Ajete Zogaj: Shpërngulja e shqiptarëve dhe rikthimi te rrënjët
SHPËRNGULJA E SHQIPTARËVE DHE RIKTHIMI TEK RRËNJËT
“Eh...Kosovë...Kosovë..., edhe gjumin edhe
vdekjen për njerëzit e tu i ke më të ëmbla”

Hyrje
Në rrjedhën e historisë,
shpërngulja e shqiptarëve të Kosovës për në Turqi, ruhet me dhimbje për njerëzit
tanë që jetuan me kujtimin për vendin e të parëve dhe me dëshirën e flaktë që të
kthehen një ditë në atdheun e tyre.
Kjo pjesë e dhimbshme e
historisë, veçmas ajo ndërmjet dy luftërave botërore, u shoqërua me reforma agrare,
shpronësime e kolonizime, me aksionin armëve, me presion e tortura çnjerëzore, duke
cenuar drejtpërdrejtë, jetën dhe ekzistencën
e familjeve të shumta shqiptare, veçmas të atyre me taban kombëtar. Në këtë
kontest shpërnguljet e shqiptarëve, nuk janë thjeshtë histori të vatrave të
braktisura, shtëpive të mbyllura e oxhaqeve të fikura. Ata u larguan nga
Kosova, por Kosova nuk u largua asnjëherë nga mendja dhe zemra e tyre!
Rikthimi në vendlindje
Shumë libra lexohen me
një frymë dhe të bëjnë për vete, por ka
libra që, pasi lexohen, vazhdojnë
të jetojnë brenda nesh. Romani“Njerëzit takohen një ditë” i Salih
Haxhi Krasniqit, edhe pas leximit, vazhdon të jetojë me lexuesin, vazhdon të
jetojë me kohën dhe sikur është shkruar për të jetuar ndër breza. Autori nuk e
ndërton rrëfimin vetëm mbi atë që ka ndodhur, por mbi atë që mbetet te njeriu
pasi gjithçka ka ndodhur: kujtimi, malli, heshtja, humbja dhe nevoja për ta
kuptuar të kaluarën e për t’u kthyer tek
rrënjët tona të lashta dardane!
Tek lexon këtë roman të
mrekullueshëm, kthehesh te mendimet e filozofit Seneka, se “Njeriu i mençur e përdor të kaluarën si një
burim urtësie”[1],
urtësi, dije e maturi prej intelektuali, të cilat e karakterizuan autorin e këtij
romani, Salih H. Krasniqin, gjatë gjithë
jetës së tij, si pedagog e intelektual, të mishëruara thellë në krijimtarinë e
tij letrare.
“Të gjithë të larguarve
me dhunë nga trojet arbërore” është moto mjaft domethënëse e romanit, që
dëshmon dimensionin largpamës të autorit për të shtrirë temën e romanit në një
hapësirë më të madhe gjeografike, për të pasqyruar shpërnguljet e shqiptarëve
nga të gjitha trojet arbërore.
Në këtë kuptim, romani bëhet edhe më përmbajtjesor,
ndërkaq shpërngulja shfaqet si një shkëputje e dhimbshme në vazhdimësinë e
jetës, një ndarje nga atdheu, nga vendi ku ke lindur dhe je rritur. Është dyzimi mes
atyre që shpërngulen dhe atyre që mbesin. Janë skenat e përshkruara
mrekullisht, dialogjet mes personazheve, peizazhet e natyrës, ritet e këngët
popullore, kulla dhe tradita, që e mishërojnë lexuesin duke e dërguar në një
periudhë të largët në një fshat qëndrestar Rrezana, njëri ndër viset e bukura të besës e traditës, të urtësisë e qëndresës,
ashtu siç ishin të gjitha viset tona arbërore. Tek lexon me kujdes këtë roman,
të duket sikur ngjarjet i përjeton, të duket se dhe sheh një film te realizuar me skenar të
mrekullueshëm! Por, jo, lexuesi lexon një roman, dhe sapo e përfundon, rifillon
ta lexoj sërish! Kjo dukuri ndodh vetëm atëherë kur një vepër arti është e
realizuar dhe të rrëmben në botën e saj!
I tillë është romani “Njerëzit takohen një ditë” i Salih H. Krasniqit!
“Në fund të fshatit,
atje në mes të shelgjeve dhe shkurreve, ndodhej mulliri i lagjes së Gjinajve, që
nga vjetërsia gati i tëri ishte futur në dhe, bile në anën e sipërme andej nga
butia, fëmijët pa ndonjë vështirësi e me një hope, mund të hipnin mbi të”[2] është
vetëm njëra nga përshkrimet e bukura të romanit, por edhe vendi ku fillon
zezona për kryepersonazhin e këtij romani Sefer Gjinin dhe familjen e tij!. Kullës
së Bardhë të Gjin Gjinollit! Përmes kullës si element i traditës dhe
identitetit tonë, pastaj, emri i trashëgimtarit të kullës, Gjin, si dhe
emrat e fëmijëve: Bala, Mema, Shpendi, Teutë, Rreze, Blertë, Ilir,
Dardan, Bardhyl, etj, jo vetëm që dëshmojnë lashtësinë tonë iliro- dardane, por
edhe vazhdimësinë e saj, pavarësisht se
disa emra kanë prejardhje turke e anadollake, nipat e mbesat e këtyre
pasardhësve ( me emra anadollak) kanë emra të lashtë iliro- dardan, sepse
vatrat arbërore burimin e kanë të gjeneza iliro-dardane...
