Xhelal Zejneli: Shqiptarët nuk duhet të lejojnë përmbysjen e sistemit të vlerave
SHQIPTARËT NUK DUHET TË
LEJOJNË PËRMBYSJEN E SISTEMIT TË VLERAVE

- Shqiptarët janë pasardhës të ilirëve
dhe janë një ndër popujt më të lashtë të gadishullit;
- Gjuha shqipe është bijë e ilirishtes
dhe është një ndër gjuhët më të vjetra të Evropës;
- Shqipja i takon familjes së gjuhëve
indoevropiane (indogjermane) dhe është gjuhë e veçantë, d.m.th. nuk ka motër.
Të tilla janë edhe greqishtja dhe armenishtja;
- Shqiptarët janë popull autokton i
gadishullit;
- Shqiptarët janë popull autokton në
brigjet e Adriatikut dhe të Jonit.
* * *
- Periudhë më historike e popullit
shqiptar është qëndresa çerekshekullore përballë inkursioneve osmane;
- Hero kombëtar i shqiptarëve është Gjergj Kastrioti (1405-1468);
- Periudhë politike e shqiptarëve është
ajo e Rilindjes Kombëtare, që fillon
më 1832 me Naum Veqilharxhin (1797-1846),
që arrin kulmin me ngjarjen politike – Lidhjen
e Prizrenit (1878); e përfundon me shpalljen
e pavarësisë më 1912;
- Figurë e njohur e njohur e Lidhjes së
Prizrenit ishte Abdyl Frashëri (1839-1892);
(ka qenë edhe anëtar i Parlamentit Osman);
- Ideolog i mendimit politik shqiptar
në periudhën e Rilindjes Kombëtare ishte Sami
Frashëri (1850-1904);
- Ngjarje politike më e madhe e
shqiptarëve në shekullit XX është shpallja
e pavarësisë, më 1912 në krye me Ismail
Qemalin (1844-1919);
- Personalitet i njohur i çështjes
shqiptare në trojet e pushtuara nga serbosllavët ishte Adem Demaçi (1936-2018) – simbol i qëndresës shqiptare në
Jugosllavinë e Titos;
- Ngjarje politike e madhe e kombit në
vitet ’90 të shekullit XX është qëndresa
politike e shqiptarëve në Kosovë, me në krye Ibrahim Rugovën (1944-2006),
përballë pushtuesve serbë;
- Ngjarje historike e kombit në fund të
qindvjeçarit XX është lufta heroike e Ushtrisë
Çlirimtare të Kosovës për çlirimin e Kosovës nga pushtuesit serbë, me në
krye komandantin legjendar Adem Jasharin
(1955-1998);
- Ngjarje politike e madhe e kombit në
fillim të qindvjeçarit XXI është shpallja
e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008.
* * *
- Vlerë letrare dhe kulturore të
shqiptarëve janë humanistët shqiptarë: Gjon
Gazulli (1400-1465); Marin Barleti (rreth
1450-1512), autor i veprave të shkruara në latinisht “De obsidione Scodrensi”, Venedik 1504 (Rrethimi i Shkodrës), “Historia
de vita et gestis Scanderbegi, Epirotarum Principis”, Romë rreth 1508-1510 (Historia e jetës dhe bëmave të Skënderbeut,
princit të Epirit); Mikel Maruli (1453-1500);
Leonik Tomeu (1456-1531); Maksim Greku (rreth 1480-1556); Marin Beçikemi (1468-1526);
- Vlerë letrare, kulturore dhe
kombëtare të shqiptarëve janë autorët e letërsisë së hershme shqiptare, si: Gjon Buzuku (shek. XVI) - autor i
