi - joshje për jetën pa korniza...”,
në të cilën ka shkruar për krijimtarinë letrare të shkrimtari Stefan Cvajg.
Përsëri edhe në fund të kësaj pjese, që është fundi i
librit, autori u kthehet aktiviteteve dhe takimeve në klubin “Kosova 1981”, që vepron në Bielefeld të Gjermanisë, kryetar
i të cilit kishte qenë një mandat. Për takimet në klub shkruan: “Aty i kujtojmë ato kohë kur vraponim nëpër
organizime të ndryshme, i kujtojmë ato shpresa dhe iluzione, se Kosova jonë pas
çlirimit do të lulëzojë, se si ne në momentet e para të lirisë, do të
ktheheshim, e shumë ngjarje të këndshme e të pakëndshme”. Dhe vazhdon: “Mund të them një si bindje timen, mbase
tingëllon subjektive, porse kjo pjesë e takimeve tona, që nuk janë të rralla,
është pjesa më e këndshme shpirtërore, ku gërshetohen vullneti dhe puna e bërë
për shoqërinë shqiptare”.
Është i dhimbshëm konstatimi i autorit: “Fëmijët, deshëm apo jo, atdhe dhe gjuhë të
parë kanë vendin ku kanë lindur, ani se gjakun e mbajnë shqiptar”.
Pothuajse të gjithë mërgimtarët kanë shkuar në mërgim me mendimin dhe shpresën
se atje do të qëndrojnë një kohë dhe do të kthehen, por vetëm një numër i
papërfillshëm janë kthyer, të tjerët, pavarësisht nga dëshira për kthim, kanë
mbetur atje dhe dikur nga pleqëria thuajse e kanë kuptuar dhe i janë bindur
realitetit. Mund të thuhet se në njëfarë mënyre, deri diku, janë pajtuar me
realitetin të cilin nuk kanë mundur ta ndryshojnë. Kjo e vërtetë e dhimbshme
për individët është një e vërtetë e dhimbshme edhe për kombin, sepse me kalimin
e viteve dhe dekadave asimilimi e bën të veten.
Dërmaku e ka filluar dhe e ka shkruar librin me qëllimin
për ta prezantuar punën e kryer në të mirë të atdheut nga ai dhe
bashkëpunëtorët e tij, për ta prezantuar atë punë që vërtet e kishin kryer, pa
zmadhime, pa vetëlavdërime. Dihet që librat autobiografikë nga ekspertët e
fushës konsiderohen subjektivë, sepse autori shkruan për veten e vet, por ka
dallime të mëdha midis këtij lloji të librave në lidhje me atë se sa janë afër
realitetit që e prezantojnë. Dërmaku është përpjekur dhe në masë të madhe ka
arritur ta përmbushë zotimin e tij për ta shkruar vetëm të vërtetën dhe kjo ia
shton vlerën dokumentare librit dhe shërben për ta njohur realitetin.
Në libër ka ngjarje dhe rrëfime interesante e të vërteta,
të shkruara me një gjuhë të qartë dhe të rrjedhshme, po ka edhe punime në formë
të eseve dhe analizave në të cilat është shpërfaqur aftësia intelektuale dhe
krijuese e autorit.
Libri “Skutave të jetës, rrëfime të një mërgimtari” i
autorit Naser I. Dërmaku është libër autobiografik, në të cilin, duke mësuar
për jetën, veprimtarinë, përjetimet, shpresat, mallin e mërgimtarit,
sakrificat, vullnetin, zhgënjimin, pritjet, gëzimet, pajtimet e mospajtimet e
tij, mësojmë për jetën me shumë sfida dhe sakrifica të mërgimtarëve tanë. Shumë
gjëra i mësojmë për jetën e të gjithë mërgimtarëve, por në veçanti mësojmë për
jetën e një mërgimtari intelektual, që shkrihet për atdheun, që e lexon dhe e
çmon librin, artin, kulturën, dijen... Si i tillë libri do të ketë lexues dhe
do t’u shërbejë të gjithë atyre që u interesojnë ose merren me çështjet - temat
e trajtuara në të.
Dardanë, 17 qershor 2026