Pas asaj nate të punës në
Mulli, Seferit iu shtua zullumi nga organet e pushtetit. Derisa më herët e rrahën
në mënyrë çnjerëzore duke i kërkuar armë, tani kërkonin ta bënin bashkëpunëtor!
Kjo e goditi rënd, por nuk ia ndërroi karakterin. La vatan e varret e të parëve, por nuk pranoi tradhtinë!
“- Ëhë ... po, po! – shfrynte Seferi – rrënjë të thella kemi në ato troje të të parëve tanë, por qafirat kurrë s’na lanë që
të bëhemi rehat! Ëhë...po, po...shumë u mashtruam pas të huajve dhe qe... tani
po bëhemi të huaj në trojet tona e shpëtimin
po e kërkojmë në dhena të të tjerëve.....”[3]
Autori synon që në
mënyrë artistike ta trajtojë plagën e hidhur të të shpërngulurve, jo vetëm si proces historik, e cila në vete
sintetizon frikën, dhunën, presionin, mallëngjimin, humbjen dhe shpresën. Ajo
që e bën këtë temë veçanërisht të rëndësishme është fakti se shqiptarët nuk
kanë humbur vetëm territore apo prona. Në shumë raste, ata janë përballur me
përpjekjen për t'u shkëputur nga rrënjët e tyre. Megjithatë, gjuha, kujtesa dhe
tradita kanë dëshmuar se identiteti nuk zhduket lehtë. Ai mund të bartet nga
një vend në tjetrin, nga një brez te tjetri, edhe atëherë kur vendlindja mbetet
larg.
Prandaj, të flasësh për
shpërnguljen e shqiptarëve do të thotë të flasësh njëkohësisht për dhimbjen dhe
qëndresën. Është historia e atyre që u larguan, por edhe e atyre që ruajtën
brenda vetes një lidhje të pashkëputshme me vendin prej nga erdhën.
Ndoshta shpërngulja
përfundon vetëm atëherë kur njeriu pushon së kujtuari. Për sa kohë një emër,
një këngë, një rrëfim familjar apo një kujtim vazhdon të përcillet, vendi i
lënë pas nuk është krejtësisht i humbur. Ai jeton në kujtesë.
Dhe pikërisht këtu qëndron
forca e kësaj historie: shqiptarët mund të jenë shpërngulur nga vendet e tyre,
por kujtesa e tyre nuk u shpërngul kurrë nga rrënjët prej nga erdhën.
Dy shtylla të rëndësishme të identitetit tonë
Duke lexuar me kujdes
romanin e Salih H. Krasniqit, ndërthuren bukur dy shtylla të rëndësishme të
ruajtjes së identitetit tonë: Figura e mësuesit dhe figura e femrës shqiptare.
Janë një galeri e tërë
personazhesh të cilat mishërohen me lexuesin duke personifikuar karaktere qëndrestare
përballë rrebesheve të kohës.
