Sabile Basha: Roli i mërgatës shqiptare në kujtesën historike të Kosovës (1)
ROLI I MËRGATËS SHQIPTARE NË KUJTESËN HISTORIKE TË KOSOVËS
TRAKTET
QË I MBIJETUAN KOHËS DHE ERRËSIRËS (1)

Teksa
po lëvizte disa materiale të vjetra, të strehuara dikur në heshtje nga koha dhe
kujtesa, djali im, Agoni, më thirri me një ngazëllim të veçantë në zë. Në duar
mbante një zarf të vjetër, të zverdhur nga vitet, sikur mbi të të kishte rënë
pluhuri i një epoke të largët. Me kureshtje dhe entuziazëm më tha se gjatë
rregullimit kishte gjetur atë zarf të mbushur me dokumente dhe se, sipas tij,
ato duhej të ishin diçka shumë e rëndësishme për mua, sepse mbi të shkruhej me
germa të thjeshta, por me një peshë të madhe kujtimesh: “Trakte, Ftesa, Thirrje,
Apele (Të viteve të ndryshme)”.
Kur
e mora zarfin në duart e mia, ndjeva një emocion të çuditshëm, një përzierje
mallëngjimi, kureshtjeje dhe drithërime të lehta. Ishte sikur koha të më kishte
trokitur papritur në derë. Me një padurim që mezi e përmbaja, e hapa ngadalë,
ndërsa në heshtje pyeta veten: çfarë vallë do të fshihej brenda këtij zarfi
misterioz, të mbijetuar nga harresa dhe vitet?
Dhe
aty, përpara syve të mi, u shpalos një botë e tërë kujtimesh të fjetura. Zarfi
ishte i mbushur me trakte, thirrje, apele, shënime dhe dokumente të rëndësishme
— copëza të një kohe të trazuar, zëra të një epoke që kishte jetuar mes frikës
dhe shpresës, mes heshtjes së detyruar dhe guximit për të folur. Secila letër
dukej sikur mbante ende aromën e viteve kur ishte shkruar; sikur nëpër të ende
të frymonte ankthi, idealizmi dhe etja për liri e atyre ditëve.
I
shikoja një nga një me habi dhe mall. Çdo fletë më dukej si një derë e hapur
drejt një kohe që dikur e kisha jetuar me gjithë qenien time, por që tani më
dilte përpara si një ëndërr e mjegullt. Përpiqesha të kujtoja momentin kur i
kisha futur në atë zarf, vendin ku i kisha fshehur, arsyen pse i kisha ruajtur
me aq kujdes — por kujtesa, e lodhur nga pesha e viteve dhe e ngjarjeve, nuk më
jepte përgjigje të qarta. Për çudi, nuk më kujtohej as viti, as dita, as çasti
kur ato dokumente kishin hyrë në atë strehë të heshtur letre.
Dhe
ndoshta pikërisht kjo e bënte atë zbulim edhe më të thellë. Ishte sikur koha
vetë të kishte vendosur t’i ruante ato dëshmi larg harresës, për t’i kthyer një
ditë sërish në duart e mia. Ato nuk ishin thjesht letra të vjetra; ishin gjurmë
të jetës sonë kolektive, fragmente të një historie të shkruar me ankth,
sakrificë dhe ideal. Në atë bibliotekë të qetë, mes librave dhe heshtjes, unë
nuk po lexoja vetëm dokumente — po rilexoja një pjesë të shpirtit tim dhe të
kohës që kishte kaluar mbi ne si një stuhi, por që kishte lënë pas zërin e saj
të pashuar në ato fletë të zverdhura.
Më
vonë, kur ia tregova Tefikut (bashkëshortit tim) atë zarf të vjetër, të mbushur
me kujtime dhe copëza historie, ai buzëqeshi lehtë, sikur edhe vetë po
rikthehej në një kohë të largët e të trazuar. Me qetësi më kujtoi se ato
dokumente, diku në dekadën e fundit të shekullit të kaluar, dikush m’i kishte
sjellë fshehurazi dhe m’i kishte dorëzuar. Më vjen shumë keq që sot nuk më
kujtohet emri i atij zotërie, ose vitet ta kenë bërë të vetën dhe ai emër të më
ketë ikur nga kujtesa.
