Ndue Ukaj: Kisha në Zogaj dhe kriza e identitetit shqiptar

3h më parë

Kisha në Zogaj dhe kriza e identitetit shqiptar

Nga Ndue Ukaj

Reagimet dhe protestat kundër kishës në Zogaj të Vushtrrisë, ma kujtojnë një kohë, jo shumë të largët, kur, në Prishtinë, shkrimtarë të njohur, historianë, gazetarë e botues mediash, por edhe plot të tjerë, njerëz me ndikim, të mërdhezur çirreshin kundër katedrales “Nënë Tereza”, pra, edhe kundër emrit të Nënë Terezës.

Prandaj, pseudoargumentet se këta që sot po kundërshtojnë kishën në Zogaj, po e bëjnë këtë pse atje gjoja nuk ka besimtarë, për mua janë të rreme.

Duket qartë se këto reagime e frustrime, lidhen, parasegjithash me një krizë serioze identitare, që rëndon mbi jetën e shqiptarëve.

Shqiptarët, shpesh, me vetëdije apo pa të, flasin për drejtësi historike. Dhe mirë bëjnë që flasin.

Sepse është i lum ai popull që ka etje për drejtësi.

Dhe lufta për drejtësi nuk duhet të pushojë kurrë.

Është detyre sublime njerëzore.

Por, në këtë pikë, ka plot shqiptarë që nuk janë vetë në anën e drejtësisë.

Për shembull: ka shumë shqiptarë, që flasin gati me obsesion për padrejtësitë që kinse i ka bërë Europa kundrejt nesh, përdorin etiketa për ta akuzuar atë, madje, mes tyre ka edhe historianë, shkrimtarë, njerëz të dijeve humane, që përqurren duke sharë perëndimin, por shumë rrallë dëgjon shqiptarë, të flasin me të njëjtën uri për drejtësi, kur bëhet fjalë për shkatërrimet e mëdha që bëri perandoria otomane mbi kombin shqiptar, për çka, ka të vërteta që bërtasin prej tokës e deri në kupë të qiellit.

Pse ndodh kjo?

Arsyet mund të jenë të gjithfarshme, por ajo që ka rëndësi këtu e që duhet të thuhet me zë të artikuluar është se, akuzat e padrejta që shqiptarët ia mveshin Europës, në njërën anë, dhe amnistia që i bëjnë Turqisë në anën tjetër - janë shenja të një patologjie të rëndë kombëtare. Të një krize, që shpesh bëhet burim i të gjitha krizave tona; një gjendje paraamenzie, që lidhet me gabime në kujtesë, ndaj shpesh ngatërrohet liria e vërtetë me lirinë e dajakut.

Në fakt, ky soj ligjërimi publik është i gërditshëm dhe shpesh shkakton të vjella mendore, që kundërmojnë e njerëzve ua zënë frymën në këtë tymnajën e paqartë, ku, kohëve të fundit ecim të trullosur, duke u zgjuar si perëndimorë, duke bërë jetë si orientalë e duke rënë në gjumë në ëndrra kozmopolite.

Vërtet, nëse bëjmë një ekskursion të shkurtë në histori, dhe duam t’i shohim vetëm ato shenjat e mëdha, të dukshme, lë të themi pikturën e madhe, mund të shihet qartësisht dhe kthjelltësish se, prej Europës, na kanë ardhur të mira pakarahasimisht më shumë se të këqija, ose, më saktë perëndimi, na ka nxjerrë prej baltës ku na lanë otomanët, duke na ndihmuar të bëhemi shtet e shoqëri normale. Të njëjtën gjë e përsëriten me Kosovën, në vitin 1999, kur na nxorën prej kthetrave të vdekjes e të mjerimit, dhe në vitin 2008, kur na ndihmuan të bëhemi shtet.

Dhe sot, falë perëndimit, shqiptarët e kudondodhur, jetojnë më mirë se kurdoherë në historinë e tyre shumëshekullore, sepse jetojnë në përkim me vlerat perëndimore; jetojnë të lirë dhe kjo liri ka shërbyer për zhvillimin e gyre të gjithmbarshëm.

Meqë jemi popull me kujtesë të shkurtë, duhet t’ua kujtojmë këtyre trutharëve shqiptarë që e mbajnë thellë në zemër pushtimin otoman dhe i shërbejnë me zell padrejtësisë historike, atë që thoshin atdhetarët, që e nxorën kombin e shqiptarëve prej kthetrave të perandorisë otomane, bashkë me perëndimin: për pesëqind vjet me radhë, tokat tona u lanë djerrë, pa shkolla, pa art, pa kulturë, pa infrastrukturë, pa asnjë ndërtesë mahnitëse, pra, pa asnjë mjet me të cilin mirëmbahet ekzistenca e një shoqërie, e kultura, si oksigjeni kryesor për jetën e një kombi.

Prandaj, protesta që këto ditë bëjnë disa banorë kundër ndërtimit të një kishe, në një katund të Vushtrrisë, janë rrjedhojë e pastër e krizave tona identitare, e një krize që nuk e kemi kuruar: raporteve tona të mjegullta me të kaluarën, pra me vetveten, ato mosmarrëveshje që Ismail Kadare i ka trajtuar në librin monumental, “Mosmarrëveshja- Shqipëria përballë vetvetes.”

Sepse, po të ishim të etur për drejtësi, një kishë shqiptare, meriton të ndërtohet në secilin qytet të Kosovës, fundja, në shenjë mirënjohje ndaj kontributit të saj madhor për historinë tonë kulturore, por edhe për të ripërtërirë sadopak një padrejtësi të rëndë që i ka ra barra kësaj kishe shqiptare, dhe të krishterëve, përgjatë kalvarit të gjatë të historisë.

Dhe unë vetë i përkas një rajoni mbi të cilën ka rënë padrejtësia otomane, ku janë kryer krime të rënda kundër njerëzve që nuk kërkonin asgjë më shumë sesa liri, liri për të jetuar e besuar siç donin ata vetë.

Kishës katolike shqiptare - për shkak të rrethanave historike - i ka rënë barra të kishte funksion të shumëfishta historike: ajo ruajti gjuhën shqipe prej dvarjes, hapi shkolla, kur ato pengoheshin, brenda saj u shkruan veprat e kryeveprat më të rëndësishme kombëtare, me një fjalë, ajo ishte shtyllë që nuk u thye kurrë, ku u ruajtën kujtimet e papërlyera të shqiptarëve e njëkohësisht u mbajt e ndezur ideja e identitetit autentik, të cilin e luftonte sundimi otoman me mjetet të dhunshme - me një fjalë - ajo kontribuoi që të ruhej lidhja me të kaluarën dhe identiteti europian i shqiptarëve, në kuptimin që këtij identiteti i ka dhanë Ismail Kadare.

Prandaj, të dalësh me parulla kundër një kishe në një fshat të Kosovës, domethënë të dalësh hapur kundër kësaj pjese të rëndësishme të historisë sonë kulturore, domethënë, të ngatërrosh konceptet e dajakut me të lirisë. Dhe në një rrafsh tjetër, të akuzosh një grusht njerëzish, pse duan të ndërrojnë fenë, domethënë të jetosh në mospërkim absolut me standardet dhe vlerat e demokracisë bashkëkohore.

Sepse, në rendin demokratik, njerëzit kanë të drejtë të besojnë e të mos besojnë, të ndërrojnë fenë si t’ua do qejfi. Kjo është liria për të cilën kemi gjakuar shekuj e shekuj, prandaj duhet ta ruajmë si sytë e ballit.