Portretizimin e mësuesit
Islam dhe atdhetarizmin e tij, e ka skalitur
bukur penda e autorit: “-Eh, të mjerët ne të mjerët! – kishte
shfryrë një profesor plak, - çështjen tonë, pak nga pak duke ia ulur fitilin,
duan ta shuajnë fare!!...”Brumi është gatuar, o njerëz, por ende s’ka ardhur,
se pasha bukën e këtyre trojeve, kur të vjen s’ka për ta zënë plangu i magjes së
Kosovës e hajrin do t’ia shohin edhe trojet tona tjera për rreth! – kishte thënë
dikush, por nuk e tregonte askush”[4]
Atdhetarizmi i mësuesit
Islam shquhet edhe në mbledhjet me prindërit në shkollë, duke : “Të
nderuar prindër, ne mësuesit jemi në shërbim të fëmijëve tuaj dhe të juajt
jemi...të mirë e të këqinj, këta që jemi! [...] Në mungesë të mjeteve mësimore me fjalët e gojës dhe me zërin e zemrës, nxënësve u
flisnim për gjuhën e ëmbël shqipe, për bukuritë e pashoqe të Kosovës dardane, për
malet, fushat, lumenjtë,ujëvarat, pasuritë nëntokësore e të tjera dhe të gjitha
këto i bënim me qëllim që ata kur të rriten ta duan Kosovën, që deri më sot u
mbrojt me djersë e me gjak, por mjerisht pas kaq vitesh po shohim se si njerëzit
po i lënë vatrat e tyre dhe po ikin në dhera tjera.”[5]
Ndërkaq në fjalët e
arsimtarit të historisë Hamdi Shtylla, spikatet shpirti atdhetar i këtij
arsimtari si dhe dashuria që ai ngjallte për atdheun dhe tokën arbërore tek nxënësit
dhe bashkëbiseduesit e tij: “Historia na mëson që ne shqiptarët jemi populli më
i lashtë i Ballkanit e njëri ndër popujt
më të vjetër në Evropë. Dihet mirë që me
kalimin e romakëve këtej Adriatikut që atëherë filloi tragjedia shumëshekullore
për popullin tonë e pastaj mbi ne u sulën sllavët, turqit, grekët, bullgarët,
austriakët, italianët, gjermanët e kush jo. Me shekuj përjetuam luftëra,
vrasje, tortura e burgosje. Të gjithë okupatorët vepruan me një qëllim, që ne të
cilët dikur ishim zotër në Ballkan, dalëngadalë të na fshijnë nga këto troje,
por të parët tanë këtu qëndruan. Prandaj edhe sot është detyrë e jona që pa
marrë parasysh rrethanat kurrsesi të mos
largohemi nga trojet tona, se këto ditë na mbytën refrenet: lamtumirë, motër!
Lamtumirë vëlla! Lamtumirë nënë e baba! Na mbytën... këto refrene të dhimbshme plot me vaje, kuje e lot. Prandaj
, o vëllezër, mos u luhatni, këtu qëndroni
se pasha këtë tokë edhe në skaj të botës po të veni, si trojet e të parëve tanë
kund nuk do të gjeni!”[6]
Atdhetarizimi i Man
Syarinës në një ndjeje burrash në odën e Ukë Topit, derisa këshillon në
ruajtjen e kulturës është frymëzuese: ”Këta përbuzës edhe gjuhën na çoroditën;
kanë filluar edhe gozhdës t’i thonë ekser, kazmës – kramp, lutjes mollb,
popullit – narod e kush hoshxholldën e kush hoshbolldën...! Vrai o i Madhi
Zot... vrai se të këtillët po na i mbajnë vranësitë e zeza mbi kokat tona![7].
Se rrënjët e
patriotizmit i nguliten te nxënësit e tyre që moti, e dëshmon kënga e Halimit
me rastin e ngritjes së flamurit te Kodra e Kuqe, këngë të cilën ia kishte
mësuar mësuesi shtatëdhjetë e pesë vjeçar, Kolë Zadrimja, i cili ishte mësuesi
i parë i mësimit në gjuhën shqipe në Carrallukë të Malishevës, në vjeshtë të
vitit 1941.
Ligjëruesi nga Prishtina,
Xha Sahiti, është një tjetër personazh atdhetar i cili me psikologjinë dhe
intelektin e tij, kishte depërtuar thellë në ndërgjegjen e të pranishmëve. Dialogjet e
vëna në gojën e protagonistit, tregojnë se jemi një trung e një rrënjë,
dhe kjo thuhej në rrethana kur kombi ynë, rrezikohej të zhbëhej! Këtë e thotë
guximshëm përmes personazheve të tij, autori i librit, Salih H. Krasniqi!.
“Po dëgjoj që po flitet se atje në Shqipëri popullit i është thënë që të
mos e përcjellin Radio Prishtinën. Një ditë dëgjova Radio Tiranën, ajo
këndonte... moj e mirë e moj e bardhë! Dhe kur dëgjova Radio Prishtinën, edhe këtej
këndonte...moj e mirë e moj e bardhë!- dhe tash me vete sikur të isha atje në
Shqipëri, nuk do ta lija kurrë pa e dëgjuar Radio Prishtinën![8].
Skena mjaft domethënëse,
janë edhe skenat e fillimit të shkollimit të vajzave në viset rurale: Nga shkolla fillore e Lugajës, Lajë Miftar
Dauti ( e fejuara e Memës të cilin do ta priste për vite derisa u kthye nga
Turqia, pra, Laja simbolizon besën e dhënë si virtyt e krenari e shqiptarëve),
pastaj nga shkolla fillore e Pemës, Hirushe Abdi Zogaj, etj.
Zyla, një personazh
mjaft i realizuar i këtij romani, është gruaja e Sefer Gjinit, e cila mbi supe
mban një histori dhimbjeje dhe krenarie, një fat tragjik që e përcolli nga nëna,
i cili në rrëfimin e saj të ngjallë emocione dhe të bën të mendosh se vërtet
njeriu qenka më i fortë se guri, dhe se familjet atdhetare pushtuesi gjakatar i
përndiqte gjeneratë pas gjenerate. “Nanën time, të vogël, duke ikur nga hasmi,
prej Nishi e kanë sjellë në Kosovë e unë tash, çika e saj, në pleqëri po humbi
e po treti me fije!!”[9]
Skena të shumta emocionuese
ravijëzohen në faqet e këtij romani, por gjithnjë duke bartur mbi supe dhimbjen,
por edhe shpresën se do të vijnë ditë të bardha për Ne!