Atëherë
ishin vite të rënda, vite kur frika ecte nëpër rrugë bashkë me njerëzit, kur
çdo letër mund të ishte një rrezik dhe çdo trokitje nate ta ngrinte zemrën
pezull. Në atë kohë të errët, kur besimi dhe dyshimi jetonin pranë
njëri-tjetrit, ruajtja e dokumenteve të tilla kërkonte jo vetëm kujdes, por
edhe guxim.
Dhe
unë, për t’i shpëtuar nga duart e pushtetit dhe nga syri i kohës, i kisha
fshehur në një vend të sigurt, mes disa gazetave të kohës, në një qoshe që në
pamje të parë nuk të linte ndonjë përshtypje të jashtëzakonshme. Vitet kishin
kalua mbi to si stuhitë mbi gurët e vjetër, por ato mbijetuan. Lagështia,
pluhuri, harresa dhe koha nuk arritën t’i zhdukin. Fletët e zverdhura, të
heshtura për dekada, i kishin rezistuar harresës sikur të ruanin brenda tyre
një betim të pathënë: se një ditë do të flisnin përsëri.
Dhe
tani, pas gjithë atyre viteve, vendosa ti shpalos para jush. Jo më si letra të
fshehura në errësirë, jo më si dëshmi që duhej të ruheshin në heshtje nga frika
e ndëshkimit, por si fragmente të gjalla historie. Secila prej tyre bart mbi
vete frymën e një kohe të vështirë, aromën e ankthit dhe të rezistencës,
dridhjen e duarve që i kanë shkruar dhe shpresën e atyre që besonin se fjala
mund të mbijetojë edhe kur njeriu hesht.
Teksa
i prek sot ato dokumente, më duket sikur prek vetë kohën. Ato më rikthejnë në
një epokë kur jeta zhvillohej në fshehtësi, kur idealet mbroheshin në heshtje
dhe kur edhe një copë letër mund të kishte peshën e një kryengritjeje. Dhe
ndoshta pikërisht kjo ua shton vlerën: fakti se ato nuk janë vetëm dokumente,
por dëshmi të shpirtit të pathyeshëm të një kohe dhe të njerëzve që, mes
errësirës, vazhduan të besonin te drita.
Dokumentet
që dolën nga ai zarf i heshtur i kohës ishin kryesisht në gjuhën shqipe — në
gjuhën e zemrës sonë, të dhimbjes dhe të qëndresës sonë. Nëpër ato fletë të
zverdhura frymonte shqipja e një kohe të trazuar: një shqipe e shkruar me ngut
e me frikë, por edhe me besim të madh; një gjuhë që nuk ishte vetëm mjet
komunikimi, por strehë identiteti dhe armë shpirtërore kundër harresës e
shtypjes. Çdo fjalë dukej sikur mbante mbi vete peshën e rrezikut, sepse në ato
vite edhe vetë gjuha shqipe shihej me dyshim nga pushteti, e çdo shkrim i saj
mund të konsiderohej akt kundërshtimi.
Por
mes atyre dokumenteve kishte edhe trakte në gjuhën gjermane, kishte parulla të
shkruara në gjuhë të huaja, të cilat koha m’i kishte ruajtur, por që unë sot
nuk arrij t’i kuptoj plotësisht, sepse nuk e njoh atë gjuhë. Megjithatë, edhe
pse nuk mund t’ua zbërthej çdo fjalë, ndiej se ato mbartin të njëjtën frymë
kohe, të njëjtin ankth dhe të njëjtën etje për liri që përshkon edhe dokumentet
shqip. Është sikur gjuha e tyre të mos jetë vetëm ajo e shkruar me germa, por
gjuha universale e qëndresës, e thirrjes për dinjitet dhe e përpjekjes
njerëzore për të mos u nënshtruar.