librit të parë të shkruar në shqip “Meshari”
(1555); një kopje e vetme ruhet në Bibliotekën e Vatikanit; arbëreshi Lekë Matrënga (1567-1619) – autor i së
parës poezi në gjuhën shqipe, njëherazi i pari dokument i shkruar në dialektin
e jugut (toskërisht) – “Canzona
spirituale” (Këngë e përshpirtshme); Pjetër
Budi (1566-1622); Frang Bardhi (1606-1643)
– autor i veprës “Dictionarium latino-epiroticum,
una cum nonnullis usitatioribus loquendi formulis”, Romë 1635 (Fjalor
latinisht-epirotisht, me disa shprehje tëprditshme); është e para vepër në
leksikografinë shqiptare; përmban 5640 zëra latinisht të përkthyera në shqip,
plus një shtojcë me pjesë të ligjëratës, proverba dhe dialogë; Pjetër Bogdani (rreth 1630-1689),
kryepeshkop i Shkupit;
- Vlerë letrare, kulturore dhe
kombëtare të shqiptarëve janë shkrimtarët e letërsisë arbëreshe të shekullit XIX, si: poeti i parë i
romantizmit në letërsinë shqiptare Jeronim
De Rada (1814-1903); në vitin 1848 themeloi gazetën dygjuhëshe, në shqip
dhe në italisht, “L’Albanese d’Italia” (Shqiptari
i Italisë); ishte i pari periodik që botohej në gjuhën shqipe; Françesk Anton Santori (1819-1894);
njihet si autor i së parës dramë origjinale në gjuhën shqipe “Emira”; disa pjesë u botuan më 1887 në
revistën “Fiamuri Arbërit” të De
Radës; Gavril Dara i Riu (1826-1885);
poeti lirik Zef Serembe (1844-1901);
- Vlerë letrare, kulturore dhe
kombëtare të shqiptarëve janë poetët e letërsisë së Rilindjes, si: poeti
kombëtar Naim Frashëri (1846-1900)
etj.;
- Personalitete të rëndësishme letrare,
kulturore dhe kombëtare shqiptare janë: Faik
Konica (1875-1942); në vitet 1897-1902 botoi në Bruksel revistën “Albania”; në vitet 1902-1909 revistën e
boti në Londër; studimet i përfundoi në Universitetin e Harvardit; Fan Noli (1882-1965), figurë poliedrike
(e shumanshme); kreu Universitetin e Harvardit; më 1908, mbajti në Boston për
herë të parë liturgjinë në gjuhën shqipe; ky akt përbënte hapin e parë drejt
njohjes zyrtare të Kishës Ortodokse
Shqiptare Autoqefale; në vitet
1909-1911 botoi në Boston gazetën “Dielli”;
më 28 prill 1912, bashkë me Konicën, themeloi Federatën Panshqiptare Vatra në
Amerikë; Gjergj Fishta (1871-1940),
autor i 37 botimeve letrare, midis tyre i poemës epike historike “Lahuta e Malcis”,e quajtën Homeri
shqiptar;
* * *
- Bota njeh shumë personalitete
shqiptare, sidomos Gjergj Kastriotin,
Nënë Terezën (Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, 1910-1997), laureate e çmimit “Nobel”
për paqe (1979) dhe Ismail Kadarenë (1936-); mjekun dhe
farmacistin amerikan me prejardhje shqiptare, nga fshati Llakavicë i
Gostivarit, Ferid Murati (Ferid
Murad, 1936-), laureat i çmimit “Nobel” për fiziologji dhe mjekësi (1998).