Lutja e mësuese Shpresës
tek po përshëndetej me Shpendin (nipin e Seferit) që po shpërngulej për në
tokat e Anadollit, dëshmon forcën sublime që trasonte inteligjenca shqiptare në
rrethana të rrezikshme për kombin tonë. Ishin sy patrembura mësueset shqiptare,
femrat tona heroina. “O Perëndi, ruaje këtë bimë shqiptare, dhe herët a vonë na e kthe në
mesin tonë!”[10]
Edhe mësuesi Fehmi
Gjekaj, është personifikim i mësuesit atdhetar që plotëson galerinë e
personazheve me të cilët mishërohen me lexuesin. Ishte guximi dhe roli i tij i
jashtëzakonshëm që ndikojë në pengimin e shpërnguljes së shqiptarëve drejtë
Turqisë, dhe kundërvënia e drejtpërdrejtë ndaj
ndërmjetësit të këtij fatkobi, Deli Efendiut. Dialogu i tij i guximshëm
me oficerët dhe njerëzit e pushtetit, për ta thënë të vërtetën pa iu dridhur zëri
e pa i lëviz qerpiku, ishte uragan mbi djallëzitë dhe rreze ndriçuese tek masat e gjëra
popullore.
“Unë, askë nuk e kam kërcënuar
e as nuk e kam sulmuar, as nuk e kam pështyrë, këto janë shpifje! Unë e kam
kundërshtuar propagandën e njëfarë Deli Efendiut për shpërnguljen e njerëzve
tanë në Turqi![...] –Po nuk është gabim t’u thuash njerëzve ta duan vendin e
vet! – tha Fehmiu.”[11]
Në rrjedhën e romanit,
autori pasqyron torturat çnjerëzore që u përdorën ndaj mësuesit Fehmi, madje sollën
edhe punëtorë të sigurimit nga Rusia për të provuar mbi të, metodat e tyre për
zbulim. Ata i tmerruan edhe librat dhe materialet që gjetën në shtëpinë e tij,
si librin “Kosova djep i shqiptarizmit” nga Hamit Kokalari si dhe flamurin kuq
e zi me shqiponjën dykrenore.
Deli Efendiu dhe roli i tij nxitës i shpërnguljes së
shqiptarëve drejtë Turqisë
Deli Efendiu është
stereotipi i një njeriu gjakprishur që i kishte dhënë vetës një mision të ndyrë,
një vulë turpi që do ta përcillte deri në varr. Ai është përfaqësues i politikës
së shpërnguljes së shqiptarëve nga trojet e tyre. Nëpërmjet veprimeve dhe
dialogut të tij me Seferin, autori nxjerr në pah qëndrimin armiqësor ndaj
identitetit shqiptar dhe përpjekjen për ta shkëputur shqiptarin nga vendi i
vet. Një nga tiparet kryesore të Deli Efendiut është dinakëria dhe aftësia për
të manipuluar. Ai nuk e shpreh menjëherë qëllimin e tij, por përdor një sjellje
të qetë e miqësore për t’iu afruar Seferit. Madje pasi e provokon dhe e ofendon, ai përpiqet ta zbus
situatën duke i ofruar cigare. Kjo sjellje tregon kontrastin midis pamjes së
jashtme miqësore dhe qëllimit të vërtetë të personazhit. Veçanërisht, është
domethënës mënyra se si pas shpërnguljes së Seferit në Turqi ai i ndërron edhe
mbiemrin nga Sefer Gjini në Sefer Jagitbashi. Kështu vepron edhe me emrat e
nipit dhe mbesës së tij, Shpendit i zëvendëson emrin me Shemsidin kurse Teutës
me Taibe!
Deli Efendiu e thërret
Seferin me një mbiemër turk dhe këmbëngul në përdorimin e tij, sikurse edhe për
nipin dhe mbesën. Kjo nuk është thjeshtë një mënyrë adresimi, por lidhet me
përpjekjen për tjetërsimin e identitetit. Vetë Seferi reagoj ndaj kësaj
sjellje, çka e bën konfliktin mes tyre
jo vetëm verbal por edhe kombëtar dhe identitar. Njëkohësisht, kjo sjellje i jep
të kuptoj Seferit karakterin e një shpirtshituri, të Deli Efendiut.
Deli Efendiu është
përçmues ndaj shqiptarëve dhe lidhjeve të tyre me vendlindjen e me atdheun.