Pikërisht
për këtë arsye vendosa t’i botoj ashtu siç janë — si faksimile të një kohe të
rëndë, si dëshmi autentike të një epoke që jetonte në kufirin mes frikës dhe
guximit. Nuk dua t’i ndryshoj, as t’i zbukuroj, sepse vetë zverdhja e letrës,
njollat e kohës dhe shkrimi i tyre mbartin më shumë se fjalët: ato mbajnë
frymën e historisë. Janë relikte të heshtura të një periudhe kur edhe një copë
letër mund të konsiderohej krim, kur një trakt kishte fuqinë të trondiste
pushtetin dhe kur fjala e shkruar ndiqej si armik.
Ishin
vite kur dënohej jo vetëm autori që i shkruante ato dokumente, por edhe vetë
dokumenti si objekt “i ndaluar”, si dëshmi e mendimit të lirë. Madje,
ndëshkohej edhe ai që guxonte ta strehonte një trakt, ta fshihte në shtëpi, ta
ruante mes librave apo ta mbante në xhep. Frika kishte hyrë deri në muret e
shtëpive, në raftet e bibliotekave dhe në heshtjen e familjeve. Një fletë e
vogël letre mund të bëhej shkak për burg, përndjekje apo shkatërrim të jetës.
Dhe megjithatë, njerëzit vazhdonin t’i shkruanin, t’i shpërndanin, t’i ruanin
ato me kujdes, si të ruanin një copë të së ardhmes.
Sot,
kur i shoh ato dokumente të dalin nga errësira e fshehtësisë dhe të vendosen
përpara syve tanë, më duket sikur ato nuk janë vetëm trakte e parulla, por zëra
të mbijetuar të historisë. Janë dëshmi të asaj kohe kur fjala kishte çmimin e
sakrificës dhe kur guximi matej me aftësinë për të ruajtur një copë letër pa e
dorëzuar shpirtin. Në heshtjen e tyre të vjetër, ato ende flasin. Dhe ndoshta
flasin më fuqishëm sot se kurrë më parë, sepse mbi to nuk rëndon më frika e
burgut, por drita e kujtesës dhe e së vërtetës historike.
Këtë
seri shkrimesh dua ta nis me një trakt të veçantë, një copëz të vogël letre që
mbart mbi vete frymën e një kohe të trazuar dhe jehonën e një epoke kur fjala
shkruhej me guxim dhe shpërndahej me rrezik. Ai është shkruar më 10 qershor të
vitit 1982 dhe ishte shpërndarë në Bon të Gjermanisë — larg trojeve shqiptare,
por me zemrën të kthyer kah Kosova dhe plagët e saj. Vetë data e tij duket
sikur bart një simbolikë të thellë historike: 10 qershori, një ditë që në
kujtesën shqiptare lidhet me ngjarje të mëdha kombëtare, me përpjekje për liri
dhe me idealin e bashkimit shpirtëror të kombit.
Kur
e mora në duar atë trakt, ndjeva sikur po prekja jo vetëm një dokument të
vjetër, por një zë të mbijetuar nga mërgimi, një thirrje që kishte udhëtuar
përmes kufijve, frikës dhe kohës për të mbërritur deri në ditët tona. Ai ishte
shkruar në një kohë kur shqiptarët e Kosovës jetonin nën hijen e represionit të
rëndë pas demonstratave të vitit 1981, kur burgjet mbusheshin me të rinj, kur
fjala “liri” trajtohej si krim dhe kur mërgata shqiptare në Evropë ishte
shndërruar në një tribunë të zëshme rezistence.
Në
qytetet e largëta të Gjermanisë, larg maleve të Kosovës dhe rrugëve të
Prishtinës, zemrat shqiptare rrihnin me të njëjtin ankth dhe të njëjtën
dhimbje. Mërgimtarët, të ndarë fizikisht nga atdheu, e jetonin edhe më thellë
mallin dhe padrejtësinë. Ata nuk kishin armë tjetër përveç fjalës, protestës
dhe traktit të shtypur fshehurazi. Dhe pikërisht nga ai mërgim, nga Boni i Gjermanisë,
lindi kjo thirrje që mbante në vete zjarrin e revoltës dhe besimin se zëri i
shqiptarëve nuk mund të shuhej.