* * *
- Shqiptarët janë popull i ndarë në
gjashtë pjesë: Shqipëri, Kosovë, Kosovë lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë),
Maqedoni, Mal të Zi dhe Çamëri; një copëtim i këtillë i trojeve etnike
historike të një populli s’është parë dot në historinë e botës;
- Nga Jugosllavia e Nikolla Pashiqit
dhe e karagjorgjeviqëve, shumë shqiptarë u detyruan të shpërngulen prej vatrave
të veta; në Klubin kulturor serb në Beograd, më 7 mars 1937, akademiku serb Vasa Çubrilloviq (1897-1990) promovoi
elaboratin e tij “Iseljavanje Arnauta”
(Dëbimi i shqiptarëve); shumë
shqiptarë u dëbuan për në Turqi;
- Trojet shqiptare mbahen të pushtuara
nga Serbia, nga Maqedonia, nga Mali i Zi dhe nga Greqia;
- Copëtimi i tokave shqiptare fillon në
Kongresin e Berlinit (1878), për të vazhduar në Konferencën famëkeqe të
Ambasadorëve në Londër, më 1912-1913;
- Pushtimin e trojeve shqiptare, gjatë
historisë politike të kohës më të re, d.m.th. prej vitit 1850 e këndej, e ka
mbështetur Rusia; ndërsa në Konferencën e Ambasadorëve, përpos Rusisë, edhe
Franca me Anglinë;
- Sot e kësaj dite, Rusia punon me të
madhe për Serbinë dhe kundër shqiptarëve;
* * *
- Shqiptarët kanë një flamur, flamurin e Gjergj Kastriotit; kanë një gjuhë; normat e gjuhës letrare shqipe janë atë të Kongresit të
Drejtshkrimit të mbajtur në Tiranë në vitin 1972; kanë një histori; një gjuhë, një
histori, një komb;
- Pikëpamja se krahas gjuhës letrare
standarde shqipe, ekziston edhe gegërishtja letrare, është pikëpamje
antikombëtare dhe antishqiptare; një pikëpamje të tillë, shumë kohë më parë, e
kanë mbështetur fuqimisht akademikët serbë;
- Pikëpamja se krahas kombit shqiptar
ekziston edhe kombi kosovar nuk është veçse pikëpamje antikombëtare dhe
antishqiptare; mbrojtja e një pikëpamjeje të tillë është tradhti e lartë;
*
* *
- Çështja shqiptare në Ballkan nuk
është çështje, as fetare dhe as ideologjike; çështja shqiptare në Ballkan është
çështje kombëtare dhe është e vetmja çështje e pazgjidhur e gadishullit;
- Të lidhësh miqësi me Beogradin dhe Josip Brozin (1892-1980) apo me Josip
Visarionoviç Xhugashvili Stalinin (1879-1953)
dhe Moskën dhe t’i shpallësh luftë
ideologjike Amerikës dhe Perëndimit, do të thotë të mos kesh vizion politik;
gabimet në histori mund t’i kushtojnë një populli, një shekull, mund ta lënë
një popull njëqind vjet pas;
- Shembja e monizmit dhe ardhja e
pluralizmit u mundësoi shqiptarëve të bëjnë kthesë historike; tani miq të
shqiptarëve janë Fuqitë e Mëdha të Perëndimit;
- Shqiptarët duhet të dëshmojnë se janë
popull politik dhe se posedojnë
aftësi për të ndërtuar shtet ligjor, shtet demokratik; të dëshmojnë se
posedojnë aftësi për të qeverisur shtetin;
- Shqiptarët janë popull
perëndimor dhe populli më proamerikan në botë; mirëpo,
s’mjafton dot të thuash jam properëndimor dhe proamerikan; për të qenë
properëndimor dhe proamerikan duhet t’i respektosh parimet themelore të
demokracisë dhe të funksionimit të shtetit të së drejtës; shtetin që udhëhiqet
nga politikanë që shndërrohen në milionerë, Perëndimi nuk e mbështet, madje
pavarësisht edhe nga interesat strategjikë që mund t’i ketë ndaj atij;
- Shqiptarët kanë miq në të katër anët
e botës; midis tyre janë Vatikani, ShBA-ja, Gjermania, Britania e Madhe, Italia,
Austria, Kroacia, etj.; shqiptarët
janë ndër popujt e rrallë në Evropë, në mos i vetmi, të cilët gjatë Luftës II
Botërore nuk ia dorëzuan Gestapos as edhe një hebre të vetëm;
* * *
- Periudha e tranzicionit që kalon
Shqipëria që prej vitit 1991 e deri më sot, është një periudhë e përgjakshme, e