Duke e shfrytëzuar gjendjen e Seferit i cili përballej me tortura dhe presin
nga pushteti ( e që bëhej më qëllim që ai të shpërngulej, sepse ishte familje
atdhetare), ai e vendos përballë idesë së shpërnguljes dhe e paraqet Turqinë si
një mundësi tjetër jetese. Kjo lidhet drejtpërdrejtë me atë që realisht ndodhë
me familjet shqiptare: njerëzit përballen me pasiguri, frikë dhe shpërngulje,
ndërsa Deli Efendiu është njëri prej figurave që e nxitë këtë proces. Deli
Efendiu nuk duhet parë vetëm si një individ me karakter të keq, por edhe si një
njeri me dyftyrësi, që ka humbur shpirtin e dinjitetin e tij për pasuri.
Këtë më së miri e
dëshmon dialogu që zhvillohet në shkretëtirat e Anadollit mes tij dhe një
kosovari: “ – O ti që s’po të njoh, thua pasurohet shpejt, por pasuria është si
leshi në fytyrë, rritet e rritet, por rruhet e shkon në bërllog; puna është të
ruhet ftyra, nderi e vatani!”[12]
Romani “Njerëzit takohen një ditë” rrëfen
artistikisht kujtesën e popullit tonë, kujtesën e hidhur të shpërnguljes: zërin
e nënës, heshtjen e babait, fytyrën e një fëmije që nuk e kupton pse po largohej, apo një grusht
dheu të marrë fshehurazi nga vendlindja. Prandaj në romanin “Njerëzit takohen një ditë” nuk takohen
vetëm njerëzit, por takohen kohët dhe kujtimet, vendet prej nga kanë ardhur dhe
rrugët e peripecitë që kanë kaluar.
Kujtimet përtej rrëfimit
Romani synon që një
proces historik ta kthejë në përvojë njerëzore. Kujtimet, dialogjet, malli
kalojnë përtej rrëfimit mbi shpërnguljen për Turqi. Ato e vendosin romanin në
një rrafsh tjetër artistik, aty ku historia takohet me kujtesën dhe kur kujtesa
kthehet në mjet artistik e identitar. Në këtë rrafsh, libri mund të lexohet
edhe si një përpjekje për t’i dhënë zë asaj pjese të historisë që shpesh mbetet
jashtë dokumentimit, historisë dhe ndjenjave. Dokumenti regjistron largimin, rrëfimi
na tregon katrahurat e largimit. Historia shënon data, por kujtesa na kthen te
njeriu që ajo datë largimi ia ndryshoi jetën!
Në rrjedhën e kujtimeve
dhe rrëfimeve që kryepersonazhi Sefer
Gjini, ua tregon familjarëve në dhomat e mykura ku banonte në Stamboll, është
rrëfimi për Zenel Arnautin. Autori përmes rrëfimit të Seferit, rrëfen historinë
e Zenel Sadikut, i cili ishte nga Tryeza (vendlindja e autorit) pjesëmarrës i
luftës së Plevnës i cili në shtëpi kishte lënë gruan me dy djemtë e tij Ukën dhe Dylin. Rrëfimi bëhet
edhe më interesant, kur Zeneli humb kontaktin me familjen, letrat nuk i shkojnë në shtëpi dhe pastaj vendos të martohej
në dheun e huaj!
Madje, pas shumë
përpjekjesh për ti rënë në gjurmë, në vendlindjen e tij në Tryezë, familjarët
ia hapin të pamen!
Rrëfimi i treguar nga
personazhi, Seferi, sa vjen e bëhet më dramatik, por që ne vete ngërthen simbolikën
se gjurmët tona nuk humbin kurrë...Pas 20 vjetësh, Rexhep Zymeri shkon ushtar i
mbretit dhe po ashtu e qet puna të shërbej në Jemen, në qytetin ku banonte
Zenel Sadiku...Dhe, çuditërisht, ngjarja i ngjason asaj këngës së Poçarit....
duket si motërnizim i saj, apo edhe mund të ketë lindur nga kjo ngjarje!!!
Takimi i parë i Rexhepit me Zenelin tek një currje uli është një skenë tejet interesante
dhe mjaft e realizuar. Rexhepi, pasi mërzitet duke pritur në rend, lëshon një
sharje në gjuhën shqipe. Këtë sharje e kishte kuptuar vetën një burrë
shtatshkurtër e me kapuq të kuq në kokë i cili i ishte afruar Rexhepit dhe e
kishte pyetur se prej nga vjen. Përgjigjja
e Rexhepit se vinte nga Vilajeti i Kosovës dhe nga Tryeza, i ringjallin
kujtimet Zenelit, i cili fillon ta pyes për vende , Lugun e Odës e Durdinë e
Shapatit (dardhë dudie e cila edhe sot përmendet në Tërpezë – Tryezën,
vendlindjen e autorit).
Pas këtij dialogu Zeneli
ecën me nxitim, kurse Rexhepi mbetet i hutuar, por kureshtar të dijë se kush
ishte “arabi” që i dinte emrat e vendlindjes së tij.