Titulli
i traktit është i shkruar me forcën e një britme kolektive:
“SA
MË SHUMË NË DEMONSTRATË KUNDËR IMPERIALIZMIT!”
Vetë
këto fjalë tingëllojnë sot si jehonë e largët e një kohe kur rrugët mbusheshin
me njerëz që kërkonin drejtësi, kur protestat nuk ishin vetëm akte politike,
por rituale shprese dhe dinjiteti. Në ato vite, demonstrata ishte më shumë se
dalje në rrugë, ajo ishte mënyra për të dëshmuar se populli shqiptar ende
jetonte, ende besonte dhe ende nuk ishte nënshtruar. Çdo parullë e ngritur në
ajër ishte një sfidë ndaj heshtjes që kërkonte pushteti. Çdo trakt i shpërndarë
ishte një dëshmi se mendimi i lirë nuk mund të burgosej.
Ky
trakt, i shkruar dhe i shpërndarë në mërgim, bart mbi vete frymën e
solidaritetit ndërkombëtar dhe të vetëdijes politike të kohës. Ai është një
dëshmi se shqiptarët, edhe larg atdheut, e ndienin dhimbjen e Kosovës si plagë
personale. Ata e shihnin veten si pjesë të një përpjekjeje më të madhe
historike, ku liria e popullit të tyre ishte e lidhur me rezistencën kundër
shtypjes dhe padrejtësisë.
Sot,
kur e lexoj atë titull të zverdhur nga vitet, më duket sikur dëgjoj zërat e
atyre demonstruesve të largët, hapat e tyre nëpër rrugët e Bonit, frymëmarrjen
e një mërgate që nuk kishte harruar rrënjët. Dhe kuptoj se këto trakte nuk janë
thjesht dokumente politike; ato janë fragmente të gjalla të kujtesës sonë
kolektive, dëshmi të kohës kur fjala kishte peshën e sakrificës dhe kur shpresa
shpërndahej fshehurazi, nga dora në dorë, si një dritë që nuk duhej të shuhej
kurrë.
Është
tepër interesante që sot, kur e lexon këtë trakt pas kaq shumë dekadash, ai të
krijon ndjesinë sikur vjen nga një botë tjetër, nga një realitet që nuk
përputhet plotësisht me konturat politike dhe ideologjike të Kosovës së sotme
apo me zhvillimet e botës bashkëkohore. Disa prej fjalëve, parullave dhe toneve
të tij mund të tingëllojnë të largëta, madje herë-herë të huaja për mendësinë e
kohës sonë. Por historia nuk mund të gjykohet me sytë e së tashmes pa kuptuar
errësirën dhe dritën e epokës në të cilën ajo ka lindur. Çdo dokument është bir
i kohës së vet, dhe çdo fjalë që është shkruar atëherë ka pasur peshën,
kuptimin dhe domosdoshmërinë e asaj periudhe.
Duhet
të kemi gjithmonë parasysh se kur është shkruar ky trakt, bota jetonte nën
hijen e Luftës së Ftohtë, e ndarë në kampe ideologjike, ku çdo popull dhe çdo
lëvizje politike kërkonte mbështetje brenda boshtit të madh të përplasjes
globale. Ishte një kohë kur ideologjitë nuk ishin thjesht bindje politike, por
mënyra të të jetuarit, forma identiteti dhe shpesh edhe mjete mbijetese
kombëtare. Në atë realitet të tensionuar, shqiptarët e Kosovës dhe të viseve të
tjera shqiptare në ish-Jugosllavi ndiheshin të vetmuar, të shtypur dhe të lënë
në margjinat e një federate që gjithnjë e më shumë po e zbulonte fytyrën e saj
represive.
