Albert Vataj: Nënë Tereza – 10 vjet nga shenjtërimi
10 VITE NGA SHENJTËRIMI
Nënë
Tereza, gruaja që, kur t’i ngulte sytë, të shikonte në shpirt... dhe të mbushte
me dritë

Më
4 shtator 2016, në Sheshin e Shën Pjetrit në Romë, Papa Françesku e shpalli
shenjtore gruan e vogël shqiptare, e cila kishte zgjedhur të jetonte mes më të
varfërve të të varfërve, atyre që bota i kishte harruar, braktisur, përzënë nga
kujtesa dhe nga ndërgjegjja.
Ajo
ditë nuk ishte vetëm një ceremoni kanonizimi. Ishte një dëshmi se, në një botë
që mat gjithçka me madhështinë, pushtetin, pasurinë dhe famën, një jetë e
kushtuar krejtësisht tjetrit mund të bëhet më e madhe se çdo monument.
Dhe
megjithatë, edhe pas shenjtërimit, pyetja vazhdon të endet nëpër botë:
“E
kush ishte kjo grua?”
Kush
ishte ajo që zgjodhi të mos jetonte për veten?
Kush
ia ndezi në zemër atë zjarr të pashuar dashurie për të varfrit, për të
braktisurit, për fëmijët pa nënë e baba, për të sëmurët që askush nuk donte t’i
prekte, për njerëzit që shoqëria i kishte dënuar me një vdekje të dyfishtë, së
pari të trupit, pastaj të dinjitetit?
Kush
ishte ajo grua e vogël me sari të bardhë, me shiritat blu, që kalonte nëpër
rrugët e Kalkutës, aty ku mjerimi nuk ishte një statistikë, por një fytyrë, një
trup, një plagë, një frymëmarrje e fundit?
Ajo
nuk shkonte atje për ta parë mjerimin.
Ajo
shkonte për ta prekur si dhimbje shpirti.
Dhe
pikërisht këtu nis madhështia e saj.
Sepse
është e lehtë të flasësh për të varfrit nga larg. Është e lehtë të ndiesh
keqardhje për një fotografi, për një lajm, për një shifër. Është shumë më e
vështirë të përkulesh mbi një trup që kudërbon nga plagët, t’i kapësh dorën një
njeriu që të gjithë e kanë braktisur dhe t’i thuash: “Ti ke ende vlerë.”

Gratë
me sari bardhë e blu përpiqeshin t’i njomnin buzët. Motrat i lanin trupin e
mbuluar me baltë e jashtëqitje.
Dhe
atëherë u afrua ajo.
Nënë
Tereza.
Jo
si një grua që kishte ardhur për të parë një të mjerë, por si një nënë që
kishte ardhur pranë fëmijës së saj.
Ajo
nisi t’ia hiqte krimbat nga plagët.
Era
ishte e padurueshme. Një tjetër njeri ndoshta do të ishte tërhequr, do t’i
kishte mbyllur sytë, do të kishte kthyer kokën.
Por
Nënë Tereza nuk e ktheu kokën.
Sepse
për të, përpara saj nuk ishte një trup i kalbur.
Ishte
një njeri.
Dhe
kur ai, me atë pak zë që i kishte mbetur, e pyeti:
—
Si mund ta durosh erën e qelbur që del nga trupi im?
Ajo
iu përgjigj me një nga ato fjalitë që nuk kanë nevojë për shpjegim:
“Çka
ndjej unë nuk është asgjë, në krahasim me atë që vuan ti.”
Burri
e kuptoi se ajo nuk ishte si të tjerët.
Dhe
e bekoi:
—
Bekuar qofsh!
Por
ajo nuk pranoi bekimin.
“Jo,
i bekuar je ti, sepse vuan me Jezusin dhe si Jezusi.”
Dhe
këto, sipas rrëfimit, ishin fjalët e fundit që ai dëgjoi.
Ndoshta
atë çast ai njeri nuk kishte më asgjë nga ato që bota i quan pasuri. Nuk kishte
shtëpi, emër, pushtet, bukuri, shëndet, as të ardhme.
Por
kishte diçka që bota ia kishte mohuar deri atëherë, dikë që e shikonte si
njeri.
Dhe
ndoshta ky ishte një nga misionet më të mëdha të Nënë Terezës, t’u kthente
njerëzve jo vetëm bukën, ilaçin apo një shtrat për të vdekur, por dinjitetin e
të qenit njeri.
Ajo
nuk mund ta ndalonte çdo vdekje, por mund të bënte që askush të mos vdiste i
padashur.
Nuk
mund ta zhdukte çdo varfëri, por mund të bënte që i varfri të mos ndiente se
ishte i tepërt në këtë botë.