Autori Salih H.
Krasniqi, në mënyrë tejet artistike gjen mënyrën e ri-takimit të Rexhep Zyberit
me Zenelin. Ajo ishte letra të cilën
Rexhepi dëshironte ta dërgonte në vendlindje por që vet nuk dinte të shkruaj!
Rrëfimi rrjedhë çiltër, ashtu siç diti ‘latonte’ bukur pena brilante e autorit.
Rexhepi udhëzohet nga një oficer që të shkoj tek një dyqanxhi i cili dinte
arnautishten sepse ishte arnaut.
Takimi në dyqan i ngjan
një skene filmi, ishte takim vëllazëror. Rexhepi i tregon fill e për pe për
vendlindjen e tij, për djemtë që i ishin
rritur, dhe në fund i tregon se ishte
Zenel Sadiku nga Tryeza e që e thërrisnin Zenel Arnauti.
Në rrëfimin e Seferit,
personazhit kryesor të këtij romani, mësojmë se Tryeza, (Tërpeza e autorit),
kishte njerëz të zotë, trima e të besës. Zeneli iu shkruan letrën Rexhepit por
edhe e porositë që kurrë të mos i njoftonte ata në Tryezë që Zenel Sadik Byci
ishte i gjallë, ngase i vinte keq prej gruas dhe fëmijëve. Rexhepi e mbanë këtë
rrëfim brenda vetës, edhe pasi kthehet në Tryezë, dhe e tregon vetëm pak para
se të vdiste, ngase e dinte se tashmë edhe Sadiku nuk ishte i gjallë. Nuk deshi
ta mbyllë në dhe një të vërtetë.
Personazhe mjaft të
realizuar me tipare atdhetare e me karaktere të forta janë edhe Ukë Topi, Demë
Jatagani, Selman Kodra, Rrahman Grishaku, Bala
e Mema (djemtë e Seferit) Zyla (gruaja e Seferit), Fata (Gruaja e Balës),
e shumë e shumë personazhe të tjerë.
Se autori në romanin e
tij nuk është ndalur vetëm në shpërnguljen e shqiptarëve nga Kosova, e mësojmë
në bisedat vëllazërore të Memes me Stavrin, i cili ishte shpërngulur në Turqi
shumë vite më parë, ishte çam, ishte gjak shqiptari. Mema e dëgjonte më
vëmendje tek fliste parganjoti dhe nga ai mësoi shumë gjëra që nuk i kishte
ditur më parë. Mësoi shumë fjalë e shprehje të bukura, e ndër to mësoi edhe
shprehjen përshëndetëse “orëmirë” që do të thoshte – rrugë e mbarë. Në rrëfimet
e Seferit në Anadoll, të cilat me zemër
të thyer ua tregonte nipit dhe mbesës, mësojmë edhe për Gjallnik Rrezanën, një
trim si dragua...
Përsëritjet e shprehjeve
: “-Ëhë...po,
po! Rrënjë të thella kemi në këto troje të të parëve tanë....”[13],
dëshmojnë lidhjen e vazhdueshme më atdheun, dëshmojnë se , “Njerëzit takohen një
ditë”, ata kurrë nuk do t’i lënë shkret tokat e tyre, e jeta do të vazhdojë dhe
oxhaqet do të tymojnë!
Letrat nga Kosova
Një formë komunikimi dhe
lidhje e përhershme me të shpërngulurit nga Kosova për në Turqi, ishin edhe
letrat që ju vinin nga Kosova. Ato ngjallnin emocione të papërshkruara
atdhedashurie....Ishin një copë Kosove që i thërriste të ktheheshin aty ku bukës
i thuhet bukë e ujit ujë, aty ku flitet
e këndohet shqip.
Letra e Bardhec Balës
nga Rrezana dërguar familjes së Sefer Gjinit,ku u shkruante se nuk i kishin
harruar dhe i mbanin në zemër përgjithmonë. Është mjaft emocionuese edhe letra
e Balës dërguar Bardhecit, tek e porosiste të shëtiste arave e livadhe për ta,
t’i bie fyellit e t’i vizitojë krojet.. çka dëshmon lidhjen emocionale me
atdheun.
Kthimi tek rrënjët
Shpërngulja e largon
njeriun nga vendi, por jo domosdoshmërisht nga identiteti. Gjuha që flitet në
familje, emrat e vendeve, zakonet, rrëfimet e të parëve dhe kujtimet e
fëmijërisë bëhen atdheu i ruajtur në zemër.