Përballë
kësaj gjendjeje, i vetmi zë që shqiptarët ndienin si mbështetje morale,
politike dhe kombëtare ishte shteti amë — Shqipëria. Pavarësisht izolimit të
saj dhe sistemit komunist që e sundonte, Shqipëria për shumë shqiptarë jashtë
kufijve përfaqësonte simbolin e vetëm të identitetit kombëtar të papërkulur.
Ajo shihej si një strehë shpirtërore, si një flamur që ende valonte për
shqiptarët në kohën kur shumë dyer të tjera ishin të mbyllura për ta. Për këtë
arsye, mbështetja ndaj Shqipërisë nuk ishte gjithmonë vetëm mbështetje
ideologjike; shpesh ajo ishte një lidhje emocionale dhe kombëtare, një nevojë
për të ndier se diku ekzistonte ende një shtet që fliste shqip dhe që, të
paktën në retorikë, i mbronte interesat e shqiptarëve të mbetur jashtë kufijve
të tij.
Duke
qenë se Shqipëria e asaj kohe ishte një shtet komunist, ishte e natyrshme që
një pjesë e madhe e shqiptarëve në ish-Jugosllavi, sidomos rinia ilegale dhe
mërgata politike, të ndikonin nga ajo frymë ideologjike dhe të përkrahnin
sistemin që ekzistonte atje. Në sytë e tyre, Shqipëria nuk shihej vetëm si
regjim politik, por si simbol i rezistencës kombëtare dhe i mbijetesës
shqiptare në një botë të mbushur me armiqësi. Ata shpesh nuk shihnin izolimin,
varfërinë apo ashpërsinë e sistemit komunist, përkundrazi, shihnin një atdhe që
kishte ruajtur gjuhën, flamurin dhe krenarinë kombëtare.
Sot,
kur e lexojmë këtë trakt nga distanca historike, duhet të kemi mençurinë për ta
kuptuar dhe jo për ta gjykuar me lehtësinë e kohës moderne. Duhet të dimë të
dallojmë frymën e epokës nga realiteti i sotëm. Fjalët e tij janë pasqyrë e një
kohe kur idealet politike përziheshin me etjen për liri kombëtare, kur
ideologjia dhe atdhedashuria shpesh ecnin dorë për dore në mendjet e njerëzve
që jetonin nën shtypje.
Në
fund të fundit, ky trakt nuk është vetëm një tekst politik; ai është një dëshmi
emocionale dhe historike e një brezi që kërkonte shpëtim, mbështetje dhe
shpresë aty ku mendonte se mund ta gjente. Dhe pikërisht për këtë arsye ai
mbetet i rëndësishëm edhe sot — jo sepse na jep përgjigje për kohën tonë, por
sepse na ndihmon të kuptojmë shpirtin, frikën, idealet dhe ëndrrat e një kohe që
tashmë ka hyrë në kujtesën e historisë.
Duhet
thënë gjithashtu se lidhja shpirtërore dhe politike e shqiptarëve jashtë
kufijve të Shqipërisë me shtetin amë ishte aq e fortë, saqë ata shpesh e
shihnin botën me të njëjtin sy me të cilin e shihte Tirana zyrtare. Në atë kohë
të ndarjeve të mëdha ideologjike, kur bota ndahej në aleatë dhe kundërshtarë,
edhe shqiptarët e mbetur në ish-Jugosllavi apo të shpërndarë në mërgatë e
bartnin në vetvete këtë frymë politike dhe emocionale. Ata që ishin miq të
Shqipërisë konsideroheshin natyrshëm edhe miq të shqiptarëve jashtë saj, ndërsa
ata që Shqipëria i shihte si armiq, perceptoheshin po ashtu me mosbesim dhe
kundërshti edhe nga shumica e shqiptarëve të atyre viseve.
Kjo
nuk ndodhte vetëm për arsye ideologjike, por mbi të gjitha për shkak të nevojës
së thellë psikologjike dhe kombëtare për t’u lidhur me një qendër identitare.
Shqipëria, ndonëse e izoluar dhe e mbyllur brenda kufijve të saj politikë, për
shqiptarët jashtë saj ishte më shumë se një shtet — ishte simboli i ekzistencës
kombëtare. Ishte flamuri që ende valonte lirshëm në gjuhën shqipe, ishte emri i
një atdheu që, pavarësisht sistemit politik, mbante gjallë ndjenjën e
përkatësisë kombëtare.
