Ndue Ukaj: Stublla e kujtimeve

1h më parë


Ndue Ukaj:

“Botën e shohim vetëm një herë: në fëmijëri. Më pas, gjithçka është kujtesë”, thotë Louise Glück, laureate e Çmimit Nobel për Letërsi.

Sot u ktheva në këtë mjedis, ku e kam shikuar botën për herë të parë, si fëmijë. Me këtë mjedis vërtet më lidhin shumë kujtime e ngjarje. Është Kisha e Shën Gjergjit, që në përfytyrimin tim, si fëmijë, më lidhte me heroin tonë kombëtar. Se Gjergjin, që fëmijë e kam menduar si një shenjëtor të kombit.

Më vonë, në fillim të viteve të nëntëdhjeta, kur qielli për ne u err dhe filloi stina e gjatë e robërisë, në këtë oborr filloi Manifestimi “Takimet e Don Mikelit”, në kujtim të shkollës së parë shqipe të legalizuar në Kosovë, të vitit 1905.

Ky manifestim ishte një prej ngjarjeve ma domethënëse në vitet e nëntëdhjeta, në gjithë Kosovën, një formë e bukur dhe aktive e refuzimit estetik kundrejt shtypjës e dhunës.

Krahas kësaj ngjarje, në këtë mjedis jam magjepsë me tregimin për periudhën e Martirëve të Karadaket të vitit 1846-1848. Ky tregim, lidhet ngushtë me shkollën dhe ekzistencën tonë kombëtare.  Dhe në këtë mjedis, kujtimet e tyre ruhen të gjalla dhe iu flasin breznive të reja.

Shpesh, si fëmijë e pastaj si i ri, shkoja në këtë oborr dhe e pyesja veten: si kishin guxuar ata njerëz, për arsye lirie e ndërgjegje, t’i dilnin përballë një perandorie të egër?

Dhe përgjigja nuk ishte e lehtë, por për mua ishte një shkollë që më kaliti, duke më dhënë forcë t’i rezistoja dhunës serbe.

Vitet e nëntëdhjeta ishin një kohë terrori, por në këtë oazë, unë ndieja afshin e lirisë, paqen e bukur, lidhjen me të kaluarën dhe kuptoja peshën e madhe që kishte libri e kultura mbi jetën njerëzore.

Si fëmijë, i dëgjoja me entuziazëm tregimet rreth kësaj shkolle dhe e imagjinoja priftin e vyeshëm, Dom Mikel Tarabulluzin, me veladonin e tij dhe një shandan tek përhapte dritë në një errësirë të madhe, pastaj imagjinoja ata nxënës të varfër e të shtypur nga sundimi e dhuna osman, të frikësuar, duke hyrë në dyert e asaj shkolle të vjetër, për të fituar pak dritë.

Më kujtohet me çfarë entuziazmi i prisnim “Takimet e Dom Mikelit”, në vitet e nëntëdhjeta. Asokohe, në Stubëll vinin figurat më me peshë të kulturës sonë.

Më kujtohet, në vitin e parë, kur sundimi serb mbi ne rëndonte, këtu flitej për liri e për kulturë, recitoheshin poezi e këndoheshin këngë. Atë vit, i gjithë fshati ynë ishte i rrethuar e nën trysni të tmerrshme të policisë serbe. Dhe përballë tyre, rrinin njerëzit sypatrembur, të udhëhequr nga heori e këtyre takimeve, Dom Rrok Gjonlleshaj, sot argjipeshkëv në Tivar.

Unë, si kureshtar që isha, që në mengjes të asaj dite të shtatorit të vitit 1990, dola në rrugët me kalldrëm, të shihja figurat që do merrnin pjesë në manifestim.

Gëzimi ishte qiellor. Emocionet ishin të forta.

Atë vit, në Stubëll, erdhën shkrimtarët më të njohur të Kosovës, intelektualët më në zë, shumë klerikë e artistë. Dhe unë, një grup prej tyre e kam shoqëruar prej Kishës së madhe deri te kjo kishë -muze, për t’iu dëftuar rrugën. Gjatë gjithë rrugës përpjetë, unë kisha ndjesinë se ecja me disa hyni.

Sot, u ktheva në këtë mjedis të bukur paqe dhe përjetova ndjenjat e fëmijërisë, teksa kujtova disa episode të jetës sime dhe i thashë poetes Louise Glück: po, ne botën e shohim njëherë, në fëmijëri. Më pas gjithçka është kujtesë.