Brenda historisë së
shpërnguljes, qëndron edhe historia e qëndresës. Ata që u larguan nuk morën me
vete vetëm pak pasuri dhe kujtime; morën gjuhën, emrin, zakonet, të qenit
shqiptar dhe dëshirën e zotimin e heshtur në vetvete se një ditë do të kthehen
tek rrënjët – atdheu. Këtë zotim, e jetësoi djali i Seferit, Mema, i cili më 29 shtator 1968, u nis për Kosovë, u
nis për Rrezanë... Gjatë rrugës i silleshin mijëra gjëra në kokë, mezi priste të
shihte vendin ku u lind dhe u rrit, mezi priste të takonte pjesën tjetër të
familjes (axhën e tij, bacin Halim, Lajen, motrën Galen, varrin e vëllait....
Takimi me Halimin është prekës, lot mallëngjimi e gëzimi, biseduan e biseduan,
dhe dikur Memën e zuri gjumi...
“Eh...Kosovë...Kosovë...,
edhe gjumin edhe vdekjen për njerëzit e tu i ke më të ëmbla” – tha Halimi....”[14]
Vatra e fikur u ndez përsëri
në Kullën e Bardhë! Halimi me bujarinë e
tij, e siguroj nipin se Kulla, Oborri ishin të Memës, edhe për ara e livadhe do të bisedonin. Mema
u iu kthye Rrezanës, bëri dasmë, vazhdoj përtëriu lozën e ndarë në gjysmë, dhe
për këto me datën 2 tetor 1968, i
shkroi babë Seferit që mbeti me pjesën tjetër të familjes në Turqi, dhe e thërret
: ”
Eja babë ta mbushim Kullën e Bardhë se kulla gëzohet kur ti e nëna , mua dhe Balës do të na i përkundni djepat me fëmijë!
Eja babë se Gala, çika e jote po të thërret! Eja plisbardhi im! Eja se plisi po
të pritka në dollap të kullës ashtu siç e ke lënë ti me dorën tënde! Eja babë...eja
pash përqafimet dhe të puthurat tua që me afsh m’i dhurove në fëmijëri!
Eja...eja se Rrezana të kërkon nga se e d i mirë që ti e do shumë!”[15]
Fjalët e mësuesit Fehmi
Gjekaj “se mali me mal nuk takohen, por njerëzit takohen një ditë” e dëshmon më
së miri,dashurinë e madhe për atdheun, dhe lidhjen e përjetshme më rrënjët
arbërore!
Gjuha dhe figurat stilistike
Romani
i Salih H. Krasniqit, Njerëzit takohen një ditë” është
ndër romanet e rralla që aq artistikisht ka trajtuar plagën e hidhur të shpërnguljes,
pa hijeshime e zbukurime, me një gjuhë të çiltër e të pastër ashtu siç është
edhe ambienti dhe personazhet e këtij romani.
Ndërthurja e traditës, zakoneve, riteve të dasmës, besës
së mbajtur, karakterit të pathyer, dashurisë ndaj shkollës e gjuhës, ngjalljes
së atdhedashurisë nga këngët e xha Sefës
(Sefë Mleçanit), janë vetëm disa nga meritat e vlerat e shumta që ngërthen në
vete ky roman tejet mbresëlënës.
Skenat e dhëna në roman, dialogjet e realizuara, përshkrimet
e natyrës së bukur shqiptare, momentet e vështira të familjeve të cilat shpërnguleshin,
janë skena “të gjalla’ që frymojnë e mbi të cilat mund të realizohet një film i
mrekullueshëm...
Autori në disa raste përdorë edhe aty këtu ndonjë turqizmë,
dhe atë me qëllim të caktuar: të tregojnë gjurmët e shëmtuara që na lanë
pushtuesit, si dhe ngritjen e vetëdijes që të mos i përdorim në gjuhën tonë.
Figurat
stilistike të përdorura në roman
janë një begati letrare për t’ia pasur lakmi:
Krahasim: “ Si përrejtë nëpër
lugjet e thella të bjeshkëve, që nga drunjtë e dendur rrjedha nuk u shihet, por
zëri u dëgjohet, ashtu edhe fjalët e xha Sahitit shkonin gojë më gojë e vesh më
vesh”
“Zyla
si një shtatore e vruguar nga motet, e ulur e me jorgan në prehër rrinte e nuk
fliste. Lotët i shkonin faqeve thua se ata sy të strukur në ato gropa të
thella, kishin vendosur që gjithë ata t’i derdhnin në prehrin e këtij trualli”
Epitete: Fytyrërrushi
im....fytyrërrushi im!
Mallkime : Ardhsh i ziiiiiiiii!
-Eh...!
– klithi Zyla, - u shembtë ndonjë tunel, ndonjë kodër a mal...rruga u mbylltë e
treni mos ardhtë!!
-Në
pus të pafund...ku bren miza hekur!
Aforizma: Qeni i keq ta bjen
ujkun në torishtë!
Metaforë: Rrëzë Bjeshkës Gurapeshe
flinte Rrezana. Lart mbi të, majat e
kreshtave sikur e shponin qiellin
ngjyrë plumbi.
Emrat e bukur shqip dhe rikthimi në formë kujtimesh në të
kaluarën tonë të lavdishme, janë edhe një detaj tjetër, një vlerë e shtuar e
këtij romani.