Në
ato vite, shqiptarët e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare në
ish-Jugosllavi jetonin në një realitet të mbushur me pasiguri, diskriminim dhe
represion. Për këtë arsye, ata kërkonin një pikë orientimi shpirtëror dhe
politik, dhe atë e gjenin te Shqipëria. Kështu, qëndrimet politike të saj
shpesh përvetësoheshin edhe nga shqiptarët jashtë kufijve të saj, jo
domosdoshmërisht sepse ata i analizonin në mënyrë të thellë raportet
ndërkombëtare, por sepse e ndienin veten pjesë të së njëjtës plagë historike
dhe të së njëjtës ëndërr kombëtare.
Në
këtë mënyrë, miqtë e Shqipërisë bëheshin automatikisht miq të shqiptarëve në
mërgim dhe në Kosovë, sepse çdo mbështetje ndaj Shqipërisë shihej si një formë
mbështetjeje edhe ndaj çështjes shqiptare në përgjithësi. Ndërsa armiqtë e saj
perceptoheshin si kërcënim jo vetëm ndaj shtetit shqiptar, por edhe ndaj vetë
ekzistencës kombëtare të shqiptarëve kudo që ndodheshin. Ishte një kohë kur
kufijtë politikë nuk arrinin ta ndanin ndjenjën kombëtare, përkundrazi, shpesh
represioni dhe izolimi e forconin edhe më shumë atë lidhje emocionale me shtetin
amë.
Sot,
nga distanca e kohës, kjo mund të duket si një mënyrë romantike ose e
idealizuar e të menduarit politik. Por duhet kuptuar se atëherë shqiptarët nuk
jetonin në komoditetin e informacionit të lirë dhe të analizave të shumanshme
që kemi sot. Ata jetonin në një botë ku identiteti kombëtar mbrohej me emocion,
me besnikëri dhe me instinkt mbijetese. Shqipëria për ta nuk ishte vetëm një
realitet politik; ajo ishte një simbol shprese, një vend ku ata projektonin
dëshirën për liri, dinjitet dhe bashkim shpirtëror.
Prandaj,
kur lexohen sot dokumentet, traktet dhe thirrjet e asaj kohe, ato duhet të
kuptohen brenda këtij universi emocional dhe historik. Nuk mund të shkëputen
nga konteksti i kohës së tyre, sepse ato janë fryt i një epoke kur kombi shqiptar
jetonte i ndarë nga kufijtë politikë, por i bashkuar në ndjenja, në frikë, në
ëndrra dhe në besimin se Shqipëria, me gjithë të metat dhe kufizimet e saj,
mbetej drita e vetme që ndriçonte në horizontin e tyre të errët historik.
Protestat
e shqiptarëve në mërgim nuk ishin thjesht tubime njerëzish nëpër rrugët e
qyteteve evropiane, ato ishin britma të një populli të heshtur me dhunë, ishin
zëri i Kosovës së robëruar që kërkonte të dëgjohej përtej kufijve të
Jugosllavisë. Çdo demonstratë organizohej me një qëllim të vetëm dhe të
shenjtë: të sensibilizohej bota për fatin tragjik të Kosovës dhe për vuajtjet e
popullit shqiptar që jetonte nën shtypje, pa të drejta dhe pa liri.
Në
ato vite të rënda, kur brenda Kosovës fjala kontrollohej, protesta ndalohej dhe
çdo kërkesë për dinjitet kombëtar shpallej armiqësi ndaj shtetit, mërgata
shqiptare u shndërrua në një tribunë të gjallë të rezistencës. Shqiptarët e
shpërndarë në Gjermani, Zvicër, Austri e vende të tjera të Evropës, megjithëse
larg atdheut, e ndienin mbi supe barrën e dhimbjes së Kosovës. Ata nuk mund të
rrinin të heshtur, sepse çdo lajm që vinte nga vendlindja sillte histori
burgimesh, përndjekjesh, rrahjesh dhe mohimi të të drejtave më elementare
njerëzore e kombëtare.
