Nexhmije Mehmetaj: Zëri i studentëve shqiptarë për gjuhën dhe dinjitetin kombëtar

“Kombi është mbi çdo parti” – Zëri i studentëve shqiptarë për gjuhën dhe dinjitetin kombëtar

Në
një atmosferë të mbushur me emocion, krenari dhe vendosmëri kombëtare, qindra
studentë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut u mblodhën në Tiranë në
mbështetje të studentëve shqiptarë në RMV, duke ngritur zërin për të drejtën
legjitime të zhvillimit të provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Protesta, e zhvilluar pranë ambasadës së Maqedonisë së Veriut, u shndërrua në
një manifestim të fuqishëm të solidaritetit mbarë shqiptar dhe të mbrojtjes së
identitetit kombëtar.
Studentët
deklaruan me vendosmëri se nuk do të ndalen derisa kërkesat e tyre të
realizohen plotësisht. Për ta, kjo nuk është thjesht një çështje administrative
apo akademike, por një betejë për dinjitetin, gjuhën dhe të drejtat themelore
të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Në
fjalimet e mbajtura gjatë protestës u theksua se shqiptarët nuk janë të vetëm
dhe se mbështetja nga Shqipëria dhe Kosova është një dëshmi e unitetit
kombëtar. Një nga studentët kujtoi me shqetësim presionin psikologjik që kishin
përjetuar studentët shqiptarë gjatë udhëtimit të tyre në Maqedoninë e Veriut,
duke dënuar heshtjen dhe indiferencën e atyre që, sipas tij, për interesa
pushteti harruan kauzën kombëtare.
“Një
Shqipëri e tërë i ka sytë dhe zemrën te studentët shqiptarë në RMV”, u shpreh
ai, duke theksuar se çdo padrejtësi ndaj shqiptarëve prek ndërgjegjen kombëtare
të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen.
Në
protestë u dëgjua fuqishëm edhe zëri i të rinjve që kërkuan angazhim dhe
përgjegjësi nga brezi i tyre. Një studente u shpreh se heshtja dhe indiferenca
janë rrezik për kombin, ndërsa rinia duhet të jetë forca që mbron gjuhën dhe
identitetin shqiptar.
“Kombi
mbahet gjallë nga ata që nuk heqin dorë prej tij”, deklaroi ajo mes
duartrokitjeve të pjesëmarrësve.
Atmosfera
mori edhe më shumë emocion me pjesëmarrjen e gazetarit të njohur Marin Mema, i
cili mbajti një fjalim të zjarrtë për bashkimin kombëtar. Ai theksoi se
interesat politike nuk mund të jenë mbi interesin kombëtar dhe se të rinjtë
shqiptarë duhet të jenë gardianët e identitetit dhe historisë së tyre.
“Kombi
është mbi çdo parti. Ngjyrat kuqezi janë mbi çdo ngjyrë tjetër”, u shpreh ai,
duke shtuar se shqiptarët do të luftojnë çdo ditë për Shqipërinë dhe për çdo
pëllëmbë të trojeve shqiptare.
Mes
flamujve kuqezi dhe thirrjeve për drejtësi, studentët përcollën një mesazh të
qartë: gjuha shqipe nuk është vetëm mjet komunikimi, por trashëgimi, histori
dhe amanet brezash. Ata deklaruan se nuk kërkojnë mëshirë, por respekt dhe
barazi për studentët shqiptarë dhe për identitetin e tyre kombëtar.
Kjo
protestë dëshmoi edhe një herë se kur preket gjuha dhe dinjiteti kombëtar,
shqiptarët dinë të bashkohen përtej kufijve dhe ndasive politike, duke e kthyer
zërin e tyre në një forcë që nuk mund të injorohet.
Nexhmije Mehmetaj
Gjenevë, 26.05 2026