Nuk
mund ta shëronte çdo trup, por mund t’i jepte një dorë që nuk tërhiqej prej
tij.
Dhe
kjo ishte mrekullia e saj e përditshme.
Nganjëherë,
ajo i shkëpuste sytë nga mjerimi dhe i drejtonte nga bota që e rrethonte.
Shihte njerëzit e ngopur që nuk ishin të lumtur, të pasurit që ishin
shpirtërisht të varfër, ata që kishin gjithçka përveç një arsyeje për ta dashur
jetën.
Dhe
atëherë zëri i saj bëhej një qortim për ndërgjegjen njerëzore: “Duhet të marrë
fund kjo indiferencë. Në botë po zhduket dashuria.”
Sepse
ajo e dinte diçka që shoqëritë moderne shpesh harrojnë, varfëria nuk është
vetëm mungesa e bukës.
Ka
edhe një varfëri tjetër, shumë më e frikshme mungesa e mëshirës.
Mund
të kesh shtëpi dhe të jesh i pastrehë në shpirt.
Mund
të kesh pasuri dhe të jesh i varfër në dashuri.
Mund
të kesh mijëra njerëz rreth vetes dhe të mos kesh askënd që të të prekë me
dhembshuri.
Mund
të ushqesh trupin dhe të lësh shpirtin të vdesë.
Prandaj
ajo fliste për një varfëri që nuk matet me para, varfërinë e dashurisë.
Dhe
kjo ndoshta është arsyeja pse Nënë Tereza vazhdon të na shqetësojë edhe sot.
Sepse
ajo nuk na pyet sa kemi.
Na
pyet çfarë bëjmë me atë që kemi.
Nuk
na pyet sa të mëdhenj jemi.
Na
pyet sa herë jemi përkulur mbi dikë që kishte nevojë për ne.
Nuk
na pyet sa kemi folur për njerëzimin, na pyet sa njerëz kemi dashur vërtet.
Ajo
kërkonte njerëz që “shpërvjelin mëngët”, që nuk kanë frikë të ndotin duart me
baltë, që përkulen mbi të varfrit, mbi të sëmurët, mbi ata që janë në grahmat e
fundit të jetës, mbi fëmijët e flakur në kazanet e plehrave, mbi ata që bota e
pasur, e ngopur dhe e etur për më shumë, i sheh si mbetje.
Ajo
zgjodhi të mos kishte duar të pastra, nëse pastërtia e tyre do të vinte nga
mosprekja e vuajtjes.
Dhe
kjo është ndoshta një nga trashëgimitë më të mëdha të saj.
Sot,
kur përkujtojmë përvjetorin e shenjtërimit të saj, nuk është e mjaftueshme të
përsërisim se Nënë Tereza ishte shqiptare, se lindi në Shkup, se u bë murgeshë,
se themeloi Misionaret e Bamirësisë, se mori Çmimin Nobel për Paqen apo se u
shpall shenjtore.
Këto
janë të dhëna të biografisë.
Por
Nënë Tereza nuk është vetëm një biografi.
Ajo
është një pyetje.
Një
pyetje që na drejtohet neve.
Çfarë
bëjmë kur përpara nesh kemi një njeri që vuan?
Kthejmë
kokën?
Nxitojmë
të kalojmë?
E
fotografojmë?
Flasim
për të?
Apo
përkulemi?
Ndoshta
ky është kuptimi më i thellë i shenjtërisë së saj. Ajo na mëson se madhështia
nuk fillon atje ku ngrihet njeriu mbi të tjerët, por atje ku përkulet për t’i
ngritur ata.
Dhe
prandaj Nënë Tereza është ende mes nesh.
Jo
vetëm në altarin ku u vendos më 4 shtator 2016.
Ajo
është në çdo dorë që zgjatet drejt një të rrëzuari, te çdo nënë që ushqen një
fëmijë të huaj, te çdo mjek që nuk largohet nga shtrati i një të sëmuri, te çdo
njeri që zgjedh mëshirën kur bota i ofron indiferencën dhe te çdo zemër që ende
di të vuajë për tjetrin.
Ndoshta
ky është kuptimi i vërtetë i një shenjtori, të mos jetë një figurë e vendosur
larg nesh, por një dritë që na bën të shohim më qartë veten.
Dhe
Nënë Tereza na sheh, na i ngul sytë.
Na
shikon përtej fytyrës, përtej rrobave, përtej pasurisë, përtej emrit, përtej
asaj që duam t’u tregojmë të tjerëve. Na shikon në shpirt.
Dhe
ndoshta, përballë atij vështrimi të qetë e të mëshirshëm, pyetja nuk është më:
“E kush ishte kjo grua?”
Pyetja
që duhet t’i bëjmë vetes është: “Çfarë ka mbetur prej saj brenda nesh?”