Prandaj
demonstratat për ta nuk ishin vetëm akt politik; ato ishin detyrim moral dhe
kombëtar. Nëpër rrugët e Bonit, Cyrihut, Vjenës apo Brukselit, shqiptarët
ngrinin pankarta dhe brohorisnin jo për lavdi personale, por për të zgjuar
ndërgjegjen e botës. Ata donin që Evropa dhe opinioni ndërkombëtar të shihnin
se pas fasadës së “vëllazërim-bashkimit” jugosllav fshihej një realitet i
hidhur: një popull i tërë që jetonte pa liri, pa barazi dhe nën një regjim
represiv.
Vetëm
përmes demonstratave dhe organizimeve të tilla, mërgimtarët shqiptarë arrinin
ta çanin murin e heshtjes që përpiqej të ngrinte propaganda jugosllave. Ata
bënin një punë të jashtëzakonshme atdhetare, shpesh pa mjete, pa mbështetje dhe
nën rrezikun e përhershëm të ndjekjes nga shërbimet sekrete. Ishin punëtorë fabrikash
gjatë ditës, por në mbrëmje shndërroheshin në organizatorë protestash,
shpërndarës traktesh dhe zëdhënës të dhimbjes së Kosovës. Ata jetonin mes dy
botëve: fizikisht në Evropë, por shpirtërisht në Kosovën e tyre të robëruar.
Në
ato demonstrata, flamuri shqiptar valonte si simbol i identitetit të mohuar.
Çdo brohoritje ishte një akt sfide ndaj padrejtësisë. Çdo pankartë mbante mbi
vete ankthin dhe shpresën e një populli që kërkonte vetëm atë që popujt e tjerë
e kishin të natyrshme: të drejtën për të jetuar të lirë në gjuhën, kulturën dhe
dinjitetin e vet.
Mërgata
shqiptare arriti ta bëjë Kosovën çështje të diskutimit ndërkombëtar në një kohë
kur shumëkush në botë dinte pak ose aspak për vuajtjet e shqiptarëve në
ish-Jugosllavi. Përmes protestave, memorandumeve, trakteve dhe thirrjeve
publike, ata ua bënë të ditur mediave, institucioneve dhe opinionit të gjerë se
Kosova nuk ishte një krahinë “e qetë” siç e paraqiste propaganda zyrtare, por
një vend ku shqiptarëve u mohoheshin të drejtat më themelore njerëzore dhe
kombëtare.
Dhe
pikërisht këtu qëndron madhështia morale e asaj mërgate shqiptare: ata nuk
lejuan që heshtja ta mbulonte Kosovën. Edhe pse larg, ata e mbajtën të gjallë
zërin e saj. Ata u bënë ura që lidhte dhimbjen e Kosovës me ndërgjegjen e botës.
Nëpër demonstratat e tyre nuk dëgjohej vetëm zëri i individëve, por frymëmarrja
e një populli të tërë që kërkonte të mos harrohej.
Sot,
kur i kujtojmë ato protesta, ato na duken si lumenj njerëzorë të mbushur me
mall, revoltë dhe shpresë. Ato ishin më shumë se tubime politike; ishin rituale
të kujtesës kombëtare, ku mërgimtari shqiptar, larg vendlindjes, përpiqej ta
mbronte Kosovën me të vetmen armë që kishte: zërin e tij të lirë.
Prandaj,
dalja sa më masive në demonstrata nuk shihej thjesht si një akt proteste
politike, por si një domosdoshmëri historike dhe kombëtare. Për shqiptarët e
mërguar, çdo demonstratë ishte një dritare e hapur drejt botës, një mundësi për
ta bërë të dëgjueshme dhimbjen e Kosovës dhe për ta nxjerrë nga errësira e
heshtjes një popull që jetonte i robëruar nën regjimin jugosllav. Sa më shumë
njerëz të dilnin në rrugë, aq më i fuqishëm bëhej zëri i shqiptarëve dhe aq më
e vështirë ishte që bota të mbyllte sytë përballë padrejtësive që ndodhnin në
Kosovë.