Përfundim
Romani “Njerëzit takohen një ditë“ i
Salih H. Krasniqit e vendos shpërnguljen në qendër të një rrëfimi të fuqishëm
njerëzor, ku historia, dhimbja dhe kujtesa ndërthuren për të dëshmuar dramën e
njerëzve të detyruar të largohen nga vendi i tyre. Përmes fatit të
personazheve, autori dëshmon se largësia mund ta ndajë njeriun fizikisht nga
vendlindja, por nuk mund ta shkëpusë atë nga rrënjët e tij. Ajo vazhdon të
jetojë brenda personazheve edhe atëherë kur ata janë larg saj.
Këtë ide e përmbledh në
mënyrë simbolike fundi i romanit, kur njëri prej pjesëtarëve të familjes së
shpërngulur rikthehet në kullën e të parëve.
Ky kthim nuk është vetëm kthim në një vend fizik; ai përfaqëson
rikthimin te rrënjët, te kujtesa, te historia familjare dhe te një pjesë e vetvetes
që kishte mbetur e lidhur me atë hapësirë. Kulla, në këtë kontekst, merr një vlerë të veçantë
simbolike: ajo bëhet dëshmi e qëndresës së kujtesës dhe e vazhdimësisë së identitetit.
Edhe pas shpërnguljes, edhe pas kalimit të viteve, ajo mbetet një pikë referimi
që i thërret njeriu të mos e harrojë prejardhjen e vet.
Në këtë rrjedhë, romani
merr edhe një dimension të fuqishëm kritik. Përmes personazheve dhe rrethanave
që i shtyjnë drejt shpërnguljes, autori zbulon pasojat njerëzore të kësaj
dukurie. Romani e tejkalon kufirin e një rrëfimi individual dhe shndërrohet në
një dëshmi letrare për fatin e një brezi.
Vlera e romanit qëndron
edhe në realizimin e tij artistik. Gjuha e
pasur, figurat stilistike, shprehësia e veçantë dhe ngarkesa emocionale e
rrëfimit krijojnë
një botë letrare në të cilën përjetimi i personazheve arrin te lexuesi me forcë
të veçantë. Figuracioni artistik nuk shërben vetëm për ta zbukuruar ligjërimin,
por për ta thelluar kuptimin e ngjarjeve dhe për t'i dhënë formë emocioneve :
mallit, dhimbjes, humbjes, shpresës dhe dëshirës
për t'u kthyer. Kjo ndërthurje e përmbajtjes me shprehjen artistike e dëshmon
mjeshtërinë e autorit në ndërtimin e një rrëfimi me peshë të veçantë letrare.
Në fund, „Njerëzit takohen një ditë“ mbetet
një roman që nuk flet vetëm për ata që u shpërngulën, por edhe për atë që mbeti
pas tyre: shtëpitë, kullat, kujtimet dhe rrënjët. Rikthimi në kullën e të
parëve e mbyll rrëfimin me një mesazh të fuqishëm njerëzor dhe simbolik:
rikthimin te rrënjët. Në këtë kuptim, romani i Salih H. Krasniqit e
shndërron dramën e shpërnguljes në një reflektim të thellë mbi identitetin,
kujtesën dhe përkatësinë, duke dëshmuar se rrënjët e njeriut janë më të forta
se çdo largësi.
Ashtu siç thoshte Seneka “Pra, njeriu i mençur
nuk e ndien jetën të shkurtër, sepse përmes dijes dhe mendimit bëhet pjesë e një
kohe më të madhe se ajo që i është dhënë për të jetuar”[16],
Salih H. Krasniqi, me romanin “Njerëzit
takohen një ditë” na dhuroi një roman të veçantë që i ka munguar letërsisë
sonë, kurse vetvetes i krijoi pavdekësinë!
Prishtinë,
2 shtator 2026

[1] Seneka, “Mbi shkurtësinë e jetës” (Libri 1), botoi “Faik Konica”, Prishtinë, 2026
[2] Salih H. Krasniqi, “Kur njerëzit takohen një ditë”, botoi AUTORI, Malishevë, 2004,fq.9
[3] Salih H. Krasniqi, “Kur njerëzit takohen një ditë”, botoi Autori,
Malishevë, 2004, fq. 291
[4] Po aty, fq. 51
[5] Po aty, faq. 178
[6] Po aty, fq: 179- 180.
[7] Po aty, fq. 99
[8] Po aty, fq. 110
[9] Po aty, fq. 163
[10] Po aty, fq. 166
[11] Po aty, fq. 236
[12] Po aty, fq. 196
[13] Po aty, fq. 291
[14] Po aty, fq. 309
[15] Po aty, fq. 334
[16] Seneka, “Mbi shkurtësinë e jetës” , botoi “Faik Konica” – Prishtinë,2026, fq. 34