paparë ndonjëherë në historinë e kontinentit të vjetër; çdo vrasje dhe vdekje
në qarkullimin rrugor;
- Për problemet me të cilat
ballafaqohen, shqiptarët nuk duhet t’i fajësojnë faktorët e jashtëm, siç janë
sundimi osman, politika antishqiptare e Beogradit, e Athinës dhe e Moskës;
sundimi osman mbi shqiptarët ka marrë fund qysh në vitin 1912; pra, më shumë se
një shekull; fajin për fatkeqësinë e vet, njeriu duhet ta kërkojë në vetvete;
- Kosova zë vendin e pestë në botë me linjit;
megjithëkëtë, ka sasi të pamjaftueshme të energjisë elektrike; të thuash se
politikës shqiptare i mungon aftësia për ta qeverisur shtetin, do të ishte e
tmerrshme dhe e dhimbshme; shtetin e varfër mund ta udhëheqin vetëm idealistët
dhe jo tregtarët apo tyxharët; qëllimi i tyre është të pasurohen dhe t’u lënë
pasuri marramendëse fëmijëve, nipave dhe mbesave të veta; akulli i trashë një
metër nuk është krijuar për një natë – thonë kinezët; problemet që kanë të
bëjnë me energjinë elektrike në Kosovë burojnë nga e kaluara;
- Ndër politikanë ka edhe të tillë që
hiqen aristokratë të politikës dhe të intelektualizmit; ata pandehin
se po qe se vishesh mirë dhe në televizion flet ngadalë, do të tregosh se je
aristokrat, edhe i politikës, edhe i intelektualizmit; këta politikanë apo
politikane, nuk janë veçse aristokratë të mashtrimit, të manipulimit, të
abuzimit, të gënjeshtrës, të vjedhjes, të hajdutërisë, të imoralitetit;
aristokratë të mashtrimit dhe të hajdutërisë, brenda një populli të varfër?!
Turp dhe mëkat!
- Kjo farë klase politike ekziston në
saje të inteligjencies oportuniste dhe konformiste, shumë prej tyre tregtarë
flamujsh; kjo kolonë poltronësh fare nuk çanë kokën se Shqipëria zë vendin e
dhjetë në botë me ikjen e trurit; të
ikësh prej një vendi me pozitë në Evropë, me dy dete, me pasuri dhe me bukuri
natyrore, kjo është e dhimbshme; shqiptarët një ditë mund të ballafaqohen me vdekjen
e bardhë, d.m.th. me shkallën e vdekshmërisë, më të madhe se të
lindshmërisë, me mortalitet më të madh se nataliteti;
“Anës detit i palarë,
Anës dritës i paparë,
Pranë sofrës i pangrënë,
Pranë dijes i panxënë”.
Noli
- Aristokratët e politikës dhe të
intelektualizmit, i kanë edhe shërbëtorët e vet. Këta janë analistët politikë,
ekonomikë dhe socialë – që të gjithë mercenarë. Shërbëtorë janë edhe
kalemxhinjtë që shkruajnë me porosi dhe që hiqen se po kritikojnë dikë apo
diçka. Në shërbim të këtij dance macabre ku mjerimi migjenian
pasqyrohet si një metarealitet, janë
edhe një pjesë e madhe e mediumeve, e gazetave, e revistave, e studiove
televizive, e të ashtuquajturave debate televizive, e portaleve. Në këtë ferr
dantesk
gjen gazetarë, redaktorë, kryeredaktorë, moderatorë, udhëheqës programesh,
debatesh. Asnjëri nga sa më sipër nuk çanë kokën për shpopullimin e trojeve, që
shpesh i quajnë ilire dhe arbërore.
- Shqiptarët nuk duhet të lejojnë përmbysjen e sistemit të vlerave; kur i
dobëti dhe i paafti del e bëhet udhëheqës dhe administrues, të aftit dhe të
ndershmit s’i mbetet tjetër pos të marrë rrugët pa kthim të botës;
- Me reality programe
ku mbizotëron zbavitja e lehtë dhe amoraliteti, tregtarët e politikës kanë
gjetur edhe mënyra për ta amortizuar pakënaqësinë e shoqërisë. Kaq larg nuk
kanë shkuar as edhe perandorët e lashtësisë.
- Pa një Shqipëri të konsoliduar, nuk
mund të pritet përparimi i kombit shqiptar në Ballkan. Derisa shqiptarët merren
me vetveten, armiku i tyre po forcohet. Derisa shqiptarët merren me mikrovlera,
armiku i tyre ndërton makrosisteme.