Në
ato vite të rënda, demonstrata ishte më shumë se një tubim. Ajo ishte një formë
ekzistence kombëtare. Ishte mënyra me të cilën shqiptari i mërguar i thoshte
botës: “Ne jemi këtu, dhe populli ynë po vuan.” Çdo pjesëmarrës në protestë
ndiente se po mbante mbi supe jo vetëm fatin e vet, por edhe dhimbjen e
familjeve të mbetura në Kosovë, ankthin e të burgosurve politikë, heshtjen e
studentëve të përjashtuar, lotin e nënave dhe shpresën e brezave që ëndërronin
lirinë.
Dalja
në demonstrata kishte një rëndësi të jashtëzakonshme për shqiptarët që jetonin
nën robërinë e ish-Jugosllavisë, sepse ajo u jepte atyre ndjenjën se nuk ishin
vetëm. Në një kohë kur kufijtë politikë dhe represioni përpiqeshin ta izolonin
Kosovën, protestat e mërgatës krijonin një urë shpirtërore mes shqiptarëve
brenda dhe jashtë atdheut. Ishte sikur çdo brohoritje në rrugët e Evropës të
jehonte deri në qytetet dhe fshatrat e Kosovës, duke u thënë njerëzve të
shtypur se dikush po fliste për ta, dikush po ngrinte zërin në emrin e tyre.
Demonstratat
kishin edhe një forcë tjetër të madhe: ato e thyenin propagandën zyrtare
jugosllave. Regjimi përpiqej ta paraqiste Kosovën si një vend të qetë, ku
shqiptarët gëzonin të drejta dhe jetonin në harmoni. Por mijëra shqiptarë që
mbushnin rrugët e qyteteve evropiane dëshmonin të kundërtën. Prania e tyre
ishte provë e gjallë se në Kosovë ekzistonte një plagë e thellë politike dhe
kombëtare, një padrejtësi që nuk mund të mbulohej më me parulla boshe
ideologjike.
Sa
më të mëdha bëheshin demonstratat, aq më shumë rritej shpresa se çështja shqiptare
do të dëgjohej nga institucionet ndërkombëtare, nga mediat dhe nga ndërgjegjja
demokratike e Evropës. Për mërgimtarët, pjesëmarrja në protestë ishte një akt
sakrifice dhe krenarie. Shumë prej tyre rrezikonin vendin e punës, ndiqeshin
nga shërbimet sekrete, fotografoheshin dhe regjistroheshin si “armiq politikë”,
por megjithatë nuk tërhiqeshin. Ata e dinin se heshtja do të ishte tradhti ndaj
Kosovës.
Në
të vërtetë, demonstratat e mërgatës shqiptare u shndërruan në një formë moderne
të rezistencës kombëtare. Ato nuk zhvilloheshin me armë, por me pankarta,
flamuj dhe fjalë; megjithatë, fuqia e tyre morale ishte e jashtëzakonshme. Në
ato rrugë të huaja, shqiptari i mërguar nuk protestonte vetëm kundër shtypjes
politike, por edhe kundër harresës. Ai kërkonte që bota ta njihte ekzistencën
dhe vuajtjen e popullit të tij.
Sot,
kur i kujtojmë ato demonstrata, ato na shfaqen si lumenj njerëzish të mbushura
me mall për atdheun, me revoltë ndaj padrejtësisë dhe me besim të pashuar te
liria. Ato ishin çaste kur mërgata shqiptare bëhej zëri i Kosovës së heshtur,
zemra e saj që rrihte larg, por për të njëjtën ëndërr. Dhe pikërisht për këtë
arsye, dalja sa më e madhe në demonstrata konsiderohej jo vetëm e nevojshme,
por jetike për fatin dhe të ardhmen e shqiptarëve që jetonin të robëruar në
ish-Jugosllavi.
Vijon












